Refleksione
rreth monografisë “Xhorxh Bajroni” të studiuesit Profesor Doktor Afrim Karagjozit. Botimet Plejad
Ikja,
arratisja nga realiteti, rikthimi, kthimi,udhëtimi në kohë dhe në hapësirë janë
koncepte metafizike që hasen shpesh si tema në letërsinë e përbotshme. Si të
tilla ato kanë pasur një trajtim të përbotshëm çka e bën më të qenësishëm
termin “Welt Litterature”-Letërsia Botërore që Gëte kërkonte ta përcaktonte në
fillim të shekullit të XIX.
Sigurisht që veprat më të suksesshme kanë qenë ato
që kanë ndërthurur këto eksperienca metafizike me eksperiencat e vetë
shkrimtarëve. Kjo ishte arsyeja p.sh që e detyronte patriarkun e letërsisë
gjermane Gëten, të hynte në korrespodencë me një djalosh të ri në letërsi siç
ishte Lord George Gordon Byron( 1788-1824), vepra e të cilit përfshinte të dyja konceptet e gjendjes
shpirtërore të njeriut. Lord Byron kish botuar më parë se të udhëtonte jashtë
Britanisë vargje të botuar në revistën prestigjioze Edinbourgh Review, madje
dhe një libër satirik në vargje English Bards and Scotch Reviewers (1809) për
të fshikulluar kritikët e vet, por vepra që e bëri të famshëm e thënë me fjalët
e veta “se u ngrita një mëngjes dhe e gjeta veta veten të famshëm” ishte botimi
i dy këngëve të para të poemës ‘Child Harold” 1812 që trajtonte eksperiencat,
ndjenjat dhe përshtypjet e udhëtimit të vet në Lindjen e Afërme si quheshin territoret
e Ballkanit.
Prej
këndej fillon dhe lidhja e veçantë dhe afeksioni që Lord Byron-i do të kish në
veçanti për dy vende në Ballkan, Shqipërinë dhe Greqinë. Ndonëse për këtë të
fundit si një dishepull i letërsisë dhe edukimit klasik që ai kish marrë ishte
e kuptueshme që pa e nisur udhëtimin e vet
të kishte simpati, kurse për Shqipërinë koincidenca e ndërrimit të
iterenarit të udhëtimit nga Izmiri në Prevezë,
qëlloi të ishte fatlume për të dhe për vendin që ai vizitoi. Bajroni si
një i ri aristokrat anglez dhe poet romantik në formim e sipër,i gjendur në
Maltë në fillimet e Grand Tour-it të vet, do të dëgjonte për Ali Pasha
Tepelenën dhe do vendoste që udhëtimin e vet ta vazhdonte në Epir për ta njohur
nga afër pashain karizmatik.
E
gjithë kjo atmosferë e mrekullueshme e mbarsur me orientalizëm, romanticizëm, e
mbresa udhëtimi vjen e freskët për lexuesin shqiptar në librin e Profesor
Doktor Afrim Karagjozit “Xhorxh Bajroni” që edhe pse është një ribotim i
botimit të parë më 1987, tashmë vjen i përmirësuar dhe i plotësuar prandaj
duhet përshëndetur në mënyrë të veçantë. Por jo vetëm kaq, në monografinë për
Bajronin të Profesor Karagjozit lexuesi do të gjejë një informacion të plotë
dhe skrupuloz të mbështetur nga një bibliografi e pasur të jetës, formimit
kulturor,aventurave dhe jetës gjithë shkëlqim, hare dhe dëshpërim të Bajronit
si dhe atmosferën drithëruese të
Romantizmit Anglez që po hidhte
shtat por dhe Evropën e pas luftërave Napoleonike që kish lidhur aleancë të
shenjtë ndaj lëvizjeve për liri të popujve të shtypur ku sigurisht Bajroni si
luftëtar i lirisë do të ishte në rreshtat e parë sa në mbështetje të
revolucionarëve italianë, përpjekjeve identitet formuese të armenëve dhe
aspiratave shtetformuese të kryengritësve grekë.
Natyrisht
pjesa më interesante e librit janë kapitujt që përshkruajnë takimin e Bajronit
me shqiptarët , udhëtimi i tij në Shqipëri nga Janina për në Tepelenë ,
shënimet për karakterin e shqiptarëve, rolin e tyre në Revolucionin grek,
suljotët dhe origjinën e tyre, ndikimi i tyre në personazhet e poemave të tij
që krijoi dhe trashëgiminë dhe trajtimin e tij në letrat shqipe. Po kështu i
një rëndësie të veçantë është dhe trajtimi dhe studimi i bajronizmit dhe heroit
Bajronik në letërsinë botërore si një fenomen që ashtu si valët e revolucionit
francez që pushtuan Evropën në fillim të shekullit të XIX, pushtuan dhe botën
shpirtërore të shumë vendeve evropiane duke krijuar vepra të rëndësishme të
trashëgimisë botërore.
Monografia
e Bajronit vjen në fakt si një apogje e
një shtegtimi të gjatë të Bajronit në mendimin intelektual shqiptar i nisur që
herët në fillimet e zgjimit kombëtar e
të vazhduar deri në ditët tona, ku spikasin kolosë të tillë të mendimit
shqiptar si Konica, Stavro Skëndi, apo Skënder Luarasi por në formën e plotë
dhe të mirëfilltë shkencore kjo është monografia e parë që botohet në shqip dhe
që jep një këndvështrim të gjerë të kësaj figure të rëndësishme të letërsisë
evropiane. Libri është botuar nga shtëpia botuese Plejad e cila në vazhdimësi
ka sjellë për lexuesin shqiptar libra të një karakteri studiues dhe autorë
cilësorë rreth botës shqiptare, Ballkanit dhe mendimit politik dhe filozofik
botëror.
Dyqind
e një vjet më parë , djaloshi 21 vjeçar Lord Byron së bashku me mikun e vet
Hobhouse do të niste një udhëtim që në fakt nuk do të ndryshonte vetëm jetën e
tij por do të bënte të njohur dhe një popull të lashtë në botën e largët
ishullore të Anglisë. Kohët në të vërtetë kanë ndryshuar, poeti ka vdekur dhe
është bërë i famshëm , Shqipëria tashmë është shumë më e njohur por në thelb
mbetet gjithmonë i pandryshueshëm udhëtimi i tij që për botën shqiptare është
një legjendë ikje dhe rikthimi, përherë i freskët dhe romantik si poezia e tij
por dhe si faqet e këtij libri që na e përjetësojnë atë. Tashmë bota shqiptare
e mendimit e ka një arketip referimi dhe ne s’na mbetet tjetër veçse të urojmë
‘Mirë se erdhe sërish mes nesh miku ynë, Xhorxh Gordon Bajron”!
No comments:
Post a Comment