Cili
problem mund të jetë më i vështirë për tu zgjidhur, një problem ekzistues apo
një problem i sajuar pa qenë i tillë? Po ti referohemi fushës së logjikës,
natyrisht që është një problem që ekziston pasi problemi i sajuar mund të
pushojë së qeni si i tillë që në momentin që i rrëzohet argumenti.
Por jo
gjithmonë gjërat në Shqipëri kanë ecur duke ndjekur logjikën. Përvoja e këtyre viteve
na ka treguar se shpesh herë shoqëria shqiptare i është dashur të merret më
shumë me problemet e krijuara sesa me ata ekzistues. Në fakt gjatë kësaj kohe
të maturimit tonë të vazhdueshëm politik kemi qenë të aftë të krijojmë “stuhira
në gotë”, në të cilat edhe pse nuk mund të jemi mbytur na kanë harxhuar energji
dhe kohë për ti përballuar.
Debati
më i fundit në shoqërinë shqiptare për regjistrimin e popullsisë në bazë të
vetëdeklarimit të kombësisë dhe fesë i përngjet një problemi të krijuar sesa një
problemi ekzistues. Përgjigjen dhe zgjidhjen e ka marrë që në vitin 1919 në
bisedimet e Konferencës së Paqes në Paris, kur aleatët e Antantës i deklaruan
Venizellosit kryeministrit grek të kohës i cili dëshironte pikërisht një
numërim të tillë të popullsisë të të ashtuquajturit Vorio Epir, në fakt
Shqipërisë së Jugut se besimi fetar nuk mund të merrej parasysh përpara gjuhës
së folur si kriter për të përcaktuar kombësinë e popullatës. Dhe ky vendim nuk
u morr vetëm për të kënaqur Italinë , fuqinë e interesuar për Shqipërinë siç
shprehet aty këtu historiografia greke, por u bazua në një vëzhgim të thellë që
komisioni i caktimit të kufijve ndërmori në terren. Kështu që pas këtij
kapitulli të mbyllur historie tingëllojnë absurde përpjekjet e sotme për të risjellë
në skenë një praktikë të tillë. Aq më tepër kur vende përreth nesh jo vetëm që
nuk e praktikojnë por në bazë të politikave të tyre asimiluese kanë bërë të
mundur të asimilojnë grupe të tjera etnike për të çimentosur formulën e
shtetit-komb.
A
është ky regjistrim një kërkesë e Bashkimit Evropian apo kërkesë nga vendi
fqinj Greqia e cila rezulton të jetë më e interesuara për tu zhvilluar një
regjistrim të tillë të popullsisë. Duhet ta bëjmë këtë pyetje pasi shteti grek
në mënyrë të një pas njëshme në të gjitha kohët dhe rrethanat historike ka
vazhduar të pretendojë se qytetarët shqiptarë të besimit ortodoks i përkasin
kombësisë greke. Sinqeriteti i administratës shqiptare për t’iu përgjigjur
kësaj pyetje në fakt rrëzon dhe të gjitha alibitë dhe keqkuptimet e mundshme.
S’ka dyshim që pas disa dekadave që nuk kemi pasur një regjistrim të mirëfilltë
fetar, ai është i domosdoshëm jo vetëm për të përcaktuar qartë raportin e
komuniteteve fetare në vend por dhe për të dëshmuar realitetin larg formulave
të vjetra që i përkasin gjysmës së shekullit të kaluar. Ndërsa regjistrimi i
popullsisë duke vetëdeklaruar kombësinë tingëllon absurd pasi kombësia e një
individi nuk mund të përcaktohet nga çfarë ai deklaron por nga origjina etnike
e trashëguar nga prindërit. Arsyetimi i servirur nga disa përfaqësues të
minoriteteve se regjistrimet e popullsisë të ndërmarra gjatë regjimit komunist
nuk i përgjigjen realitetit mund të jenë pjesërisht të sakta. Nuk përjashtohet
mundësia që të jetë ushtruar presion mbi individë të veçantë për të mos
deklaruar kombësinë e vet, por në përgjithësi shteti shqiptar i pas luftës së
dytë botërore i respektoi të gjitha marrëveshjet për minoritetet, veçanërisht
marrëveshjen për të drejtat e minoritetit grek, të nënshkruar më 1921 me rastin
e pranimit të Shqipërisë në Ligën e Kombeve.
Debatet
dhe përpjekjet e fundit për ta zgjeruar këtë zonë minoritare duke përfshirë
Himarën, Korçën e Përmetin rikthen në skenë problemin që Fuqitë e Mëdha në
Paris i kanë dhënë përgjigje kështu që rrjedhimisht pala shqiptare as që duhet
të merret më me të për ta shqyrtuar. Shteti shqiptar duhet të tregojë më shumë
kulturë shtetformuese duke respektuar shtetarët e vet të mëparshëm si dhe punën
administrative të tyre. Nëse Shqipërisë i është rezervuar fati i republikës së
Kosovës për tu kthyer nga një vend me popullsinë më homogjene në Ballkan, në
vendin e shumë kombësive dhe shumë kulturave atëherë shqiptarët s’duhet të
lejojnë të kthehen në kaviet eksperimentale të rajonit. Kjo gjë nuk ndodh në
asnjë vend të rajonit, madje dhe në ato që pretendojnë se e kanë kryer këtë
regjistrim prej shumë vitesh më parë. Ç’mund të themi për regjistrimet e
popullsisë në Greqi, ku sipas studiuesve të ndryshëm kur u kooptuan në shtetin
grek territoret e Maqedonisë së sotme greke, një e treta e popullsisë ishte e
kombësisë sllave, kurse në regjistrimet e sotme nuk gjen pothuajse asnjë
individ të kësaj kombësie!
Ky
amatorizëm qeverisës i demonstruar për gjithë këto vite me radhë në
marrëdhëniet tona me fqinjët , ka dhënë goditje të fuqishme ndaj individit
shqiptar i cili nën peshën e halleve të jetesës së përditshme është tkurrur
moralisht sa të pranojë dhe të vetë deklarohet i njërës apo tjetrës kombësi për
të përfituar sadopak integrim dhe mirëqenie në hapësirat evropiane. Sepse të
jemi të drejtë dhe të mos fshihemi pas gishtit, e gjithë frika jonë dhe
avantazhi i atyre që i kërkojnë këtë regjistrim popullsie Shqipërisë qëndron në
faktin se një pjesë e popullsisë do të deklarohet i njërës apo tjetrës kombësi
duke ngritur në mënyrë fiktive numrin e minoriteteve në Shqipëri. Afro 90 vjet
më parë oficerët e Komisionit Ndërkombëtar të caktimit të kufijve midis
Shqipërisë dhe Greqisë, pas dëgjimit të korit banorëve, të instruktuar me anë
të dhunës nga ushtritë greke të okupacionit, që të deklaronin se ishin grekë,
hidhnin mes fëmijëve lekë dhe dëgjonin gjuhën që flisnin dhe pastaj vendosnin
se kujt kombi i përkiste popullata duke marrë si kriter dallues gjuhën e folur.
Në këtë mënyrë shumë fshatra shqiptarë me popullsi ortodokse qëndruan brenda
kufijve të Shqipërisë. 90 vjet më pas a do të lejojnë shqiptarët që faktori
“lek” kësaj radhe të veprojë në të kundërt të tyre? Dilemat personale të
individëve “të kesh apo të mos kesh” nuk mund të marrin peng një territor,
shtet të tërë prandaj më tepër se kurrë shqiptarët për tu përballur me këtë
dilemë mund ti ndihmojë shteti i tyre duke rritur performancën për të
administruar territorin e burimet jetësore për tu bërë më serioz në trajtimin e
çështjeve të tilla e për tu dhënë atyre më shumë dinjitet.
No comments:
Post a Comment