Nga Fan Noli
E kam takuar Konicën për herë të parë më 1909. Ishte
diçka që nuk kam për ta harruar kurrë. Më kishte shkruar nga Londra se do të
vinte në Boston i veshur me kostum shqiptar. Ideja ishte që të dilte fotografia
e tij në gazetë dhe të shfrytëzohej rasti për të propaganduar çështjen
kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i gjithë jetës së tij. Unë mbeta i
shtangur. Si prift ortodoks i modës së vjetër, në atë kohë unë vetë mbaja nnjë
mjekër të gjatë të zezë, për të cilën më duhet të pranoj se nuk u pëlqente
djemve të Bostonit. E merrja me mend se sa do të dëfreheshin ata djem po të më
shihnin duke ecur me një burrë të veshur me fustanellën shqiptare. Ndonëse nuk
kisha parë kurrë ndonjë fustanellë greke, një lloj fundi i balerinave. Unë isha i shkurtër e i bëshëm, Konica
ishte i gjatë e i thatë, kështu që të dy do të dukeshim si Don Kishoti me Sanço
Pançën të arratisur nga ndonjë cirk. Sa u habita këtë herë kur pashë se djemtë
e Bostonit e harruan gjithçka lidhur me mjekrën time dhe thjesht zunë të
shihnin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte
fustanellë qesharake greke, por diçka që i ngjante kiltit të skocezëve dhe se i
përshtatej shumë një burri të pashëm si Konica.Meqë ra fjala, lexuesi mund ta gjejë
në librin e Konicës ndryshimin ndërmjet kostumit grek dhe veshjes shqiptare:
është e vërtetë se grekët e kanë përshtatur nga shqiptarët, por ata u përpoqën
ta stërhollojnë sa që e bënë një veshje grash me aq sa mundën. Veshja e Konicës
nuk ishte e vetmja gjë që më habiti. Thjest mbeta pa mend, kur ai nisi të më
“mësonte” për çdo gjë në botë. Ishte njeri me kulturë të lartë. Gijom Apoliner,
një shkrimtar dhe mik i tij, e ka quajtur “enciklopedi shëtitëse” që e fliste
frëngjishten si një francez. Një shkrimtar tjetër, Zhyl lë Metrë, ka shkruar
për të: “Ky i huaj që e shkruan kaq mirë gjuhën tonë”.Si studiues i pasionuar i
muzikës, Konica e adhuronte shumë Vagnerin. Një nga gjërat e para që bëri ai
pasi u takuam, ishte të më tregonte për Vagnerin dhe operat e tij. Me këshillën
e tij e pashë përherë të parë Parisfalin, kur u dha më 1910 në Boston. Në
varrimin e tij, tridhjetë vjet më vonë, duke e ditur se sa shumë e donte
Vagnerin, iu luta organistit të luante muzikën e Vagnerit nga kreu deri në
fund.Ka disa fakte që mungojnë në librin e papërfunduar të Konicës, fakte për
Shqipërinë, që i kam mësuar prej tij. Për shembull, Konica flet për krenarinë e
malësorëve shqiptarë. Zonja Durham e pranon këtë në librin e saj “Brenga e
Ballkanit”. Kur përshkruan shpërndarjen e ndihmave në Maqedoni gjatë
dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, ajo na tregon se si gratë
fshatare e rrethonin ditë e natë, duke i kërkuar ushqime dhe rroba. Ata
vendoseshin rrotull shtëpisë ku banonte ajo dhe nuk largosheshin derisa të merrnin
diçka. Edhe kur u shpjegoi se nuk kishte më asgjë për t’u dhënë, ato nuk
shkuleshin. Kur zonja Durham vajti në Shqipëri, priste që t’i ndodhte njësoj.
Për habinë e saj, askush nuk iu afrua për t’i kërkuar ndihmë.Konica përmend
edhe faktin se zonja Durham ka qenë një adhuruese e madhe e amvisës shqiptare.
Ajo mendonte se vetëm amvisa holandeze mund të krahasohej me të për pastërtinë.
Zonja Durham kishte të drejtë. Mjafton të shkosh për vizitë në shtëpitë e
shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe mund ta shohësh dallimin ndërmjet
amvisës shqiptare dhe shumë prej fqinjëve të saj që nuk janë shqiptare.Një gjë
që e ka lënë jashtë Konica është fakti që fqinjët ballkanas e italianë kanë
shpifur se shqiptarët janë të egër e të pamëshirshëm. Zonja Durham na thotë se
kjo nuk është e vërtetë. Ajo kiste parë fshatarët siçilianë se si i rrihnin pa
mëshirë kuajt dhe gomerët, por kurrë nuk kishte qenë dëshmitare se si një
shqiptar rrihte një kafshë. Unë e kam vënë re edhe vetë kur kam udhëtuar me
kalë në Shqipëri. Sa herë vinim te ndonjë copë rrugë e vështirë, ishim të
detyruar të zbrisnim dhe kafsharët gjithnjë përdornin fjalët përkdhelëse për
t’u dhënë zemër kafshëve, si për shembull: “Hajde, vëlla. Ec, or bir; Nuk është
dhe kaq e vështirë. Do ta kalojmë”. Një shpifje tjetër e përhapur nga fqinjët
tanë, është se shqiptarët qenkan njerëz që nuk u shtrohen ligjeve. E vërteta
është krejt e kundërt. Ata u shumë më tepër se gjithë fqinjët e tyre.
Statistikat e rajoneve të policisë në qytetet amerikane ku ka shqiptarë, dëshmojnë
qartë se ata janë nga grupet më të mira ndër të gjithë të ardhurit e huaj.
Përvoja ime e gjatë më ka vërtetuar se shqiptarët u binden ligjeve në shqipëri
po ashtu siç u binden në Shtetet e Bashkuara. E keqja është se, kur fqinjët e
Shqipërisë përpiqen të shkelin tërësinë e saj tokësore, atëherë shqiptarët “e
paligj” ngrenë krye.Kur përshkruan pamjet e bukura të Shqipërisë, Konica
përmend shumë turistë të huaj që e kanë admiruar këte vend. Një emër, që
megjithatë mungon, është ai i prozatorit, dramaturgut dhe kritikut muzikor
francez, Roman Rolanit, i cili në njërin nga librat e vet flet për “kodrat e
bukura të valëzuara të Shqipërisë”. Unë për vete i kam soditur nga maja e malit
Tomor dhe nga kështjella e Krujës, kryeqyhteti i vjetër i Skënderbeut. Nuk kam
parë gjithë jetën time gjë më të bukur. Mjaft shtesa mund t’i bëhen kapitullit
të Konicës për vetitë luftarake të shqiptarëve. Për shembull, kalorësit
shqiptarë u bënë proverbialë në gjithë Europën pas vdekjes së Skënderbeut.
Gjithë mbretërit dhe sundimtarët e Italisë, Francës, Britanisë së Madhe kanë
marrë kalorës të lehtë shqiptarë për ushtritë e tyre. Konica më ka thënë një
herë se në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kur francezët kërkonin të lavdëronin
një kalorës, shpreheshin: “E nget kalin si një shqiptar”. Kemi disa dokumente
italiane, që flasin për kalorësinë shqiptare dhe që na shpjegojnë se si
Skënderbeu e shpëtoi mbretin Ferdinand të Napolit me kalorësinë e vet të lehtë.
Sipas dëshmisë së historianëve bashkëkohës, Ferdinandi e kishte humbur davanë kur
e braktisën banorët feudalë dhe u bashkuan me Rene Anzhuanë, që ishte rivali i
tij francez dhe që pretendonte fronin e Napolit. Dihet mirë se ushtritë
mercenare të Rilindjes asnjëherë nuk bënë ndonjë betejë të vërtetë. Ata
kujdeseshin jo për lavdinë ushtarake, por për pagat. Zakonisht krijohej një
komitet i përbashkët i të dy ushtrive rivale dhe vendoste kush do të
shpërblehej me fitoren. Për shembull, kur njëra nga ushtritë kundërshtare
kishte epërsi të padyshimtë si numër, asaj i jepej fitorja pa e zgjatur shumë.
Kur ushtritë ishin të barabarta nga numuri dhe komiteti nuk mund të merrte vesh
se cila palë mund të fitonte, atëherë kurdisej një betejë e shtirë, në të cilën
nuk dëmtohej ose nuk vritej askush, me përjashtim të ndonjë aksidenti. Por kjo
manovër shërbente për të ndihmuar komitetin e përbashkët që të merrte një
vendim. Diçka e ngjashme ndodhi kur skënderbu zbriti në Itali me kalorësinë e
vet të lehtë. Komandanti i ushtrisë kundërshtare konti Piçinino dhe Skënderbeu
rregulluan një betejë të tillë të shtirë për të parë se cila nga të dy ushtritë
do të kishte më shumë shanse për të marrë fitoren. Dy reparte të zgjedhura nga
ushtria shqiptare dhe italiane bënë një paraqitje të kalorësisë dhe të aftësisë
luftarake. Shqiptarët e fituan ndeshjen dhe kështu u mbyll gjithë kjo histori.
Italianët asnjëherë më nuk e kundërshtuan epërsinë e kalorësisë shqiptare.
Natyrisht, me turqit ishte një pun krejt tjetër. Atëherë Skënderbeut i duhej të
bënte beteja reale dhe të arrinte fitore reale. Turqve nuk u bënte përshtypje
asnjë paradë. Skënderbeu ka qenë, padyshim, një gjeneral i madh dhe ai meriton
nderime të mëdha për kryqëzatën e tij heroike kundër turqve. Por ne nuk duhet
të harrojmë se edhe ushtarët e tij meritojnë pjesën e tyre të nderit.
Kryengritja shqiptare e viteve 1910 – 1912 kundër turqve tregoi se luftëtarët e
çetave shqiptare ende e ruanin trimërinë dhe forcën e gjallë që kishin dëshmuar
në kohët e vjetra në Skënderbeun. Vetëm për vetëm ata i mundën turqit, marshuan
në Selanik dhe e detyruan qeverinë turke t’u jepte autonominë. Pas disa muajsh
iu desh gjithë kombeve të Ballkanit që të bashkoheshin për t’i mundur po ata
turq. Më 1920 atje u përsërit po ajo histori e përjetshme. Shqipërinë e
kërcënonte copëtimi. Italia kishte pushtuar Vlorën dhe prapatokën e saj deri në
Gjirokastër. Fqinjët e tjerë kërkonin copat e tyre sipas traktatit të fshehtë
të vitit 1915. Vetëm një zë u ngrit për të kundërshtuar, ai i president Wilson.
Por ai mjaftoi për të ngritur kombin. Malësorët shqiptarë të bregdetit jugor qenë
të parët që u ngritën, pastaj i ndoqën edhe të tjerët. Brenda pak muajve
italianët u hodhën në det dhe u detyruan ta linin Vlorën dhe rrethin e saj.
Rreth njëzetë vjet më vonë, më 1940 grekët, pothuaj shtatë herë më të shumtë si
numër sesa shqiptarët, nuk mundën ta përsëritnin këte marifet, ndonëse kishin
mbështetjen e flotës angleze dhe të forcave ajrore angleze, që i penguan
italianët të sillnin përforcime. Tani disa fjalë për vendin e Konicës në
historinë e Shqipërisë së sotme. Si mysliman dhe si përkrahës i një familjeje
të vjetër aristokratësh nga Shqipëria e jugut, Konica kishte të gjitha
mundësite që të fitonte poste të larta në Perandorinë Turke, ku Shqipëria bënte
pjesë, që pas vdekjes së Skënderbeut. Në të vërtetë, shumë shqiptarë të tjerë
gjatë shekujve ishin ngjitur në postet më të larta të Perandorisë Turke. Për
shembull, kur Konica ishte i ri, Vezir i madh ose kryeministri i Perandorisë
Turke ishte Ferid Pasha, një shqiptar nga Vlora. Por kjo karrierë nuk e
tërhiqte Konicën. Ai mendonte se misioni i tij ishte të luftonte për pavarësinë
e Shqipërisë. Nga viti 1897 deri më 1912, dy nga pionierët më të shquar të
pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë Konica dhe Shahin Kolonja, botuesit e dy
revistave shqiptare, që dolën jashtë: “Albania” dhe “Drita” përkatësisht. Gjatë
sundimit turk shqiptarët kishin harruar gjithçka për lavdinë e tyre të kaluar
nën Skënderbeun. Konica ka qenë njeriu që e rizbuloi dhe e popullarizoi
Skënderbeun e flamurin e tij, shqipen e zezë dy krenare në një fushë të kuqe.
Ky flamur u bë simbol i pavarësisë kombëtare dhe më në fund u ngrit në Vlorë më
1912 nga Ismail Qemali kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur. Konica është
quajtur si krijuesi i prozës moderne shqipe. Kur unë vendosa të bashkohesha me
kryqëzatën për pavarësinë e Shqipërisë, e para gjë që më bëri përshtypje ishte
mungesa e plotë e veprave letrare shqipe me vlera artistike. Por kur vajta në
Egjipt më 1903, një atdhetar shqiptar, Spiro Dineja, më dha vëllimet e revistës
“Albania” nga viti 1897 deri më 1903. I lexova të gjitha nga faqja e parë deri
tek e fundit dhe atëherë e mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që
na duhej: letërsinë e mirë shqipe. Për më tepër, Konica zbuloi dhe popullarizoi
shqiptarë të veprimtarisë letrare si Kristofordhi, Mitkoja, Fishta dhe Zako
Çajupi. Me këshillën dhe udhëzimet e tij unë përktheva disa vepra nga
Shekspiri, Ibseni, Edgar Alan Poeja dhe Don Kishotin e Servantesit. Të gjithë
autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë dhe
shkruesin e këtyre radhëve.