Botimi
dhe publikimi i një enciklopedie ka përbërë gjithmonë një ngjarje të shënuar në
jetën kulturore dhe shoqërore të një kombi. Madje ka raste siç është ai i
botimit të enciklopedisë franceze nga viti 1751 deri në 1772 i cili ka qenë i
një rëndësie të tillë politike sa ka zënë dukshëm vendin më të rëndësishëm në
historinë shoqërore dhe letrare të shekullit.
Influenca e saj ishte shumë e madhe në
formimin e mendimit të mëvonshëm evropian aq sa shpesh herë dhe modelet e
enciklopedive të mëvonshme evropiane e morën si model. Kjo influencë nuk i
dedikohet shumë informacionit që enciklopedia në vetvete përmbante pasi në
vitet e mëvonshme sigurisht që ai do ishte shumë më bashkëkohor, por kriterit
sesi ishte hartuar. E thënë me fjalët e Deni Diderot-njërit nga baballarët e
enciklopedisë franceze, ky kriter shprehte se “të gjitha faktet duhet të
ekzaminuar, debatuar e studiuar pa asnjë përjashtim dhe pa marrë parasysh
ndjenjat e asnjërit”.
Si
mund të vërehet lehtë ky kriter shpallte si veçanti të tij paanshmërinë dhe
gjykimin e drejtë shkencor. Të gjitha enciklopeditë që u hartuan më vonë në
Evropë pothuajse e respektuan këtë kriter dhe kur e shmangën atë për hir të
marrjes parasysh “të ndjenjave të të tjerëve” natyrisht që nuk i rezistuan
kohës. “Këto ndjenja të tjerëve” me të cilat Diderot nënkuptonte qëndrimin
debatues rreth problemeve të ndryshme filozofike të kohës, në enciklopeditë e
popujve ballkanikë u reflektuan si qëndrime dhe shtrembërime të fakteve
historike të popujve dhe kombeve .Mesa duket problemi më i madh filozofik i
filozofëve të këtyre popujve ballkanikë nuk ishin dilemat filozofike të
ekzistencës por justifikimi i përvetësimit të ekzistencës së tjetrit.
Një
shembull klasik në këtë drejtim përbëjnë tezat e Akademisë Serbe për origjinën
e shqiptarëve. Të kompleksuar nga autoktonia e shqiptarëve dhe të ardhjes së
sllavëve në shekujt VI-VII në Ballkan, akademikët serbë u munduan që të jepnin
një variant tjetër më të përshtatshëm për kombin e vet që ishte ardhës. Kështu
faktin historik të ardhacakut u munduan t’ua vishnin shqiptarëve duke i
shpallur si të ardhur në Ballkan nga Turqia dhjetë shekuj më vonë se sllavët,
në shekullin e XVII! Është e kuptueshme se përderisa kjo akademi kishte anëtarë
njerëz që hartonin pogrome ndaj popullsisë shqiptare për ta shpërngulur me
forcë në Turqi siç ishte plani i akademikut serb Vasa Cubrolloviqit më 1938,
nuk mund të kishte dyshim që ajo të ishte aq e aftë sa të fabrikonte lehtësisht
origjina të çuditshme të shqiptarëve dhe të përpiqej ti shiste si për të
vërteta.
Natyrisht
enciklopeditë e hartuara sipas kritereve të Diderot nuk mund ti merrnin
parasysh tezat serbe të mesit të shekullit të XX, pasi atyre u mungonte
paanshmëria dhe gjykimi i drejtë shkencor ndaj ato nuk gjetën jehonë në asnjë
enciklopedi serioze evropiane. Madje mund të quhen të tejkaluara edhe nga
historiografia serbe ndaj shkakton habi dhe surprizë kur këto teza arkaike dhe
jashtë çdo kriteri shkencor merren dhe përdoren nga akademia maqedonase në
botimin e enciklopedisë së vet në shekullin e XXI. Aty çirakët maqedonas
përpiqen tua kalojnë ustallarëve serbë në arsyetim. Prezenca e shqiptarëve në
Maqedoni datohet në shekullin e XVII dhe ata konsiderohen si “popull malor” që
kanë okupuar vatrat maqedonase. Nuk është e vështirë që të dallosh origjinën e
këtyre tezave, por më e vështirë është të besosh se ka akoma në Ballkan popuj
që kur përpiqen të sendërtojnë identitetin e vet, e nisin mbrapsht përpjekjen
duke iu mohuar identitetin të tjerëve.
Në
fakt përpjekja e popullsisë sllave në territorin e IRMJ për të formuar
identitetin e vet vjen paksa e vonuar. Kjo gjë natyrisht jo për faj të tyre.
Shpjegimin e gjen në të gjithë veprat historike që flasin për Ballkanin. Aty
theksohet se kush kontrollon Maqedoninë kontrollon Ballkanin. Kjo fjali mund të
shpjegojë saktësisht se përse zgjimi nacionalist i kësaj popullsie që fillon
duke përqafuar identitetin bullgar përfundon pas luftërave ballkanike me
identitet serb dhe grek. Boshti Athinë-Beograd u bë protagonist për më pak se
një shekull i politikave evropiane në Ballkan. Shqiptarët dhe maqedonasit ishin
nga viktimat kryesore të këtij boshti ku Shqipërisë iu rrëmbyen pjesë virtuale
të ekzistencës së saj, ndër to dhe territori i sotëm i shqiptarëve në Maqedoni,
kurse popullsisë sllave të Maqedonisë nuk iu lejua të formonte identitetin e
saj.
Në
këtë kontekst ekzistenca e shtetit modern të Maqedonisë të pas viteve 90’ të
shekullit të kaluar e deri më sot, më shumë se një shprehje e vullnetit
nacionalist të popullsisë sllave është një marrëveshje mes gjithë popullsive të
tjera që banojnë në territorin e IRJM për të krijuar një shtet, ku natyrisht
shqiptarët mbajnë peshën kryesore. Çdo përpjekje për ti trajtuar ata si
minoritet ardhacak në Maqedoni dhe jo si popullsi shtetformuese, minon vetë
themelet e shtetit maqedon dhe tërë stabilitetin në rajon. Doktrina e
nacionalizmit romantik të shekullit të XIX nuk mund të jetë një zgjidhje e
problemit maqedonas siç ka gjasa që popullsia sllave në Maqedoni po synon me
botimin e kësaj enciklopedie, sepse në këtë rast shqiptarët mund ti rikthehen
projektit të tyre të nacionalist të shekullit të XIX-XX që Fuqitë e Mëdha ia
mohuan.
Ata
nuk mund të pranojnë të jenë sërish viktima të gjeostrategjisë dhe aq më tepër
në një shtet që është shpallur multietnik dhe ku ata pretendohet se janë
faktorë shtetformues. Marrëveshja e Ohrit është i vetmi çelës që hap portën e
paqes në Maqedoni dhe është shumë gabim që qoftë komuniteti ndërkombëtar, qoftë
popullsitë sllave dhe shqiptare të rajonit akoma nuk po e zbatojnë. Kjo kambanë
alarmi është më tepër eminente për popullsinë sllave të IRJM, identiteti i së
cilës pretendohet nga Bullgaria, ai fetar nga Serbia, dhe identiteti nominastik
nga Greqia. A mund ta kuptojnë ata vallë se nëse shqiptarët fillojnë e kërkojnë
afirmim të identitetit të tyre nacionalist, pasi deri tani vetëm sa kanë
shprehur atë shtetformues ç’mund të ndodhë? Deklarata cinike e disa muajve më
parë të ish ministrit të jashtëm grek Antonis Samaras se “territori i IRJM
duhet të ndahet midis Bullgarisë, Shqipërisë dhe Greqisë, pasi nuk ekziston
shtet me këtë emër” është realiteti i trishtë dhe “shpata e Demokleut” që
qëndron mbi kokë ekzistencës të shtetit shumetnik maqedonas dhe klasa politike
maqedonase dhe intelektualët maqedonas duhet të jenë të ndërgjegjshëm se vetëm
vullneti i mirë i deritanishëm i shqiptarëve për të qëndruar në këtë shtet
është peri që e mban për të mos rënë.
No comments:
Post a Comment