Shekulli i XIX, ishte
fillimi i zbulimit të Greqisë nga udhëtarët, pejsazhistët e diplomatët
europianë.Mes entuziazmit të
njohjes së kulturës antike dhe shkeljes së trojeve në të cilat shumë nga
ngjarjet që kishin lexuar në libra kishin ndodhur, udhëtarët dhe poetët
romantikë evropianë kërkonin në të tashmen e Greqisë, gjurmët e së shkuarës. Natyrisht që në këtë
përqasje të tyre kishte në vetvete gjurmë të një kolonializmi kulturor ku synohej
historia dhe kultura e një territori të përvetësohej duke pretenduar shpesh
herë se banorët e sotëm ishin vetëm “hije të së shkuarës” dhe rrjedhimisht nuk
meritonin që të banonin aty .Gjithsesi ky mendim edhe pse i shprehur shpesh
herë ironikisht siç ishte rasti i Shatobrianit-poetit të shquar francez, i cili
kur një zyrtar otoman e pyeti se përse kish ardhur në Greqi, u përgjigj “Të
shikoj njerëzit dhe sidomos grekët që kanë vdekur”, nuk mbizotëroi në gjykimet
e evropianëve rreth Greqisë. Në të kundërt, krahasimi i gjendjes së mjerueshme
kulturore të popullsisë greke të re me atë të Greqisë antike ngjalli mëshirën
dhe dëshirën që Greqia të rifitonte sërish lavdinë e dikurshme. Kjo ndjenjë
keqardhje, revolucioni grek dhe vdekja tragjike e Lord Bajronit krijuan një nga
rrymat më të fuqishme në kulturën dhe gjeo politikën e shekullit të XIX-Filo
Helenizmin.
Friday, 27 April 2018
Monday, 16 April 2018
Shqiptari në Maltë.
Mes tablove të
shumta të Romantizmit Europian që pasqyrojnë vende dhe popullsi egzotike
spikasin dhe tablotë të viseve shqiptare dhe të personazheve me veshje
shqiptare. Gjeografia e vendeve të pasqyruara në këto tablo është e larmishme
që nga brigjet e Nilit, shkretëtirat arabike, Turqi, Greqi, Principatat e
Vllahisë dhe Moldovës dhe deri në ishullin e Maltës. Malta është një nga
pozicionet gjeografik kyç i detit Mesdhe. Prania shqiptare aty ka qenë e
hershme që nga Mesjeta kur reparte të ndryshme arbëreshësh mbronin ishullin nga
invazionet osmane.
Sunday, 15 April 2018
Identite të lëvizshme. Rasti i Elena Gjikës në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare
“Vepra e Dora D’Istrias
është një unazë qytetërimi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”
Dhimitër Kamarda
Identitetet janë të lëvizshme. Në rrethana dhe situata ku një kulturë
predonimon në formimin e një popullate, atëherë dhe përqafimi i identitetit
etnik të kulturës që është përfaqësuese, është më i lehtë për njerzit dhe
përfaqësues të shquar të komunitetit. Përqasjet moderne përsa i përket
identiteve etnike dhe kulturore e quajnë si diçka të natyrshme braktisjen dhe
përqafimin e një identiteti tjetër, gjë që ka ndodhur rëndom sidomos në
popullatat emigrante që kanë populluar Europën pas Luftës së Dytë Botërore.
Sigurisht që kjo përqasje identitare ka hasur në kritika të shumta dhe nuk
është një realitet lehtësisht i pranueshëm sidomos në vendet ku etnocentrizmi
dhe nacionalizmi kanë predominuar kulturën dhe jetën publike të vendit. E
gjithë kjo përzgjedhje identitetesh në fakt nuk është diçka e re. Në Europën e
mesit të shekullit të XIX pa triumfuar ende nacionalizmi si ideologji
shtetformuese në Perandoritë e Mëdha të Juglindjes së Euopës si ajo e
Shenjtë Austriake dhe më 1867 Austro-Hungareze, Osmane dhe Ruse popullatat që
jetonin pranë njëra-tjetrash e identifikonin veten shumë shpesh me identitetin
e kultures qe perqafonin duke mos reflektuar gjithmone origjinën etnike. Raste
të tilla mund të përmenden shumë në Ballkan , si p.sh rasti i mësuesit të
gjuhës greke Grigor Stavrev Parlichev,
bullgar për nga kombësia që shkruajti një poemë për Skënderbeun në gjuhën greke
duke banuar në Tiranë në mes të shekullit të XIX[1].
Është e kuptueshme sesi kanë përmendur dhe studiues të tjerë se nuk
egzistonin kufij shumë të qartë të identitetit sidomos nëse marrim për të
mirëqenë përkufizimin e Gellsherit për hierarkinë midis kulturave. Në Ballkan
janë shumë të radhë rastet kur një anëtar i elitës kozmopolit përqafon kulturën
ende të pazhvilluar të një etnie tjetër. Një shembull tipik dhe interesant në
këtë drejtim është figura e Elena Gjikes apo e Dora D'istries, e lindur në
Bukuresht më 22 janar 1828[2],
kozmopolite ne formimin e saj kulturor duke njohur shumë mirë kulturën francese,
italiane dhe greke.Mësimet e para i mori në Konstancë e më pas në Bukuresht,
kurse studimet e larta i filloi në Vjenë e pastaj i vazhdoi në Dresden e në
Berlin. Në shkurt të vitit 1849, Elena u kthye në Bukuresht. Ajo ishte pajisur
me një kulturë të gjerë; njihte mirë frëngjishten, italishten , gjermanishten
anglishten, rusishten, greqishten shqipen(për këtë të fundit ka një debat të
hapur) e sidomos rumanishten , gjuhën e
saj të nënës nëpërmjet të cilave zgjeroi horizontin e diturisë dhe dha mendime
me vlerë në shumë studime e vepra letrare.[3]
E pajisur me këtë kulturë të gjerë , ajo debuton për herë të parë në 1855 në frëngjisht La vie monastique dans
l'Église orientale. Nga veprat e saj mund të përmendim: “La nationalite
Albanaise d’apres les Chants populaires-Les Albanais des deux Cotes de
l’Adriatique” (1866) “Kombësia shqiptare, sipas këngëve popullore, Shqiptarët e
dy brigjeve të Adriatikut”, “Les ecrivains Albanais de d’Italia meridionalë”
(1867) “Shkrimtarët shqiptarë të Italisë së Jugut”, “Excuisses albanaises”
(1869) “Vizatime shqiptare”, “Gli Albanesi in Romania” (1873) “Shqiptarët në
Rumani” etj. Ajo ka bashkëpunuar me organe të rëndësishme të kohës si: “Revue
de Deux-Mondes”, “Independence hellenique”, “Nuova Antologia” etj. 11 vjet pas
debutimit të saj të parë me botimin e një vere që pati një jehonë në mendimin
intelektual të kohës, në 1865, Dora D’Istria fillon të përfshihet në
korrospodencë me eksponantë të rëndësishëm të zgjimit kulturor të shqiptarëve. Ky
implikim dhe përfshirje e saj në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare është parë
gjithnjë me dyshim nga studiues të ndryshëm duke ia faturuar më tepër një
egzoltimi romantik të saj sesa një angazhimi e mobilizimi të vërtetë identitar.
Po kështu për të përforcuar këtë argument nënvizohet fakti se Dora D'istria se
me të njëjtën simpati që shkruajti për shqiptarët, shkruajti dhe për kombësitë
e tjera në Ballkan, si grekë, serbë e bullgarë. Nuk ka dyshim se vepra e Dora
D'Istries është një dokument i mirë për t'iu referuar dhe sigurisht përmes saj
mund të nxirren dhe përfundime për identitetin e demonstruar kombëtar dhe kulturor,
por një pjesë shumë e rëndësishme besoj është dhe letërkëmbimi i saj privat me
patriotë dhe figura të shquara të shqiptarizmit si Dhimitër Kamarda, Jeronim De
Rada, Zef Jubani, Thimi Mitko etj.që ruhet në Arkivin e Qendror dhe nga ku mund
të hidhet shumë më tepër dritë. Në
mars të vitit 1865, kur gjendej në Livorno, Elena Gjika u njoh me Dhimitër
Kamardën, folkloristin dhe gjuhëtarin arbëresh nga Hora e Siçilisë[4]. Nga Livorno Elena Gjika ka shkëmbyer letra të shumta me
Thimi Mitkon, Zef Jubanin, Dhimitër Kamardën, Jeronim de Radën etj.
Në këto letra për herë të parë në mendimin shqiptar hidhet dritë mbi
origjinën etnike të Princërve Gjika, si dhe përfshirja e tyre në krenarinë kombëtare
që duhet të kenë shqiptarët duke përfshirë edhe figura të tjera të shquara si
Mehmet Ali Pasha i Egjiptit dhe vezirët Qyprillinj. Kjo simbiozë identitare
fetare e këtyre personazheve në letrat e Dora D’istries drejtuar Jeronim De Radës,
shkrihet në një simbiozë identitare kombëtare shqiptare dhe si e tillë , Dora
D’istria është pararendëse e një mendimi
që u maturua gradualisht në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe që u bë një
realitet i prekshëm përmes një shekulli pavarësi. Në letra të tjera ajo
shprehet pas lajmeve që ka marrë nga Shqipëria se shpresoj se ne do të jetojmë deri në atë ditë kur mbi kullat e
Rozafës do valëvitet përsëri flamuri i Skënderbeut.[5]apo
në botimin e veprës së saj voluminoze “Shqiptarët në Rumani” do të deklarojë
origjinën shqiptare të familjes së vet.
Dora D’istria në këtë letërkëmbim reflekton teorinë historisë parahistorike
të kohës ku shqiptarët , grekët dhe italianët i shikon si një bllok popullsish
që duhet të kundërshtojnë hegjemoninë sllave dhe gjermane në Europë. Në këtë mënyrë
ajo reflekton shqetsimin gjeostrategjik të kohës, prej nga shpesh herë është
keqkuptuar dhe përkatësia identitare e saj. Në letrën dërguar nga Firence më 14
dhjetor 1876 ajo shkruan se ajo që mbetet më e çuditshme ndër të tjerët për
paraardhësit tanë, është fakti që në një kohë kur gjermanët dhe sllavët
bashkohen midis tyre në lidhje të ngushta, bijtë e racës pellazge kanë mbetur
krejt të huaj njëri me tjetrin. [6]Teoria
e historisë parahistorike ishte një përpjekje për të penguar pansllavizmin dhe
pangjermanizmin dhe në mesin e shekullit të XIX, dhe sipas saj konsiderohej si
një shkencë që porsa ka lindur në ditët tona dhe si të gjithë shkencat e tjera,
ajo ka themele shumë të shëndosha në filologjinë dhe në mitologjinë e
krahasuar, në shqyrtimin e karektereve morale dhe fizike, në arkeologjinë
primitive, në traditat kombëtare etj.[7]
Në këtë drejtim duhet parë dhe angazhimi i saj sëbashku me Gjeneral Garibaldin
për të dërguar 15- 20.000 pushkë në 1866
në Shqipëri për të filluar një kryengritje kundër osmanëve por që do të
shqetsonte dhe pozitat austriake në Ballkan. Viti 1866 është një vit shumë i
rëndësishëm për bashkimin e Italisë dhe përfitimin e krahinës së Venecias, pas
humbjes së Austrisë në luftën me Prusinë. Mesa duket një diversion i nisur nga
Garibaldi në viset e Shqipërisë përveçse një pasion romatik për të siguruar
lirinë do të dobësonte dhe pozitat austriake që kishin interesa madhore në këto
vise.
Dora D’istria tek origjina e saj e largët kërkoi strehë në formën e një
identiteti kulturor panpellazgjik, por në përfshirjen e saj në Lëvizjen Kombëtare
shqiptare dashur pa dashur krijoi një stereotip të admirueshëm të përfshirjes
së elitave kozmopolite europiane në çështjet kombëtare të popujve të vegjël. Më tepër
sesa një aktiviste e mirëfilltë e nacionalizmit, Dora D’Istria me devizën e saj
dedikuar shqiptarëve se "pa rilindje letrare nuk ka ringjallje
politike", duhet konsideruar si një prototip i intelektuales europiane dhe
aktivistes kulturore që mbështet kauzat e drejta të popujve të vegjël. Si të tillë e pranoi dhe elita arbëreshe-shqiptare
e kohës. Dhimitër Kamarda, hartuesi i një antologjie në vargje për Dora
D’Istrian do të shkruante për të: “Një
emër i tillë veçanërisht është i vyer për të zbukuruar këtë hyrje, sepse është
mbushur me nderin e racës shqiptare si nga origjina e familjes së saj, si nga
lavdia, që t’i përkasë sërës të shkrimtarëve më të gjallë të Evropës, si dhe të
diturve dhe bukurisë, që ka mundur të bashkojë kultin plot fryte të shkencës
dhe të letërsisë, ndërkaq nuk lë rast të ndihmojë me shkrime dhe vepra kombin
shqiptar që nuk ia harron përjetë”.[8] Dhimitër Kamarda në librin e tij “Fyletia
arbërore”, që u botua në Livorno në vitin 1867, paraqet tiparet e kësaj gruaje
të ditur, duke përshkruar portretin e saj, të punuar me mjeshtëri nga piktori
italian Felice Schiavoni (1803 – 1881). Librat e saj, letërkëmbimet apo dhe
rekomandimet kulturore letrare siç ishte ai drejtuar poetit amerikan Longfellow
për të shkruajtur një poemë për Skënderbeun krijuan habitatin e vërtetë
paneuropian ku u frymëzua dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare.
[1]
Grigor Parlichev. Skënderbeu. Parathënie nga Spiro
Çomora.
[2]
Ahmet Kondo. Dora D’istria për çëhtjen kombëtare shqiptare. Tiranë: Flesh, faqe
7
[3]
Ahmet Kondo. Dora D’istria për çëhtjen kombëtare shqiptare. Tiranë: Flesh, faqe
8- 9
[4] - Nasho
Jorgaqi, Antologji e mendimit estetik shqiptar 1504-1944, Tiranë 1979, faqe
114.
[5]
Po aty fq 115
[6]
Ahmet Kondo. Dora D’istria për çëhtjen kombëtare shqiptare. Tiranë: Flesh, faqe
160
[7]
Ahmet Kondo. Dora D’istria për çëhtjen kombëtare shqiptare. Tiranë: Flesh, faqe
148
1- Ahmet Kondo. Dora D’istria për çëhtjen kombëtare
shqiptare. Tiranë: Flesh, 2002
2-
Grigor
Parlichev. Skënderbeu. Parathënie nga Spiro Çomora.
3-
Nasho Jorgaqi, Antologji e mendimit estetik
shqiptar 1504-1944, Tiranë 1979
4-
-V. Bala, Jeta e Elena Gjikës “Dora d’Istrias”,
Tiranë 1967
Friday, 13 April 2018
Halet Efendiu dhe Ali Pasha Tepelena.
Detail nga tabloja Kurorëzimi i Napoelonit në 1805
nga Jacques-Luis David.
Piktori frances
neoklasicist Jacques-Louis David (1748 –1825) konsiderohet si piktori që realizoi shumë tablo me temë
nga Revolucioni Francez. Ai është autori i pikturës monumentale të Napoelonit
mbi kalë si dhe shumë pikturave të tjera, ku mes tjerash spikat “Kurorëzimi i
Napoelonit” në 1805. Tabloja e njohur përveç faktit që ka memorializuar
përgjithmonë ngjarjen historike, ku Napoeloni e merr kurorën vetë nga Papa i
Romës për ta vendosur në kokë duke shprehur në këtë mënyrë antiklerikalizmin
një tipari hershëm të Revolucionit Francez, është shumë e rëndësishme për
portretizimin e shumë personazheve historikë. Një detaj i rëndësishëm i tablosë
për historinë e Shqipërisë është portretizimi i ambasadorit osman në Paris,
Halet Efendiut, i veshur me kaftan dhe turban. Halet Efendiu është personi që
influencoi më tepër në rrëzimin e Ali Pashë Tepelenës dhe në përgatitjen e
ushtrisë osmane për të shtypur rebelimin e tij. Halet Efendiu ishte sekretari i
Divanit perandorak osman, minister i brendshem dhe njeriu me i besuar i Sulltan
Mahmutit II. Deri ne vitin 1806 , ai ishte ambasador i Portës së Lartë ne
Francë dhe pas vitit 1819, tashmë ministër një armik i betuar i Ali Pashës dhe
përkrahës i Pasho Beut, një prej fisnikëve shqiptarë të Janinës. Pasho Beun,
pas atentatit të dështuar në Portën e Lartë, Sulltani Mahmud II dhe Halet
Efendiu e emëruan si një nga komandatët e ushtrisë perandorake për të shtypur
rebelimin e Ali Pashë Tepelenës. Sëbashku me Pasho Beun ishte dhe një pjesë e
madhe e krerëve shqiptare si Omer Vrioni, Bushatllinjtë e të tjerë krerë lokalë
që iu bashkangjitën ushtrisë perandorake. Natyrshëm lind pyetja se përse kjo
pabesi e madhe e krerëve shqiptarë?
Së pari një rol të
rëndësishëm në këtë kundërvënie të tyre me Ali Pasha Tepelenën luajti
centralizmi i tëpërt i pushtetit nga ana e Pashait Tepelenas që dhe
u vinte fre ambicie të tyre feudale dhe së dyti një lloj solidariteti fetar me
osmanët i bënte më të ndjeshëm ndaj një Fatve të lëshuar nga Sheh Ul Islami dhe
Sulltani si Kalif i botës myslimane. Siç dihet në ekspeditën ushtarake që
organizoi Stambolli kundër Pashallëkut të Janinë në qershor të vitit 1820 morën
pjesë edhe mjaft feudalë derebej të shpronësuar dikur nga Ali Pashë Tepelena,
të cilët llogarisnin që me shembjen e tij të rifitonin dikush pronat pronat e
dikush derebellëket e humbura dhe të rimëkëmbin pushtetin e tyre partikularist
që ai ua kish rrafshuar.( Zana
Lito,Shqipëria dhe Tanzimati, Tiranë:Botimet Toena,2002,faqe 44).
Sulltan Mahmud II
ishte një nga Sulltanët më ambiciozë për të rimëkëmbur Perandorinë
Otomane, që shtypjen e rebelimit të Ali pasha Tepelenës e dëshironte për të
rivendosur jo më pushtetin partikularist të feudalëve shqiptarë , por
administratën centraliste perandorake. Politikën e tij do ta ndiqte dhe i biri
Sulltan Abdyl Mexhidi që në vitin 1839 ai do të nënshkruante reformën
e Tanzimatit nga Pallati i Gjylhanesë, reforma që do të synonte modernizmin e
Perandorisë Otomane në të gjitha fushat duke përfshirë dhe të drejtat civile të
shtetasve pavarësisht besimit të tyre fetar.
Këto reforma u
kundërshtuan ashpër nga popullsia shqiptare që pas një shekulli vetqeverisje që
nga viti 1740 kur Porta e Lartë kish lejuar për herë të parë qeverisjen e
territoreve shqiptare nga Pashallarë shqiptarë, qeverisje që arriti kulmet e
veta në dy Pashallëket të Janinës dhe Shkodrës,humbte shumë privilegje dhe të
drejta. Politika personale që kish ndjekur Ali Pasha Tepelena që nga momenti që
kish hyrë në spiralet e pushtetit otoman në vitet 80’ të shekullit të XVII për
fuqizimin e vet, përveçse kishte qenë një shembull i një politike decentralizuese
kish krijuar shumë armiq midis parisë feudale shqiptare. Për të kuptuar më
qartë procesin e fuqizimit të Ali Pashë Tepelenës në jug të territoreve
shqiptare është e nevojshme të shpjegohet procesi ekonomik dhe politik që kish
hyrë Perandoria Otomane kur Ali Pasha Tepelena hyri në qarqet e larta të
politikës rajonale.
Shthurrja e rendit
feudal-ushtarak të timarit e cila filloi të shfaqej nga mesi i shekullit XVII
solli ndryshime të rëndësishme edhe në strukturën shoqërore si në trevën e
timarit(yshyrit) ashtu dhe në atë të venomeve(haraçit). Në trevën e yshyrit
prona mirie që ishte pronë shtetërore mbi të cilën ishte ndërtuar timari,
filloi të kthehej në pronë personale, në gjirin e të cilës lindi çifligu feudal
dhe si rjedhim zotëruesi feudal. Si rjedhim zotëruesi feudal i timarit u kthye
në pronar i tokës së feudit. Kjo ndodhi me pak përjashtime në viset e pasura
bujqësore. Në krahinat me toka të pakta bujqësore, veçanërisht në Shqipërinë e
Jugut, disa nga feudalët ushtarakë të fuqishëm u kthyen në derebej-krerë me
tipare feudale të cilët vendosën me dhunë autoritetin e tyre secili në një
krahinë të caktuar, duke vjelur nga banorët e krahinës “bejllëkun” ose
“agallëkun” simbas titullit që mbante kreu i fuqishëm dhe duke marrë përsipër
mobilizimin e forcave mercenare në formacionet “bashibozuke” në shërbim të
Sulltanit.( Zana
Lito,Shqipëria dhe Tanzimati, Tiranë:Botimet Toena,2002,faqe 41.)
Kjo periudhë që
njihet si anarkia feudale gradualisht filloi të kapërcehej kur disa nga derebejt
shqiptarë pas këtyreshndrrimve ekonomike i bëri ata më të pavarur nga pushteti
qendror . Në të njëjtën kohë kjo situatë i bëri ata edhe më agresivë me
njëri-tjetrrin duke ndezur një luftë brenda llojit për të zotëruar sa më shumë
prona e çifligje. Si rezultat i kësaj lufte të brendshme mes tyre ndodhi që Ali
Pasha Tepelena që zotëronte qoftë gjeninë ushtarake por edhe atë politike të
përfitonte duke rrëmbyer pronat dhe shkatërruar njëri pas tjetrit pothuajse të
gjithë feudalët e rëndësishëm shqiptarë në viset jugore. Këtë proces
centralizmi ai nuk e ndali edhe në tokën e venomeve (haraçit) duke shkatërruar
bërthama të qeverisjes së lirë fshatare si Suli, Himara, Hormova por edhe
Kardhiqin mysliman. Një centralizim të tillë pushteti nuk ishte parë prej
kohësh në territoret shqiptare në jug dhe fakti që rajoni për herë
të parë filloi të bëhej dhe një teatër diplomatik i Fuqive të Mëdha të kohës
sidomos me fillimin e luftërave Napoloniane ku Ali Pasha Tepelena dhe
Pashallëku i tij shpesh herë filloi të luajnë një rol partneriteti , por dhe
fillimi lëvzijeve me karakter nacionalist si serbe në 1813, greke në 1821,
rumune në 1821 detyroi Portën e Lartë që të rishikonte me shumë kujdes politkën
e vet në rajon. Sulltan Mahmudi i II pasi u tregua i paaftë për t’i shtypur
këto kryengritje u detyrua të pranonte formimin e shteteve nacionale greke,
serbe, vllahe dhe moldave. Ndryshe qëndronte puna me pashallëqet feudale,
shkëputja e të cilave do të sillte shpërbërjen përfundimtare të Perandorisë
Otomane. ( Zana
Lito, Shqipëria dhe Tanzimati,
Tiranë : Botimet Toena, 2002, faqe 14). Kjo ishte dhe një nga arsyet që goditjen e parë ndaj pushteti gjysëm autonom feudal porta e Lartë e dha ndaj Ali asha Tepelenës, pasi ky i fundit kishte realizuar një centralizim absolut të pushtetit , shumë më absolut sesa Bushatllinjtë e Shkodrës dhe gradualisht me politikën e jashtme që kish ndërtuar shpesh herë edhe kundër interesave të Portës, mund të realizonte idenë e shkëputjes përfundimtare.Gjithësesi Halet Efendiu nuk arriti ta shijonte shumë fitoren e vet dhe mposhtjen e Ali Pasha Tepelenës, pasi në nëntor 1822 e dënuan me mbytje si shkaktar të nisjes së rebelimit grek, që u frymëzua fuqishëm nga rebelimi i Ali Pashë Tepelenës.
Tiranë : Botimet Toena, 2002, faqe 14). Kjo ishte dhe një nga arsyet që goditjen e parë ndaj pushteti gjysëm autonom feudal porta e Lartë e dha ndaj Ali asha Tepelenës, pasi ky i fundit kishte realizuar një centralizim absolut të pushtetit , shumë më absolut sesa Bushatllinjtë e Shkodrës dhe gradualisht me politikën e jashtme që kish ndërtuar shpesh herë edhe kundër interesave të Portës, mund të realizonte idenë e shkëputjes përfundimtare.Gjithësesi Halet Efendiu nuk arriti ta shijonte shumë fitoren e vet dhe mposhtjen e Ali Pasha Tepelenës, pasi në nëntor 1822 e dënuan me mbytje si shkaktar të nisjes së rebelimit grek, që u frymëzua fuqishëm nga rebelimi i Ali Pashë Tepelenës.
Monday, 9 April 2018
Tapeti Gobelin i Ali Pashë Tepelenës
Në fundin e shekullit të XVIII dhe fillimin e shekullit të XIX, formacioni shtetëror i themeluar nga Ali Pasha Tepelena dhe i njohur me emrin Pashallëku i Janinës u vizitua nga shumë udhëtarë të huaj, diplomatë , ushtarakë e piktorë. Konflikti i luftërave Napoloniane në Europë kish trokitur edhe në Dalmaci, ishujt Jonianë, bregdetin përballë tyre, Epir e More. Rusia, Franca e Anglia do të ishin fqinj të afërt me Pashallëkun e Janinës e për rrjedhojë dhe idetë e reja të tyre rreth shtetndërtimit e qeverisjes, por edhe modës, veshjes dhe mobilimit të ndërtesave do të influenconin në godinat e ndërtimet e reja që ndërmori Ali Pasha Tepelena në gjithë territoret që sundonte.
Thursday, 5 April 2018
Mrika nga Faik Konica
Sulltan Murati, me dyzet mijë këmbës e me gjashtëdhjetë mijë kalorës, ra përpara Krujës më 1448, edhe e bëri qark kryeqytetin. Skëndërbeu kish lëshuar në Krujë kontin e Urenës, i cili, me gjithë thesarët që i premtoi sulltan Murati, qëndroi kundrë me trimëri të madhe. Shqiptarët,sipër nga muret që rrethonin Krujën, rrëkëllenin mi krerët e turqve shpella, zjarr e vaj përvëlimtar. Nga tjatër anë, Skëndërbeu, me tetëmbëdhjetë mijë njerëz vetëm, derdhej përsëjashti me ushtrinë armiqeshë, e në luftëra të nxehta, priste turq me qindra, edhe hiqej duke rrëmbyer flamurë e plaçka. Një ditë, turqit ngrehin shkallë përmbi muret, që të binin me të pabesë në qytet; Skënderbeu, në ballë të shqipëtarëvet edhe me pallë në dorë, u lëshua kundrë armikut me një hov aq të tutshëm, sa turqit iknë e u përhapnë në të katër anët e fushës, shqiptarët, pastaj, hyjtin në qytet të Krujës. Po një frikë e madhe i drodhi të gjithë, kur panë se Skënderbeu s’ish midis tyre…
Nata po binte dalëngadalë, e, në fund të qiellit, porsi virgjineshatë bardha,yjtë ëndërronin me trishtim. Konti i Urenës, sa gatitej bashkë me parësinë për të dalë për të kërkuan Skëndërbenë, – Mrika, çupë gjashtëmbëdhjetë vjetsh, më e bukura, më e shkëlqyera, më trimëresha e Krujës, kish hipur një kali të zi, e hidhej përpara, te deti i natës.
Në mes të fushës u përpoq me një kalorës. Njeriu i Azisë hëngëlliti nga gazi, kur gjysmë pa – nëpër rrezat e yjve – leshrat e Mrikës, që derdheshin gjer në vithet e kalit:
Allahu më paska dërguar për sonte një jastëk të butë!
Dheu është jastëk më i butë! – tha Mrika, e, me një të hequr palle, i vërtiti kokën. Kali u ngul në errësirë, e trupi i ushtëtarit u plas mbi tokë. Mrika zbriti, e, duke thënë “Perëndia i ndjeftë!”, i lërojti me majë të pallës një kryqnë kraharuar, pastaj u vërvit prapë mi kalë e u sil përpara.
Ah, ç’ëndërr nën yjtë e qetë, kjo e vashës së bukur që vente mi një kalë të rreptë për të gjetur trimin!…
Me një hop, Mrika zhveshi pallën, se Skënderbenë të rrethuar prej një tubë turqsh-e pa që po luftonte.
Trimit i ish copëtuar palla mi krerët armiq, e, duke marrë pallën e Mrikës, i preu kundrëqëndrimtarët. Po një prej këtyreve, para rënë, kish mund të plagosë në kraharuar Mrikën.
Skënderbeu i hipi kalit edhe e mori trimoshin e Krujës në pëqi. Si dragua, kali fluturonte nëpër fushë. Kur ia qasnë mureve të qytetit, Mrika ish e vdekur, – por e bukur, e qetë, me një nënqeshje në buzë, si në gjumë, aq e lumtur kish qenë që vdiste pranë Skënderbeut!…
Gazeta Albania,15-30 Qershor, G 23, 1898
Sunday, 1 April 2018
Ali Pasha Tepelena dhe diplomacia ruse
...I biri Myftari drejt Tunës po nget,
Gjaurët leshverdhë ta dinë ç'i pret;
Kur turren Delinjtë mbi lumin me gjak,
Të gjallë Moskovit i kthehen fort pak!
Lord Byron, Childe Harold, Tamburxhi, Tamburxhi
Ndërkohë që Ali Pashë Tepelena fitonte qeverisjen e Janinës dhe hidhte themelet për të ndërtuar Pashallëkun e Janinës, pushteti perandorak osman pësonte një goditje të rëndë pas paqes së imponuar në luftën Ruso-Turke 1787-1792. Gjatë luftës Ruso-Turke (1787-1792), Ali Pasha hyri në letërkëmbim me princin Potjomkin. Princi Potjomkin i premtoi një marrëveshje të favorshme dhe e inkurajoi të punonte me pashallarët shqiptarë për të penguar dërgimin e forcave ushtarake në luftë kundër Rusisë. Në shkurt të vitit 1791, Ali Pasha zhvilloi bisedime me një diplomat rus, të cilit i deklaroi se ishte gati të merrte anën e Rusisë, nëqoftëse i jepeshin garanci se pas luftës do të mbetej i pavarur. Kurse në muajin qershor i kërkoi komandantit të flotiljes ruse në detin Mesdhe t’i dorëzonte princit Potjomkin propozimet e veta për një aleancë ushtarake dhe për të diskutuar për fatin e mëtejshëm të Pashallëkut të Janinës pas dëbimit të osmanëve nga Gadishulli Ballkanik.
Subscribe to:
Posts (Atom)