Historianët
bien dakord se qytetërimi botëror ka filluar 5000 vjet më parë në brigjet e
Tigrit dhe Eufratit. Në tokën pjellore midis dy lumenjve për fat të mirë nuk u
zhvilluan vetëm kulturat bujqësore dhe ndërtimet e para moderne të njeriut por
u kultivua dhe shpirti njerëzor.
Në Mesopotaminë e lashtë
u hodhën themelet e pothuajse gjithë dijes njerëzore duke filluar nga shkrimi,
letërsia, ligjet,filozofia, astronomia, matematika e mjekësia. Të gjitha
qytetërimet e mëvonshme që u zhvilluan i detyrohen zhvillimit kulturor të Mesopotamisë
por nëse marrim në konsideratë teorinë e progresit, na duhet të pranojmë që
këta të fundit u përsosën më tej. Ndër
qytetërimet e mëvonshme shquan qytetërimi antik grek, trashëgimia e të cilit
është një nga faktorët bashkues të Evropës së sotme. Pikërisht në këtë adhurim
të vetive dhe cilësive të qytetërimit grek i ka rrënjët dhe mendimi evropian i
Rilindjes dhe Iluminizmit gjatë së cilit u konceptua dhe artikulua ideja e
Evropës së Bashkuar. Aq e vërtetë ishte kjo sa një pjesë e madhe e elitës
evropiane të këtyre epokave deklaronte me krenari “se ne të gjithë jemi grekë”
duke pasur parasysh jo përkatësinë etnike, por trashëgiminë kulturore. Ky
vlerësim dhe influencë e jashtëzakonshme në historinë politike dhe shoqërore të
kontinentit nuk i dedikohet vetëm ekzistencës dhe zhvillimit të tij brenda
territorit evropian por karakterit tejet humanist të tij.
Në
një analizë të thjeshtë krahasuese midis dy qytetërimeve bie në sy se
qytetërimi grek mishëron në detaje njeriun dhe qenien njerëzore në dallim nga
qytetërimi mesapotamas që mishëron më tepër anën racionale të kësaj natyre dhe
imagjinatën zomorfiste të tij. Ky tipar nuk është qartësisht i dallueshëm vetëm
në mitologji dhe skulpturë por dhe në një aspekt të jetës së përditshme siç
është hartimi i ligjeve. Trashëgimia ligjore që na vjen nga Mesopotamia e që
njihet si Kodi i Hamurabit, është pa dyshim shumë i rëndësishme për të kuptuar
nivelin e shoqërisë dhe të së drejtës në Babiloninë e lashtë. Kodi ka kohë që
është shënuar në analet e së drejtës si dëshmia e parë dhe më e plotë e njeriut
për të pasur një ligj të unifikuar, por gjithsesi nuk ka shkëlqimin dhe
influencën që pati në qytetërimin e mëvonshëm evropian e drejta e qytet-shtetit
të Athinës. Në mënyrë paradoksale edhe pse në qytetërimin grek nuk ekzistonte
shkencë e mirëfilltë ligjore, madje as kishte fjalë të veçantë për të shënuar
“ligjin” si koncept abstrakt, shoqëria e Athinës së lashtë ishte shoqëria e
parë njerëzore që u bazua në vendimmarrjen gjithëpërfshirëse të qytetarëve të
vet duke krijuar kështu novacione të rëndësishme konstitucionale në zhvillimin
e demokracisë. Ligjet e vjetra të shoqërive njerëzore përveçse racionalitetit
të tyre për të rregulluar marrëdhëniet njerëzore fituan tashmë sensibilitetin
dhe interpretimin për të pasqyruar më drejt sofistikimin e njeriut dhe
kompleksitetin e këtyre marrëdhënieve.
I
gjithë ky hap cilësor në historinë e së drejtës erdhi si rezultat i ndikimit të
filozofisë antike greke, e cila tashmë nuk konstatonte dhe pasqyronte vetëm
universin, natyrën njerëzore dhe fenomenet si filozofia e Mesopotamisë por
përpiqej ti jepte shpjegim pyetjeve rreth ekzistencës dhe të zhvillonte një
kulturë interpretimi të ligjeve që qeverisnin poliset. Soloni, Platoni e
Aristoteli janë tre emra që shënojnë këtë kulturë të gjerë gjithëpërfshirëse që
nëpërmjet refleksionit të thellë të natyrës njerëzore ia doli mbanë të
shpjegojë veçoritë metafizike, natyrore e hyjnore në raport me njeriun, ecurinë
si dhe efektet e prodhuara prej tij, duke filluar nga qeverisja, tipi i
regjimit të ndërtuar, marrëveshja sociale e duke përfunduar te lufta dhe
pasojat e saj. Gjithsesi nuk ishte e lehtë që në lumin e fjalëve që tashmë
reflektonin dhe shpjegonin një ligj apo qëllim të mirë, të arrije të dalloje
thelbin nga anësorja dhe akoma më tepër kur kishte udhëheqës të sinqertë që
mendonin vërtet për prosperitetin e vendit apo kur kishte oratorë të zellshëm
që e zotëronin shumë mirë artin e të folurit dhe që mund të ndërtonin strategji
të veçanta për të fituar pushtet politik. Kjo lloj strategjie e panjohur për
qytetërimin e Mesopotamisë dhe e identifikuar si demagogji nga Platoni bazohej
në evokimin e ndjenjave, emocioneve, frikrave dhe pritshmërisë së publikut
nëpërmjet retorikës për të trajtuar çdo lloj debati publik që zhvillohej në
vend dhe për të përfituar prej tyre monopol politik.
Raportet
e qytetërimit modern shqiptar me trashëgiminë kulturore të qytetërimeve
botërore janë sa të vjetra dhe komplekse dhe po aq të vështira për tu
identifikuar. Duke qenë se nga vendndodhja gjeografike kemi qenë shumë afër me
qytetërimin grek është e natyrshme që të kemi shkëmbyer e marrë me të, por për
shkak të mungesës së dokumentacionit të mjaftueshëm për momentin ne vetëm mund
të spekulojmë për masën, natyrën e këtyre shkëmbimeve dhe impaktin në
popullsinë shqiptare. Kolonitë antike greke në brigjet e Adriatikut natyrisht
që shërbyen si pikë takimi kulturash, por fati i mëvonshëm i Gadishullit
Ballkanik i përcaktuar nga valët e gjata të pushtimeve nuk lejoi që Rilindja
dhe Iluminizmi të lulëzonin ashtu si në Evropë. Qytetërimi modern ballkanas dhe
mes tij dhe qytetërimi shqiptar i rifitoi vlerat e çmuara të qytetërimit të
lashtë pas fitores mbi totalitarizmat. Shqipëria duke patur si synim të saj
besimin e fortë politik për tu integruar në Evropë qysh në fillimet e viteve
90’ të shekullit të kaluar ka përqafuar sistemin e demokracisë-një nga shtyllat
e Evropës së bashkuar. Kështu teorikisht qytetërimi modern shqiptar i ka bërë
të veta vlerat e demokracisë, por në realitet vërehet se ky është një perceptim
i gabuar. Sot më shumë se kurrë gjeneratat e viteve 60’,70’ e 80’ që shpresonin
në vitet 90’ se Shqipëria do integrohej shpejt në NATO dhe BE janë të
zhgënjyera me hapat e breshkës që kanë ndërmarrë qeveritë e pas viteve 90’ për
të arritur këto synime madhore të shqiptarëve. Për më tepër ngjarje të vonuara
siç ishte hyrja në NATO evokohen si histori suksesi duke dëshmuar dhe njëherë
lojën e gjatë politike të integrimit të Shqipërisë në funksion të fitoreve te
vockla elektorale, riciklimit të imazhit , akuzave të ndërsjella se një palë
politike e dëshiron integrimin e tjetra e pengon. Me një përqasje të vogël
kritike mund të kuptohet lehtë se qytetërimi modern shqiptar nga gjithë
ngrehina e vjetër e qytetërimit grek ka përfituar demagogjinë duke përvetësuar
kështu dhe të ardhmen e vendit të vet. Justifikimet e klasës politike shqiptare
se duke ardhur nga një vend me traditë të vagullt demokratike dhe hapat do
ishin patjetër të vegjël, bien poshtë kur shikon vende dikur të prapambetura të
Azisë që kur kanë zbatuar drejt demokracinë kanë bërë më shumë progres ekonomik
dhe politik se Shqipëria. Mungesa e një sistemi transparent drejtësie dhe
“kolera” e zakonshme e zgjedhjeve të kontestuara janë dy faktorë që tregojnë se
klasa politike shqiptare gjysmë e formuar në vitet e revolucionit kinez
kulturor në Shqipëri dhe gjysma në korridoret bizantine të pushtetit të pas
viteve 90’ nuk është e aftë të dialogojë dhe tu japë zgjidhjeve problemeve
madhore të vendit.
Dashur
pa dashur ajo është bërë një varrmihëse e qytetërimit modern shqiptar, duke
instaluar në vend kulturën e gënjeshtrës dhe demagogjisë ku gjërat e pavërteta
mund të shpallen si të vërteta, ku ëndrra mund të zhbëjë realitetin dhe
zhgjëndrra mund të kalohet për të vërtetë. Platoni në veprën e vet “Republika”
i shpall poetët si njerëzit më të pa dëshirueshëm për qytet-shtetin e tij
imagjinar pasi ata me imagjinatën e tyre dhe pasqyrimin që i bënin realitetit
në poezi mund të korruptonin qytetarët e tjerë. Nëse ndjekim logjikën e
Platonit, por duke e shtrirë në hapësirë dhe kohërat e sotme me qëllim që të
mbrojmë qytetarët e së ardhmes së Shqipërisë na duhet të bëjmë vetes një pyetje
retorike. Si do të jetë qytetërimi modern shqiptar i së nesërmes i udhëhequr
nga klasa e tanishme politike?
No comments:
Post a Comment