Monday, 10 April 2017

Fustanella, ushtria dhe epoka e Ali Pashë Tepelenës



Qëndrimi ndaj figurës së Ali Pashë Tepelenës, nuk u ka shpëtuar dhe shqetësimeve gjeostrategjike të kohës.  Që në gjallje të tij Ali Pashë Tepelena u pa si një “despot oriental”tipik nga udhëtarët evropianë qofshin turistë kulturorë apo dhe përfaqësues diplomatikë. Rrjedhimisht si i tillë nën influencën e rrymës së Filo-Helenizmit që ishte shumë prezent në atë kohë dhe në kundërshtim me çfarë shprehte popullsia greke, ai konsiderohej si dhunues e shtypës të asaj ç’kishë mbetur nga Greqia e Lashtë.Natyrisht këto sentimente melodramatike shërbenin dhe si një mbulojë për të mbuluar frikën që shkaktonte kontrolli vërtet i  frikshëm i Aliut mbi Greqinë kontinentale, Adriatikun dhe Egjeun.Ky kontroll strategjik bëhej akoma dhe më i padëshirueshëm nga Fuqitë e Mëdha nëse krijohej shteti i pavarur i Ali Pashë Tepelenës, i cili sipas të gjitha gjasave ashtu si pashallëku i Janinës do të dominohej nga elita fisnike dhe ushtarake shqiptare. Nga gjiri i kësaj elitë fisnike ushtarake kishin dalë së ushtarët më të mirë të Perandorisë Osmane. Gjatë shekujve të mëparshëm popullsia shqiptare në përgjithësi kishte qenë një element force në perandori.Ndaj të gjitha Fuqitë e Mëdha që Aliu hyri në marrëdhënie diplomatike u përpoqën ta përdornin në kundërshtitë që kishin me njëra-tjetrën në rajon, por kurrë nuk i dhanë mbështetjen e duhur diplomatike për të shpallur pavarësinë.

Veshja e ushtarit shqiptar të kohës së Ali pashë Tepelenës ishte një kombinim midis petkave të lehta dhe fustanellës. Kjo e fundit u mbajt edhe në uniformën e Regjimentit  “Gjuajtësit e Orientit” të formuar në Ishujt Jonianë në 1807. Regjimenti “Gjuajtësit e Orientit” ishte një regjiment i formuar kryesisht nga suliotët dhe nga shqiptarët e tjerë nga kontinenti që ofronin shërbimin tradicional të mercenarisë por edhe kishin braktisur vendet e tyre si rezultat i armiqësive që kishin pasur me pushtetin e centralizuar të Ali Pashë Tepelenës.

Fustanella shqiptare, e cila duke qenë më shumë e pëlqyer mes popullsive të Ballkanit u imitua më shumë nga popujt e tjerë më të largët. Me këtë veshje disa udhtarë të huaj në XVIII-XIX vërejnë se ishin të veshur truprojat e oborreve princërore të Moldavisë, të Vllahisë në Bukuresht. Gjithashtu Major Ëilliam Martin Leak, përfaqësues i Anglisë në Janinë, që kishte pasur mundësinë para Bajronit ti vizitonte këto zona, kishte shkruajtur që në 1805: Veshja shqipare po bëhet përditë e më e zakonshme, si në More edhe në pjesët e tjera të Greqisë në këtë të fundit për shkak edhe të rritjes së madhe të fuqisë shqiptare. Kjo veshje është më e lehtë dhe më e volitshme se ajo turke ose greke”.
Të gjitha këto dëshmi hedhin dritë mbi influencën dhe “ekspansionin” etnografik nëse mund ta quajmë kështu të shqiptarëve që duke qenë elita ushtarake e Pashallëkut të Janinës, përveçse zakoneve dhe mjeshtërive të tyre të luftimit u kishin imponuar nga ana estetike dhe veshjen e tyre kombëtare popullsive të tjera në Ballkan.




Monday, 27 March 2017

Shqiptari energjik


Mehmet Aliu lindi në vitin 1769 në një familje shqiptare nga Kavalla (Thesali). Ishte një ushtar i thjeshtë, kur më 1801 u dërgua në Egjypt për të marrë pjesë në shtypjen e revoltave  të mamlukëve, zotër të vendit që prej shek. XIII. Më 1804, në krye të jeniçerëve shqiptarë, ai i dëboi mamelukët nga Kajro e u shpall governator.  Brenda viteve 1820-1840 ushtria dhe flota e Mehmed Aliut, nën komandën e djalit të tij po aq të shquar, Ibrahim Pashës, u shfaqën sa në Kretë e Peloponez, aq edhe në Lindjen e Mesme, duke kërcënuar vetë kryeqëndrën e Perandorisë. Në 1831-2 Ibrahim Pasha pushtoi tërë Palestinën, Libanin si dhe provincën e Damaskut. Sulltani dërgoi për të shtypur shqiptarin rebel, vezirin e madh,  Mehmet Reshit Pashën, i cili vetëm ndonjë vit më parë kishte masakruar në Manastir ajkën e parisë kryengritëse shqiptare (1830). Por Ibrahim Pasha i shpartalloi forcat osmane dhe e vazhdoi kundërmësymjen drejt zëmrës së Anadollit, ku mori Konjën, Qytahjan dhe Bursën.


Monday, 20 March 2017

Poezia e parë në gjuhën shqipe

Tradita e shkrimit të shqipes tek arbëreshët, që është e dokumentuar të paktën nga vepra e Lek Matrëngës E mbsuame e krështerë 1592, libër që ka 28 faqe, i shkruar në dialektin tosk dhe që përfshin brenda tij poezinë e parë të dokumentuar shqipe. Ky fakt dëshmon se tradita e të shkruarit të shqipes në Shqipërinë e Jugut ishte po aq e konsoliduar sa dhe në Veri. ‘E mbsuame e krështerë’, ‘Doktrinën e Krishterë’, përmban doktrinën e krishterë, shkruar në dialektin toskë nga papas Lukë Matrëngës. Siç pohon titulli ‘E mbsuame e krështerë’, është, pra, ‘Doktrinë e Krishterë’ në gjuhën shqipe dhe është një Katekizëm prej njëzetetetë faqesh,  përkthim i veprës së jezuitit spanjoll, Atë Dr. Jakob Ledesma (1516-1575), shkruar latinisht.
Vepra e Lukë Matrëngës përmban një hyrje në gjuhën italiane, një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe katekizmin në formën e dialogut ndërmjet priftit e besimtarit që përgatitet për t’ marrë sakramentet e shenjta. Kjo vepër u hartua për t'u përdorur nga arbëreshët që nuk e kuptonin variantin latinisht apo italisht të katekizmit dhe u përdor nga qindra familje me prejardhje shqiptare në Kalabri, Sicili e në Pulje të Italisë.

Gjithëve thëres,kush do ndëlesë,
të mirë të krështë,burra gra,
mbë fjalët e Tinëzot të shihi meshë,
se s'ishtë njerii nesh çë mkatë s'kaa;
e lum kush e kujton se ka të vdesë,
e mentë bashkë mbë Tënëzonë i kaa,
se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,
e bën për bijr të tij e për vëlla.

(1592)




Monday, 13 March 2017

Arbëria mesjetare dhe Milan Shuflaj



Arbëria Mesjetare është një koncept dhe perceptim historik ende jo shumë i prekshëm dhe i studiuar mirë në shkollat tona dhe për rrjedhojë dhe jo shumë i njohur nga brezi i ri. Kapërcimet pindarike, që bëhen në tekstet e historisë që mësohet në shkolla nga periudha ilire në atë arbëre dhe orët e pakta në dispozicion nuk bëjnë të mundur që të ketë një panoramë më të gjerë të zhvillimeve historike dhe kulturore të Arbërisë paraosmane dhe përngjashmërisë së saj me jetesën, kulturën dhe zhvillimet politike të përtej Adriatikut.


Sunday, 26 February 2017

Arapët në Shqipëri.


Prania e popullsisë zezake ka qenë e pakët në Shqipëri. Edhe pse territoret shqiptare bënin pjesë në Perandorinë Osmane, në një perandori konglomerat për nga popullsia, etnitë dhe besimet fetare , prania e kësaj popullsie nuk ka lënë gjurmë të forta në këto territore. Dokumentimi i parë kësaj popullsie në territort arbëre gjenden në këngën popullore Gjergj Elez Alia, ku ky i fundit ndeshet në disaa variante me bajlozin e zi dhe në disa të tjerë arapin e zi. Studiuesit e folklorit kanë evidentuar me kohë që bajlozi i zi , bëhet fjalë për bajlin e Venedikut, emërtimi i ambasadorëve të kësaj republike në shtete të tjera. Në rastin kur përmendet si arapi i zi, ka të ngjarë që përfaqësues të pushtetit venedikas të ishin nga popullsia afrikane e Marokut dhe Algjerisë që shërbenin si mercenarë në trupat venedikase. Një personazh i tillë për shembull është Otello i Shekspirit, çka dëshmon që numri i tyre i përfaqësimit në trupat vendedikase kishte një frekuencë të lartë. 


Sunday, 19 February 2017

“Muza” e Rezistencës Antikomuniste.


Figura e Musine Kokalarit pavarësisht ndryshimit të sistemeve politike nuk është trajtuar ende në dimensionin e saj të plotë intelektual. Përveçse një shkrimtare e talentuar dhe njeri i letrave ajo ka pasur dhe një angazhim të fuqishëm intelektual dhe politik në shoqërinë shqiptare të pas luftës. Ky angazhim politik i saj nuk do të mund të kuptohet nëse nuk analizojmë mendimin e saj politik të shprehur në programin e Partisë Social Demokrate të hartuar prej saj si dhe kontekstin historik të ballafaqimit të opozitës antikomuniste me komunistët shqiptarë që kishin ardhur në pushtet. Rezistenca e saj morale dhe intelektuale ka lënë gjurmë të pashlyeshme në mendimin intelektual shqiptar. 


Monday, 13 February 2017

Jeta urbane dhe arsimimi në zonën e pushtimit italian gjatë Luftës së Parë Botërore


Gjatë kohës që po piqeshin kushtet për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, dy nga gjashtë Fuqitë e Mëdha të kë kohës, Italia dhe Austro-Hungaria ishin përkrahëse të çështjes shqiptare. Të dyja fuqitë mbanin këtë qëndrim, sepse synonin të kontrollonin Detin Adriatik, porta e madhe e tyre tregtare në Lindjen e Afërt. Këto territore, në fakt prej mëse një gjysëm shekulli ishin zona të ekspansionit të tyre ekonomik. Në të njëjtën kohë Austro-Hungaria dhe Italia, kundërshtonin daljen e Serbisë në Adriatik, pasi shikonin në këtë rast një plotësim të ambicies së Pansllavizmit në rajon. Ndonëse Austro-Hungaria ishte një hap përpara në aspektin politik dhe kulturor, dukej se Italia po i kushtonte një rëndësi të veçantë aspektit ekonomik.