Me
rastin e përvjetorit të festës kombëtare të Kinës, në shtypin shqiptar nuk
munguan komentet pozitive për ecurinë ekonomike të këtij shteti të madh si dhe
përpjekja e veçantë për të kaluar nga sistemi i centralizuar ekonomik në atë të
ekonomisë së tregut. Nuk mund të mungonte natyrisht dhe një historik i shkurtër
i marrëdhënieve shqiptaro-kineze, ku midis shumë episodeve të miqësisë
tradicionale nuk u la pa përmendur dhe kontributi i Shqipërisë në hyrjen dhe
pranimin e Kinës në OKB me të drejta të plota.
Gazetarët i referoheshin vitit
1971, dhe propozimit të Shqipërisë ndaj Asamblesë së Përgjithshme të O.K.B për
të pranuar Republikën Popullore të Kinës si anëtare e përhershme e Këshillit të
Sigurimit dhe një nga vendet me të drejtë vetoje. Republika Popullore e Kinës
zëvendësonte në këtë mënyrë Republikën e Kinës atë çka njihet sot si Tajvan. Ky
pranim e rriti shumë peshën specifike të Republikës Popullore të Kinës në
politikën ndërkombëtare dhe përgjithësisht i parapriu zhvillimit të vet
ekonomik.
Në
këtë kontekst, sipas gazetarëve roli i Shqipërisë në pranimin e Kinës në OKB
është i patjetërsueshëm dhe diplomacia e Shqipërisë ishte e aftë të bindte 15
anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të vitit të largët 1971 dhe 4 anëtarët e
përhershëm të Këshillit të Sigurimit për rëndësinë e pranimit të Kinës në këtë
organizëm ndërkombëtar. Për ta bërë sa më bindës këtë lajm disa medie e
ilustruan dhe me foto të përfaqësuesit tonë kur bënte propozimin e famshëm.
Por
a ishte kjo arsyeja e vërtetë e pranimit të Kinës në OKB? A kishte Shqipëria
kaq peshë diplomatike sa të influenconte në marrjen e një vendimi të tillë? Në
fakt duke vëzhguar diplomacinë shterpe të Shqipërisë në vitet 70’ skllave të
ideologjisë marksiste dhe aspak pragmatiste siç rëndom ndodh të jetë diplomacia
e një shteti të vogël, vështirë mund të mendosh se mund ta realizonte një
objektiv të tillë. Por atëherë si ka hedhur rrënjë ky perceptim i tillë?
Në
fakt arsyeja e përmendur më lartë për pranimin e Kinës në OKB me të drejta të
plota dhe vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit nuk është arsyeja e
vërtetë, por është një skupë gazetaresk i krijuar në fillim të viteve 90’ për
të treguar sesa i verbër ishte ideologjikisht shteti komunist shqiptar që nuk
tregonte kujdes të denonconte shtypjen nacionale që i bëhej popullsisë
shqiptare në Jugosllavi por kujdesej për fatet e revolucionit botëror. Si i
tillë ai ka kohë që ka hedhur rrënjë në ligjërimin politik shqiptar, saqë është
e pamundur që të mos trajtohen marrëdhëniet shqiptaro-kineze dhe ky fakt të mos
citohet dhe vlerësohet si hap përcaktues në integrimin e Kinës komuniste në
O.K.B.
Nga
dokumentacioni historik del se para se Kina të pranohej në OKB ka pasur një
aktivitet të dendur diplomatik midis Sh.B.A, Britanisë së Madhe dhe fuqive të
tjera të interesuara me Kinën. Kështu që para se të ishte një aksion i imponuar
në një seancë të O.K.B-së, ishte një aksion i diskutuar dhe menduar thellë në
tavolinën e bisedimeve, ku Shqipëria luajti vetëm rolin e prezantuesit dhe
hedhjes së propozimit për miratim.
Shpjegimi
i ngjarjes diplomatike sipas arsyes së parë është interpretimi gazetaresk i
historisë, i cili për fat të keq shfaqet kohë pas kohe në mendimin historik
shqiptar. Kjo ndodh pasi një mori opinionistësh, gazetarësh, sociologësh dhe
njerëz të fushave të tjera të studimit kërkojnë të shkruajnë dhe prodhojnë
histori, duke prezantuar metoda të përcipta të kërkimit shkencor dhe deri diku
amatore. Është e vërtetë që “historia” siç thotë Herodoti “është nëna e dijeve”
por natyrisht kjo nënë nuk dëshiron të trajtohet si njerkë. Kjo klimë trajtimi
e historisë ushtron një trysni të padukshme mbi historianët profesionistë të
hasur shpesh dhe nëpërmjet debateve televizive ku historiani i duhet të
pajtohet me ndërtimin e miteve në historinë tonë që sociologët dhe gazetarët
analizojnë, kur në fakt detyrimi i tij është që të studiojë nëpërmjet
dokumenteve dhe vetëm dokumenteve zhvillimin dhe vërtetësinë e ngjarjeve
historike.
Shpjegimi
i ngjarjes diplomatike ashtu si ka ndodhur është misioni fisnik i historianit.
Logjika e ngjarjeve që shpjegon jo vetëm ngjarjen që ndodh por dhe një seri të
tërë ngjarjesh që e pasojnë, krijojnë sfondin e duhur për të kuptuar qartë
dukurinë apo çastin historik. Në këtë kontekst nuk mund të kuptohet afrimi
amerikano-kinez në fillimet e viteve 70’ që kulmon me vizitën e presidentit
amerikan Nikson në Kinë pa të ashtuquajturën diplomacinë e “pingpongut” siç
është emërtuar politika afruese midis Sh.B.A dhe Kinë dhe ku pranimi i Kinës në
O.K.B. është një gur plotësues në mozaikun e këtyre marrëdhënieve.
Një
aspekt tjetër ku ndikimi i gazetarisë ndihet së tepërmi në shkruajtjen e
historisë është dhe gjuha akademike që supozohet historianët duhet të përdorin
në veprat e tyre. Historianë të shquar në vendet ballkanike,si Kostandin
Paparrigopulus në Greqi, Nikolae Jorga në Rumani etj përmenden me nderim dhe
sot jo vetëm për punën e tyre kërkimore por dhe për kontributin që kanë në
gjuhën letrare të vendeve të veta ndërsa tekstet tona historike për fat të keq
vazhdojnë të jenë të mbushura me fraza të tipit zhdavonist, si “çeli një epokë
të re”, apo zhargon gazetaresk të huazuar nga topshow-s televizivë, si shprehja
“zhvillime të papara”. Për më tepër adaptimi i mendimit gazetaresk militant për
ngjarjet e freskëta që s’kalojnë kufirin as të 20 vjetëve dhe këmbëngulja në
mendimin historik të trashëguar ku ngjarje të rëndësishme të historisë sonë të
60 vjeçare vazhdojnë të shkruhen sipas klisheve që i ndajnë personazhet e
historisë në bardhë e zi, në të mirë dhe të këqij krijojnë një histori të
sforcuar e cila para se të jetë kombëtare mbetet një histori lokaliste dhe e
njëanshme. Ka ardhur koha që mendimi historik shqiptar me kurajë civile dhe
qytetare të fillojë të thotë fjalën e vet për historinë tonë të debatuar duke
krijuar premisat e një rilindje të vërtetë shpirtërore tashmë jo vetëm për të
mësuar nga gabimet e së kaluarës por dhe për të ndërtuar mirë të ardhmen.
No comments:
Post a Comment