Friday, 20 November 2009

Harmonia Sociale



Pyetjes në fëmijëri, se kush peshon më tepër një kg hekur apo një kg pambuk, i jemi përgjigjur në mënyrë të pafajshme: një kg hekur. Ky ka qenë dhe ndoshta mbetet leksioni i parë i Fizikës se gjërat që në pamje të parë duken si të ndryshme kur kanë masën e njëjtë janë të barabarta. E ndërtuar si pyetje në shekullin e XVII, atëherë kur shkencat e natyrës pas robërimit teologjik që kishin pasur në shekujt e mesjetës, kishin filluar të shijonin flladin e lirisë të Rilindjes dhe Iluminizmit, ajo nuk reflektonte ndryshimin vetëm në llogjikë dhe arsye por kërkonte të kumtonte leksione dhe për shoqërinë civile.

Vendi më i përshtatshëm ku pyetja ndoshta merrte një përgjigje të saktë jo vetëm nga njerëzit e pasionuar pas shkencës por dhe nga njerëzit e thjeshtë ishte Anglia. Kjo gjë ndodhte jo për ndonjë karakteristikë të veçantë inteligjence të kombit anglez krahasuar me kombet e tjerë evropianë, por sepse pas luftës civile 1642-1652, dhe vdekjes së Kromwell-it, Anglia kish filluar të shëronte plagët e marrëzisë së bindjes totale ndaj arsyetimit radikal puritan dhe të rindërtonte besimin në një shoqëri të hapur. Këtë periudhë e pasqyronte më së miri shprehja “common sense” e cila përtej konceptit të zakonshëm si gjykim i shëndoshë për të zgjidhur çështje praktike shprehte filozofinë e kohës. Kjo e fundit bazohej mbi të gjitha në stabilitet dhe harmoninë sociale si dy nga shtyllat që garantonin prosperitetin dhe progresin e shoqërisë.
Në fakt stabiliteti dhe harmonia sociale që atëherë filluan dalë nga dalë të bëhen një binom i pandarë i zhvillimit shoqëror. Ndërtimi i demokracive në shekullin e XX e konfirmoi më tepër këtë prirje. Sa herë që një nga këto shtylla rrëzohej, së bashku me të binte dhe ngrehina e shtetit demokratik dhe i hapej rrugë anarkisë. Gjithsesi tipari që ka ndikuar më tepër në perceptimin e ngjarjeve ka qenë harmonia sociale. Kjo për arsyen e thjeshtë se stabilitet dhe qëndrueshmëri garantojnë dhe diktaturat, por ato i bren mungesa e së drejtës dhe rrjedhimisht paqes sociale. Edhe në demokraci, stabiliteti pa harmoninë sociale nuk garanton prosperitet dhe progres të vazhdueshëm. Ngjarjet e vitit 1997 treguan qartë sesa të kota ishin përpjekjet për të imponuar stabilitet pa marrë parasysh paqen sociale që duhej arritur jo nëpërmjet reformave të ashpra por në bazë të gjerë dialogu.
Shqipëria, si një nga vendet në të cilat lufta e klasave u zhvillua shumë ashpër, duke shkaktuar çrregullime të vërteta dhe në mbarëvajtjen e shoqërisë ka nevojë më tepër se çdo vend tjetër i lindjes ish-komuniste për të arritur harmoninë sociale midis shtresave të ndryshme të popullsisë. Për më tepër në 19 vjet tranzicion ,ne nuk kemi munduar akoma të kurojmë plagët e së shkuarës por kemi hapur plagë të reja në shoqëri çka e bën më të vështirë rrugëtimin tonë drejt standardeve demokratike. Duke qenë se kemi qenë një popullsi që me shumë vështirësi e kemi gjetur rrugën nga identiteti kolektiv në identitetin kombëtar, sot vërehet një shthurje e plotë e këtij të fundit dhe përqafimi i identiteteve rajonale dhe klanore. Në bazë të këtyre identiteteve që kemi përqafuar kemi përshtatur dhe sistemin demokratik që kemi ndërtuar, ku më tepër se një pushtet “që vjen nga populli dhe i përket popullit” është kthyer në një pushtet me qark të shkurtër elitash klanore.
Edhe arritje të mëdha siç është pranimi i Shqipërisë në NATO, mbeten në hije nga zhvillimet e mëtejshme që nuk krijojnë premisat për prosperitetin e vendit dhe anëtarësimin e shpejtë në BE , por gjenerojnë spirale të pafundme krizash, themeli i të cilave natyrisht nuk janë principet politike por interesat e dyshimta për përfituar pushtet. Nuk është e çuditshme se dhe zhvillimi kulturor i Shqipërisë nuk paraqet një bum të madh ashtu siç pritej kur do të vinte liria. Sot në tregun e gjerë të ideve Shqipëria nuk konkurron me asnjë eksperiencë apo novacion por vazhdon të jetë shembulli i keq i një tranzicioni të vështirë.


Sfida e madhe e anëtarësimit në BE kërkon në radhë të parë paqen dhe harmoninë sociale për të krijuar sfondin e duhur që poleni i ndryshimeve të viteve 90’ të lulëzojë në sytha të vërteta prosperiteti. Deri më tash kemi qenë të aftë të mbjellim parcela të vogla, frytet e të cilave i ka përfituar vetëm një pjesë e privilegjuar e popullsisë, por duke qenë se demokracia në radhë të parë është pjesëmarrje ne duhet të jemi të aftë të krijojmë një klimë tjetër. Shoqëria e hapur e shanseve të barabarta, larg meskiniteteve provinciale të përfitimit të padrejtë dhe të futjes në histori me forcë, kërkon një autopsi të thellë të gjithë së keqes të trashëguar. Nuk mund të vazhdojë të sakrifikohet vazhdimisht harmonia sociale në emër të një stabiliteti fals, por duhet krijuar platforma e vërtetë e ndryshimit që qytetarët shqiptarë nga ish-komunistë, ish-ballistë, socialistë, demokratë të kthehen në qytetarë evropianë që bashkojnë zërin kur qeverisen keq dhe nuk kanë standard të lartë jetese.

Natyrisht nuk është e lehtë të krijosh kulturën e demokracisë por të paktën gjërat e vështira fillojnë nga më të lehtat. Le të fillojmë të mësohemi të respektojmë njeri-tjetrin dhe të zhbëjmë kulturën e urrejtjes. E thënë ndryshe le të braktisim llogoret e pakuptimta të interesave të ngushta për tu bashkuar në kauzën e prosperitetit të shoqërisë së hapur civile. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit mes konfuzionit të përgjithshëm të parregullsive dhe aleancave të dyshimta paszgjedhore ishin të qarta të paktën për një gjë se një kg hekur është i barabartë vërtetë me një kg pambuk.


No comments: