Saturday, 16 February 2019

Demetrio Lecca/Dhimitër Leka i Himarës.





Një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të elitës arbëreshe është padyshim Jeronim De Rada që ndryshe nga paraardhësit e vet jo vetëm pati meritën që hapi siparin e Romantizmit në letërsinë shqipe me veprën e tij “Këngët e Milosaos” 1836, por për herë të parë e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të kohës. Në botimin e parë të librit De Rada ve si epigraf vragjet e poetit grek Pindari: “Muzat, më ndihmuan mua – që me një varg të ri të shndritshëm – ta përshtat ritmin dorik”. Epigrafi jepet në greqishten klasike. Libri i kushtohet Demetrio Lecca dhe ka këtë shënim: “Shkëlqesisë së Tij, Gjeneral Brigadier, Komendator, Zotit Dhimitër Leka, këto këngë, që të jenë dëshmi e lidhjeve shpirtërore me zakonet e lashta ndër njerëzit e shpërndarë të Epirit (Shqipërisë)”.
Po kush ishte Demetrio Lecca/Dhimitër Leka?
Ai vinte nga një familje me origjinë shqiptare nga Dhërmiu i Himarës, të vendosur në Napoli në fund të shekullit të XVIII. Dhimitër Leka lindi në 24 prill 1779 në Dhërmi dhe vdiq në -Napoli, më 21 prill 1862. Ai bëri një karrierë të shkëlqyer ushtarake duke arritur gradën e gjeneral brigadierit në oborrin e Mbretit të Napolit. Dhimitër Leka u varros në Kishën Ortodokse të Napolit dhe aty gjendet varri sarkofag i tij sëbashku me bustin e gdhendur në basoreliev, vepra të porositura nga i biri i tij Achille Leka. Mnbishkrimi është në italisht : DHIMITËR LEKËS, EPIROT, TENENT GJENERAL I USHTRISË NAPOLITANE, I URDHËRIT TË SHËN GJERGJIT TË BASHKIMIT, DHE SHËN SALVADORE TË GREQISË SHËN ANËS SË RUSISË DHE SHËN MIKELIT TË BAVARISË KALORËS I KRYQIT TË LARTË, LINDUR NË DRIMADHES MË 28 PRILL 1779 VDEKUR NË NAPOLI MË 21 PRILL 1862 _______
ATIT TRIM DHE TË NDERSHËM, AKIL LEKA I NGRE NË KUJTIM.
Në gurrën popullore shqiptare ai përkujtohet nga disa vargje që i ka botuar i ndjeri Llambro Ruci në librin e vet “Zera e Akrokeraunëve”.
Ç‘u hap mandati në drekë,
Hajmedet o Dhimitër LEKË,
Hajmedet se ç’të ka gjetë,
gjëndërali i Bregdetë,
kapetan i mirë me fletë,
në stere edhe ndë detë.




Tuesday, 12 February 2019

Nëna e ashpër e burrave të rreptë





Vepra e Lord Byron-it e sidomos poema “Shtegtimet e Child Harold-it”, ka pasur një jehonë të madhe në Shqipëri. Kjo memorie historike e jehonë letrare vjen që nga fillimet e Rilindjes Kombëtare ku e veprimtarë të shquar të saj në kuadër të zgjimit kombëtar të shqiptarëve e përkthejnë dhe e përmendin Kanton II të poemës  Shtegtimet e Child Harold-it ku flitet për vizitën e Bajronit në Shqipëri dhe shqiptarët.


Monday, 11 February 2019

Robert Elsie, mentori i kulturës shqiptare


Robert Elsie për të gjithë ata që nuk e njohin është një nga albanologët më të shquar të huaj. Që nga vitet `80 të shekullit të kaluar e në vazhdim që ai ka patur një aktivitet shumë të ngjeshur në shumë aspekte historik, filologjik, në fushën e fotografisë duke bërë të mundur që thesaret e ndryshme të kulturës shqiptare të shpërndara, të paidentifikuara më parë ti bashkojë dhe të krijojë një mozaik të madh të atij imazhi dhe përceptimi që kanë patur të huajt ndaj Shqipërisë.
Këto perceptime fillojnë  që nga viti 1809, një vit i cili shënon edhe interesin e madh albanologjik për shkak edhe të veprës së Bajronit, të shkruar përreth shqiptarëve dhe autorëve të tjerë që ecën në gjurmët e tij.
Robert Elsie ishte një studiues pasionant, i cili arriti në thyerjen të viteve ’90 të krijojë një individualitet të veçantë në kritikën, në letrat shqipe, në kulturën shqiptare një pikë referimi shumë të fortë për gjithësecilin që dëshironte të njihte më tepër shqiptarët, por edhe për të ndërtuar e për të shkruar histori të ndryshme të zhvillimit kulturor të shqiptarëve.