Thursday, 12 March 2009

Skënderbeu dhe Kombi




Në tragjedinë “Hamlet” të Shekspirit, princi tragjik i Danimarkës për të vërtetuar dyshimet e veta ndaj të ungjit, organizon shfaqjen e një pjesëze teatrale të quajtur “mouse-trap”. Në saj të kësaj pjesëze, princi dyshues dëshiron të riprodhojë skenat e jetës së mëparshme të atit të vet deri ne çastin fatal, atë të helmimit.
Ndërgjegjja e plagosur e Klaudit, mbretit uzurpator të Danimarkës nuk e pranon dot realitetin ku e rikthen pjesëza, ndaj Klaudi e braktis sallën duke përforcuar kështu dyshimet e Hamlet-it.
E risjellim gjithë këtë atmosferë mesjetare, pasi tani së fundmi opinioni shqiptar është ndeshur me një atmosferë të tillë, jo kaq të largët për sa i përket largësisë gjeografike si në sagën nordike të Hamlet-it, por të barabartë për nga mesazhet dhe motivet që përcillen aty me vetë atmosferën e tragjedisë. Fjala është për romanin “Të jetosh në ishull” i autorit Ben Blushi dhe përkthimin e monografisë “Skënderbeu” të Schimid-it në gjuhën shqipe, të cilët kanë pështjelluar mendimin intelektual shqiptar, për sa i përket rëndësisë së simboleve kombëtare dhe edukimit nacionalist në tërësi.
Të dy veprat kanë shërbyer si pjesëza mouse-trap e “Hamletit” për të zbuluar “alter egon” e fjetur të shoqërisë shqiptare, në të cilën ashtu si dhe në shoqëritë dhe kombet e tjerë të Evropës ndihen ndikimet e formulës së njohur komb-shtet dhe edukimit nacionalist në varësi të kësaj formule. Për të përftuar këtë edukim, shqiptarëve iu desh të sendërtonin identitetin e tyre mbi dy faktorë kryesorë: Gjuhën shqipe dhe figurën e Skënderbeut. Por ndërsa e para nuk paraqet më rrezik për tu humbur sepse në shtetet shqiptare në rajon ka marrë statusin zyrtar, figura e Skënderbeut vazhdimisht është sulmuar dhe munduar të përvetësohet qoftë origjina e tij nga vendet fqinj, qoftë misioni i tij nga studiues të ndryshëm(edhe pse libri i Schimid-it nuk e ka fare këtë tendencë). Është e natyrshme që kjo gjë të krijojë tension në shoqërinë shqiptare për të gjithë arsyet e mësipërme, por në të njëjtën kohë shërben dhe si skaner për të nxjerrë në pah kategori të ndryshme mendimit intelektual shqiptar.
Ajo që vihet re më së fundmi është se ka një “dashuri” dhe një “përkushtim” të papritur të disa studiuesve me të “mitin” rreth figurës së Skënderbeut. Teza e tyre më e preferuar është se Skënderbeu është një “mit i krijuar gjatë Rilindjes sonë kombëtare dhe si i tillë ai duhet trajtuar”. Argumentet përmbledhtas vazhdojnë se me mistifikimin e Skënderbeut ne kemi rritur breza të tërë me gënjeshtra duke kultivuar “kulturën rrenës dhe manipulimit”(shih Fatos Lubonja, Korrieri 30 Nëntor “Bëhu i ditur të jesh i lirë”)
Natyrisht janë për tu përshëndetur studimet dhe shkrimet e autorëve të huaj dhe vendas për dekonstruktimin e mitit të Skënderbeut të ngjizur gjatë Rilindjes Kombëtare dhe të rrimarë nga nacional-komunizmi gjatë regjimit diktatorial kur theksojnë se misioni i këtij miti ka përfunduar në krijimin e ndërgjegjes kombëtare në mesin e shekullit të XIX dhe se tani në shekullin e XXI është “koha që shqiptarët të bëhen qytetarë” (shih Korrieri, 30 Nëntor “Bëhu i ditur të jesh i lirë”)në tërë kuptimin social-filozofik të kësaj fjale, por pavarësisht nga përpjekjet e njeriut modern shqiptar për tu përsosur,çështja mund të shtrohet me një pyetje intriguese. A e ka mbaruar tërësisht misionin e vet figura e Skënderbeut? Me fjalë të tjera a është përfunduar projekti i Rilindjes Kombëtare shqiptare, ku figura e Skënderbeut ka shërbyer si identitet formues për shqiptarët?
Kur rilindësit shqiptarë projektuan nacionalizmin shqiptar dhe bashkë me të dhe figurën e Skënderbeut, ata projektuan atë mbi bazën e modelit të romantizmit gjerman rreth kombit,dhe jo tij francez siç është pretenduar deri tani, d.m.th se kudo ku kish shqiptarë ata duhet të përfshiheshin në shtetin e ardhshëm shqiptar, ndërsa situata e sotme edhe pse e përmirësuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nuk i përgjigjet këtij realiteti.
Më tepër se gjysma e Shqipërisë natyrale(shih Koço Danaj Shqipëria Natyrale) ndodhet jashtë kufijve të Shqipërisë çka do të thotë se para se dekonstruktojmë mitin e Skënderbeut ne duhet të rishikojmë dhe konceptin tonë për kombin. Me fjalë të tjera do t’i mbetemi besnik variantit të rilindësve(varianti i gjerë, kudo ku ka shqiptarë shtrihet kombi shqiptar) apo do të pranojmë atë që qeveritë shqiptare të deritanishme që nga koha e mbretërisë dhe tash i kanë imponuar popullit shqiptar.(varianti i ngushtë ,Kombi shqiptar është vetëm brenda territoreve të republikës së Shqipërisë). Në rastin e parë koha ka treguar se figura e Skënderbeut ka shërbyer si identitet formues si gjatë Rilindjes ashtu dhe në suksesin e ngritjes së përmendores së tij në Prishtinë dhe Shkup dhe ndoshta nesër pse jo në Ulqin dhe Preshevë, kurse në rastin e dytë ne duhet të braktisim ëndrrën për një hapësirë gjithëpërfshirëse shqiptare dhe të shikojmë si të përsosemi si individë.
Në vërtetë ky është dhe thelbi i përplasjes midis rrymave të ndryshme të mendimit intelektual shqiptar, që shpesh herë merr emërtime të ndryshme dhe ndahet në “evropianistë” dhe “nacionalistë” në “integrues” dhe “izocionalistë” në “modernë” dhe “konservatorë” por që në thelb nuk mund të fshehin krizën e vërtetë të mendimit politik shqiptar në fundshekullin e XX dhe në dhjetëvjeçarin e shekullit të XXI. Si për ironi të fatit pas afërsisht 100 vjetësh pavarësi dhe shteti shqiptar, nuk ekziston një platformë e qartë e zgjidhjes së çështjes kombëtare por përkundrazi vërehet një vrapim drejt “evropianizimit” të qytetarit shqiptar, ku i kërkohet të ç’mitizohet shpirtërisht dhe përsoset si kozmopolitan. Jemi të vetmit në Ballkan që nën influencën e Globalizmit dhe të kinse integrimit tonë në Bashkimin Evropian kemi ndjenjën më të ulët kombëtare, fenomen ky i dëshmuar me indiferencën e qytetarëve për sa i përket problemit kombëtar dhe akoma më keq përqafimit të një identiteti tjetër kombëtar si rasti i një pjese të emigrantëve tanë në Greqi. Në asnjë vend tjetër ballkanik edhe pse shkencat sociale kanë pasur një zhvillim shumë më të madh se tek ne, nuk gjen përpjekje të tilla c’mitizuese pasi mbi bazën e tyre kanë ndërtuar platformat e tyre nacionaliste të cilat janë shndërruar në dokumente të përfillshme në Konferencat e Paqes, dhe po mbi bazën e tyre janë përfituar dhe territore në kurriz të etnisë shqiptare. Kujto këtu mitin e Car Llazarit të serbëve, Bizantin e grekëve dhe Car Simonin e bullgarëve. Në këtë sens tendenca ç’mitizuese rreth figurës së Skënderbeut pa sqaruar së pari dilemën e parë nëse duam një shtet gjithëkombëtar apo një shtet të vogël shqiptar të papërfillshëm në rajon tingëllon paradoksale dhe ilustron më së miri frikën shekullore të shqiptarëve për të shprehur një realitet të vërtetë.
Miqësia franko-gjermane e cila merret si shembull i dekonstruktimit të miteve të së kaluarës ka ecur paralelisht në të dyja vendet dhe vetëm pas 30 vjetësh bashkëpunimi historianët e këtyre vendeve mundën të prodhojnë një tekst të përbashkët së historisë së tyre. Realiteti i sotëm në Ballkan ku të gjitha kombësitë spikatin me forcimin e miteve të tyre kombëtare nuk mund t’u japë shqiptarëve luksin të mbeten pa identitet formues. Shqiptarët për të gjithë ata që e duan apo se duan janë të “dënuar” për tu bashkuar dhe figura e Skënderbeut si një simbol bashkimi ka se ç’afron në këtë drejtim.


Shekulli 16. 03. 2009


No comments: