Monday, 13 February 2012

Ngatërresë e ëmbël





Zogjtë të ngatërrojnë shpesh me pemë
Dhe vinë e bëjnë fole tek ty
Dielli të kujton se je ujëvarrë
Dhe të ylberon herët me rreze
Pranvera të ngatërron me lule
Dhe të çel çdo mëngjes
Unë të thërras thjesht
E dashur........



Pritja




Përkotet ekrani përgjumësh
i apokalipsuar në vetmi,
shurdhohet telefoni në heshtje
si sfinks në pritje,
zbehtojnë abazhurët në dhomë
si sy të verbër,
dimri në xhama
belbëzon si memec
Ti duhet të vish,
patjetër të vish
tu japësh këtyre sendeve jetë
Unë të pres...



Sunday, 12 February 2012

Akili dhe Pentesileja





...Dhe Akilët i vrasin Pentesiletë
gjakosin një dashuri në pelena
shkatërrojnë idile lumturie,
masakrojnë shpirtin tyre
e pastaj qajnë mbi kurmin e dëshiruar
që mes puthjesh e ledhatimesh
do deshën ta kishin prekur
ndërsa gjaku shkon çurg
të vadisë tokën e tharë , të thekur
S’është e vërtetë që Akilët
vdesin nga një shigjetë në thembër
ata vdesin nga hiri i Pentesileve
që u digjet në zemër...


Tuesday, 7 February 2012

Vegimet e Goya-s

                                                                “Ti që për asnjë gjë i zoti s’je,
                                                                Mbamë në kurriz se mirë e ke”


Fransisco Goya 1746-1828  konsiderohet si mjeshtri i fundit i madh  pikturës klasike dhe një nga pararendësit e artit modern. Ai është shumë i njohur për pikturat që realizoi për të familjen mbretërore në Spanjë , piktura që tregojnë shkëlqimin e oborrit spanjoll por në pararendjen e tij drejt artit modern ai zbuloi pikturat bardhë e zi në formën e karikaturave që sipas fjalëve të tij pasqyronin “dobësitë dhe idiotësitë që mund të gjendeshin në çdo shoqëri civile dhe që paragjykimet e përbashkëta dhe praktikat mashtruese që prodhojnë injoranca ose interesat vetjake i kanë bërë ato mëse të zakonshme”. Los Caprichos u publikuan ne vitin 1799 ne një kohe represioni shoqëror dhe krize ekonomike ne Spanje. Seria e karikaturave bardhe e zi "Kapriçot" ishte një dëshmi e liberalizmit politik te Fransisco Goya-s dhe revoltës se brendshme kundrejt injorancës dhe shtypjes ndaj intelektualeve qe bënte ne atë kohe monarkia spanjolle dhe Inkuizicioni. Në shqip ato u përmendën për herë të parë në vitet 70’ sëbashku me romanin e mrekullueshëm të Lion Feuchtëanger “Rruga e mundimshme drejt njohjes”, një roman historik për Goya-n, përkthyer nga i paharruari Robert Shvarc. Botimit të parë të këtij romani censura i hoqi rreth 100 faqe që pasqyronin jetën erotike të Goya-s, faqe që mesa duket u quajtën të pavlefshme për formimin dhe edukimin e Njeriut të Ri që po përpiqej në çdo formë dhe mënyrë ti ngjante Lej Fenit kinez. Ishte koha kur në Shqipëri qarkullonin korrentet e Revolucionit Kulturor kinez, korrente që do të zbeheshin në fund të viteve 80’ kur romani do të ribotohej sërish por tashmë i plotë. Ky botim do të shoqërohej dhe me ilustrime ku karikatura e famshme me diçiturën “Tu que no puedes “ do të përkthehej nga Shvarci “Ti që për asnjë gjë i zoti s’je/Mbamë në kurriz se mirë e ke”. Përkthimi i letërsisë klasike kur mundte jepte shkëndija të kuptimit të realitet gri shqiptar pasi lexuesi përveçse analogjisë së thirrjeve të Inkuizicionit në mesnatë me thirrjet dhe survejimet e Sigurimit të Shtetit mund të kishte një panoramë më të gjerë nga kjo karikaturë për realitetin shqiptar ku shumica e kuadrove zgjidheshin nga “kllasa punëtore”. Vegimet e Goya-s mund të ishin vegime të kujtdo intelektuali shqiptar që arrinte dhe e kuptonte realitetin ndaj një meritë e madhe shkon për të gjithë atë brez përkthyesish që nëpërmjet përkthimeve të tilla hidhnin dritë mbi errësirën e fanatizmit dogmatik shqiptar. Ndaj për brezin tim Goya mbetet një piktor i madh por dhe një njeri i madh që nën një përkthim mjeshtëror të romanit të një shkrimtari antikomformist si Lion Feuchtëanger kontribuonte në kultivimin e shijeve tona estetike. Mirëpo gjërat nuk duken të kenë ndryshuar shumë në vendin e shqipove pasi kjo karikaturë me emërimet nepotike dhe shpërblyese për batakçiun e radhës që të siguron vota duket se i përshtatet dhe realitetit të sotëm shqiptar. Shumë të shkolluar por pak ekspertë të vërtetë, shumë buxhet i harxhuar për trajnimet e “ekspertëve” tanë dhe shumë pak impakt i tyre në shoqëri. Diçitura e Shvarcit duket se rezonon dhe sot duke na lënë të gjithë të shtangur dhe në pikëpyetje se ç’shtet të së drejtës kemi ndërtuar në këto njëzet vjet tranzicion. Sigurisht të mposhtur nga kjo dilemë jemi ne aty poshtë pasi ata që mbajmë lart as që e lodhin kokën por mundohen të rrinë sa më mirë dhe të përfitojnë sa më mirë. Me pak fjalë sa të mendohemi ne , ata nëpërmjet gjithfarë dredhish kanë mbaruar punë. Rrofshin dhe i paçim për jetë se mesa duket e meritojmë një fat të tillë.




Sunday, 5 February 2012

Kadare dhe Çajld Harold. Magjia e një poezie







Çajld Harold

Kalanë e Tepelenës unë e pashë;
E shkretë ish, bedenat pa njeri,
As roje, as shtiza, as Ali Pashë,
Më nuk kumbon. Por heshtje . Qetësi.

Nuk pashë un’ as zjarre sipër kullash,
As kuaj, as llambadha mbi xhami,
Por pashë tek libraria anës udhës
Si blinte “Çajld Haroldin” një fëmi



Ismail Kadare “Ëndërrime” 1957 



Çlidhje mund të ketë midis përjetimeve dhe poezisë? A është eksperienca , të prekurit dhe e të përjetuarit e realitetit një kusht themelor për shkrimin e një poezie? Këto janë pyetje universale që rëndojnë ndërgjegjen e të gjithë atyre që pëlqejnë poezinë, të paktën që nga momenti që njeriu i hershëm aty në shpellën e lagësht vizatimin që kish bërë kërkoi që ta shprehte dhe me fjalë. Po ç’fjalë se? Fjalë të zakonshme? Sigurisht që jo. Në poezi përdoren fjalë që të prekin thellë në shpirt dhe të bëjnë të “arratisesh” me mendje në realitete të tjera. Si fjalët p.sh të Iliadës së Homerit që na dëftejnë vetëm 51 ditët e fundit të Luftës së Trojës dhe që na shtyn të mendojmë se ndoshta dhe ai ishte një nga luftëtarët akeas që ndihte dhe perceptonte gjithçka në atë luftë heroike. Nëse mundohemi ta marrim për të vërtetë dilemën e parë , atë që eksperienca , të prekurit e të përjetuarit e realitetit është një kusht themelor për shkrimin e një poezie, për fat të keq këtë detaj ne nuk e dimë për Homerin pasi të dhënat që kemi për të nuk na e lejojnë këtë gjë, kurse për poetë që janë më afër viteve tona mund të flasim me siguri.
Lord Bajroni ishte vetëm 21 vjec kur do vizitonte Pashallëkun e Janinës dhe të takonte në Tepelenë , Pashain karizmatik të quajtur Ali. Eksperiencat dhe përshtypjet e tij nga udhëtimi në Lindjen e Afërt , ai do ti përshkruante në dy Kantot e para të poemës “Child Harold” që e bëri atë të famshëm menjëherë në gjithë Evropën. Kjo poemë do të citohej dhe vlerësohej vazhdimisht nga çdo shqiptar që do të binte në kontakt me kulturën e përbotshme dhe veçanërisht atë anglo-saksone, derisa do ta sillte në shqip të tërën në mënyrë mjeshtërore, mjeshtri i fjalës Skënder Luarasi më 1955. Se çfarë impakti ka pasur ky botim në botën shqiptare, kjo gjë dallohet qartë nga vargjet e mëposhtme të Ismail Kadaresë që përshtypjet e udhëtimit të tij drejt Tiranës nga Gjirokastra , me ndalesën e pashmangshme të autobusit në Tepelenë për të dorëzuar postën dhe për të marrë pasagjerë të tjerë, rikrijon sërish një skemë kozmopolite të historisë së qytetit të vogël. Janë të gjithë personazhet e mundshëm aty, Ali Pasha dhe Bajroni i fshehur në mantelin e poezisë të botuar në libër me emrin “Child Harold” dhe një fëmi që pafajësisht hyn në botën e poezisë së madhe duke blerë një libër që sapo ka dalë në qarkullim. Kjo paraqitje e Bajronit nën mantelin e një emri tjetër, duket se i përngjan një rizbulimi të vjetër ballkanas me legjendën e vëllait të vdekur që vjen e troket në portë për të sjellë motrën dhe pastaj ikën sërish në zbrazëtirën që ka lënë në varrin e vet pas stërmundimit të madh për tu rikthyer njëherë në jetë. Po Bajroni ç’mund të ketë dashur  kur ka marrë  rrugën e vet sërish për në Tepelenë përmes fjalëve dhe gjuhës së një njeriu që është mjeshtër i përkthimit? Kë ka sjellë nga humbëtira e varrit të vet  diku larg në Britani?
Për vite me radhë shqiptarët u ushqyen mendërisht dhe estetikisht me veprat e letërsisë klasike që sillnin një aromë tjetër në bregun e ashpër të Adriatikut që nuk kish njohur në masën e duhur ose aspak as Rilindje Evropiane, as Iluminizëm as Revolucion Industrial. Në përpjekjen e tyre për tu përshtatur me një botë që kish ndryshuar dhe vazhdonte të ndryshonte me shpejtësi marramendëse që nga momenti që ata kishin dashur ti bashkëngjiteshin, kishte çoroditje se kujtonin se kishin gjetur rrugën (koha më vonë e tregoi se s’qe ajo e duhura), kishte utopi se do ndërtonin diçka të re( bota kish vite që ndërtonte gjëra të tilla), kishte iluzion se do viheshin në ballë të botës( botës i ishin dashur shumë vjet për të qenë aty ku ishte) por kishte dhe etje për kulturë dhe këtu bota mund t’i ndihmonte. Ndoshta Bajroni i veshur me mantelin e Child Haroldit rikthehej në Tepelenë pikërisht për këtë arsye, ndaj dhe Ismail Kadaresë as 20 vjecar në atë kohë nuk i bënte përshtypje për të gjetur me imagjinatë  “shtiza e llambadha” as “kuaj as zjarre sipër kullash” por libraria e hapur rishtazi në qytet dhe fëmija që pafajësisht i ndërpriste ndoshta rrugën autobusit që po e çonte poetin e ri drejt Tiranës. “Child Haroldi” kish filluar shtegtimin e tij sërish në viset shqiptare ndoshta me vetëdije që kësaj radhe të mos i gjente më të rreptë por dhe më shumë të kënduar. Sfidë e madhe për një poet si Bajroni, për një vepër si “Child Harold” dhe për një letërsi klasike e përkthyer në shqip!
 Shumë vite më vonë , tashmë rreth 57 vjet më vonë shikojmë se udhëtimi nuk ka qenë i kot. Poeti riosh Ismail Kadare është bërë shkrimtar i madh dhe i lexuar në tërë botën në veprën e tij të shkruar në shqip e të përkthyer në gjuhë të huaja. Për më tepër ai ka udhëtuar në vendin e “Child Haroldit” për të marrë një çmim prestigjioz për letërsinë çka i bën krenar gjithë bashkëkombësit e tij. Në Tepelenë është vënë një pllakat për Bajronin dhe njerëzit e përshëndesin gjithë ditën sa herë kalojnë nga qendra e qytetit, fëmija i pafajshëm mund të jetë bërë një nga bardët që qyteti ka nxjerr kohë pas kohe dhe qyteti nuk i përngjan më një fushëbeteje si e përshkruan Bajroni tek “Child Haroldi”. “Koha ndryshon realitetet, njerëzit dhe ngjarjet” thotë një postulat i vjetër i perceptimit të saj. Sigurisht që është kështu. Nuk ka dyshim për këtë gjë, por në këto ndryshime në qytetin e vogël dhe simpatik jugor ka luajtur rol dhe Bajroni i ardhur me mantelin e “Child Haroldit” i përkthyer në shqip nga një njeri me kulturë të madhe i quajtur Skënder Luarasi. Një kontribut i trefishtë si në përralla, i Bajronit, Child Haroldit dhe Skënder Luarasit dhe njësoj si dhe në përralla ai që ka përfituar ka qenë fëmija që duke lexuar vargjet e famshme “Shqipëri o nënë e burrave të rreptë” ka hyrë në botën magjike të poezisë botërore. 

Suplementi "Rilindësi" 5.02.2012




Saturday, 4 February 2012

Njeriu Praktik




Në filozofinë që mësohej në shkolla të mesme dhe fakultete të para viteve 90’, pragmatizmi studiohej përciptas si një rrymë filozofike e dëmshme që kish në themel të tij pranimin e gjërave dhe ideve praktike dhe që si kriter të së vërtetës kishte maksimën që “ çdo gjë ishte e vërtetë kur ishte dhe funksiononte në mënyrë të kënaqshme për njeriun”. Ky prakticizëm dhe ky vlerësim i së vërtetës në këtë lloj mënyre shikoheshin si të dëmshëm nga ana gardistëve të moralit komunist, pasi ata në thelb e largonin njeriun nga ndjenja e tij komunitare duke e kthyer në një individualist që përpiqej të plotësonte vetëm nevojat e tij imediate private. Për më tepër i parë në këtë prizëm, pragmatizmi kthehej në një filozofi kundërshtare për marksizëm-leninizmin që zotëronte gjithë jetën e përditshme të “Njeriut të Ri” pasi e largonte atë nga e ashtuquajtura fryma revolucionare dhe zbehte besimin e tij për utopinë më të madhe së kohës-Triumfin e revolucionit botëror. Ndaj ishte shumë e vështirë që të gjeje qoftë dhe një personazh që ishte pozitiv dhe pragmatist në të njëjtën kohë, në gjithë letërsinë zyrtare të Realizmit socialist. Në të kundërt, personazhet negativë mishëronin të gjitha vetitë e pragmatizmit edhe pse ai nuk përdorej drejtë për së drejti me këtë emër. Një tip pragmatist për shembull ishte dikush që linte punën e shtetit pa bërë dhe interesohej për të bërë punë private për të fituar më shumë të ardhura sesa rroga e tij e përmuajshme. Ky akt konsiderohej si një akt i ulët pasi vazhdonte ta mbante të lidhur individin me pronën private , të cilën  komunizmi e shikonte si burimin kryesor të sjelljeve negative të njeriut dhe për këtë arsye përpiqej me të gjitha mënyrat që ta zhdukte. Sigurisht që  konstatimi i mësipërm tingëllonte dhe tingëllon absurd pasi individi në vetvete në të gjitha kohërat dhe epokat ka kërkuar që ta rrisë mirëqenien e tij materiale dhe në këtë kontekst punësimi i tij në atë sektor që është më fitimprurës ka qenë çelësi i suksesit të tij.
Përmbysja e madhe në fund të viteve 80’ në gjithë Evropën Lindore rrëzoi dhe iluzionet e mundshme për kinse ndërtimin e një shoqërie të re të bazuar në pronën e përbashkët, pasi u pa shpejt se morali dhe idealet e “Njeriut të Ri” u shkërmoqën shumë shpejt në luftën e përditshme për të mbijetuar në xhunglat kaotike që pasuan rrëzimin e regjimeve totalitare. Vakuumin shpirtëror dhe material që solli ndërrimi i sistemeve , njerëzit u munduan ta plotësojnë vetë me normat e reja të moralit që ndërtuan për të rregulluar marrëdhëniet midis tyre. Në këtë kontekst cilësitë dhe praktikat e pragmatizmit u bënë të modës edhe pse shpesh paradoksialisht herë njerëzit vepronin instinktivisht pa ditur qartë ose pa e dëgjuar fare më parë rreth tij. Mesa duket prirja natyrale e njeriut shqiptar ishte një prirje e përgjithshme si e gjithë njerëzimit duke mos bërë dallim në këtë pikë .Por ajo që vërtet e dallon pragmatizmin shqiptar nga të tjerët është se kurrë ai nuk u zbatua pozitivisht në politikë për të arritur kompromise të mëdha në integrimin e vendit dhe si i tillë mbeti më shumë pronë e individëve shqiptarë që me presionet e tyre nga poshtë-lart politikës e pragmatizuan dhe atë negativisht.
Në këtë mënyrë politika shqiptare ra në kurthin e ndërrimit të “Njeriut të Ri” të utopisë socialiste  me “Njeriun Praktik” që po lulëzon në epokën tonë. Ajo është e ndërtuar e gjitha për ti shërbyer dhe marrë prej tij, dhe përfaqëson kauzat e kësaj specie të re që e shohim përditë mes nesh. “Njeriu Praktik” është më tepër se pragmatist dhe për fat të keq përfaqëson shpirtin e epokës. Kështu p.sh kur dikush i shet bindjet e tij politike për një karrierë të shpejtë administrative qoftë dhe në krahun tjetër politik të cilin deri dje e ka sulmuar vazhdimisht, ne këtë nuk e quajmë më shitje karakteri por e përgëzojmë duke e pagëzuar si pragmatizëm. Kur shohim se një intelektual hyn në politikë si mesazher i së mirës, mirëqenies dhe shpresës për elektoratin e vet dhe përfundon në një sekser korrupsioni dhe trafikant influence për të përvetësuar të ardhura të pamerituara, ne sërish këtë gjë nuk e quajmë tradhti intelektuale por e pagëzojmë si të “shkathët” dhe pragmatist. Kur shikojmë se dikush që ka përfunduar të gjitha shkallët e arsimit natën ose me korrespodencë emërohet si specialist në një ministri për të përfaqësuar shtetin shqiptar dhe interesat e tij ne sërish këtë gjë nuk e quajmë degradim i së mirës dhe fillimi i mbretërimit të injorancës, por sërish e quajmë si njeri të “hedhur”, të “zotin” dhe pragmatik.
Të gjitha rastet e mësipërme janë pjesë nga mozaiku jetësor shqiptar në këtë tranzicion të vështirë njëzetvjeçar. Dikush mund t’i etiketojë reagimin ndaj tyre dhe si raste të veçanta dhe jo si frymë e përgjithshme që mbizotëron në opinionin shqiptar. Realiteti në fakt është i hidhur. Shitja e karakterit, tradhtia intelektuale dhe mbretërimi i injorancës janë shtuar në mes nesh se ne i kemi pranuar heshtur si vlera duke bërë lëshime me ndërgjegjen tonë, që nga pranimi në politikë i individëve të tillë që shesin njërin krah por që shumë shpejt mund të shesin dhe ty që i pranon,nga politikani udhëheqës  që për efekt votash i duhet mbështetja në njerëz të tillë “intelektualë”, apo dhe nga mësuesit dhe pedagogët që me nota fiktive lejojnë këta tipa të fillojnë karrierën. Korrupsioni monetar është një derivat i zvetënimit moral  të shoqërisë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve  më shumë se çdo tjetër u duhet të braktisin dhe dënojnë moralin e sotëm duke përqafuar një përtëritje morale që do i çojë drejt asaj që Shileri e quante, “e vjetra shembet, një botë e re po lulëzon gërmadhash”. Bota e re e pas revolucionit francez që Shileri synonte është perfeksionuar në ndërtimin e Evropës së sotme moderne. Rrugëtimin e vërtetë tonë drejt saj le ta fillojmë nga adaptimi i vlerave të saj.