Sunday, 26 June 2011

Dialog apo monolog politik?



       Dialogu politik është një nga tiparet kryesore të një demokracie funksionale. Si i tillë ai duhet të funksionojë dhe të gjenerojë mendime të reja nëpërmjet shkëmbimit të ideve dhe përforcimit të koncepteve bazë të komunikimit në një shoqëri moderne. Koncepte të tilla mund të jenë etika, kultura profesionale rreth temës që debatohet dhe përcaktimi i qartë i qëllimit të dialogut. Sigurisht parë në një këndvështrim të tillë teorik është e vështirë që të evidentosh nëse debati politik në Shqipëri i përmbush këto parime. Ky konstatim nuk vjen sepse shoqëria shqiptare, duke qenë se vjen nga një kulturë e ulët e dialogut politik për arsyen se në diktaturë nuk kishte një dialog të mirëfilltë politik, por një inskenim ideologjik të tij që i përngjante më shumë një monologu në formën e pyetjeve retorike që s’kërkonin përgjigje, por dhe për arsyen e thjeshtë se dialogu politik ka pushuar së ekzistuari në vend. Ky realitet nuk mund t’i faturohet vetëm situatës së nderë midis dy palëve që po mbizotëron tashmë në jetën politike të vendit, por është një realitet i ndjeshëm për pothuajse dy vjet në Shqipëri. Është e tepërt që të nënvizojmë sërish pasojat negative që i vinë vendit nga mungesa e dialogut politik, pasi besoj ato janë të ditura dhe të prekshme për çdo qytetar shqiptar, por besoj se është e nevojshme që të analizohet se ku mund të gjenerojë ai për të ndërtuar sërish besimin mes palëve dhe për të përsosur demokracinë nga ajo populiste në dialogun e elitave.
       Sigurisht që skeptikët mund të kundërshtojnë se në fakt, në Shqipëri, prej kohësh nuk ka një demokraci populiste por ajo shfaqet dendur në debatin e elitave në televizor-mediumi, që ka zëvendësuar “agoranë” e vjetër-vendit ku zhvilloheshin dialogët e famshëm në demokracisë antike greke. Nuk e vë në dyshim se njerëzimi me shpikjen e televizionit, që Borhesi e quan një “zgjatim të pamjes njerëzore”, ka përfituar mjaft për të përsosur ilustrimin e dijeve të veta të akumuluara gjatë shekujve, por me zhvillimin që ka marrë media televizive në kohët e sotme, ajo nuk ka mbetur vetëm në rolin ilustrues, por ka shumë kohë që ka marrë dhe rolin instruktues në shoqëri. Nuk di sesi do të arrinte ta përkufizonte Borhesi tashmë këtë zhvillim, por duke u përpjekur që të hyjmë në logjikën e tij, kur përkufizoi televizionin, mund të themi se tashmë qytetërimi e ka ndërtuar zgjatimin e lartët të “agorasë” apo “forumit” e vet për të debatuar publikisht çështjet e tij kryesore. Natyrisht që në këtë përcaktim nuk mund të mos dallojmë me pozitivitet që njerëzimi ka arritur të ringjallë një nga format e vjetra të komunikimit të tij publik, por nga ana tjetër vërejmë se këto forume nuk janë aq demokratike sa në të mund të marrin pjesë të gjithë qytetarët që e ndiejnë veten të aftë për të komunikuar diçka të rëndësishme komunitetit. Si të tilla të kthyera prej kohësh tashmë në qarqe të mbyllura, ku nuk lëviz as gjenerohet mendim i ri, por përvijohet më tepër rreshtim politik dhe konkurrim tipik ballkanik për të poshtëruar apo ulur kundërshtarin, mediumi i televizionit nuk mund të quhet më vendi i debatit politik.
      Televizionet dhe studiot e tyre nuk janë vendet e përshtatshme për të rigjeneruar dialogun politik dhe sidomos njerëzit e atashuar jashtë partive politike në formën e të ashtuquajturve analistë të pavarur, si njerëz që hyjnë në ekipet drejtuese vendimmarrëse nuk mund të përfaqësojnë mendimin e shëndoshë të së majtës apo së djathtës në Shqipëri. Ky konstatim është i drejtë, jo sepse në vendet me demokraci të konsoliduara nuk ekzistojnë debate dhe analistë të tillë, por në Shqipëri ashtu si e ka treguar koha, shoqëria shqiptare vazhdon t’i nënshtrohet ligjit të tregut dhe ofertës dhe në botën e ideve. Në këtë mes nuk bëjnë përjashtim dhe shumë figura publike, të cilat i kemi parë të rreshtuar në pozicione të ndryshme gjatë këtyre viteve dhe për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur, sepse ky rreshtim ka përfaqësuar dhe bindjen e tyre politike, por sepse ashtu si është evidentuar lehtë më pas, i kanë shërbyer ofertave për justifikuar me oratorinë e tyre veprimet e mbrapshta të njërës apo tjetrës palë.
        Si oratori të tilla pa tharmë të vërtetë të kundërshtimit qytetar, fjala e tyre televizive ka ndërtuar strukturat e monologut politik që qytetarëve ashtu si dhe spektatorëve në teatër mund t’u duhet për të evidentuar sesa botë e pasur ideore dhe shpirtërore kanë personazhet kryesorë, por ajo që me të vërtetë mat në teatër por dhe jetën publike të një vendi është aksioni politik i nisur nga qytetarët, për qytetarët dhe t’u shërbejë qytetarëve-një formë e hershme kjo e demokracisë funksionale. Partitë politike shqiptare duhet t’i rikthehen formave të demokracisë së brendshme për të rigjeneruar në fillim dialogun e brendshëm midis fraksioneve dhe pastaj të iniciojnë dhe një gjenerim të gjithë dialogut politik në vend. Kjo do t’i japë një frymëmarrje më të gjerë demokracisë pasi dhe politika si të gjitha fushat e tjera ku kërkohet njohja empirike e problemeve, i nënshtrohet maksimës se “nëse do të hash peshk, duhet t’i lagësh këmbët”. Në këtë rast, angazhimi politik i personave publikë është ai që mund të risjellë vlerat e dialogut ndërpartiak në Shqipëri dhe të harmonisë sociale aq shumë të mirëpritur.


Monday, 20 June 2011

Antieuropianizëm i papërligjur



Rreth njëzet vjet më parë nisi ëndrra europiane e Shqipërisë. Ajo nuk ishte një lëvizje intelektuale e iniciuar nga lart-poshtë nga reformat e ndërmarra, por ishte një shpërthim popullor që pas një izolimi të gjatë dhe të mundimshëm po përpiqej të rigjente vetveten brenda familjes europiane. Duke qenë se Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara dhe që kish përqafuar një retorikë antieuropiane për sa i zhvillimit ekonomik dhe institucioneve demokratike të saj, ndenja proeuropiane në Shqipëri mori përmasat gati-gati të një “besimi” të ri. Gjithandej në fillim të viteve ‘90 mund të gjeje “europianistë të thekur” në të gjitha shtresat e shoqërisë dhe një besim të patundur se Shqipëria shumë shpejt do të ishte vend anëtar i Bashkimit Europian. Ashtu si të gjitha lëvizjet shpirtërore dhe idealiste që kur fillojnë në fillim duhet të kundërshtojnë atë çka ka mbajtur peng dhe përkeqësuar situatën, edhe lëvizja europiane nisi fillimisht duke rrëzuar idhujt e rremë që mbizotëronin në Shqipëri. Rrëzimi i statujës së diktatorit Enver Hoxha dhe thirrjet e brohorimat e duam “Shqipërinë si gjithë Europa”, respektimi i një statuje tjetër aty, ajo e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, njeriut që rreth 500 vjet më parë kish udhëhequr ëndrrën europiane të shqiptarëve ishin sinjale të forta që vendi ish-komunist po e braktiste ishullin e vetmuar të socializmit dhe po përqafonte paradigmën e madhe të lirive humane dhe civile.


Ky entuziazëm i shqiptarëve gjeti dhe shprehjen e vetë politike në pothuajse të gjitha programet e partive politike që u themeluan menjëherë pas shpalljes së pluralizmit politik. Integrimi europian u bë dhe kryefjala e programeve qeveritare dhe nismave që ndërmori qeveria e parë shqiptare e vitit 1992. Mirëpo, jo më pak se një vit pas formimit qeverisë së parë demokratike shqiptare, Bashkimi Europian në mbledhjen e vet në Kopenhagën, më 21-23 qershor 1993, i preokupuar për t’u dhënë një përgjigje aplikimeve që po merrte nga të gjitha vendet e ish-Lindjes komuniste, përcaktoi qartë kriteret politike dhe ekonomike që një vend duhet të plotësonte për t’u anëtarësuar në këtë organizëm. Që nga ajo kohë kriteret e Kopenhagës u bënë pjesë e fjalorit politik të diskutimeve midis qeverive të vendeve që aspironin të pranoheshin në këtë organizëm dhe Bashkimit Europian. Në qeverisjet demokratike, që kanë si bazë transparencën si një nga parimet bazë të demokracisë liberale, qytetarët duhet të informohen për gjithçka që lidhet me ta dhe të ardhmen e tyre. Nuk e di sesa dhe sesi është perceptuar ndër qytetarët shqiptarë procesi i integrimit, por ajo që dëgjohet rëndom nëpër biseda është avazi i një violine që ka filluar të shndërrohet në një orkestër.


Një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë kanë filluar të mendojnë se Shqipëria e meriton prej kohësh integrimin e plotë dhe se kriteret që kërkohen të plotësohen nga Bashkimi Europian janë thjesht një alibi e këtij të fundit për ta vonuar këtë proces. Ky opinion tinëzar, që shpeshherë në mënyrë të fshehtë është iniciuar dhe nga politika që në këto njëzet vjet nuk ia ka arritur qëllimit që të jetë në të njëjtin nivel dhe të politikave të vendeve të tjera që tashmë janë integruar, është një opinion i pabazë dhe i dëmshëm. Ai është i pabazë, sepse qoftë dhe me një shikim të shpejtë të kritereve politike të Kopenhagës mund të kuptosh se Shqipëria të paktën në dy nga pesë kriteret ka probleme serioze në stabilitetin e institucioneve, për të cilat të gjithë jemi dëshmitarë që jo vetëm kanë qenë shpeshherë në konflikt me njëri-tjetrin, por dhe kanë qenë dhe të paralizuar si dhe me vënien në jetë të shtetit të së drejtës, ku shpeshherë kemi parë të drejtat e dhunuara të qytetarëve si pasojë e korrupsionit të madh në drejtësi. Po kështu, për sa i përket kritereve ekonomike, Shqipëria ka probleme në kapacitetin e saj për të përballuar presionin konkurrues ekonomik të forcave të tregut në funksionimin e Bashkimit Ekonomik Monetar.


Antieuropianizmi i papërligjur që shpeshherë ka filluar të zërë vend në opinionet e njerëzve nëpërmjet perceptimit të gabuar të kritereve të Kopenhagës, është i dëmshëm, pasi krijon ndjenjën e frustrimit dhe të mënjanimit në diskursin e popullsisë. Bashkimi Europian është dhe mbetet një nga partnerët dhe miqtë më të mirë të Shqipërisë që, nëpërmjet ndihmës së vet, ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në zbatimin dhe përmirësimin permanent të demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve në Shqipëri. Nëse kjo ndihmë është perceptuar veçse si një çezmë me “qumësht e mjaltë” që kurrë nuk shteron, ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të kuptojnë se plotësimi standardeve është rruga që të çon vërtet te burimi, pa pasur nevojë që të vazhdojë akoma të pinë ujë çezme.


Thursday, 16 June 2011

Një 10 qershor i harruar...









Fjala kuvend në shqip vjen nga fjala latine conventio, e cila do të thotë takim njerëzish. E hyrë shpejt si huazim në shqip, ndoshta që nga kontaktet e para me botën latine, fjala kuvend ka marrë atributet e një fjale të leksikut bazë të shqipes. Mirëpo fjala conventio, e shndërruar në kuvend në shqip, ashtu si ndodh shpesh në leksikologji, e ka lënë kuptimin e saj fillestar dhe ka marrë një ngarkesë tjetër semantike. Sot, të gjithë ne e dimë se fjala kuvend nënkupton një takim të rëndësishëm politik apo kulturor, të ndërmarrë me një qëllim të rëndësishëm. Për më tepër kjo fjalë në shqip është gjendur si fjala e përshtatshme që të zëvendësojë fjalën anglo-saksone parlament në fjalorin politik shqiptar. Në këtë vendim, të ndërmarrë nga gjuhëtarët tanë, i cili për hir të së vërtetës dhe është paragjykuar duke i bërë një lidhje se është marrë për t’iu përshtatur emërtimit të ish-Kuvendit Federativ të Jugosllavisë, në fakt ka mbizotëruar principi i kujtesës historike të thirrjes së kuvendeve shqiptare në Mesjetë.


Kështu, p.sh. më i famshmi mes tyre është Kuvendi i Lezhës (1444) që solli dhe krijimin e Lidhjes Shqiptare të Lezhës, formacionit politik që përfaqësonte fisnikërinë shqiptare në konflikt të hapur në atë kohë me otomanët. Por tradita e kuvendeve shqiptare nuk përfundoi aty. Numërohen edhe rreth tri kuvende të tilla që u ndërmorën në shekullin XVI-XVII si takime të rëndësishme të fisnikërisë shqiptare, që sërish kërkonte të arrinte bashkim politik për t’i mbijetuar furisë osmane. Gjithsesi, edhe pse fati i tyre nuk ishte i njëjtë si ai i Lezhës, pasi nuk arritën që të realizonin një nga qëllimet kryesore për të cilin ishin mbledhur, çlirimin e tokave shqiptare nga otomanët, mbledhja e tyre shërbeu mesa duket për të përforcuar kuptimin semantik të fjalës kuvend në gjuhën shqipe. Kjo gjë dëshmohet se dhe në periudhat e mëvonshme sa herë që pati takime të rëndësishme politike të shqiptarëve, ato u quajtën kuvende.




Mes tyre spikat Kuvendi i shqiptarëve në Prizren, më 10 qershor 1878, kuvend që bëri të mundur edhe lindjen e një formacioni të ri politik, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Në politologjinë shqiptare dhe në atë të huaj që flitet për Shqipërinë, është shkruar shumë për rëndësinë e këtij kuvendi, si dhe për vendimet që u ndërmorën aty, vendime që pranohen gjerësisht se janë shprehja e parë e kombësisë për shqiptarët në kuptimin modern të kësaj fjale. Mirëpo, edhe pse ky fakt është gjerësisht i njohur, data 10 qershor nuk ka hyrë në asnjë kalendar zyrtar si ditë përkujtimore dhe për më tepër vetëm nëpër përvjetorë ka marrë një vëmendje institucionale. Natyrisht, Lidhja Shqiptare e Prizrenit është shumë e rëndësishme se një përkujtim formal i ndërmarrë nga dy shtete shqiptare në rajon dhe mesazhet e saj janë bërë pjesë e artikulimeve politike të kombit shqiptar gjatë gjithë historisë së mëvonshme të tij. Pikërisht në këtë forcë përcjellëse mesazhesh dhe në trashëgiminë politike që ka krijuar, qëndron rëndësia e veçantë e Lidhjes dhe e datës 10 qershor si datë simbolike e themelimit të saj.


Lidhja Shqiptare e Prizrenit përfaqëson unitetin e kombit shqiptar, pasi ishte një krijesë e Komitetit Shqiptar të Stambollit që përbëhej nga intelektualët shqiptarë më të shquar të të gjithë krahinave të Shqipërisë e krijuar në kryeqendrën e Kosovës, që përfaqësonte elementin e forcës më të suksesshëm shqiptar në Perandorinë Otomane. Për më tepër vendimet e saj prekën si Veriun dhe Jugun, Lindjen dhe Perëndimin e Shqipërisë, duke i dhënë kohezionin e duhur shoqëror dhe kombëtar shqiptarëve. Lidhja Shqiptare e Prizrenit vjen si një histori qëndrese, pasi kishte kundër vetes vullnetin e pothuajse gjithë Fuqive të Mëdha të kohës dhe kundërshtoi çdo vendim të gabuar të tyre rreth tërësisë territoriale të shqiptarëve. Edhe pse aksioni i saj nuk rezultoi tërësisht i suksesshëm, pasi një qytet i banuar tërësisht me shqiptarë si Ulqini iu bashkëngjit pa të drejtë Malit të Zi, mesazhi i qëndresës ndaj vendimeve të padrejta të ndërkombëtarëve rreth çështjes shqiptare është aktual edhe sot. Me këmbënguljen e tyre stoike për të mos e bërë atdheun e vet plaçkë tregu, shqiptarët e asaj kohe u treguan ndërkombëtarëve se parimi i vetëvendosjes si parim universal i kombësive duhej përfshirë në gjeopolitikën e tyre në rajon dhe se asnjë popullsi që fati i keq mund ta kish detyruar të tretej në tisin e historisë nuk duhej nënvlerësuar.


Sot shqiptarët, edhe pse mund të quhet se janë përkëdhelur disi nga fati, pasi gëzojnë lirinë më të madhe politike se asnjëherë më parë, kanë mes tyre problemin e demokracive që nuk i kanë funksionale. Kjo gjë ndihet më së tepërmi në Shqipëri, ku pas zgjedhjeve të fundit në Maqedoni besoj se shqiptarët e Shqipërisë mbetën “delet e zeza” mes popullsive shqiptare në rajon për sa i përket këtij problemi. Pas vitit 1990, vit që e konsiderojmë si vitin e themelimit të demokracisë liberale, në Shqipëri pati vetëm lëvizje sociale dhe turbullira ekonomike, por nuk u organizua asnjë kuvend i ngjashëm si në të kaluarën nga elita politike shqiptare për të ardhmen. Në mënyrë të pakuptimtë u mohua një pjesë e mirë e kujtesës historike dhe vendi nuk mundi të dalë tërësisht i pajtuar dhe me energji të reja në skenën e re politike të Ballkanit. Mesa duket parimi dialektik i dy të kundërtave që kish qenë për një kohë të gjatë parim ushqyes i filozofisë së elitës shqiptare, nuk linte vend për një kuvend gjithëkombëtar, por kërkonte që të mbante me patjetër dualitetin e frikshëm të kundërvënieve politike dhe sociale. Pasojat e kësaj politike i shikojmë sot, ku shqiptarët të ndodhur në hyrjen e Bashkimit Europian nuk ndërmarrin dot një plan veprimi për të përmbushur 12 pika që iu kërkuan t’i plotësonin për të marrë një anëtarësim të shpejtë. Në këtë kuadër, 10 qershori dhe mesazhet e tij si hapi i parë i theksimit të të qenët europian i shqiptarëve merr një rëndësi të veçantë. Ndaj në respekt të atyre burrave që besuan se kjo popullsi e territore që ndanin një kulturë e gjuhë të përbashkët mund të krijonin një komb më vete, duhet që elita politike e sotme të ndërmarrë hapin e madh për organizimin e një kuvendi të tillë të shqiptarëve. Në fakt, më tepër se respekt ndaj tyre, këtë gjë ia detyrojmë vetes nëse vërtet dëshirojmë të mbetemi në thelb europianë dhe të jemi pjesë integrale e Europës.


Friday, 10 June 2011

Ndryshimi i elitave








Humbja në Ballkan shoqërohet me poshtërimin. Nuk e di se nga mund të ketë lindur kjo praktikë, por nëse hedh sytë në të kaluarën vëren shumë raste të denigrimit të fitores nga një festë e përgjithshme që duhet të ishte, në një maskaradë poshtëruese. Energjitë e mira dhe pozitive të emocioneve të brishta të fitores, shumë i shpejt i lënë vendin cinizmit dhe sarkazmës ironike ndaj kundërshtarit. Sigurisht që është e natyrshme që emocionet e fitores të krijojnë një gjendje deliri dhe entuziazmi, por është e patolerueshme që në situata të tilla që marrin zjarr lehtë në Ballkan, këto emocione të manipulohen dhe të krijojnë situata të pakëndshme për të gjithë qytetarët. Ky lloj perceptimi i tillë i fitores, në fakt shërben në drejtim të kundërt të asaj se çfarë në të vërtetë presupozohet të ishte afirmimi i një fitoreje. Më shumë se një triumf i një programi dhe një ideje i përngjan një platforme shkatërrimi dhe përmbysjeje për palën tjetër. Ky arsyetim sigurisht që çon ujë në mullirin e eliminimit të së kundërtës, të mospajtueshmërisë me të kundërtën dhe që nostalgjikëve mund t’u kujtojë materializmin dialektik, por qytetarëve të sotëm, për fat të keq, u kujton përleshjen e ethshme të politikës në Shqipëri. Por a është e ndershme që të luhet me emocionet politike të njërës apo tjetrës palë? A është ky një mentalitet europian i një klase politike europiane? Nëse hedhim sytë rreth e përqark në Ballkan, do të shikojmë se në asnjë shtet tjetër, që edhe pse mund të kenë kaluar përmes konflikteve etnike, nuk është parë kaq konflikt dhe mospërputhje sociale në shoqëri sa në Shqipëri. Po kështu, për një kohë të gjatë, të paktën që pas viteve 2000, nuk është parë në këto vende përplasje personale mes liderëve politikë që mbartin në vetvete dhe përplasje dhe mërira personale sesa grindje, për shkak kauzash dhe platformash politike. Dhe kjo gjë ka ardhur, jo për shkakun se popujt dhe liderët e tjerë ballkanikë nuk kanë kolorit të fuqishëm karakteri si liderët tanë, por sepse në mënyrë të natyrshme në këto vende është bërë shndërrimi i elitave kulturore dhe politike. Në Shqipëri, për fat të keq, kjo dukuri është frenuar dhe prurjet e reja në politikë u përngjajnë më tepër liderëve të tyre partiakë që i kanë promovuar sesa kanë ravijëzuar individualitete të veçanta. Kjo duket qartë se debati politik udhëhiqet vetëm nga liderët e vjetër dhe nuk ka asnjë iniciativë për shtensionimin e situatës që mund të vinte nga politikanët e rinj.


Për fat të keq, situata në të cilën përballet Shqipëria, nuk mund të jetë produkt faji i njërës palë, pasi në këtë lloj mënyre do të ishte shumë më e lehtë për t’i zgjidhur gjërat. Aq më tepër dhe miqtë tanë ndërkombëtarë do ta kishin më të lehtë për të identifikuar fajtorët dhe jo të trullosnin sot opinionin publik shqiptar me fjalë të përgjithshme dhe me kumt gjasme asnjanës, por që i jep mundësi të gjithë spektrit politik t’i analizojë sipas dëshirës. Një përplasje e tillë e madhe kërkon dhe negociatorët dhe njerëzit e vet. Për më tepër se dy vjet, partnerët tanë ndërkombëtarë na ka lënë në dorën tonë që të zgjidhim krizën, të maturohemi e të marrim përgjegjësitë tona për integrimin e vendit. Edhe pse ky arsyetim në dukje është i pranueshëm, në fakt ai ka rezultuar i gabuar. Duam apo nuk duam ne sot ta pranojmë, faktori dhe klasa politike shqiptare është treguar e paaftë që të negociojë mes vetes dhe aq më tepër të bëjë kompromis. Për fat të keq nuk kemi vërejtur një angazhim serioz të saj për të kapërcyer krizën, por në të kundërt është vërejtur nxitja e debateve të vogla për të fituar kohë dhe gjasme për t’ia lënë zgjidhjen të nesërmes. Mirëpo kjo shtyrje kohë pas kohe e problematikës dhe thelbit të debatit në fakt ka shërbyer për të mbajtur ndezur për një kohë të gjatë jonizimin e situatës, gjë që e kemi parë dhe në shkarkime emocionale të mëdha pa marrë parasysh pasojat. Por a meritojnë sot shqiptarët në shekullin XXI që të mbeten peng të politikave të tilla? Sigurisht që jo, por natyrisht që nuk mjafton që kjo gjë vetëm të artikulohet, por kërkohet që të ketë ndryshim dhe në perceptimin e situatave të tilla konfliktuale. Marrëdhëniet e brezit të ri dhe brezit të vjetër të politikanëve duhet ta braktisin modelin Faustian të paktit me Mefistofelin për të fituar rininë, por të fillojnë një reformim të vetë partive politike shqiptare, ku vlerat demokratike të zgjedhjeve të lira vetë brenda tyre të bëhen model dhe për shoqërinë. Nëse politika shpeshherë, për shkak të kompleksitetit të saj krahasohet si det i madh, ku derdhen të gjitha pasionet politike, ka ardhur koha që notarët profesionistë të mësojnë dhe zhytjen, sepse problemet gjenden shumë thellë brenda organizimeve të tyre partiake dhe pastaj të fillojnë të notojnë sërish në sipërfaqe.


Thursday, 2 June 2011

Orakujt ndërkombëtarë dhe politika shqiptare







Tempulli i Dodonës dhe ai i Delfit kanë qenë dy nga orakujt më të shquar të botës antike. Herodoti dëshmon në veprën e tij “Historia” në shekullin V p.e.s. se Tempullin e Dodonës e themeloi një nga priftëreshat që u rrëmbyen nga fenikasit në Tempullin e Tebës në Egjiptin e largët dhe që kur mbërriti në Dodonë në Epir në formën e një pëllumbi të zi deklaroi se këtu ishte një vend i shenjtë për t’u ngritur një tempull në nderim të Zeusit, kryezotit të perëndive. Më andej Herodoti e vë paksa në dyshim këtë legjendë, duke shkruar se gratë e quajtura si pëllumbesha, në fakt nuk duhet të kenë qenë të tilla, por duke qenë të huaja, ku flisnin një gjuhë që vendasit nuk e kuptonin, ata duhet ta kenë marrë për gjuhë zogjsh. Gjithsesi, Herodoti nuk vë në dyshim shenjtërinë e vendit dhe të priftëreshave, të cilat dëgjonin shushurimat e lisave dhe i interpretonin ato si kumte të perëndive për njerëzit dhe fatin e tyre. I përngjashëm është dhe themelimi i tempullit të Delfit, ku hyu Apollon u shfaq në formën e një delfini duke mbajtur mbi shpinë priftërinj kretanë, të cilët u shndërruan në orakujt e tempullit dhe që në ditirambet homerike shfaqen me emrin Pytho. Që atëherë priftëresha e Tempullit të Delfit quhej Pythia. Të dy tempujt shërbenin si vende të shenjta për popullsinë, ku ata jo vetëm përpiqeshin të gjenin të ardhmen e tyre mes kumteve dhe belbëzimeve të vështira të priftëreshave të tempujve që vinin mes ekstazës së përkushtimit ndaj zotave, por dhe të formonin aty aleanca politike e ushtarake dhe madje të organizonin edhe lojëra atletike.




Përtej analizës së rëndësisë së tyre si shprehje të inteligjencës së lartë dhe të besimit të patundur ndaj zotave, por dhe të marrëdhënieve kulturore Lindje-Perëndim që nuk është vështirë të identifikohen në këto mite, ato kanë shërbyer për një kohë të gjatë në fjalorin politik si shprehje të hendekut të madh që ekziston midis parashikuesve dhe këshilltarëve dhe zbatimit të drejtë për së drejtë të politikës. Në këtë gjendje, për më tepër se dy vjet është zhytur politika shqiptare dhe habitati i saj politik, që edhe pse nën vëzhgimin dhe këshillimin e drejtë për së drejtë të diplomacisë ndërkombëtare nuk ka arritur akoma të dalë mbi veten dhe të gjejë një zgjidhje politike të qëndrueshme për të eliminuar konfliktet. Por nëse në mitet e lashta, udhëheqësit dhe prijësit e botës antike janë të aftë të kuptojnë mesazhet-belbëzime të orakujve, një gjë e tillë nuk po ndodh nga klasa politike shqiptare. Ky moskuptim i qartë i mesazheve dhe kumteve të ndërkombëtarëve i dedikohet jo vetëm paaftësisë së klasës politike shqiptare, siç mund të dëgjohet rëndom, por ndodh dhe për shkak të ambiguitetit të mesazheve të tyre, të cilët kësaj here në krizën shqiptare ua kanë kaluar edhe orakujve të botës antike.


“Dy gjysmë të vërteta nuk bëjnë kurrë një të vërtetë”. Për fat të keq, në marrëdhëniet me krizën shqiptare ndërkombëtarët e kanë harruar këtë aksiomë. Qëndrimi kinse ekuilibrues, ku një deklaratë për njërën palë nxiton të pasohet nga tjetra, nuk ndihmon në shtensionimin e situatës, por përkundrazi vazhdon t’u japë argumente bindëse militantëve për të shtrënguar radhët pas udhëheqësve të vet. Në marrëdhëniet e gjata, pothuajse njëzetvjeçare të politikës shqiptare me komunitetin ndërkombëtar, kjo fazë e sotmja mund të perifrazohet si faza e Janusit, njeriut me dy fytyra në mitologjinë romake, pasi ka më tepër se dy vjet që dëgjojmë inflacion të epiteteve miklues për klasën tonë politike dhe udhëheqësit e saj, por që në fakt ne nuk po shohim më as edhe një gjurmë të këtyre cilësive në horizont. Për më tepër jemi mbërthyer gjithë sy e veshë si banorët antikë për të dëgjuar orakujt e sotëm të politikës shqiptare, ambasadorin amerikan, ambasadorin e Bashkimit Europian, të OSBE-së e ku di unë çfarë, mjafton që të dëgjojmë një deklaratë që u shërben qëllimeve tona politike.


Kjo mënyrë sjellje, përveç që dëshmon kulturën tonë të ulët të vetëqeverisurit, për fat të keq nënvizon edhe një tipar tjetër negativ, atë të servilizmit politik që është shpërndarë në mënyrë vertikale në të gjitha qelizat e shoqërisë sonë. Kur Shqipëria doli nga një prej diktaturave më të egra dhe përqafoi demokracinë liberale si sistem qeverisës, nuk besoj se ëndrra e atyre që kontribuuan sadopak në ndërtimin e këtij shteti ishte që Shqipëria të kthehej në një “demokraci bananesh” të tipit të vendeve të Amerikës Latine, ku sundon autoritarizmi dhe ai quhet si vlerë në ecjen përpara të kombit. Në të kundërt, të ofenduar në sedrën e vet kombëtare, për shkak të miqësive të vështira dhe jo natyrale, me aleatë që historikisht nuk e kish lidhur asgjë si jugosllavët, rusët e kinezët, pas viteve ‘90 ata pritën që këto marrëdhënie me miqtë e rinj euroatlantikë në mos mund të zhvilloheshin në bazë të reciprocitetit të paktën të ishin të çiltra dhe pa doza ambiguiteti të dyshimtë interesash. Nëse ata nuk ia dolën mbarë dhe ne sot vërdallosemi në një krizë politike spirale që sa vjen e ngrihet, mendoj se tashmë ka ardhur koha nga vetë qytetarët për t’u kërkuar të zgjedhurve të tyre më tepër dinjitet për t’i përfaqësuar në marrëdhëniet e tyre me partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë.


Dinjiteti i Shqipërisë dhe shqiptarëve ngrihet kur klasa politike arrin të bëjë marrëveshje dhe kompromise mes vetes pa ndihmën e ndërkombëtarëve dhe arrin të çlirojë energji pozitive në këtë lloj mënyre për gjithë qytetarët e vet. Natyrisht që kjo gjë nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet aktuale të Shqipërisë si me magji, por si fillim do të ishte një fillim i mirë dhe në përgjithësi çdo fillim që përkrah dinjitetin si koncept është një fillim i mbarë.