Sunday, 20 September 2009

Pesha e Stabilitetit




Sa herë që hapet çështja shqiptare në Ballkan, siç ishte rasti i deklaratës së kryeministrit shqiptar Sali Berisha, për “unitetin kombëtar të shqiptarëve në rajon” nuk mënojnë të vinë komentet ndërkombëtare. Strukturat e këtyre reagime janë tashmë të njohura. Si fillim ravijëzohet fantazma e “Shqipërisë së Madhe”, rëndësia e stabilitetit në rajon dhe pastaj ndonjë kërcënim i fshehtë midis rreshtave për ndërprerjen e mbështetjes së shqiptarëve dhe pse jo një ndjenjë keqardhje për bombardimin e Serbisë dhe hapjes së telasheve me shtetin më të ri të Evropës –Kosovën.
Këtyre komenteve ndërkombëtare u bashkëngjiten dhe disa komente dhe analiza të të përditshmeve shqiptare ku si motiv kryesor lexon se shteti shqiptar nuk mund të marrë përgjegjësia të tilla, të konsideruara shpesh herë dhe si “aventurism politik” dhe ‘iluzione” por duhet të zhvillohet dhe fuqizohet ekonomikisht.
Në fakt ky qëndrim nuk është i ri. Ai e ka zanafillën e vet në fjalimin e kryeministrit shqiptar Ahmet Zogu në parlamentin e vitit 1922, ku ai deklaronte se “shteti shqiptar është i vogël dhe politika jonë duhet të jetë e qartë, e sinqertë dhe pa iluzione të cilat mund të na dëmtojnë shumë”(me fjalën iluzione nënkupto përkrahjen e kauzës për tu bashkuar me Shqipërinë të territoreve shqiptare të mbetura jashtë kufijve.) Por ndonëse mund të ishte e kuptueshme që në gjendjen e mjerueshme që ishte Shqipëria e vitit1922, nuk mund të ushqente iluzione të tilla është e çuditshme që sot në 2009 ka shumë zëra që mbështesin këtë qëndrim.
Paranoja fikse se ne mund ta humbin shumë shpejt mbështetjen ndërkombëtare nëse artikulojmë të vërteta të njohura rreth Shqipërisë natyrale na ka kthyer në “dordolecë” të çështjes shqiptare saqë, qeveria shqiptare nuk mund të japë mendim as për gjendjen represive të shqiptarëve në Preshevë dhe as për marrëveshjen policore të misionit evropian në Kosove-EULEX-it me autoritetet serbe. Ky rreth vicioz e paradoksal, të cilin për hir të së vërtetës e kemi pranuar me dashje me politikën tonë të durimit dhe të shpresës se me integrimin tonë në Evropë do të zgjidhet dhe problemi shqiptar, bie ndesh dhe me zhvillime të tjera rreth nesh në rajon.
Sado paradoksal mund të tingëllojë konstatimi i mësipërm, një seri ngjarjesh të zhvillimeve të fundit e dëshmojnë këtë gjë. Fqinji ynë lindor Maqedonia po vuan integrimin tij euro-atlantik vetëm se Greqia kërkon të ruajë me çdo kusht “kujtesën e vet historike”,Sllovenia pengon hyrjen e Kroacisë në Bashkimin Evropian për shkak të mosmarrëveshjeve rreth një porti në Adriatik,ndërsa presidentit hungarez nuk ju lejua hyrja në Sllovaki për të marrë pjesë në festimet e organizuara nga minoriteti etnik hungarez aty me pretekstin se “ndikon negativisht në marrëdhëniet hungareze –sllovake”.
Këto incidente të cilat pasqyrojnë më së miri mozaikun e shteteve nacionalë të ndërtuara pas rënieve të Perandorive Osmane, Hasburgase dhe Ruse në Evropën Juglindore tregojnë se modeli evropian i integrimit nuk i shuan mosmarrëveshjet e vjetra por dhe më keq i kthen në probleme të vet Evropës. A nuk do të ishte më mirë që problemet nacionale të trashëguara nga ‘Real politik” i shekullit të XX të zgjidheshin në bazë të parimit të vetëvendosjes-parim cili në princip mishëron dhe një nga liritë themelore, atë kombëtare.    
Në vend të tij faktorët ndërkombëtarë kanë zgjedhur formulën e status ko-s dhe të stabilitetit. Këtyre të dyve tani së fundmi u është shtuar dhe parimi i “barazvlefshmërisë”, i cili nënkupton që çfarëdolloj aksioni mbështetje pozitive që i jepet njërit komb në rajon, menjëherë i duhet dhënë dhe kombit tjetër. Ky parim reflektohet më së miri në marrëdhëniet shqiptaro-serbe në shtetin e Kosovës. Të kësaj fryme janë lejimet e herë pas hershme të mbajtjeve të zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe marrëveshjet e EULEX-it me Serbinë mesa duket për të “balancuar” shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Incidenti hungarezo-sllovak hell dritë dhe mbi zhvillimet e tjera të mundshme midis Shqipërisë dhe Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Si shikohet nga radha e gjatë e problemeve faktorët ndërkombëtarë i kanë caktuar shqiptarëve rolin e Atlasit, për të mbajtur në shpinë gjithë stabilitetin e rajonit. Ata më tepër se çdo komb tjetër në rajon duhet të durojnë represionet ndaj tyre në Preshevë , mos legalizimin e gjuhës së tyre dhe moszbatimin e marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, proceset politike të montuara në prag të zgjedhjeve elektorale në Mal të Zi, poshtërimin e pafund të emigrantëve të vet në Greqi që dhe pas 18 vjetësh nuk mund të gëzojnë të drejta si gjithë emigrantët e tjerë në një vend evropian, shndërrimin e identitetit të krahinave të veta në jug e kështu me radhë. Vetëm se në gjithë këtë kalvar vetëpërmbajtje që u kanë rezervuar shqiptarëve faktorët ndërkombëtarë a kanë menduar ndonjëherë se çdo të ndodhë nëse ata nuk e mbajnë dot më këtë peshë stabiliteti? Shqiptarët janë gjendur dhe vazhdojnë të gjenden midis dy alternativave. Ose duhet të vazhdojnë pranimin e “recetave evropiane’ të tipit të Ahtisaarit për të ardhmen e tyre si komb në Ballkan ndërsa fqinjët e tyre i kanë radikalizuar qëndrimet duke braktisur “evropianizimin” dhe rigjetur veten tek politikat e vjetra bizantine ose duhet të formojnë ushtritë e tyre çlirimtare si në fund të shekullit XX për të krijuar “recetën” e vet për të ardhmen e tyre. Komuniteti ndërkombëtar duhet të falënderojë Zotin që shqiptarët deri tani kanë zgjedhur alternativën e parë.....


No comments: