Friday, 4 January 2013

Skënderbeu në Plejadën Franceze




Sonet për Skënderbeun


Veç kuaj të harbuar dhe race s’nxjerr Epiri
Që dalin fitimtarë në vrapin olimpian;
Por nxjerr dhe luftëtarë kreshnikë të tillë me nam
Që mburren se në rrembat u lëvrin gjak Akili.


Pirron kam dëshmitar, atë fatos vigan,
Që kurrë s’u mund gjersa n’Argos iu këput filli,
Dhe Skënderbeun që mundi popullin skithian
Atë nga gjithë Azia që jashtë ka nxjerrë ungjillin

O nder I shekullit! Shqiptar, ti trim i ndjerë,
Që shpartallove turqit njëzet edhe dy here
Që gjithë ushtrisë së tyre i kalle lemerinë,
I vdekur do të ishe, atje në varr harruar,
Sikur ky Levardeni të mos i kish fituar
Sërish ato beteja që t’amëshojnë lavdinë.


Pierre De Ronsard (1524-1585)

Pierre De Ronsard  ishte më i madhi poet lirik i kohës së tij. U godit nga shurdhëria që në të ri dhe vendosi t’i kushtohej krejtësisht  letërsisë. Filloi të shkruajë nën ndikimin e Horacit e më pas të Pindarit e të Petrarkës. U bë kryetar i Plejadës, një nga shkollat më të rëndësishme poetike franceze, e cila solli një fluturim të vërtetë poetik, të paparë gjer më atëherë në poezinë franceze. I kritikuar nga Malerbi dhe Bualoi pas vdekjes, për rreth dy shekuj emri u harrua. U rivlerësua dhe iu dha vendi që meritonte në poezinë franceze, në fillim të shekullit XIX, nga kritiku ishquar Sen Bëv. Me kulturën shqiptare ai është i lidhur në mënyrë të tërthortë pasi është autori i një soneti për fatosin shqiptar të Mesjetës, Skënderbeun që e botoi në krye të veprës “Histori e Gjergj Kastriotit, t; mbiquajtur Skënderbe, mbretit të Shqipërisë” të Levarden, botuar në 1621 në Francë. Mesa duket Ronsari nuk ishte në dijeni për botimin e veprës së Barletit dhe autorëve të tjerë kushtuar Skënderbeut, prandaj i thurr lavde Lavardenit, si të parit që bëri të njohur veprën heroike të Skënderbeut. Interesant është fakti që ashtu si vet Heroi Kombëtar i shqiptarëve, Skënderbeu që mëtonte origjinën epiriote të shqiptarëve në letrën e vet dërguar Princit të Tarentit, edhe poeti e revokon këtë origjinë nëpërmjet heronjve të antikitetit epiriotë si Akili dhe Pirrua. Heroi Kombëtar i shqiptarëve frymëzonte pareshtur edhe shumë vite pas vdekje së tij , artin evropian duke qenë në këtë mënyrë , një hero jo vetëm i shqiptarëve por edhe i gjithë qytetrimit evropian.
Soneti ka ardhur në shqip nën pëkthimin mjeshtëror të Vedat Kokonës, këtij intelektuali dhe përkthyesi par exallance të kulturës shqiptare. Emri i tij ka qenë një emër i mbuluar me një tis misteri dhe admirimi në rininë time të hershme, pasi kur shijoja një pjesë të madhe të letërsisë klasike të përkthyer mjeshtërisht prej tij më vinin ndërmend dhe fjalët e time gjyshe që e kishte kushuri dhe i kujtohej sëbashku me të vëllanë kur patën ardhur nga Izmiri në Gjirokastër në shtëpitë e Kokonate në lagjen Palorto dhe ende s’ishin mësuar me realitetin. Më andej kur lexova kujtimet e tij “Endur në tisin e kohës” të botuar pas vdekjes pashë sesi ishte pjekur intelektualisht i riu Kokona që studioi për drejtësi por që fati i gjuhës shqipe dhe përkthimit shqip e solli që të ishte një nga princërit e tij.


Përgatiti: Dorian Koçi


No comments: