Kjo është një tablo e Lord Bajron me bojra uji e titulluar "Lord Bajroni me kostum grek" e një autori anonim. Kjo tablo ruhet në Muzeun Benaki ne Athinë. Ne këtë muze gjenden shume tablo me tematike shqiptare, ashtu si dhe kjo pikture ku dallohet qarte veshja popullore shqiptare e Bajronit, e adoptuar me vone nga grekët si vëren dhe Filohelenisti George Finley ne vepren e vet "Historia e Revolucionit Grek": Përhapja e fustanellës , veshjes kombëtare të shqiptarëve ndërmjet popullsive të tjera fqinje të Ballkanit si grekët dhe turqit na vjen përmes dëshmisë së tij, i cili në një udhëtim të bërë në gjithë Perandorinë Otomane, Shqipëri, Maqedoni,Greqi etj vuri re se veshja e zakonet shqiptarëve vlerësoheshin në mënyrë të veçantë dhe imitoheshin.
Wednesday, 11 January 2017
Tuesday, 10 January 2017
Ylli i shuar shpejt i idealizmit patriotik shqiptar
Në këtë vend idealistët janë të rallë.Por aq të paktë sa janë, shkëlqejnë
me personalitetin e tyre, sa mund të bëjnë te skuqen shumë veta në të tashmen që
pretendojnë të jenë elitë e vendit. Një nga ta,
është Sali Nivica, mësues, patriot e gazetar që në Shkodrën e viteve 20'
kishte themeluar gazetën "Populli". Gazeta "Populli" ishte
një tribunë e mendimit të lirë dhe pasqyronte me pathos përpjekjet e kombit
shqiptar për të krijuar një shtet modern shqiptar. Gazeta sipas S.Nivicës do të
ishte: '…..një monumet kushtuar kujtimit të patriotëve, detyrë kolegësh, mundësi
ngushëllimi, mjet thirrjeje për zgjimin shqiptar'.
Sali Nivica, i lindur ne Rexhin të Kurveleshit, i diplomuar në Robert
College ne Stamboll, i punësuar si arsimtar në Durrës, gazetar e anëtar i
Komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosoves" në Shkodër, përfaqëson
brezin e shkëlqyer të studentëve idealistë shqiptarë që u mëkuan me vargjet e
Naimit, aksionin luftarak të vellezërve Topulli, publicistikën therrese të
Konicës,epikën e satirën e Fishtës. Sali Nivica ishte një dishepull i tyre dhe
vet me veprën e tij pasuroi dhe çoi më përpara mendimin idealist e shtetformues
shqiptar. Në 10 janar 1920, u vra në mënyrë barbare nga Kolë Ashiku në Shkodër,
duke vulosur me gjak idealin e tij që priste të realizohej në Kongresin e
Lushnjës. Arsyet e vërteta u maskuan me arsye banale, por fakt është që mendimi
politik shqiptar kishte humbur një nga korifejtë e vet të viteve 20’.
Një pikturë e rallë e Gjergj Kastriot Skënderbeut
Kjo është një tablo e piktorit Gjergj Trifoni nga Berati,
që pasqyron Skënderbeun me sfond lagjen Mangalem në Berat. Piktura është punuar
në bojra vaji dhe ka përmasat 55×38 cm. Sipas studiuesit Myslym Hotova, kjo
tablo ishte në pronësi të familjes së Pandi Krekas nga Elbasani dhe familja e
tij e kishte sjellë nga Athina në 1925.
Monday, 9 January 2017
Arkitekturë, ura dhe rrugë në Pashallëkun e Janinës.
Trashëgimia kulturore e Pashallëkut të
Ali Pashës është e larmishme dhe në gjithë Shqipërinë e jugut u realizuan, si
asnjëherë më parë, vepra të rëndësishme publike. Ato ndahen në vepra të
karakterit ushtarak e civil, si kështjella, rrugë, ura, banja (hamame), hane,
ujësjellësa, çezma publike dhe godinave administrative.
Të gjitha këto vepra të mëdha
arkitekturore u realizuan nga kryearkitekti i Ali Pashë Tepelenës, Petro
Korçari, por edhe një pjesë e arkitektëve dhe inxhinierëve qenë të huaj, që i
kishin zënë robër më 1798 dhe që u morën fill pastaj me fortifikimin Prevezës,
apo si koloneli francez Vodonkur, që u mor me të njëjtin fortifikim dhe me atë
të kështjellave të Janinës më 1806-1807, apo alzasiani i myslimanizuar, Ibrahim
Manzuri që i shërbeu Aliut në vitet 1816-1819 dhe që ishte në krye të
ndërtimeve të vezirit. Ali Pasha kishte sjellë nga Viena, rreth vitit 1812, një
specialist të çmuar, Frejvaldin, që ishte kryearkitekt civil i Moravisë dhe që
i shërbeu atij për pak vjet, bashkë me një stukator, ky i fundit për zbukurimet
në punime allçiri të pallateve.
Por në të njëjtën kohë ai ka
shfrytëzuar edhe punën e mjeshtave popullorë vendas, shqiptarë ku binte në sy
mjeshtrit e Oparit dhe të Lunxhërisë, të krahinave të Korçës, Përmetit ,
Gjirokastrës e Janinës por edhe të ndonjë krahine të veriut të Shqipërisë, ku
ndihej ndikimi dhe influenca e tij si krahina e Dibrës.Po kështu sipas
Pouqeuville, në ndërtimet e tij ai ka përdorur dhe punën e mjeshtrave grekë dhe
vllehë si ishte rasti i mjeshtërve të Mecovës. Katherine Elizabeth Fleming
shkruan: Sapo morri titullin “pasha i Janinës” nisi një projekt ambicioz
veprash publike, duke ndërtuar rrugë, lokale, duke permirësuar rrugët e
komunikacionit dhe inkurajuar tregëtinë.Broughton shkruan: Ka ndertuar ura mbi
lumenj, diga në këneta, ka hapur shumë rrugë, zbukuruar fshatrat dhe qytetet me
ndërtesa të reja.
Sunday, 8 January 2017
Natyrë e egër
Një thikë, një limon, një shtrydhëse
nuk mund te jenë një natyrë e qetë
limoni shtryllet, shtryllësja mbledh leng
e thika pret...
Nje thikë, një limon, një shtrydhëse
nuk mund të jenë poezi me varg të bardhë
shtryllësja ndryshket, thika mprehet
e limoni lëshon gjethe radhë...
Nje thikë, një limon, një shtrydhëse
nuk mund të zbukurojnë një tavolinë
shtryllësja mpaket, limoni thahet
veç thika vazhdon të bëjë, kërdinë...
Tuesday, 3 January 2017
Fshati shqiptar i Mandricës në Bullgari
Fshati është themeluar në vitin 1636 nga tre vëllezër blegtorë, që vijnë nga fshati Vithkuq afër Korçës. Sipas legjendës ata siguruan mish dhe qumësht për ushtrinë turke gjatë kohës së udhëtimit të saj drejt Edrenesë. Si shenjë mirënjohjeje pashai u dha të drejtën të zgjedhin vendin, ku dëshirojnë të banojnë. Kur u vendosën ata ndërtuan një baxho dhe filluan të shesin prodhimin e tyre në fshatrat e afërta. Në bullgarisht baxho është “mandra” dhe nga kjo fjalë u formua toponimi Mandrica. Zanati i vendasve më vonë u bë rritja e krimbit të mëndafshit dhe për këtë arsye rajoni i fshatit është plot me mana.Shtëpitë trekatëshe prej qerpiçi janë ndërtuar posaçërisht për rritjen e krimbave të mëndafshit dhe fshati u bë një nga prodhuesit prijës në këtë degë. Kultivimi i duhanit gjithashtu ishte shumë i përhapur në fshat, atje u zhvilluan edhe zanate të tjera.
Sunday, 1 January 2017
Viti i Ri ndër shqiptarë
Viti i Ri, është një festë që ka hyrë relativisht vonë të festohet ndër shqiptarë. Gjithësesi nëpër komunitetet e ndryshme shqiptare në varësi dhe të kulturave që kanë përfaqësuar, festohej në mënyra të ndryshme. Venediku që zotëronte një pjesë të madhe të bregdetit shqiptar e pranoi festimin e vitit të ri në 1522. Sigurisht që edhe në Kotorr,Ulqin, Lezhë, Prevezë e Artë që zotëroheshin nga Republika e Shën Markut, viti i ri duhet të jetë festuar pas kësaj date. Viti i Ri duhet të jetë festuar edhe në një territor më të gjerë jashtë zotërimeve të Venedikut në Arbëri, pasi në këto kohë ende nuk kishte filluar islamizimi në masë i popullsisë. Festimi i kësaj date në këto territore duhet të ketë filluar të zmrapset në momentin kur popullsia arbëre islamizohet dhe popullsia fillon të festojë dhe ndjekë kalendarin hënor të Hixhrit, ku festat më të rëndësishme janë Bajrami i madh dhe Bajrami i vogël.
Në Krishterimin Lindor, traditën ortodokse , ka një traditë të veçantë ku Santa Klausi identifikohet me Shën Vasilin, shenjtorin që feston në datën 1 janar. Fëmijët e vegjël këndonin kolendrat duke parajmëruar ardhjen e Vitit të Ri. Kolendrat janë këngë popullore urimi që këndohen nga fëmijët e vegjël në ditët e pritjes së festave të mëdha fetare si Krishtlindjet apo dhe para Vitit të Ri. Ata shkojnë shtëpi më shtëpi duke uruar shëndet dhe mbarësi. Kolendarët që shkonin në grup, gostiten nga të zotët e shtëpisë me ëmbëlsira, fiq të thatë, arra, portokalle etj . Më poshtë është një këngë kolendrash në dialektin arvanit, e botuar për herë të parë në revistën “Besa”, organ i Lidhjes Arvanite të Greqisë 1982-2004. Tabloja ilustruese titullohet ‘Kolendra”(1872) dhe i përket autorit me origjinë arvanite Niqiforu Lutro, një piktori të shkollës së Mynihut në pikturën greke të shekullit të XIX. Identifikimi i mozaikut të kulturës arbëre kudo ku është shpërndarë mund të na dhurojë kënaqësi estetike dhe dëshmi historike të veçanta.
Nji djalopul
ndë derë rri
Jo bre ti
Isht viti i ri.
Hapeni derën
Të hinj,
me plot duart
të na vinj
Çi na sole
Viti i ri?
Shumë shëndet
e dashuri,
Po su sola
Edhe para
Edhe ça
rroba të ra.
Edhe mot
edhe mot
edhe mot
Me duart plot.
Subscribe to:
Posts (Atom)