(
Refleksione për librin “Platforma e Shqipërisë Natyrale” nga Koço Danaj)
Disa
pyetje vinë natyrshëm ndërmend në përvjetorët e festës kombëtare të 28
Nëntorit. A është kjo festa kombëtare që duhet të festojmë? A është Shqipëria
ajo që është caktuar nga Konferenca e Londrës?A e pranojnë shqiptarët këtë
realitet dhe sa të lirë janë sot shqiptarët të shprehin disa të vërteta për
gjendjen e tyre në Ballkan?
Këto
pyetjeve të cilat përsiaten gjithandej nga Ulqini në Preshevë, nga Prishtina në
Shkup e Tiranë, shpesh herë të papërfillshme elitat “evropianiste” gjejnë
përgjigje në librin e analistit Koço Danaj “Platforma e Shqipërisë Natyrale”.
Sa herë që përmendet fjala platformë në Ballkan, studiuesve, dhe politikanëve u
vjen ndërmend platformat nacionaliste të Serbisë dhe Greqisë, mbi bazën e të
cilave u caktuan kufijtë e Ballkanit në shekullin e kaluar. Normalisht që nuk
do të kishte asnjë gjë të keqe nëse këto platforma do përmbanin në vetvete
vetëm sensin e mirë të formimit të shteteve-komb brenda kufijve të vërtetë të
tyre, por kur kujton Luftërat Ballkanike, Luftën e Parë Botërore, spastrimet
etnike dhe vrasjet në masë për të realizuar ëndrrat e tyre të zgjerimit në
kurriz të kombeve të tjerë, çdo politikan në Bruksel dhe Uashington rrëqethet.
Sot
problemet që ka trashëguar rajoni, të shprehura shpesh herë në konflikte të
ngrira por dhe në konflikte të hapura si rasti i Bosnjës dhe Kosovës janë
“peshqeshi” që promovimi, mbështetja dhe zbatimi i këtyre platformave
nacionaliste u bë në mënyrë të dhunshme në Ballkan. Për të ilustruar vetëm sesi
u caktuan kufijtë e Shqipërisë mjafton të kujtojmë deklaratën e Ministrit të
jashtëm britanik Sir Edward Grey-it kur u pyet në dhomën e Komuneve për
Shqipërinë
“U
vendos që bregdeti dhe Shkodra ti mbeten Shqipërisë, ndërsa Peja, Prizreni,
Dibra dhe pas shumë bisedimesh dhe Gjakova të lihen jashtë Shqipërisë. Kjo
marrëveshje lë një pjesë të madhe territori për tu ndarë midis Serbisë dhe
Malit të Zi si fryt i fitores së tyre.” Sot gjithkush në botë e di se popullsia
e Pejës, Prizrenit, Dibrës dhe Gjakovës ishin shqiptare dhe vazhdojnë të jenë
shqiptare, por edhe pas ndërhyrjes në Kosovë dhe krijimit të shtetit të
Kosovës, qytetarët e Pejës, Prizrenit e Gjakovës e kanë të ndaluar me
kushtetutën e shtetit të tyre që të bashkohen me një shtet të tretë(kupto
Shqipërinë) kurse qytetarët e Dibrës duhet të pajisen me pasaporta ku kombësia
e tyre do shënohet maqedonas. Arsyeja se pse shqiptarët duhet të jenë të ndarë
në pesë shtete në Ballkan, disa politikanë në Bruksel e justifikojnë me faktin
se duhet të ruhet stabiliteti i brishtë i Ballkanit dhe për hir të kësaj,
shqiptarët duhet të pranojnë të jetojnë në 5 shtete. Por a ka në fakt në këtë
arsye ndonjë gjë të re?
Po
të lexojmë prapë se ç’thotë Edward Grey më 1913 marrim sërish një përgjigje të
saktë. “Arritja e kësaj marrëveshje ishte esenciale për paqen e Evropës dhe
sipas mendimit tim ajo u arrit në kohën e duhur për të ruajtur paqen midis
fuqive të mëdha”. Në fakt jo më pak se një vit më vonë krisma e revolverit që
vrau Arqidukën Ferdinand në Sarajevë shkatërroi paqen evropiane dhe kontinenti
plak u zhyt në Luftën e Parë Botërore,dhe si rrjedhojë caktimi i kufijve të
Shqipërisë nuk shërbeu për asgjë,por haraçin e kësaj marrëveshje shqiptarët
kanë një shekull që e mbajnë mbi kurriz.
“Platforma
e Shqipërisë Natyrale” nëse zbatohet nuk do tu lërë pas brezave në Ballkan
ndonjë “peshqesh” të padëshirueshëm pasi ajo nuk mbështetet në popullsi
imagjinare dhe mite të së kaluarës por në qëllime të çiltërta dhe realiste.
Pikërisht këtu ajo ndryshon me platformat e vendeve fqinje pasi idetë e saj përqendrohen
në mbrojtjen e kombit dhe territoreve të shqiptarëve dhe jo drejt agresionit,
ekspansionit apo shovinizmit ndaj vendeve dhe popujve të tjerë. Ajo është një
dishepulle e filozofisë politike që shprehte Sami Frashëri tek “Shqipëria çka
qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”... “ se qëllim i vetëm i shqiptarëve është të
ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën, kombin e
tyre, tu rrinë kundrejt intrigave të armiqve të tyre të ndalojnë të përhapurit
e gjuhëve e mendimeve të Grekëve dhe Sllavëve të cilat po rrëmojnë themelet e
po i nxjerrin rrënjët Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
Platforma
ashtu si e bën të qartë dhe në titull nuk është për “Shqipërinë e Madhe”-një
term i mbushur plot me keqkuptime, por për Shqipërinë e vërtetë, atë natyrale.
Shqipëria e Madhe mund të ishin pretendimet e shqiptarëve për Pazarin e Ri të
Sanxhakut apo për Jutbinën e eposit të Kreshnikëve,kurse Shqipëria Natyrale
janë të gjitha trojet që në shumicë banohen nga shqiptarë. Por a janë të lirë
shqiptarët që ti shprehin të vërtetat e hidhura për gjendjen e kombit të tyre?
Natyrisht që po, pasi era e ndryshimeve sidomos pas viteve 90’ nuk krijon më
shanse për persekutim të atyre që kërkojnë të shprehin lirisht mendimet e tyre.
Zëra të ndryshëm që shprehin realitetin e hidhur të një kombi të ndarë në 5
shtete mund të dëgjosh që nga Ulqini, Prishtina, Presheva, Shkupi e Tirana.
Gjithsesi pyetja në shekullin e XXI nuk shtrohet më a je i lirë të shprehesh
por sa mundësi ke për të realizuar ato që shpreh. Në këtë kontekst shqiptarët
në këtë 28 Nëntor festimi të pavarësisë kombëtare nuk kanë se ç’të shtojnë më
tepër këtij festimi veçse gjërave që u lejohen të thonë. Pasi për të realizuar
ato që dëshirojnë u duhet në rrallë të parë të zhbëjnë Konferencën e Londrës të
1913 dhe ashtu siç thotë platforma të krijojnë premisat për Konferencën e
Londrës 2 të Shqipërisë Natyrale. A është e lehtë për tu realizuar kjo? A është
e gjitha një utopi dhe shqiptarët duhet të futen në Evropë të ndarë në 5
shtete? “Në fillim ishte fjala”-thuhet në librat e shenjtë dhe kjo platformë në
fakt është libri i shenjtë i çdo shqiptari të mirë dhe patriot që beson në
Shqipërinë e vërtetë, në Shqipërinë Natyrale.
No comments:
Post a Comment