"The
Balkans produce more history than they can consume"
Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë.
Winston Churchill (1874-1965)
Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë.
Winston Churchill (1874-1965)
Nuk
besoj se mund të ketë vend tjetër në botë që një histori njerëzore e cila ka
ndodhur shekuj më parë të mund ta dëgjosh në disa variante të ndryshme por dhe
të ngjashme në të njëjtën kohë, ashtu si mund të të ndodh rëndom në Ballkan.
Kështu p.sh legjenda e murimit ka variantet e saj gjithandej nëpër Ballkan dhe
pothuajse të gjithë popujt e rajonit pretendojnë se kanë qenë të parët që e
kanë krijuar, dhe për më tepër se popujt e tjerë e kanë huazuar prej tyre. Nuk
është e vështirë që në këtë mitomani të zbulosh kapardisjen tipike ballkanike
kur vjen puna për të dëshmuar vjetërsinë në rajon dhe për tu dukur sa më të
veçantë.
Deri
këtu nuk ka asnjë gjë të keqe pasi fundi-fundit duke qenë një nga truajt më
prodhimtarë të njerëzimit për sa i përket fantazisë rreth miteve dhe
legjendave, kjo ndjenjë mund të duket e justifikueshme tek çdo popull i rajonit
si një reflektim i drejtë për së drejti i fantazisë krijuese, por kur zbulon se
shpesh herë deklarime të tilla bëhen për ti mohuar të tjerëve autoktoninë dhe
akoma më keq kur në bazë të tyre janë caktuar kufij imagjinarë që pas
konferencave diplomatike janë kthyer në kufij të vërtetë pasojat e të cilëve
ndihen dhe sot në rajon, atëherë kupton se kjo kapardisje i ka kushtuar rëndë
gjithë rajonit. Në fakt me një shikim të shpejtë realizon se kjo kacafytje
legjendash dhe mitesh nuk është e vjetër sa legjendat. Ajo ka marrë udhë në fillim
të shekullit të XIX kur Ballkani u rizbulua nga udhëtarët evropianë dhe rajoni
nën ndikimet e Revolucionit francez dhe lulëzimit të tregtisë me Perandoritë
Austriake dhe Ruse filloi të fitonte identitetin e tij të ndryshëm nga
uniformiteti që ofronin otomanët. Ky kalim i popullsive nga sistemi i mileteve
të identifikimit të popullsive në bazë të besimit fetar që aplikohej në
Perandorinë Otomane drejt identiteteve kombëtare nuk ishte i lehtë. Përveç
zhvillimit pozitiv etnocentrist të krijimit të kombeve, për fat të keq ky
proces u shoqërua me një luftë të ashpër të elitave ballkanike të joshura dhe
nga Fuqitë e Mëdha të kohës për të siguruar hegjemoni në rajon duke e
shndërruar atë në një shesh beteje të vërtetë të nacionalizmave për të krijuar
shtetet e tyre kombëtarë. Në këtë luftë të paprinciptë midis tyre nacionalizmat
ballkanikë rekrutuan gjithçka duke filluar nga historia, folklori, etnografia,
miqësitë diplomatike e deri tek gënjeshtra, pabesia e urrejtja.
Shekuj
të tërë të ndarjes së fatit të përbashkët u harruan dhe në vend të tyre u
krijuan platformat ideore të mbrapshta si ishin si ajo e Cubroloviqit për
dëbimin e shqiptarëve nga Kosova,helenizmi në masë i Maqedonisë,Epirit dhe
Trakës, bullgarizimi i Maqedonisë dhe Trakës,turqizmi i shqiptarëve dhe
boshnjakëve etj. Historia e shekullit të XIX të shtetformimit të kombeve
ballkanikë nuk është vetëm historia e suksesshme e daljes në skenën politike të
kombeve të reja por dhe historia e mjerueshme e krijimit të laboratorëve të
urrejtjes dhe mashtrimit për të përfituar sa më shumë territore në kurriz të
njëri-tjetrit pas tërheqjes së otomanëve nga Ballkani. Në thelb të këtyre
laboratorëve të mbrapshtë qëndronin dy ndjenja të kundërta me njëra-tjetrën. Së
pari kombet e hershme ballkanikë që formuan më shpejt shtetet e tyre kombëtarë
si grekët dhe serbët bënë për vete ndjenjën e poshtërimit ndaj kombeve të tjerë
në Ballkan duke u përpjekur të fabrikonin origjinën e tyre apo duke u mohuar
çfarëdolloj lidhje vlefshme me qytetërimin perëndimor. Kështu p.sh shqiptarët
në fillim i nxorën si turq nga Anadolli të vendosur në Ballkan në shekullin e
XVII ose kur e panë sesa false ishte teoria e tyre u munduan t’iu fabrikojnë
një origjinë tjetër, larg nga Ballkani duke lidhur emrin Albania me toponimin
Albania të Kaukazit. Heroin kombëtar të tyre Skënderbeun u munduan ta
nxjerrin herë grek dhe herë sllav, gjithmonë duke vënë në dyshim mundësinë e
shqiptarëve për të pasur një hero të tillë dhe duke ia mohuar çfarëdolloj
lidhje me qytetërimin perëndimor të mesjetës para otomane.
Edhe
kombeve të tjerë në Ballkan si bullgarët, maqedonasit dhe rumunët nuk patën fat
më të mirë se shqiptarët pasi në zgjimin e tyre nacionalist iu desh të
përballeshin sërish me origjinën e mohuar ballkanike apo heronjtë e vjedhur nga
nacionalizmat grekë dhe serbë. Së dyti ata krijuan mitin e viktimizimit ku
përgjatë historisë shumë shekullore vetëm këta kombe ishin persekutuar, vuajtur
dhe humbur territore. Miti i luftës së Kosovës dhe ai i Perandorit të fundit të
Bizantit përveç se ishin një dëshmi e muzës epike e rapsodike të ngjarjeve
ushqyen me urrejtje dhe dëshirë për revansh brezat e shekullit të XIX të
serbëve dhe grekëve respektivisht duke krijuar një klimaks që shpërtheu
trishtueshëm gjatë luftërave ballkanike me masakrat e pashembullta të kryera
veçanërisht ndaj popullsive civile. Ndonëse në erën e re të ndryshimeve pas
proceseve integruese që kanë ndodhur në Ballkan si rënia e murit të Berlinit,
rrëzimi komunizmit, hyrja në NATO dhe B.E për shumë vetë mund të mendohet se
Ballkani i vjetër është tashmë duke dhënë shpirt dhe një klimë e re
bashkëpunimi ka lindur në rajon.
Por
është ende herët mesa duket për të përqafuar këtë konstatim sepse dhe pse ka
kaluar mëse se një shekull,laboratorët e vjetër të fabrikimit të historive dhe
të krijimit të precedentëve të paprinciptë vazhdojnë fatkeqësisht të jenë
efikas në mendjet dhe zemrat e atyre që akoma duan ta shikojnë rajonin rob të
së kaluarës. Ngjarja më e fundit në Himarë, ku një bashkatdhetari ynë humbi
jetën në një aksident tragjik u përpoq ti përcillej opinionit publik si një
krim etnik për të ngjallur përmes fatit të trishtë të viktimës së ndjerë
keqardhje dhe simpati për të “ndryshuar njëherë e mirë situatën në zonë” dhe
për ta njohur atë si zonë minoritare. Madje u kalua dhe më tej me thirrje për
të patrulluar dhe ruajtur rendin në krahinë nga “policë minoritarë” –një
dispozitë e hershme e Protokollit famëkeq të Korfuzit(1913) për ata që se
mbajnë mend ose një Mitrovicizim i territorit shqiptar për ata që kanë dijeni
për çka po ndodh në Kosovë. Por a ishte vdekja e dhimbshme e bashkëpatriotit
tonë në Himarë me sfond etnik? Sigurisht që fjalën e fundit do ta thotë
drejtësia shqiptare që s’ka pse të paragjykohet me këtë rast por ajo që ia vlen
të theksohet është se në kulturën shtetformuese shqiptare nuk ka pasur
precedentë të tillë edhe në kohët më të vështira kur eksponentë të helenizmit
në Shqipëri kanë bërë hapur intriga për shkatërrimin e shtetit shqiptar.
Në
të kundërt bashkëpatrioti ynë Aristotel Guma nuk ishte një i tillë. Gjuha e
dytë që fliste nuk ishte tipari dallues që e bënte të veçantë pasi krahina të
tilla bilinguale ka gjithandej nëpër Ballkan por ajo që tingëllon e veçantë
është sesi fatin e trishtë të një qytetari të zakonshëm shqiptar që ashtu si
gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë kish jetuar nën diktaturën më të rreptë të
rajonit dhe pastaj kish kaluar nëpërmjet kalvarit të pafund të tranzicionit,
mekanizmat e vjetër të urrejtjes u munduan të shfrytëzojnë për kapital politik
dhe destabilitet të rajonit. Është për të ardhur keq kur konstaton se kjo
histori e stisur tensioni etnik i kish të gjitha tiparet e historive të vjetra
të konflikteve të shekullit të XIX midis shtetit grek dhe shoqërisë shqiptare
që luftonte për të fituar identitetin e saj. Për të gjithë ata që i njohin
përpjekjet për helenizimin e Epirit janë të njohura “revoltat” e popullsive
lokale që kinse “vuanin” nën thundrën e shqiptarëve myslimanë, deklaratat
mbrojtëse dhe kërcënuese nga Athina dhe pastaj mbështetja e prelatëve të Kishës
Ortodokse për ti dhënë martirizimit të popullsisë dhe një përdëllim hyjnor.
Edhe
kjo histori e stisur në Himarë i pati pak nga të gjitha tiparet e mësipërme
duke lënë një shije të keqe jo vetëm për rajonin por dhe për vëzhguesit
ndërkombëtarë që vazhdojnë mjerisht të ngrënë supet të çuditur kur dëgjojnë
historira të tilla. Afër 70 vjet më parë një fuqi e madhe si Italia u mundua që
vrasjen e një patrioti shqiptar si Daut Hoxha ta shfrytëzonte maksimalisht duke
i shpallur luftë Greqisë nëpërmjet territorit shqiptar që kishte pushtuar. Për
Italinë një shtet totalitar atëherë nuk kish fare rëndësi fati i një njeriu por
i rëndësishëm ishte qëllimi i pushtimit të territorit që e lejonte të bëhej zot
i Mesdheut Lindor. Natyrisht që në kohërat moderne nuk mund të bëhet më fjalë për
pushtime dhe luftëra të tilla por sigurisht që mund të bëhet fjalë për “luftëra
të heshtura” për administrimin e territorit si është ajo në jug të Shqipërisë
midis shtetit shqiptar dhe bashkisë së vetëshpallur minoritare të Himarës.
Parimi evropian i decentralizimit të pushtetit qendror duke i dhënë përparësi
pushtetit lokal është keqkuptuar në Himarë sa persona që fatkeqësisht janë të
veshur dhe me pushtet mund të ndërmarrin akte të tilla si përdorimin zyrtar të
një gjuhe tjetër për emërtimin e rrugëve kur Kushtetuta nuk e lejon dhe akoma
më keq bllokimi i rrugëve dhe lëshimi i deklaratave të papërgjegjshme që veç
paqes dhe bashkëjetesës nuk i shërbejnë.
Krijimi
i një shteti kombëtar nënkupton dhe administrimin e drejtë të gjithë territorit
nga elita politike e atij vendi. Në rastet kur elita politike nuk i plotëson
dot kërkesat minimale të popullsisë si është administrimi i territorit për të
cilin mban përgjegjësi, zgjidhja është ose të iki ajo vetë nga skena politike
duke ia lënë vendin një elite të re ose sipas Brehtit të “gjejë një popull
tjetër për të qeverisur”. Përderisa populli shqiptar me gjithë kalvarin e
dhimbshëm të tranzicionit të gjatë ka zgjedhur për të jetuar këtu, atëherë
elita politike duhet më së fundi të maturohet për të mos u mbajtur mend si
elita politike që nuk qe e zonja të administronte një territor që e kish
trashëguar nga elita politike të mëparshme që me më pak burime financiare dhe
miq ndërkombëtarë ia kishin dalë zot ta administronin për së mbari.
No comments:
Post a Comment