Fjala
"hesap" vjen nga fjala arabe "hasaba", që do të thotë të
bësh llogari. Prej gjuhës arabe ajo ka hyrë në gjuhën turke dhe prej andej në
pothuajse të gjitha gjuhët e Ballkanit. Në të gjitha këto gjuhë gjenden dhe
metaforat si "larje hesapesh" apo "hesapet e mira bëjnë miq të
mirë". Kur kanë ngatërruar hesapet me njëri-tjetrin popujt ballkanikë, në
shesh kanë dalë kasapët për t‘i zgjidhur ato. Edhe fjala kasap vjen nga
arabishtja prej foljes "qassaba" e, prej saj në turqisht dhe gjuhët e
tjera të Ballkanit. Do të thotë ‘të presësh mish”. Natyrisht, rruga nga
llogaritë dhe matjet e deri te të prerit mish është e gjatë,por e mjaftueshme
për të treguar historitë e nacionalizmave dhe fillesat e shteteve ballkanik.
Kasapi i fundit i Ballkanit ishte Sllobodan Milosheviçi, njeriu që vdiq
në Hagë, i papenduar për ç‘kishte bërë, por duke këmbëngulur deri në fund se
kish vepruar më të mirën e kombit të tij (natyrisht, edhe për të keqen e
kombeve të tjera). Gjithsesi, ai nuk ishte kasapi i vetëm i Ballkanit, madje i
identifikuar si i tillë nuk mund të sjellë më rrezik, pasi vepra e tij (edhe
pse pas vdekjes) u dënua nga Tribunali i Hagës.Para tij ka pasur dhe kasapë të
tjerë, të cilët akoma vazhdojnë të fshihen në tiset e historisë dhe ndonjëherë
kanë marrë dhe dozat e adhurimit të heroit. Një prej tyre është dhe Napoelon
Zerva, organizatori dhe përgjegjësi kryesor për masakrën ndaj popullsisë
shqiptare çame në vitin 1945. I identifikuar katër vite më vonë si bashkëpunëtor
me gjermanët, Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi veton për të mos e lejuar
të merrte pjesë në qeverinë greke. Gjithsesi, ky hap nuk ishte i mjaftueshëm
për ta vënë në bankën e të akuzuarve, pasi kontributi i tij, veçanërisht ndaj
viktimave të tij popullsisë çame u quajt shumë më i vlefshëm se marrëveshjet që
kishte bërë me oficerët e Rajhut për të mos goditur trupat gjermane. Statuja e
tij qëndron krenare në qytetin e Janinës, duke u bërë akoma sfidë e të
shpërngulurve çamë që janë në Shqipëri e që nuk mund të vendosin dot asnjë tufë
me lule në varret e të parëve të tyre.
Me sa duket i "vlefshëm" vazhdon
të quhet kontributi i tij dhe për qeveritë shqiptare, pasi deri më sot, asnjë
Kryeministër shqiptar në bisedimet me palën greke nuk e ka përmendur për të keq
këtë kasap ballkanik, dhe për më tepër, asnjëherë nuk ka marrë seriozisht për
të vendosur në tavolinën e bisedimeve hesapet e pazgjidhura me Greqinë.Pala
shqiptare, në 97 vjet shtet, gjithmonë ka dëshiruar marrëdhënie të mira e të
sinqerta dhe shumë herë, me një kompleks inferioriteti të trashëguar, ka bërë
edhe kompromise në dëm të saj. Ndërsa pala greke gjithmonë ka insistuar në
kërkesat e saj. Ajo që të shqetëson nuk është pamundësia për t‘iu përgjigjur
politikës konstante greke ndaj Shqipërisë, por mungesa e dëshirës për ta bërë
një gjë të tillë nga pothuajse të gjitha autoritetet shqiptare të pas viteve
‘90, e fshehur kjo me petkun e "rrugës së integrimit", sesa
"nacionalizmit të verbër", sikurse përshkruhen shpeshherë problemet e
pazgjidhura të shqiptarëve me Greqinë.
Por a është çështja çame vetëm një pasion
nacionalist i shqiptarëve apo një çështje evropiane e mohimit të pronësisë dhe
si rrjedhojë edhe të një prej të drejtave themelore të njeriut? Përse nuk
prezantohet si e tillë para kancelarive të Evropës nga ana e shtetit shqiptar,
por heshtet në mënyrë totale duke ruajtur në këtë mënyrë "lukun"
demokratik të Greqisë? Një krahasim me shtetin shqiptar të kohës së Mbretërisë
tregon se monarkia shqiptare është sjellë më me dinjitet, edhe pse në kushte ekonomike
e politike shumë më të disfavorshme sesa të shtetit të sotëm shqiptar. A është
Traktati i Miqësisë, i nënshkruar me Greqinë më 1996, baza më e mirë ligjore
për të zgjidhur problemet apo është një labirinth juridik për t‘i varrosur
njëherë e përgjithmonë ato? Përse propagandohet me të madhe si themeli i
zgjidhjes së problemeve, kur në fakt komisionet e tij të përbashkëta as që janë
mbledhur ndonjëherë për të diskutuar mbi këto çështje? A duhet ta
"varrosim" çështjen çame në emër të integrimit, siç pretendohet dhe
të hyjmë kështu në Mbretërinë e Shtetit të së Drejtës (Bashkimi Evropian) duke
u bërë bashkëfajtorë në një padrejtësi të madhe?Rivendosja e së drejtës përbën
një nga motivet kryesore të tragjedisë klasike greke, ku heronjtë nuk gjejnë
prehje derisa ajo të rivendoset.
Hiri i djegur i Trojës dhe dhuna e ushtruar
ndaj banorëve të saj u bënë makthi i pashembullt i gjithë shoqërisë klasike
greke, e cila pati kurajën ta dëshmojë në monumente të pashembullta të fjalës
së shkruar, siç ishin tragjeditë. Djegia e Çamërisë dhe dhuna e pashembullt e
ushtruar ndaj banorëve të saj duhet të bëhet "Troja moderne‘ e shoqërisë
së sotme greke, në mënyrë që të vdekurit në Çamëri, të gjallët që nuk mund t‘i
shohin varret e të parëve, dhe Shqipëria e Greqia si vende fqinje, të gjejnë
qetësi.
No comments:
Post a Comment