Influenca
e nacionalizmit kulturor në marrëdheniet greko-shqiptare është shfaqur që në
fillimet e shfaqjes së nacionalizmit në rajon. Duke jetuar për një kohë të
gjatë nën çatitë e dy perandorive, asaj bizantine dhe otomane, afërsia
territoriale si dhe ndarja e disa vlerave të përbashkëta si ajo e një besimi të
njëjtë fetar midis popullsisë greke dhe një pjese të popullsisë shqiptare kanë
krijuar premisat që grupe të ndryshme popullsie të identifikohen ose të
përzgjellin kombin në të cilin dëshirojnë që të jenë anëtarë.
Zakonisht kur flitet për këtë aspekt në
studimet shqiptare apo dhe të huaja nënvizohet dhe merret në shqyrtim fakti se
ka pasur një asimilim më të madh të popullsisë shqiptare në atë greke
sesa anasjelltas, gjë që sipas dhe të dhënave tingëllon si fakt i vërtetë, por
nuk përjashtohet rasti që dhe periudha të ndryshme kohore të ketë ndodhur
procesi i kundërt si p.sh gjatë qeverisjes së Ali Pasha Tepelenës ku shumë
zakone, fjalë dhe veshje shqiptare(fustanella) u adaptuan gjerësisht nga
popullsia greke e për rrjedhojë mund të ketë pasur popullsi greke që u
konvertuan në shqiptare. Me këtë konstatim dëshiroj të nënvizoj faktin se asnjë
etni apo grup popullate sado që të ketë shumë të fortë disa komponentë të
identitetit përcaktues nuk është e imunizuar nga influenca e përzgjedhjes së
kombësisë.
Në
rastin e marrëdhenieve greko-shqiptare dhe anasjelltas duket se krijimi i
shtetit kombëtar grek pothuajse një shekull më parë, influencoi në krijimin e
një nacionalizmi etnik si pasojë e kontributit të zhvillimeve kulturore.
Themelimi i shtetit kombëtar grek solli si rezultat dhe themelimin e një rrjeti
arsimor të mirëorganizuar, shtypi kombëtar dhe kulture kombëtare të shtrirë
gjithandej nëpër territorin e shtetit kombëtar.Pra, nga prania dhe forca e një
sistemi arsimor të kontrolluar nga shteti, e një sistemi të mjeteve të
informimit masiv të kontrolluar nga shteti dhe e organizatave kulturore që
mbështesin gjuhën e një rajoni të veçantë dhe artet....si një kulturë e veçantë
e kombit[1] u përforcua më tepër nacionalizmi etnik. Për shkak të sistemit
perandorak otoman të mileteve, ku popullsia e krishterë ortodokse në Ballkan
konsiderohej si “Rum”(greke) dhe privilegjeve të fituara që herët nëpërmjet
Patriakanës së Stambollit, ky rrjet shkollash dhe edukimi në gjuhën greke ishte
i përhapur dhe në territoret shqiptare me popullsi ortodokse , ku në rajone të
veçanta si Himara vazhduan të funksionojnë edhe 20 vjet pas shpalljes së
pavarësisë dhe themelimit të shtetit kombëtar shqiptar. Mirëpo nëse para
themelimit të shtetit kombëtar grek ato kishin një karakter universalist
dhe i shërbyen popullsisë
lokale për arsimim dhe edukim, përfshi këtu dhe popullsinë myslimane
shqiptare, pas themelimit të shtetit kombëtar grek ato fituan karekterin
partikularist të nacionalizmit grek dhe filluan të shërbejnë si fidanishte të
Helenizmit. Si qendra të tilla, në momentin kur u shfaq nacionalizmi shqiptar
ishte e kuptueshme që do të hynin në konflikt nacionalist me shkollat dhe
edukimin shqip që shprehte sa karekterin e përplasjeve greko-shqiptare për
krahinën e diskutueshme të Epirit por dhe rolin që luante arsimimi dhe kultura
kombëtare në zgjedhjen e kombësisë.
Një
pjesë e madhe e studiuesve kur studiojnë nacionalizmin grek bien dakort se në
krijimin e kombit grek një rol të madh ka luajtur “dëshira” sesa përkatësia
etnike sipas modelit që ka përkufizuar Renan, ndaj dhe kjo trashëgimi politike
e krijimit të kombit grek ka pasur një peshë specifike në lidhje me
marrëdhëniet greko-shqiptare dhe anasjelltas. Ndërsa në fillimet e tij shteti
grek arriti që të “asimilonte” sipas këtij koncepti grupin e madh etnik
shqipfolës në Greqi , të njohur si arvanitas apo dhe një popullsi tjetër
shqiptare si suliotët që ishin brenda territoreve otomane dhe shumë afër atyre
shqiptare, duke i bërë pjesë përbërëse të kombit grek, pretendimet vazhduan dhe
për popullsinë ortodokse në thellësi të territoreve shqiptare duke mos marrë
parasysh aspak kriterin etnik. E gjithë kjo luftë e heshtur dhe e ashpër
nacionalizmash nën çatinë e Perandorisë Otomane la një shije të hidhur kur u
krijua shteti kombëtar shqiptar dhe u përcaktuan kufijntë e rinj të tij pasi
propaganda greke dhe nacionalizmi grek ia kish arritur qëllimit që të paraqiste
para faktorit ndërkombëtar një realitet krejt ndryshe nga sa ishte ai i vërteti
etnik. Sigurisht që kjo mospërputhje midis realitetit etnik dhe “dëshirës”për
të zgjedhur krijoi një konflikt të hapur nacionalist në Epir, influenca e të
cilit në formë spirale është ndjerë vazhdimisht në marrëdheniet
greko-shqiptare. Mirëpo përpara se shteti kombëtar grek të fillonte të kishte
pretendime territoriale drejt territoreve shqiptare, i ishte dashur që të
neutralizonte dhe të asimilonte grupin e madh etnik të arvanitasve që
shtriheshin në disa nga rajonet qendrore dhe më kryesore të mbretërisë greke.
Në një dokument të ministrit të jashtëm të Greqisë, Kumundero, të vitit 1881,
dërguar Mbretërisë gjermane për ndihmë, ndër të tjera, thuhet se “edhe pas
pesëdhjetë vitesh të shtetit të pavarur grek, një pjesë e madhe e popullsisë në
More, që është shumë e njësishme etnikisht, nuk heq dorë prej qënësisë së saj
shqiptare”. Më tej ai vëren se “edhe në vetë Athinën, ashtu si në More
(Peloponez), mbi 70 mijë vetë flasin vetëm gjuhën shqipe, pa ditur asnjë fjalë
greqisht”, duke pohuar më tej se “është fjala për një etnicitet homogjen që i
tillë njihet sëpaku për dhjetë shekuj në këtë hapësirë të lartpërmendur”.[2]Për
më tepër edhe pse elitat arvanitase ishin inkorporuar në sferat më të larta të
shtetit kombëtar grek, sërish në momente decizive të vendosjes së aleancave
politike në Ballkan, këto elita bashkëpunimin e kërkonin me popullsinë
shqiptare ndaj të cilës ndiheshin shumë afër etnikisht si ishte rasti i vitit
1899 ku Greqia fill pashumbjes në luftën Greko-Turke të vitit 1897 kërkonte të
vendoste aleanca të fuqishme në rajon. Në vitin 1899, revista greke “Helenizmi”
boton një shpallje të nënshkruar nga zotërinjtë: Shehu, Boçari e Xhavella, ku
ndër të tjera shkruhej “Në luftën e 1821 që bëri Greqia kundër Turqisë luftoi
dhe raca jonë, raca shqiptare, dhe me ndihmën tonë u çlirua edhe Greqia. Midis
kaq heronjve kujtojmë edhe ata të Hidrës, Species dhe Kranidhit. Heronjtë më të
shumtë të steresë ishin shqiptarët e Sulit të Himarës, të Athinës, Tebës,
Livadhjasë, Korintit, dhe nga shumë vende të Moresë që flasin edhe sot shqip.
Përveç shqiptarëve të krishterë, ishin edhe 3500 shqiptarë muslimanë që
luftonin bashkë me grekët kundër turqve... S’kemi për të thënë ndonjë
gënjeshtër, vëllezër, po të pohojmë se shqiptarët e çliruan Greqinë”.[3]
Gjithësesi
pavarësisht këtyre fakteve shumë domethënës të fundit të shekullit të XIX dhe
fillimit të shekullit të XX, influenca e
nacionalizmit etnik grek dhe një tradite bashkëjetese prej mëse 170 vjetësh në
shtetin kombëtar grek ku elementi arvanitas kish hyrë në një proces asimilimi
nuk mund të bënte të mundur që këto demonstrime të ishin të një përmase të
madhe. Në ditët e sotme problemi dhe statusi i popullsisë arvanitase në Greqi
vazhdon të jetë i mjegullt dhe disa ngjarje kulturore që kanë ndodhur brenda
komunitetit arvanitas mundtë
konsiderohen si ngjarje që
ringjallën një çështje të harruar dhe që nën tendencat unifikuese të
Globalizmit kishte tendenca për tu harruar. Një nga veprimtarët më të rëndësishëm të ringjalljes kulturore arvanitase gjatë
viteve 1980-2000 është studiuesi, avokati dhe publicisti Aristidh Kolia i
cili në librin e vet “Arvanitët dhe
prejardhja e grekëve” i bëri jehonë sërish mitit pellazg të origjinës së
përbashkët greko-shqiptare që nga lashtësia dhe ripohonte me krenari se 90 nga
100 heronj të Kryengritjes janë arbër, por kjo jo vetëm që nuk përmendet nga
historianët tanë, por bëhet përpjekje të fshihet ky fakt dhe nga na tjetër të
përdëllëhet i gjithë populli arbëror.[4] Gjithësesi pavarësisht kësaj
ringjallje kulturore duhet pranuar fakti se popullsia arvanitase në Greqi edhe
pse për një kohë shumë të gjatë kish ruajtur një identitet të fortë gjuhësor të
veçantë të dëshmuar edhe nga udhëtarë të shumtë të huaj që vizituan territoret
greke në 50 vjeçarin e parë të shekullit të XIX, madje dhe në hapat e para të
zgjimit kombëtar të shqiptarëve kishte pasur aktivistë të shquar që kishin
marrë pjesë në lëvizjen nacionaliste shqiptare si Anastas Kullurioti, në vitet
90-të paraqitej me me një ndërgjegje
helenike si rezultat i shumë proceseve asimilues që kishin ndodhur një shekull
e gjysëm më parë që me themelimin e mbretërisë së re greke. Këto procese
asimiluese ishin bazuar në ato karekteristika që kishin ndihmuar për të
themeluar kombin grek si identiteti fetar,urbanizimi i menjëhershëm që hyri
mbretëria e re greke dhe sidomos rajoni i Atikës ku kjo popullsi ishte më tepër
e përqendruar. Si të krishterë ortodoksë që ishin,dhe duke qenë se ortodoksia
ishte në themel të identitetit helen modern që po lindte, shumë prej tyre
kishin marrë në luftën për çlirim, disa prej tyre madje u bënë dhe udhëheqës të
saj. Njëlloj si në shekujt e mëparshëm helenizmi ndihmohej nga përzierja dhe
moskompaktësia e disa popullsive, si dhe procesi i urbanizimit. Mungesa e një
tradite letrare vepronte po kështu në këtë drejtim. Rrjeti i arsimimit greqisht
që po zhvillohej ishte, sëbashku me Kishën, një motor i fuqishëm i greqizimit,
veçanrisht kur u shtuan përpjekjet për të shkolluar dhe vajzat. Por, ajo që
ndihmoi në fshirjen e gjuhës shqipe ishte dhe zhvlerësimi i saj social, të
paktën në hapësirën publike: të flisje shqip do të thoshte t’i përkisje
shtresës më të ulët të shoqërisë neo-helenike, domethënë të ishe fshatar ose
marinar, kuse të flisje greqisht kishte kuptimin e të qenit një “helen i
vërtetë”.[5]
Pikërisht
ky dyzim kulturor kish influencuar më tepër helenizmin por i kish dhënë jetë
dhe një literature të tërë në greqisht të shkruar nga nga anëtarë të shquar të
kësaj popullsie për origjinën e përbashkët të kombeve grek dhe shqiptar si dhe
përpjekjeve për të krijuar një monarki të përbashkët greko-shqiptare. Nën
procesin e vazhdueshëm të helenizmit të nxitur dhe nga shteti kombëtar grek,
përpjekja për të shkruar dialektin e tyre shqip u minimalizua deri sa në në
vitet 80-të të shekullit të XX kemi një rigjallërim të këtyre përpjekjeve me
botimin e revistës “Besa”, ku në të 34 numrat e saj përveçse artikujve
shkencorë rreth kulturës arvanitase në greqisht u botuan dhe artikuj në gjuhën
shqip por me alfabetin grek. Që prej viteve 1980-te, ka patur nje krijim te
shoqerive kulturore arvanitase edhe botimeve te nje reviste edhe disa librave
mbi kulturen arvanitase (megjithese shume pak te botuara ne ate gjuhe). Ne disa
zona, Ungjilli i Pashkeve lexohet ne Arvanitika (Gerou, 1994a). Ndoshta
ndermarrja me domethenese - per publikun e gjere - eshte nxjerrja e CD - me nje
librushke te bashkangjitur shpjegimi - Arvanitic Songs (FM Records, 1994)[6]
Emigrimi
masiv i shqiptarëve të pas viteve 90-të në Greqi përveçse pati efekte të
rëndësishme në ekonominë greke dhe shqiptare, në aspektin kulturor pati një
ndikim të tërthortë që u demonstrua në një rigjallërim të gjuhës shqipe në
zonat rurale ku banon popullsia arvanitase. Sipas përllogaritjeve të një autori
grek V.Rafalaidhis, kjo popullsi rezulton të jetë rreth 3.000.000 në shtetin e sotëm
grek.[7], numër që tingëllon i ekzagjeruar pasi mund tu korrospondojë atyre që
kanë origjinë arvanite dhe jo atyre që kanë ndërgjegje dhe deklarohen si
arvanitas. Nuk ka patur ndonje statistike zyrtare mbi te si edhe me cdo
minoritet tjeter ne Greqi, qe prej 1951 (ndersa statistikat e meparshme
konsiderohen si te pabazuara, duke reflektuar me shume ata me nje ndergjegje te
forte etnike). Sot, vleresimi me i mire mbi ata qe flasin gjuhen edhe qe kane
nje ndergjegje te forte arvanite arrin ne numrin perreth 200.000 veteve.
Trudgill (1983:128) i vlereson ne 140.000 folësit ne Atika edhe Boetia, nje
numer i permendur po ashtu nga Hill (1900:135). Per arvanitasit ne
veri-perendim, nje shifer prej 30.000 eshte dhene prej Ciampi-t (1985:87), i
cili po ashtu e ve numrin per grupin ne total tek 156.000-201.000 vete. Disa
pjesetare te komunitetit, japin shifra shume me te medha, tek rreth 1.600.000
(Kormos, 1994:1 ; edhe Gerou, 1994b:2). Kjo shifer mund ti korrenspondoje te
gjithe grekeve qe kane paksa origjina arvanitase, por sigurisht jo folesve te
tanishem edhe atyre me ndergjegje te ngjashme. Sikurse me te gjitha gjuhet e
tjera minoritare, pervec turqishtes, Arvanitika nuk ka status ligjor ne Greqi
edhe nuk mesohet ne asnje nivel te sistemit arsimor.[8]
Në
këto kushte ka qenë shumë e vështirë influencimi i një nacionalizmi kulturor me
tendenca shqiptare nga ana tyre pasi nuk zhvillimet politike në Shqipëri kanë
qenë më të vonshme sesa në Greqi.Madje në rastin e tyre mund të flitet për
ringjalljen e një teze të hershme dhe romantike të nacionalizmit etnik shqiptar
që i kërkonte rrënjët e veta në origjinën e përbashkët pellazgjike me
popullsinë greke. Një sërë librash të shkruar nga elita e këtij komuniteti
vital në Greqi si “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve” e Aristidh Kolisë apo
“Arvanitasit-fiset e reja doriane të Helenizmit të ri” të Kosta Birit e
shtjellojnë më tepër këtë tezë, duke e bërë dominante në ligjërimin e sotëm
arvanit. Mirëpo, brenda këtij ligjërimi historik e kulturor shpesh herë
shtjellohet dhe nuanca krenarie për numrin e madh të udhëheqësve të
Revolucionit Grek nga gjiri i kësaj popullsie, afërsia dhe ndihmesa e shqiptarëve në këtë Revolucion
si dhe përforcimi i disa karekteristikave
të veçanta të popullsisë arvanitase si trimëria, besa e sakrifica për atdheun.
Të gjitha këto tipare identitare kanë krijuar premisat për të pasur herë pas
here shfaqje të një nacionalizmi të
zbehtë kulturor që u vu re nga përfaqësues të shquar të këtij komuniteti si
Aristidh Kolija, Taqi Mihas etj gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Ish-Jugosllavi ku
në emisione të ndryshme televizive dhe artikuj në gazetat më të mëdha greke
mbrojtën çështjen shqiptare përkundrejt mendimit nacionalist grek që e
denigronte , argumentuan se përse Greqia nuk duhet të ishte aleate me Serbinë
,aleancë për të ciln qarqet nacionaliste greke bërtisnin se është e “shenjtë”
si dhe pohuan afërsinë e tyre etnike shqiptare. Zhvillimi i këtij nacionalizmi
të zbehtë kulturor që ngjalli dhe acarim në qarqet nacionaliste greke, i
përngjan tipit të zhvillimit të nacionalizmit që përqafohet nga një grup
intelektualësh që tregojnë interes për gjuhën e popullit dhe folklorin duke
pohuar veçantinë dhe afërsinë me një komb tjetër fqinj, gjë që krijon premisa
që dalë nga dalë në të ardhmen dhe nën dritën e zhvillimeve të ndryshme
politike në rajon mund të kalojë në hapa të tjerë më të rëndësishëm që mund të
komprementojë ndërtimin e kombit grek dhe shqiptar në rajon.Ky rigjallërim
linguistik, kulturor për momentin nuk është shoqëruar me një rigjallërim të
identitetit etnik të veçantë nga ai grek, por lë të gjitha premisat e hapura
sidomos në kuadër dhe të rritjes së nacionalizmi shqiptar apo dhe efekteve të
krizës ekonomike që ka kapluar Greqinë. A do të rikthehet Moreja dhe rrethinat
e Atikës, Tebës, ishullit Eubea, Hidra e Speca trungut të vet etno gjuhësor nga
i cili është shkëputur për më tepër se një shekull si pasojë e presionit të
fortë asimilues të shtetit kombëtar grek? Përgjigjia e kësaj pyetje sigurisht
që do të përbente një nga kuriozitetet ë të mëdha nëse nacionalizmi kulturor
shqiptar do të bënte të mundur që të influenconte në rrjedhën identitare të një
popullsie thellësisht të asimiluar si janë arvanitasit dhe sigurisht në këtë
rast do të përbënte nje rast sui generis në rajon.
Bibliografi
Libra:
1- Claire.N (2009). Në fillimet e
nacionalizmit shqiptar. Tiranë: Përpjekja
2- Hyskaj).T.E(2008), . Sfidat e
nacionalizmit.Rasti i Ballkanit. Tiranë: “Progres”
3- Koçollari .I(1994) Arvanitët.
Tiranë:Albin
4- Kolia.A(2008) Arvanitët dhe prejardhja e
grekëve. Tiranë; Toena
Internet:
1- Greqia që flet shqip në:
http://www.zeriyt.com/greqia-qe-flet-shqip-t348.0.html
2- GHM (=Greek Helsinki Monitor) (1995):
"Report: The Arvanites" në: http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?t=12198
[1]
(Hyskaj).T.E(2008), . Sfidat e nacionalizmit.Rasti i Ballkanit. Tiranë:
“Progres”,faqe 28
[2]
Internet në: Greqia që flet shqip në:
http://www.zeriyt.com/greqia-qe-flet-shqip-t348.0.html
[3]
Internet në: Greqia që flet shqip në:
http://www.zeriyt.com/greqia-qe-flet-shqip-t348.0.html
[4]
Kolia.A(2008) Arvanitët dhe prejardhja e grekëve. Tiranë; Toena, faqe 18
[5]
Claire.N (2009). Në fillimet e nacionalizmat shqiptar. Tiranë: Përpjekja, faqe
119-120
[6]
Internet : GHM (=Greek Helsinki Monitor) (1995): "Report: The
Arvanites" në: http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?t=12198
[7]
Koçollari .I(1994) Arvanitët. Tiranë:Albin,faqe 5
[8]Internet
: GHM (=Greek Helsinki Monitor) (1995): "Report: The Arvanites" në:
http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?t=12198
Suplementi
Rilindësi 3.02.2013
1 comment:
I dashur Dorian. E lexova materialin dhe me pelqeu jo vetem perkushtimi juaj ne fushen e fakteve te mjegulluara shqiptaro-greke, por edhe hulumtimi i materialeve te pasqyruara me kujdes dhe vertetesi. Urime dhe suksese per te tjera tema te tilla qe i sherbejne se vertetes historike shqipotare.
Post a Comment