Zgjedhjet lokale kanë shkaktuar një debat dhe reaksion të
natyrshëm në jetën politike të vendit. Akoma pa u zgjedhur kandidatët
janë vënë në qendër të vëmendjes për të analizuar çfarëdolloj veprimi apo
aksioni politik të pritshëm. Sigurisht që në këto debate nuk ka asnjë gjë të
keqe pasi ato janë një pasqyrë e mirë për të mësuar se ç’pret opinioni publik
nga kandidatët e përzgjedhur apo se cila do të jetë sjellja e tyre politike në
përputhje me projektet dhe premtimet elektorale.
Në këtë kontekst është detyra
e kandidatëve që herë pas here të japin intervista ku të shpalosin
vizionin e tyre dhe të largojnë çfarëdolloj mjegullnaje që përpiqet të
shpërndajë gazetaria e papërgjeshme dhe e porositur në horizont për të kaluarën
e tyre dhe sjelljen politike të së ardhmes.Gjithsesi sikur mjegullnaja e
akuzave që shkëmbehen do mbetej deri në spektrin politik do të ishte e
kuptueshme pasi dhe kandidatët si përfaqësues politik nuk mund t’i
shpëtojnë tundimit të dyshimeve apo dhe kritikave ndaj tyre, por është për të
ardhur keq që debati ditët e fundit po rrëshqet drejt një debati aspak etik dhe
profesional.
Në disa shkrime dhe opinione të botuara ditët e fundit
është braktisur pothuajse fare profili politik dhe platoformat elektorale që sjellin
kanditatët dhe në mënyrë të turpshme po i mëshohet thashethemnajës së zakonshme
të akuzve të përbaltjes duke ngatërruar edhe pjesëtarë të familjes, goditje që
në stilin ballkanik njihen si burracakëri dhe goditje poshtë brezit. Për më
tepër me një cinizëm të paparë që kalon përtej çfarëdolloj norme të etikës
ngatërrohen fate njerzore dhe karriera profesionale të së afërmëve të
kandidatëve si është rasti i përmendjes së Ajola Xoxës,gruas së kandidatit të
PS për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Mirëpo nëse këto akuza do mbeteshin
vetëm në nivelin amatoresk gazataresk besoj se nuk do kishin pikë rëndësie, po
kur ato i bën për vete partia më e madhe e opozitës, atëherë fillon
problemi pasi kupton se politika e përbaltjes dhe mungesës së ideve po e shtyn
këtë forcë politike në moçalin e zakonshëm të akuzave politike të pabaza. Po
përse kjo dashakeqësi kaq e madhe dhe mbi të gjitha një përbaltje e pamerituar
për njerëz që janë të sukseshëm në karrierën e tyre profesionale? A thua atyre
që denoncuan si rast korrupsioni kërkojnë të vendosin standarte të pastra duke
gabuar dhe në logjikë pasi si avokate Ajola Xoxa si e punësuar në një firmë
ligjore nuk i zgjedh klientët por përfaqëson vetëm firmën ku është e punësuar,
apo ka mbrapa saj interesa të ulta dhe meskine që shiten për profesionalizëm
dhe përkujdesje ndaj shtetit.
Nuk është e vështirë të kuptosh se në shtypin e shkruar
dhe medien vizive ka një kuzhinë që i gatuan të gjitha këto “skoope”
gazetareske të panevojshme dhe mbi të gjitha të ulta, dhe lart në politikën e
Partisë Demokratike ka kamarierë të gatshëm që këtë ushqim të prishur duan ta
shesin si ushqim të freskët e kalorik. E vërteta është se opozita shqiptare
është e papërgatitur për të përballuar politikisht procesin e zgjedhjes lokale
pasi brenda saj nuk ndërmorri një proces kritike dhe ndarje së përgjegjësisë
për humbjen e zgjedhjeve në 2013 dhe mbi të gjitha alternativat që afron në të
gjitha fushat nuk përfaqësohen nga emra të rinj por nga ata që që për tetë vjet
gatuan këtë kaos informaliteti dhe korrupsioni që qeveria e sotme po mundohet
ta vërë në rrugë të mbarë. Për çfarë ndryshimi në Tiranë flet kandidati i së
djathtës z Halim Kosova, ku kryetari aktual i bashkisë z Basha, nuk ka lënë
asnjë gjurmë në mirëadministrimin e qeverisjen e qytetit. Humbja e betejave
politike që shikohet në horizont, jo domosdoshmërisht mund të fshihet me
mjegullnaja mediatike që tërheqin vëmendjen e opinionit publik nga
llogaridhënia dhe aq më tepër këto mjegullnaja nuk mund të shërbejnë për të
provokuar situata artifice për të ardhur në pushtet. Analiza e drejtë dhe
konstruktive se për se i humb betejat politike do t’i bënte shumë më
mirë opozitës sesa politikë përgojimesh të tilla të rëndomta ndaj
familjarëve të kandidatëve, pasi vendi ka nevojë vërtetë për një opozitë të
fortë për të ecur përpara. Zgjedhjet lokale duhet të mbeten beteja politike të
ndershme pa u strukur si struci në rërë pas argumenteve bajate dhe meskine.
Gazeta Tema 13.06.2015
No comments:
Post a Comment