Friday, 1 July 2016

Leximet e ndryshme të romanit "Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”



Përcaktimi i dashurisë së një femre ndoshta është rebusi më i vështirë për qeniet njerëzore. E kanë provuar dhe vazhdojnë ta provojnë shkrimtarë të vegjël dhe të mëdhenj, gjithsecili duke kontribuar sadopak në zgjidhjen e këtij rebusi. Kur përcaktimi i këtij misteri përvijohet me përmasat e përjetimit të dashurisë përmes rrugëtimit të vetëpërcaktimit të “unit” si karakter dhe “unit” shoqëror të një popullate, atëherë ky mister merr përmasat e një sage që ngërthen në vetvete disa elemente.
Për ne shqiptarët e këndej kufirit guxoj të them se edhe pas një kontakti kulturor prej më se dy dekadash me shqiptarët matanë kufirit, vazhdojnë ende të mbeten të panjohura rrugëtimet sociale të tyre përmes shekullit XX. 
Nuk pretendoj se pohoj diçka të re, por shpeshherë ky rrugëtim është parë përmes lenteve shpjeguese të kombit, gjakut, kufijve, padrejtësive dhe rrallëherë përmes eksperiencave njerëzore. Është e vërtetë që në Ballkan, shprehja e Montenjit se “kam lindur njeri dhe Zoti më bëri francez” nuk ka gjetur ndonjëherë vetveten në semantikën e rajonit, por në fund të fund, historitë e konflikteve midis popujve janë edhe histori njerëzore, histori dashurish, dhimbjesh, urrejtjesh dhe sakrificash. Autori, fort i njohur si publicist, ka në vetvete dhe gjenin e talentuar të shkrimtarit që zotëron një kulturë të përgjithshme të admirueshme për të përcjellë si duhet mesazhet e veta. Është zotërimi i kësaj mjeshtërie dhe kulture që e largon autorin nga klishetë e pasqyrimit të konfliktit serbo-shqiptar dhe hap një dritare të re në pasqyrimin e Tjetrit në letërsi. Konflikti është i shpërndarë dhe i pranishëm në roman gjithandej, por ai shfaqet i pafuqishëm për të sfiduar dashurinë, jetën dhe fjalën.
Përmes tre brezave të një familjeje, familjes Leqi, përvijohet në roman historia sociale, jo fort e lavdishme e tre breznive shqiptare që rrokin tërë semantikën e dinamikën e zhvillimeve politike dhe kulturore në rajon. Si një kaleidoskop gjithë ngjyra, aty kalojnë imazhet e pushtetit të mbretërisë jugosllave, pushtimeve italiane e gjermane, ardhjes së U.N.Ç.SH, ardhjes së komunistëve jugosllavë. Të duket sikur kohës i jepen të gjitha ngjyrat e mundshme të ideologjive, ndërsa thelbësorja, njerëzorja e këtyre tre breznive, është në fakt një mbijetesë për pushtet, dhe jo një mbijetesë për ekzistencë. E gjithë kjo situatë ndërthuret bukur me një narracion befasues të autorit, herë në vetën e parë e herë të tretë të personazhit kryesor Met Rroka, një zyrtari të rëndësishëm të krahinës që përjeton edhe ai gjithë ndryshimet e kohës përmes një haperimi në kohë e hapësirë të shenjave simbolike që përshenjojnë atë dhe popullsinë që përfaqëson. Nëse do të dëshironim ta shprehnim këtë haperim në kohë e hapësirë përmes disa fjalëve kyçe, këto do të ishin, si më poshtë: synet, pjepër, mish derri, arsim, informator, kushtetutë, dashuri, epsh, rrëfim, mëkat, kryqëzim, vetmi, zbrazëti, vetvetja etj.
Çka mund të rrokë një narracion që luhatet mes këtyre termave dhe fjalëve kryesore, në fakt shënjojnë edhe subtekstin e asaj që lexojmë si një histori e zakonshme dashurie. Pa dyshim që është meritë e autorit që përmes rrëfimit dhe situatave gati të realizmit magjik pasqyron edhe një rrëfim tjetër, atë të shtegtimit të identitetit të një popullsie të pacaktuar nga autori në roman, por që për ne lexuesit mund të identifikohet lehtë si vitet 1913-1999. Ky roman, nuk mund të hyjë në atë kategori që rëndom mund të quhet si roman me dy linja, ku jeta e personazhit kryesor ndërthuret me fatin e krahinës, por do parapëlqeja ta emërtoja si një roman modern, ku kapitujt e tij shënjojnë edhe jetën e lexuesve. Nuk mund ta fsheh që personalisht për mua ka qenë një befasi, jo vetëm letrare por dhe identitare për të kuptuar më mirë të përbashkëtat që ndajmë si shqiptarë. Në deklamimin e tij në gjyqin ndërkombëtar të Hagës, Met Rroka thotë:
Të flas në një gjuhë që ka vrarë? Të flas me gjuhën e cila filloi luftën? Të flas me gjuhën që më mohoi Kushtetutën dhe gjuhën? A nuk jemi këtu se fillimisht m’u mohua gjuha? Sepse fillimisht m’u mohua fjala, ajo imja, e pastaj të tjerët? Po të gjithë ata fëmijë e gra e burra që u vranë, që u vranë se në atë moment ju dinit se e flisnin gjuhën e tyre amtare, se nuk flisnin gjuhën tuaj amtare, se ky dallim thelbësor do të thoshte dallimin midis së drejtës për të jetuar dhe asaj për të mos jetuar?
Ky pohim që qëndron në thelb të paradigmës dalluese midis ne dhe ata, në roman, gjegjësisht serbëve dhe shqiptarëve ka në rrënjë të tij gjuhën, një tipar dallues të identitetit të shqiptarëve në rajon që në fillimet e zgjimit të identitetit kombëtar. Mirëpo kush mendon se ky roman mund të ketë vetëm këtë lloj leximi, mund të bjerë lehtësisht në gabimin e atyre që quhen lexime subjektive. Në këtë roman, mbizotëron dhe njerëzorja (dashuria e Met Rrokës me Marie Gjonin), pamundësia për të mos dalë mbi veten dhe kohën (mosshqiptimi i fjalëve të Xhevdetit dhe vetë Metit, për të mbrojtur kushtetutën), pranimi i realitetit të dyfishtë (njohja e Zene Rrokës e lidhjeve dashurore të të shoqit), qëndrimi dyzues ndaj së shkuarës(pamundësia për të dënuar të shkuarën e fisit Leqi dhe pranimi i brezit të tretë si triumfues i së drejtës).
Në roman gjejmë grotesk dhe satirë në lojën midis fjalëve kushte (ekonomike) dhe Kushtetutë, një përpjekje besoj e autorit për të deheroizuar historinë dhe për t’i dhënë një aspekt më njerëzor ngjarjeve. Po kështu në përshkrimin e Komandatit Suprem, Titos që më së shumti ngjan si rojtar i “Kullës së Babelit” përmes gjuhëve që zotëron, por edhe aventurave dashurore të tij. Komandanti Suprem dhe Met Rroka gjejnë të përbashkët epshin për jetën, një përcaktim që largon kontekstet politike e sociale të kohës dhe duket sikur është një thirrje drejt njerëzores së mëkatshme.
Përmbi gjithë atmosferën e romanit qëndron si një frymë dashuria e pakushtëzuar e Marie Gjonit, një uverturë lirizmi dhe lirie në jetën e Met Rrokës, por dhe një personazh që edhe pse nuk është i trajtuar hollësisht përmes situatave, duke qenë si e vagullt dhe frymë, qëndron në ajër dhe në eter dhe dashur pa dashur të rrok gjithë vëmendjen.
Simbolika dhe fetarja, ngërthehen në atmosfera dhe situata kritike në roman, që në krye të herës në emrat e personazheve, Met, formë e shkurtër e emrit Mehmet për Muhamet dhe Marie Gjoni që jo rrallëherë aludohet si Maria e shenjtë. Është mbijetesa dhe fati i paracaktuar për të ndarë së bashku krahinën dhe fatet e saj në marrëdhënien e tyre të gjatë që përcakton edhe klimën e romanit. Citimet nga biblat, emri Jonathan i ndërkombëtarëve që marrin pjesë në paracaktimin e fatit të krahinës dhe fajit përgjegjës në Hagë, janë simbolika që nuk mund të harrohen lehtë dhe të mos merren parasysh në lexim.
E pakushtëzuar, arrin në përfundimin e tij Met Rroka kur përcakton dashurinë e Marie Gjonit ndaj tij, por duket se kjo fjalë mund të shërbejë si fjala kryesore për të zbërthyer anagramën e dashurisë njerëzore, identitetit të krahinës dhe fatit njerëzor, një trinomi që nuk i jep vetëm jetë romanit, por edhe të grish si lexues për të zbuluar vetveten përmes rreshtave. Kur një roman modern arrin të të kthejë në autor në lexues dhe anasjelltas, mund të thuash se ai kthehet në një roman që do t’i rezistojë kohës dhe leximeve të ndryshme të tij.

Gazeta Shqip, 1.07.2016


1 comment:

| said...

Jeni i dashuruar 💕 me dikë dhe ai/ajo nuk ia kthen gjestin, i frustruar për shkak të një ndarjeje 💔 atëherë mund ta përdorni këtë për të tërhequr atë të dashuruar në jetën tuaj. Rikthen ish-in tuaj dhe ndihmon në zgjidhjen e martesave të prishura. Mjetet juridike të infertilitetit dhe infeksionit. Jeta është shumë e shkurtër për të qenë të pakënaqur. Mendoni për këtë. Ju meritoni lumturinë dhe dashurinë maksimale.
Shënim: kjo është krejtësisht e padëmshme dhe nuk ka efekte anësore.
kjo eshte zgjidhja
👇👇👇
WhatsApp +2349046229159