Dy ngjarje të rëndësishme letrare për kulturën shqiptare ishin programuar për tu zhvilluar në muajin mars dhe prill në shtetin tonë fqinj Greqi.E para ishte pjesëmarrja e shkrimtarit tonë të madh Kadare në aktivitetet e organizuara nga autoritetet e ministrisë së kulturës greke dhe Pallatit të Kulturës (Megaro Muzikis) ku ai do të prezantohej si një nga shkrimtarët më të vlerësuar me çmime të ndryshme ndërkombëtare dhe e dyta ishte prezantimi dhe promovimi i romanit “Të jetosh në ishull” në greqisht të shkrimtarit dhe politikanit Ben Blushi.
Për Kadarenë, vizita në Greqi nuk ishte e para pasi shkrimtari ynë
është i njohur gjerësisht aty që nga mesi i viteve 70’. Kadare njihet si një
shkrimtar që në subjektet e veprave të tij mbështetet në mitologjinë greke dhe
në historinë e re të Ballkanit, gjë që i ka siguruar një audiencë të
admirueshme në Greqi pasi shumë nga mesazhet dhe kumtet e veprës së tij
kuptohen dhe asimilohen ndoshta më mirë se në vendet e tjera. Duke qenë dhe një
admirues i shpallur i kulturës greke çdo vizitë e tij përbën një ngjarje jo
vetëm për publikun grek por dhe për komunitetin shqiptar që banon aty për rreth
20 vjet. Parë në këtë aspekt vizita e Kadaresë edhe këtë radhë pritej të
përforconte më tepër kontaktet kulturore midis dy vendeve dhe përmes fjalës së
tij dhe jo letërsisë tij të përcillte një imazh tjetër të Shqipërisë. E
nënvizojmë përmes fjalës së tij pasi letërsia që krijon Kadare dhe gjithë
shkrimtarët e tjerë hyn në botën e fiction-krijimtarisë dhe jo domosdoshmërisht
përmban të vërtetat thelbësore për ngjarjet e së shkuarës. Vetë Kadare dhe
shumë shkrimtarë të tjerë kanë deklaruar se shpesh herë i ndryshojnë ngjarjet,
emrat e personazheve apo vendet në veprat e tyre pa respektuar tërësisht
historinë pasi në këtë mënyrë ata respektojnë lirinë e tyre intelektuale,krijuese
dhe qëndrimin që dëshirojnë të mbajnë karshi momenteve të caktuara historike.
Në këtë sens është pranuar tashmë se
shumë nga romanet e Kadaresë që tematikën e marrin nga historia përfaqësojnë
qëndrimet personale të tij, ashtu si dhe një varg romanesh të tjerë në
letërsinë shqipe,ku mbi të gjitha spikat romani i Ben Blushit “Të jetosh në
ishull” përfaqësojnë qëndrimet personale të autorëve. Ky i fundit pati fatin që
të prezantohej dhe promovohej nga shtëpia botuese “Kastaniotis” në Athinë,në
një ceremoni ku morën pjesë shumë njerëz të shquar të letrave greke si dhe përfaqësues
të komunitetit shqiptar në Athinë. Ndërsa Kadare kësaj radhe zgjodhi të
refuzonte ftesën duke dërguar kështu një mesazh të drejtë për së drejtë si
qytetar dhe jo si shkrimtar, ku u shkruante organizatorëve të veprimtarive se e
anulonte vizitën e tij në Greqi për shkak të ngjarjeve të 25 marsit 2010 në
Athinë, ku forcat ushtarake të Greqisë në paradën zyrtare me rastin e Festës
Kombëtare greke, hodhën parrudha antishqiptare, Blushi u gjend në Athinë dhe si
një politikan i vërtetë dha një mesazh qetësues duke deklaruar se “racizmi i
shprehur nga forcat greke gjatë paradës së tyre vjetore është një rast i
shkëputur dhe nuk përfaqëson shoqërinë greke.” Pa dashur të analizojmë gjatë
amplitudën sesa raciste është shoqëria greke ndaj shqiptarëve, mjaftojmë të
kujtojmë të dhënat e fundit të euro-barometrit ku afërsisht më shumë se 60% e
popullsisë greke u shpreh se ishte kundër anëtarësimit të Shqipërisë në
Bashkimin Evropian. Nuk besoj se peshën më të madhe në këtë perceptim negativ e
mban prania 20 vjeçare e shqiptarëve në Greqi, fenomen që mund të përkthehet si
frikë ndaj emigrantëve por janë një seri ngjarjesh e qëndrimesh ndaj Shqipërisë
dhe shqiptarëve që kanë nxjerrë vazhdimisht krye në pothuajse të gjitha nivelet
e shoqërisë greke.
Problemi më i madh me racizmin, ashtu si
është pranuar gjerësisht nuk është vetëm perceptimi i gabuar i Tjetrit por dhe
krijimi i klisheve dhe steriotipeve që ushqejnë atë për një kohë të gjatë. Në
këtë kontekst në marrëdhëniet shoqërore e kulturore midis Greqisë dhe Shqipërisë
nuk është e rëndësishme vetëm evidentimi i stereotipave të së shkuarës por dhe
moskrijimi i atyre të rinj që mund të ngjallin keqkuptime dhe paragjykime në të
ardhmen. Një i tillë p.sh është ai i krijuar në përurimin e librit të Blushit
në Athinë ku shkrimtari grek Nikos Papandreu(vëllai i kryeministrit aktual
Jorgo Papandreu) u shpreh se “Të jetosh në ishull” është një libër me vlera të
veçanta si në aspektin shkencor, historik dhe letrar. Shkrimtari grek iu
referua më shumë pjesës së parë të romanit ku Blushi shtjellon variantin e tij
të procesit të Islamizimit të shqiptarëve, i cili në roman zbulohet se ka qenë
paqësor dhe se shqiptarët të simbolizuar nga personazhi Ibrahim e përqafuan për
tu ndjerë më mirë dhe më të priveligjuar në rendin otoman. Më andej shkrimtari
grek theksoi se ‘Shqipëria nuk është ajo që shohim në ekranet e televizorit por
ajo që lexojmë në librat e Blushit”.
Pa vënë në dyshim vlerat letrare të
romanit, është pak e vështirë të besojmë se procesi i Islamizimit të
shqiptarëve, një proces që ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve në botë të
sqarohet nëpërmjet një romani artistik. A mund të identifikohen të gjithë
shqiptarët me personazhin Ibrahim? Po pjesa tjetër e historisë që dhe nëpërmjet
vetë romanit të Blushit nuk gjen përgjigje. Përse vallë kur shkon në
Kostandinopojë Araniti gjen Halil Patronën në hierarkinë e shërbimit perandorak
otoman dhe vetë ai gjen shëlbim në Patrikanë? Çdo të ndodhte në historinë
moderne të shqiptarëve nëse do të kishin një institucion të tyre kombëtar ashtu
si kishin popullsitë e tjera të Ballkanit. A duhet shqiptarët nëse lexojnë një
roman historik të një autori grek se pas mbështetjes dhe marrëveshjes që
Patriarku Gennadis II bëri me Sulltan Mehmetin II më 1453 të perceptojnë se
popullsia greke e pranoi paqësisht nënshtrimin për 4 shekuj në këmbim të lirisë
dhe privilegjeve fetare? Dhe e gjitha kjo ndodhte kur një pjesë e popullsisë
shqiptare nën udhëheqjen e prijësit të vet Skënderbeut nuk e pranonte paqen e
veçantë otomane por mendonte dhe vepronte në një aksion të përbashkët evropian
për dëbimin e tyre nga Evropa.
Shqipëria dhe shqiptarët si vendi i fundit
që u shkëput nga perandoria otomane në Ballkan kanë qenë vazhdimisht viktima të
paragjykimeve dhe perceptimeve të gabuara në të shkuarën, qoftë dhe nëpërmjet
letërsisë artistike. Shembulli klasik në këtë drejtim mbetet romani i autorit
gjerman Karl May “Në vendin e shqiptarëve” në (1892), ku autori edhe pse nuk e
kish vizituar vendin asnjëherë krijon një fabul të këndshme për lexuesit duke
transmetuar tek ata imazhet e një vendi të egër, barbar e gjithë aventura. Për
vite me radhë romani ushqeu fantazinë e shumë brezave gjermanishtfolës, duke
shtuar gjithnjë e më tepër dhe episode apo fakte që i huazonin nga
antropologjia dhe etnografia por që nuk ekzistonin si ngjarje në roman. Në
vitet 30’ kur shumë studiues gjermanë dhe austriakë filluan të vizitojnë shpesh
Shqipërinë zbuluan se shumë nga stereotipat dhe paragjykimet që kishin krijuar
nga leximi i romanit të May-it nuk ishin të vërteta dhe vetëm atëherë filloi
njohja e vërtetë e Shqipërisë nëpërmjet veprave të tyre. Natyrisht May dhe
shkrimtarët e tjerë nuk mund të fajësohen sepse duke u arratisur në imagjinatë
na japin versionin e tyre letrar të ngjarjeve por është përgjegjësia e
shkencave të tjera shoqërore si historia, antropologjia, etnografia etj që të
trajtojnë nëpërmjet disiplinave të tyre shkencore rrjedhën e vërtetë të këtyre
dukurive. Ballkani duhet të rishkruajë historinë e tij larg paragjykimeve,
falsifikimeve historike dhe imagjinatës letrare pasi vetëm kështu do integrohet
realisht në Evropë.
No comments:
Post a Comment