Figura
e Skënderbeut është një subjekt që mund të ketë bibliografinë më të madhe në
Bibliotekën Kombëtare. Për të kanë shkruar albanologë, shkrimtarë romantikë,
studiusë shqiptarë etj. Si një nga figurat më të mëdha të etnosit dhe kombit
shqiptar, në mos më e rëndësishmja , ajo është bërë një subjekt i gjithfarë
gjinive letrare, i monografive serioze , i historive lokale dhe kombëtare dhe i
miteve dhe legjendave popullore.
Për këtë arsye, shkrimi i një biografie apo
studimi të ri për të në formën e një monografie , është një sfidë e madhe që
kërkon pasion dhe vullnet për të hyrë në labirinthet e historisë, diplomacisë
dhe fisnikërisë Skënderbejane por mbi të gjitha kërkon seriozitet dhe skrupuluzitet shkencor për të ditur të gjesh fillin e Arianës nëpër
këto labirinthe monopate të mbuluara shpesh herë nga pluhuri i kohës por në
shumë raste edhe nga dashakeqësia për ta minimizuar figurën e Gjergj
Kastriotit.
Për
të gjitha veprat monografike që shkruhen për Heroin Kombëtar të shqiptarëve ,
dashje pa dashje egziston si një etalon matës vepra klasike Barletit, që edhe
pse shpesh herë studiuesit e mëvonshëm kanë zbuluar dhe vërtetuar që ka lapsuse
përsa i përket fakteve historikë apo dhe
mënyrë të shkruari me stil panegjirik njëlloj si “Jetët Paralele” të Plutarkut
për ta glorifikuar heroin, sërish publiku i gjerë në mënyrë të pavetdijshme e
krahason çdo vepër të re që shkruhet për Skënderbenë me të. Sigurisht që ky
fakt do të gëzonte çfarëdolloj autori, përfshi këtu edhe Barletin që që në
gjallje pa frutin e punës së vet, por jam i sigurtë që cdo autor serioz që
shkruan për Gjergj Kastriotin përveçse ndjen një përkushtim dhe vlerësim të
veçantë për biografin e parë të tij, kërkon të zhbirojë më tutje për të kuptuar
diçka që në kohën e Barletit mund të mos perceptohej si vlerë e tillë, ndaj dhe
në veprën e tij mund të mos ketë një trajtim të plotë të këtij fenomeni dhe ti
mëshohet më tepër betejave ushtarake dhe nganjëllimit të Skënderbeut ndaj
ushtrive otomane që ishin dhe rrezik serioz dhe për vet Evropën. E kam fjalën për universalizmin e figurës së
Skënderbeut, për cilësitë që e bëjnë atë jo vetëm një hero lokal të
shqiptarëve, por një Komandant ushtarak e Kryediplomat të Evropës, cilësi që ne
bashkëpatriotët e tij pak ia njohim dhe në të shumtën e rasteve të nxitur nga
një modesti provinciale nuk i përmendim apo në rastin më të keq i keqpërdorim duke
i lexuar ato vetëm siciologjikisht për të përligjur dështimet tona të
mëvonshme, por asnjëherë në formën e një analize krahasuse me heronjtë e etnive
e kombeve të tjerë. Vepra e publicistit Virgjil Kule, “Gjergj Kastriot
Skënderbeu-Kryqëtari i fundit” nxjerr në pah pikërisht këtë universalizëm të
Skënderbeut, ku formulën e Kuvendit të Lezhës “I pari mes të barabartëve” e
zhvendos me fakte dhe analizë historike dhe matanë Adriatikut, në teatrin e
diplomacisë evropiane ku Skënderbeu është një i “barabartë dhe shpesh herë i
parë mes të barabartëve” , princave dhe dukëve italianë. Risia e kësaj
monografie është pikërisht tek një gjurmim dhe selektim me shumë përkujdes i
fakteve historikë duke mos rrëfyer një sagë Skënderbejane për hir të historisë
si kanë rrëfyer që nga Barleti e deri te akademiku Kristo Frashëri, por te
rivlerësimi dhe nxjerrja në pah edhe të diplomacisë, lojës për pushtet dhe
strategjisë panevropiane të Skënderbeut, cilësi që që ridimensionojnë figurën e
Gjergj Kastriotit duke i dhënë me të drejtë atributet e një burri shteti dhe
strategu ushtarak të përmasave evropiane. Ky lloj këndvështrimi i veçantë që
autori ka zgjedhur duke bërë një analizë të qartë në kohë dhe hapësirë të
figurës së Skënderbeut, aksionit të tij ushtarak e diplomatik, marrëdhenieve të
tij me osmanët e veçanrisht me Venedikun, analizë që i përngjet rrathëve të një
druri që nga viti 1443 e deri sa vjen në qendër në vitin 1467, e kthen
monografinë nga një tekst historie i përsëritshëm e monoton në një monografi ku
lexuesi shkon hap pas hapi me autorin në zbulimin e dimensionit të vërtetë të
Heroit tonë Kombëtar. Ky lloj rrëfimi i zgjedhur me intuitë dhe mjeshtëri nga
publicisti Virgjil Kule, një mjeshtër i hershëm i dokumentareve është “filli i
Arianës” që e çon lexuesin në cdo skutë e dhomë të errët të figurës së
Skënderbeut për ta parë si në një film dokumentar të gjithë epokën e lavdishme
të tij. Skënderbeu ishte një Princ i kohës që analizon filozofi italian Makiaveli, i lindur në Arbëri
nën sferën e influencës perëndimore të asaj kohe, i rritur në Turqi ku gjithë
monarkia është e qeverisur nga një drejtues dhe të tjerët janë veçse skllevër
të tij sipas Makiavelit në veprën e tij të famshme “Princi”. Në përpjekjen e
tij madhore për tu bërë Udhëheqësi i Kryqëzatës kundër otomanëve shpesh herë si
del në libër ai u përpoq ta anashkalonte pavarësinë e princërve të tjerë
shqiptarë dhe ta kthente vendin e vet në
një model të organizuar sipas modelit të Frances mesjetare që përshkruan Makiaveli, si një territor i qeverisur nga një mbret,
por i rrethuar nga një numër i madh fisnikësh të njohur e të dashur si të tillë
nga nënshtetasit e vet e që kanë priviligjet e tyre nga të cilat mbreti nuk
mund ti privonte pa u rrezikuar nga reagimi i tyre. Një përpjekje shumë e madhe për një njeri që fati i tij qe
troshitur sa midis Lindjes dhe Perëndimit, një përpjekje që la gjurmë në
histori dhe në kohë, një përpjekje që iu njoh si meritë nga Evropa por edhe nga pasardhësit e vet, ndaj ai sot
vlerësohet e studiohet në Akademinë Mbretërore të Londrës për strategjinë dhe
taktikën e tij ushtarake, ndaj bustet dhe monumentet e tij janë në të gjitha
sheshet qendrore evropiane , ndaj pas leximit të këtij libri pret të vlerësohet
vet më shumë nga bashkëkombasit e dhe në vecanti për diplomacinë e tij, këtë
pjesë panjohur nga publiku shqiptar e që tani përmes faqeve të këtij libri mund
të lexohet e kuptohet më mirë.
Suplementi
Rilindesi , 09.06.2013
No comments:
Post a Comment