Saturday, 29 June 2019

Dëshmorët hebrenj antifashistë të Shqipërisë.





Pushtimi i Shqipërisë nga Italia Fashiste më 7 prill 1939 rrëzoi shumë mite mbi të cilën shqiptarët e viteve ’30 kishin sendërtuar identitetin e vet, ndaj edhe përpjekjet për të rifilluar një luftë çlirimtare sigurisht që nuk do të kalonin përmes së njëjtës shkollë mendimi dhe veprimi. Koha kërkonte një dinamikë tjetër dhe reminishencat e politikës osmane dhe hasburgase të kompromisit, bashkëpunimit, tradhtisë në çastin final që gjallonin këtyre anëve dhe që kishin brumosur shumicën e elitës politike shqiptare nuk mund të ishin më të zbatueshme në një botë që kish ndryshuar aq shumë që nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore. Një botë që ziente nën thundrën e makinës ushtarake të nazifashizmit që promovonte “diferencat nga natyra” – superiorët mbi të tjerët e darvinizmin social, kërkonte një luftë të pakompromis dhe vetëmohuese, çka britanikët si mjeshtërit e politikës të bazuar në “common sense”-gjykimit të shëndoshë e kuptuan dhe nuk ngurruan të bëjnë aleancat e nevojshme për të dalë fitimtarë nga ky konflikt.

Në kohë paqe asqë nuk mund të mendohej që konservatori Winston Churchill t’i jepte dorën bolshevikut Stalin, por koha dhe interesat i diktuan që të dy që të hynin në një aleancë. Sigurisht, të rezervuar, aspak miq dhe me plane më veç për të ardhmen e Europës, por të vendosur për t’i dhënë fund murtajës së shekullit – fashizmit. Ky konflikt i madh ideologjik e botëror, për fat të keq, do përvijohej dhe në malet e Shqipërisë, ku së bashku me zbythjen e okupatorit, mendohej dhe për pushtetin e afërt. Nga njëra anë, një elitë politike që priste të vinte në zbatim strategjinë e dikurshme të Luftës së Vlorës, ku pasi ishin pjekur kushtet ndërkombëtare, i madh dhe i vogël, iu vërsul ushtrisë italiane në Vlorë, dhe nga ana tjetër, njerëz më të motivuar dhe konsekuentë që me luftën ndaj okupatorit kërkonin të mos lejonin përsëritjen e rendit të vjetër të monarkisë.
Nevoja për emancipim shoqëror dhe përparim kish bashkuar si asnjëherë tjetër rininë shqiptare, vajzat e gratë në një front të vetëm dhe vetëmohues për të mos fituar vetëm pavarësinë e atdheut, por edhe lirinë e vet personale. Nga të dyja strategjitë rezultoi se e dyta, ajo e luftës ndaj okupatorit pa kompromis, ishte e duhura dhe që i dha kredenciale të tjera Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Sëbashku me të rinjtë shqiptarë të përfshirë në Luftën Antifashiste morën pjesë edhe disa të rinj hebrenj që u gjendën në Shqipëri gjatë përpkjejeve të tyre për t’i shpëtuar përndjekjeve në vendet  e Evropës Juglindore. Epoka e luftës së dytë botërore ishte epoka e ekstremeve dhe në fakt nuk  ishin vetëm nazistët gjermanë që mbartnin ideologjinë e anti-semitizmit por dhe një sërë popujsh të tjerë të Evropës Qendrore dhe Jugore kush më shumë e kush më pak bashkëpunoi hapur me ta për ti ndihmuar që të realizonin “zgjidhjen përfundimtare”-shfarosjen e plotë të tyre.
Një kënd i posaçëm në pavijonin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Muzeun Historik Kombëtar i është kushtuar hebrejve të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Sipas statistikave rezulton se shqiptarët, ishin ndër të paktët popuj që nuk i dorëzuan hebrejtë tek nazistët gjermanë, por i kanë strehuar dhe mbrojtur ata. Në këtë stendë kemi fotografi të njërit prej albanologëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave hebreut austriak Nobert Jokl. Shumë intelektualë shqiptarë të njohur bënë të gjitha përpjekjet për ta shpëtuar Nobert Joklin nga arrestimi i nazistëve, por më 1939 ai u arrestua nga nazistët dhe vdiq në një kamp përqëndrimi.  Gjatë Luftës së Dytë Botërore shumë herbrenj morrën pjesë përkrah forcave partizane, duke luftuar kundër ushtrisë naziste. Në luftën nacionalçlirimtare të popullit shqiptar kundër Gjermanisë naziste mjaft hebrenj ranë heroikisht në fushën e betejës.

Hebrenj    rënë  dëshmorë në luftën antifashiste në Shqipëri

          Komisioni Qëndror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” në mbështetje të nenit 2 dhe 4 të Ligjit nr.8607, datë 27.04.2000, ju dha Statusin “ Dëshmor i Atdheut”:

1-David Juda Kohen i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.463, datë 14.09.2011. Ka ardhur në Krujë më 16.5.1943 nga Feraizaj/Uroshovaci  (Jugosllavi). U kap befasisht në natën e 4 Shkurtit 1944, ku u vra së bashku me 84  banorë të tjerë të Tiranës.

2-Jakov Avramoviç i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.467, datë 14.09.2011. Ka ardhur nga Prishtina më 5.4.1942 me internim në Berat. U inkuadrua  në forcat partizane në qarkun e Beratit. Ra dëshmor  duke luftuar në Lushnjë në nëntor  të vitit 1943.

3-Jusef Solomon Konforti i është dhënë Statusi ”Dëshmor i  Atdheut”,                      me Vendimin Nr.471, datë 14.11.2011. Ka ardhur nga Prishtina më 5.4.1942. I internuar në Peqin e më pas në Berat. U inkuadrua në forcat partizane në qarkun e Beratit . Ra dëshmor  duke luftuar në Selenicë  të Vlorës  në shkurt të vitit 1943.

4-Jusef David Bivas i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.473, datë 14.11.2011. Ka ardhur nga Prishtina më 16.5.1942 me internim në Berat, me shtetësi shqiptare. U inkuadrua në forcat partizane në qarkun e Beratit. Ra dëshmor  duke luftuar më 18 gusht 1943.

5-Zhak (Isak) Emanuel  Ruben i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.474, datë 14.11.2011. Ka ardhur nga Prishtina më 5.4.1942 me internim në Kavajë. Fillimisht u inkuadrua në Çetën e Pezës. Në vjeshtën e vitit 1943 u dërgua me detyrë nga komanda e Çetës në Tiranë, ku u kap në befasi nga nazistët gjermanë. U pushkatua në kampin e përqëndrimit të Beogradit.

 6-Leo Tyjeri i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.480, datë 14.11.2011. Ka ardhur nga Kosova (Prishtina) dhe u vendos në Lushnjë. U inkuadrua në Ushtrinë Nacionalçlirimtare, në Batalionin II i Grupit të Myzeqesë. Ra dëshmor duke luftuar në Bishqefën të Lushnjës më 10 tetor 1943.

7-Jakov Josef Bahar i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.481, datë 14.11.2011. Ka ardhur nga Prishtina më 5.4.1942 me internim në Berat. U inkuadrua në Batalionin I të Brigadës VII të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ka qenë mitralier. Në qershor të vitit 1944 ra heroikisht në betejën e  Tendës së Qypit. 

8-Baruh Isak Baruh i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.482, datë 14.11.2011. Ka ardhur nga Prishtina më 5.4.1942 dhe u vendos në Berat. Ashtu si mjaft izraelitë të tjerë mori pjesë në Ushtrinë Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe në vjeshtë të vitit 1943 ra dëshmor në luftë kundër nazistëve gjermanë.              

 9-Dario Zhak Arditi i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.635, datë 09.11.2012. Studjoi në një klasë me Qemal Stafën në Gjimnazin e Shkodrës. Ishte violinist me talent. Ai u bë edhe drejtues i orkestrës së  gjimnazit. Dario u afrua me Luftën Antifashiste. Dario e përjetoj shpirtërisht me dhimbje të thellë vdekjen heroike të Qemalit. Por dhe vetë Dario pati një fat tragjik. Ai nuk kishte mbetur pa rënë në sy të agjentëve të fashizmit. Ndoshta kjo u bë shkak  edhe përndjekjet kundër tij. Papritur Dario u kap në befasi në Shkodër nga nazistët, dhe u çua në kampin famëkeq të Prishtinës.

Rezistenca shqiptare nuk është më e rëndësishmja në Europë, por as e vogël në raport me numrin e popullsisë ndaj me të drejtë nëse e pranojmë antifashizmin si një vlerë të konfirmuar edhe nga Këshilli i Europës herë pas here, ne duhet të ndihemi krenarë që vendi u radhit në koalicionin antifashist. Për më tepër sot në 5 maj, nderimi ndaj të rënëve përfshi edhe 9 dëshmorët hebrenj të  Shqipërisë është një shenjë e popujve të qytetëruar që dinë të respektojnë të shkuarën e vet.

 Burime:

    1- Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, Muzeu Historik Kombëtar,         Tiranë 2004
     2- Udhërrëfyes i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë 2014,
     3-Udhërrëfyes i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë 2016






No comments: