Sunday, 27 December 2009

Liberalizimi i vonuar i vizave







Dhjetori nuk ka qenë ndonjë muaj i preferuar për shqiptarët. Duke qenë fund viti, dhe një nga muajt më të ftohtë ai është shoqëruar shpesh me përralla rreth zjarrit. Megjithatë jo të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në dhjetor kanë qenë gjithmonë përralla. Ngjarjet e dhjetorit 90’ në fakt ishin ngjarje përtej fantazisë së pritshme të një populli të munduar nën një regjim diktatorial.
Dhe si i tillë dhe shpëtimi nga e kuçedra e komunizmit kësaj radhe nuk erdhi nga personazhet e përrallave por nga një grusht të rinjsh e të rejash të cilët sfiduan çdo parashikim. Një nga dëshirat e tyre më të flakta që i mblodhi njerëzit në shesh në dhjetorin e 90 ishte se “e donin Shqipërinë si gjithë Evropa”. Gati 20 vjet më vonë ndërsa është ndërtuar një demokraci nën shembullin e Evropës,vazhdojmë të mbetemi në paradhomën e Bashkimit Evropian.      
Në fakt para se të kemi qenë në gjendje të integrohemi ne Evropë, ne ia kemi dalë mbanë të hapim portën për fqinjët tanë rajonalë , ti përcjellim për një stad më të lartë dhe vet të qëndrojmë aty ku jemi. Kjo gjë ka ndodhur pasi në Ballkan kyçi i suksesit për tu integruar nuk kanë qenë vetëm rezultatet e arritura në reformat e ndërmarra por kontributi rajonal në stabilizimin e rajonit dhe gjeostrategjia. Rastet e Rumanisë dhe Bullgarisë të cilat u integruan dy vjet më parë në BE por vazhdojnë të mbeten problematike porsa i përket korrupsionit dhe reformave në drejtësi, tregojnë se standardet nuk janë marrë parasysh por është shpresuar se këto vende do përmirësohen në zhvillim e sipër. Në të njëjtën logjikë u veprua dhe tashmë më 19 dhjetor dhe me liberalizimin e vizave ndaj Serbisë, Mali të Zi dhe Maqedonisë.   
Në raportin e komisionarit evropian për zgjerimin Oli Rehn është shkruar e zezë mbi të bardhë, se “Serbia nuk i plotëson kriteret por ne duhet t’ia japim këtë mundësi”. Kemi të drejtë të mendojmë pas kësaj deklarate që Bashkimi Evropian zbaton dy lloj kriteresh në vlerësimin e vet ndaj shteteve aspirues për tu integruar në të. Komentet më të fundit në Tiranë nga analistë të ndryshëm se Shqipëria nuk ka plotësuar kriteret të caktuara qartazi në roadmap, zor se mund të qëndrojnë pasi Bashkimi Evropian ka të njëjtën roadmap për të gjitha shtetet dhe jo roadmap të ndryshëm për çdo shtet të veçantë. Nëse për Shqipërinë gjykohet se nuk i ka plotësuar kriteret politike pasi ka një sistem gjyqësor të korruptuar mos vallë sistemi serb i drejtësisë që lë të lirë kriminelët e luftës është më i përsosur? Një pyetje vjen vetvetiu për të sqaruar këtë rebus të vështirë integrimi ballkanik. Cila të jetë vallë arsyeja që shteti i së drejtës si Bashkimi Evropian shkel me të dyja këmbët principet e veta për Serbinë dhe ia mohon këtë të drejtë Shqipërisë? 
Serbia ka kohë që luan fort me kartën e destabilizimit të Ballkanit. Diplomacia serbe ia ka dalë për së mbari të mos luajë rolin nxënësit shembullor në Ballkan dhe politikën “Yes Man” ndaj Bashkimit Evropian por të kërcënojë tërthorazi me destabilizimin e Bosnjës dhe Kosovës. Duke kuptuar prej kohësh se Bashkimi Evropian i trembet krizave rajonale dhe është gati të lëshojë pe, kur stabiliteti kërcënohet , Serbia ia doli mbanë që pa kryer katarsisin e vet porsa i përket të shkuarës së dhunshme së saj të viteve 90’, të bëj hapa përpara drejt Bashkimit Evropian. Në të kundërt Shqipëria duke i qëndruar besnike angazhimeve që ka ndërmarrë që në fillim të viteve 90’ për të luajtur rolin e zjarrfikësit porsa i përket konflikteve të ndryshme që popullsitë shqiptare në Ballkan janë përfshirë për të fituar të drejtat e tyre të mohuara, nuk ia ka arritur qëllimit të konsiderohet një faktor themelor në gjeostrategjinë e Ballkanit. Në këtë golgotë të mundimshme për të ruajtur paqen e brishtë dhe për tu dhënë shteteve fqinjë çertifikimin si shtete demokratike që s’kanë probleme me minoritetet dhe popullsitë shqiptare brenda tyre, Shqipëria jo vetëm që s’ka fituar integrimin e shpejtë por ka bërë dhe kompromise në kurriz të statuseve të popullsisë shqiptare në rajon.

Marrëveshja e Ohrit një nga kushtet bazë për mbijetesën e Maqedonisë as që zihet në gojë ndonjëherë nga qeveritë zyrtare të Tiranës dhe për më tepër të kërkohet llogari shtetit fqinj se përse nuk e zbaton tërësisht. Ajo asnjëherë nuk ka shërbyer si parakusht për integrimin e Maqedonisë dhe rrjedhimisht statusi i shqiptarëve nuk ka gjasa të përmirësohet kur Maqedonia do hyjë në B.E. Po kështu të drejtat e minoritetit etnik shqiptar në luginën e Preshevës nuk janë bërë asnjëherë parakusht për integrimin e Serbisë pasi dhe në kohë krizash dhe represionesh nga ana e pushtetit serb, Tirana zyrtare ka heshtur. Kjo lloj politike “moderne” e Shqipërisë ndaj shteteve fqinjë që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian u ka dhënë mundësinë këtyre shteteve që faktorin shqiptar ta shpërfillin dhe deri diku ta nëpërkëmbin siç është odiseja e gjatë e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit. Në të njëjtën kohë politika e B.E ndaj Shqipërisë ku asaj i është dashur që çdo hap përpara ta fitojë përmes një skepticizmi të madh evropian për sa i përket progresit të saj kur paradoksialisht shtetet fqinjë si Maqedonia i është dhënë dhuratë marrëveshja e Stabilizim-Associmit pas konfliktit të 2001, ka ndihmuar të krijojë një ndjenjë perceptimi negativ për synimet dhe efikasitetin e kësaj politike. Ky është një sentiment i vjetër që shqiptarëve gjithmonë u vjen në memorien e tyre kolektive sa herë që kujtojnë Konferencën e Londrës më 1913 dhe gjithë marrëveshjet e mëvonshme kur Shqipëria është trajtuar si plaçkë tregu nga fuqitë evropiane. Ka ardhur koha që politika e jashtme e Shqipërisë të ri- dimensionohet për të folur me gjuhën e të vërtetave me Bashkimin Evropian dhe jo të luajë politikën e strucit të fshehjes së kokës në rërë. “Mik e kam Platonin, por më shumë mik kam të vërtetën” thotë filozofi i lashtësisë Aristoteli dhe e vërteta e 10 vjeçarit të shekullit të XXI është se Shqipëria e meritonte liberalizimin e vizave po aq sa dhe fqinjët e vet.


No comments: