Një
nga debatet më të mëdhenj në lëvizjen kulturore të romantizmit në shekullin e
XIX, kur sapo u rizbulua Greqia ishte nëse popullsia që banonte në Greqi ishte
pasardhëse e Grekëve të vjetër apo një amalgamë e popullsive të tjera të
Ballkanit , e cila kish përvetësuar greqishten e re si gjuhë kulture.
Pyetja
nuk ishte e lehtë sepse në gjithë ata shekuj pluhuri pushtimesh e zhvendosje
popullsie kish qenë e vështirë që të ruhej identiteti kulturor i botës antike e
aq më tepër të kishin lindur poetë, filozofë apo tragjedianë të rinj të
ngjashëm të përmasave të Homerit, Sokratit, Platonit, Aristotelit, Eskilit,
Sofokliut etj.
Mes
entuziazmit të njohjes së kulturës antike dhe shkeljes së trojeve në të cilat
shumë nga ngjarjet që kishin lexuar në libra kishin ndodhur, udhëtarët dhe
poetët romantikë evropianë kërkonin në të tashmen gjurmët e së shkuarës.
Natyrisht që në këtë përqasje të tyre kishte në vetvete gjurmë të një
kolonializmi kulturor ku synohej historia dhe kultura e një territori të
përvetësohej duke pretenduar shpesh herë se banorët e sotëm ishin vetëm “hije
të së shkuarës” dhe rrjedhimisht nuk meritonin që të banonin aty .Gjithsesi ky
mendim edhe pse i shprehur shpesh herë ironikisht siç ishte rasti i
Shatobrianit-poetit të shquar francez, i cili kur një zyrtar otoman e pyeti se
përse kish ardhur në Greqi, u përgjigj “Të shikoj njerëzit dhe sidomos grekët
që kanë vdekur”, nuk mbizotëroi në gjykimet e evropianëve rreth Greqisë. Në të
kundërt, krahasimi i gjendjes së mjerueshme kulturore të popullsisë greke të re
me atë të Greqisë antike ngjalli mëshirën dhe dëshirën që Greqia të rifitonte
sërish lavdinë e dikurshme. Kjo ndjenjë keqardhje, revolucioni grek dhe vdekja
tragjike e Lord Bajronit krijuan një nga rrymat më të fuqishme në kulturën dhe
gjeo politikën e shekullit të XIX-Filo Helenizmin.
Si
rezultat i kësaj këmbëngulje të filohelenistëve për të restauruar Greqinë e
vjetër heronjtë me fustanella e tirqe të revolucionit grek u shpallën si
Leonidhat dhe Epimanondat e rinj. Por si dishepuj të kulturës antike që ishin
dhe rrjedhimisht skrupulozë ndaj së vërtetës filohelenistët nuk mënuan të
theksojnë dhe të dëshmojnë origjinën etnike të shumicës së këtyre heronjve si
dhe dëshirat e tyre që gjuha që flisnin të fiksohej hap pas hapi në analet e
shtetit të ri që po krijohej siç është statuti i parë i flotës detare greke apo
përpjekja për një shtet të përbashkët me sivëllezërit e tyre në Shqipëri.
Natyrisht që bëhet fjalë për shumë të përfolurit popullsi arvanitase të Greqisë
por jo vetëm për ta. Në një letër që kryetari i shtetit të atëhershëm grek,
Dhimitër K. Ipsillanti më 23 gusht 1821, i dërgonte “burrave aleatë trimave
besnikë komandantëve Ago Vasjari, Ceno Bej, Myrto Çalit, Tahir Abazit, Sulejman
Metos dhe toskëve të tjerë” pasi u kujtonte origjinën e tyre të lavdishme që
nuk vinte nga “shpirtvegjlit e lindjes dhe as nga Skithët”, i shpallte
pasardhës të drejtë për së drejtë të “heronjve tanë paraardhës dhe të bashkuar
me ne në luftimet për liri” i konsideronte akoma më tepër si “vëllezër”. Ky
pasazh, i cili gjendet i botuar vetëm në përmbledhje dokumentesh për
revolucionin grek, por kurrsesi në një tekst historie hedh shumë dritë për
marrëdhëniet greko-shqiptare të fillimit të revolucionit dhe është në
kundërshtim te plotë me thirrjet e fundit raciste dhe antishqiptare që u
dëgjuan në paradën ushtarake të Athinës. Ndaj për një lexues të rregullt të
historisë tingëllojnë të çuditshme kur sjell ndërmend se në fillimet e zgjimit
grek ka pasur këto konsiderata kaq të larta dhe rrjedhimisht shtron pyetjen se
nga buron kjo urrejtje patologjike e grekëve ndaj shqiptarëve?
Për
hir të së vërtetës duhet pranuar se përplasjet në Epir kanë qenë fatale për
krijimin e kësaj klime. Lindja dhe zhvillimi i nacionalizmit në shekullin e XIX
krijoi premisat e një beteje të ashpër për zotërimet e Perandorisë Otomane në
Ballkan, ku nacionalizmi grek përfshiu në planet e tij të Megali Idesë dhe
shume territore shqiptare. Popullsia shqiptare u gjend mes “Shillës dhe
Karibdës” në përpjekjet e saj për të realizuar aspiratat kombëtare.Nga njëra
anë ishin otomanët që vazhdimisht i frikësonin se me tërheqjen e tyre nga
Ballkani do të mbeteshin vetëm në mes të popullsive armike dhe nga ana tjetër
ishin grekët që me adoptimin e diskursit fetar për ndarjen e popullsisë
shqiptare në myslimanë dhe të krishterë kërcënonin me asimilim këtë të
fundit.Ky hezitim i vazhdueshëm nga elita shqiptare për të ndërmarrë aksione më
të drejtpërdrejta për shkëputje nga otomanët rezultoi fatal dhe me të drejtë
është cilësuar si vonesë historike, shpesh herë dhe është keqkuptuar si
bashkëpunim i shqiptarëve më otomanët.Ky keqkutim historik është një nga akuzat
që prodhon shumë helm dhe shovinizëm në marrëdhëniet shqiptaro-greke, pjesë e
ligjërimit të vazhdueshëm politik e historik në Greqi, e cila ushqen
paragjykime dhe racizëm. Pjesëmarrja e herë pas hershme e reparteve mercenare
shqiptare në kuadër të ushtrisë otomane për të shtypur kryengritje të grekëve,
jo domosdomërisht provon tezën që mbizotëron prej kohësh në qarqet akademike
greke se shqiptarët ishin kundër tyre pasi mercenarët kanë si flamur pagën për
të cilën paguhen, ashtu si dhe shqiptarët nuk mund të bëjnë fajtor ministrin e
jashtëm të Perandorisë Otomane, Kara-Theodhor Pashën, një grek nga Fanari i
cili përfaqësonte perandorinë në Kongresin e Berlinit më 1878, kongres i cili
rezultoi fatal për shqiptarët pasi perandoria i përdori tokat shqiptare si
plackë tregu për të qetësuar fqinjët e saj ballkanikë. Ajo që duhet më tepër
theksuar në analizën e këtyre marrëdhënieve është se kombi shqiptar asnjëherë
në mënyrë të organizuar nuk ka ushtruar dhunë shtetërore ndaj popullsisë greke,
ashtu si ushtroi ushtria greke në luftërat ballkanike në Shqipëri. Akoma dhe
sot në memorien e Shqipërisë së jugut janë të gjalla kujtimet e dhimbshme të
masakrave në Hormovë, Panarit, djegiet dhe shkatërimet e shtëpive dhe objekteve
të kultit mysliman në pothuajse të gjitha fshatrat.Djegia, dëbimi dhe masakrat
ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri është një tjetër tumor në marrëdhëniet
greko-shqiptare që vazhdon të lëshojë ende metastaza në formën e pakuruar të
tij.
Kombi
shqiptar edhe pse pre e këtyre masakrave të vazhdueshme nuk i e ka bërë
urrejtjen dhe racizmin asnjëherë pjesë të diskursit të tij politik përsa i
përket marrëdhënieve me Greqinë madje as dhe në periudhën më të keqe të
marrëdhenieve diplomatike midis tyre. Ky integritet kulturor që kemi
demonstruar na ka nderuar më tepër dhe nëse filohelenistët do të ishin gjallë
patjetër që do të çmonin shqiptarët më tepër si mbartës të tharmit kulturor të
botës së antikitetit sesa grekët. Ndaj këtë tharm të çmuar kulturor duhet ta
vazhdojmë ta mbajmë dhe të mos bëjmë pjesë të protestës sonë dukuri të huazuara
nga kultura të huaja si është djegia e flamurit. Flamuri përfaqëson një komb të
tërë dhe çdo kush që djeg flamurin grek duhet të dijë se djeg dhe magjinë e
vargjeve të Ricosit dhe Elitit, tingujt e mbrekullushëm të Theodhoraqis dhe imazhet
e papërsëritshme të Angjelopusit, thesare jo vetëm të kulturës greke por dhe
asaj botërore.
Reagimi
i menjëhershëm i qeverisë greke për të dënuar aktin është një hap i mirë që
duhet të ndiqet nga iniciativa e qeverisë shqiptare për të diskutuar të gjitha
mosmarrëveshjet në kuadër të traktatit të miqësisë të nënshkruar në 1996.
Komisionet e përbashkëta duhet të fillojnë menjeherë punën së pari për anulluar
ligjin e pakuptimtë të luftës, rishkruarjen e teksteve të historisë së Greqisë
ku të nënvizohet kontributi i shqiptarve në revolucionin grek, heqjen e
ditomisë së diskursit ndaj popullsisë shqiptare ku ajo ortodokse vazhdon të
konsiderohet si greke, shpjegimin e brezave të rinj se Shqipëria në 1940 ishte
një vend i pushtuar dhe rrjedhimisht nuk mund të sulmonte Greqinë, diskutimin e
hapur dhe pa paragjykime të cështjes çame, mbrojtjen dhe sponsorizimin e gjuhës
dhe trashëgimisë kulturore të arvanitasve në Greqi dhe hapja e shkollave shqipe
për emigrantët shqiptarë në bazë të gjithë konventave evropiane. Natyrisht,
këto diskutime nuk përfaqësojnë program maksimalist të nacionalizmit shqiptar
dhe apsolutisht nuk duhen parë si të kësaj forme.Ato janë praktika të ndjekura
dhe nga kombe të tjerë dhe të bazuara në filozofinë e rishikimit të drejtë të
historisë dhe asaj të së drejtave të njeriut. Modeli i praktikave të afrimit
dhe miqësisë franko-gjermane është një model që duhet ndjekur në Ballkan pasi
siguron një fqinjësi dhe miqësi të qëndrueshme aq të nevojshme për rajonin
tonë. “Fqinjët nuk mund të zgjidhen thotë një fjalë e urtë ballkanase dhe
përderisa shqiptarët dhe grekët janë të destinuar për të qenë fqinj duhet të
dinë të ndërtojnë dhe gëzojnë miqësinë dhe aleancën që u afron NATO sot për sot
dhe Bashkimi Evropian nesër, kur Shqipëria do aderojë me të drejta të plota.
Gazeta
Shqip
No comments:
Post a Comment