Saturday, 7 February 2009

Opinioni publik dhe rinegocimi i marrëveshjes detare






Në paqen që u firmos pas Luftës Ruso-Turke 1769-1774, Perandoria Otomane i dha Austrisë si shpërblim për ndihmesën e saj në arritjen e paqes një “rrip të ngushtë toke”. I konsideruar si një territor i vogël dhe i papërfillshëm nga përkthyesi zyrtar i Perandorisë Otomane që ishte një grek fanariot, territori u quajt një dhuratë simbolike dhe pa implikime për të ardhmen.
Në fakt territori nuk ishte një rrip i ngushtë toke por një krahinë e tërë e quajtur Bukovinë me anë të së cilës Perandoria Austriake siguronte komunikimin midis Galicisë dhe Transilvanisë.Kur princi i Moldavisë Gregori III Gjika e mori vesh marrëveshjen,protestoi pranë autoriteteteve turke për këtë shkëputje kaq të madhe territori që i bëhej principatës së tij, por tashmë ishte vonë. U zbulua se përkthyesi fanariot ishte paguar me flori nga autoritetet austriake dhe për këtë arsye u vra nga otomanët por tashmë krahina e Bukovinës kishte hyrë nën suazën austriake.
Shembulli i mësipërm përvec historisë diplomatike ka hyrë dhe në historinë e përkthimit, si rasti më ekstrem kur përkthyesit nuk kanë luajtur vetëm rolin e thjeshtë të përkthimit por dhe atë të ekspertit të përcaktimit të kufijve. Dëmi i shkaktuar në këtë rast ishte i pariparueshëm dhe ishte fillimi i ndryshimit të përbërjes së popullsisë në krahinën e Bukovinës, e cila nga krahinë e banuar me përqindje të lartë me popullsi rumune u shndrrua në një krahinë mozik me popullsi ukrainase, gjermane dhe hebraike. Ky ndryshim solli ndërlikime të mëtejshme dhe për statusin e mëvonshëm të krahinës, pasi tashmë ajo nuk mund të konsiderohej më si krahinë e mirrëfilltë rumune dhe për rrjellojë u nda në midis Rumanisë dhe Ukrainës pas shpërbërjes së perandorisë Austro-Hungareze në 1918. Krahina e Bukovinës nuk përbënte ndonjë shtesë territori të jashtëzakonshëm për Perandorinë e shenjtë Austriake kur ajo u aneksua në 1774, por rëndësia e saj strategjike ishte shumë më e cmuar pasi krijonte një kontinutet të perandorisë. Marrëveshja e përcaktimit të kufirit detar midis republikës së Shqipërisë dhe Greqisë, tashmë të hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese përbënte pikërisht një rast tillë duke mos shënuar ndonjë përfitim të jashtëzakonshëm shtetit grek që zotëron me mijëra km katror hapësirë detare, por mund ta shndërronte kanalin e Otrantos nga një kanal dypalësh në trepalësh.
Kur fuqitë e mëdha, respektivisht Austro-Hungaria dhe Italia dhanë mbështetjen e tyre për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, ato ranë dakord që deti Adriatik të ishte një liqen i mbyllur i interesave të tyre ekonomike. Çelësi i këtij liqeni natyrisht që është kanali i Otrantos, si dhe paradhoma e tij për mbarështimin e rrugëve detare,kanali i Korfuzit. Madje për këtë të fundit interesat e fuqive të mëdha kanë qenë qysh nga fushata e Napolonit në Itali ku në traktatin e veçantë të Kampio-Formio (1797), Franca mori në zotërim ishullin nga Venediku duke zotëruar në këtë mënyrë rrugët detare tregtare në Mesdhe.
Natyrisht, që fuqitë e mëdha të kohës duke pasqyruar mentalitetin imperialist të marrëdhënieve ndërkombëtare të para Luftës së Parë Botërore nuk kishin menduar ndonjëherë se popullsitë vendase do të bëheshin të afta për tu vetëqeverisur dhe të zotëronin territoret e tyre. Edhe në rastin kur këto popullsi do formonin shtetet e tyre kombëtarë, të paktën do ishin të detyruara që pikat e tyre strategjike t’ua linin për administrim fuqive të mëdha. Traktati i fshehtë i Londrës në 1915 dhe mbajtja e ishullit të Sazanit pas Luftës së Vlorës në 1920 nga Italia, janë shembuj që konfirmojnë këtë mentalitet që mbizotëronte në marrëdhëniet ndërkombëtare të fillimit të shekullit të XX midis Shqipërisë dhe fqinjëve të vet. Tashmë në shekullin e XXI, në erën e Globalizmit, këto marrëdhënie nuk pasqyrojnë më këtë moral të të fortit dhe të të dobëtit, të fillimit të shekullit por kanë ecur drejt partneritetit aq më tepër që Shqipëria është aleate në të njëjtën aleancë si NATO me fqinjët e saj dhe shumë shpejt do aderojë në Bashkimin Evropian. Territori që Shqipëria zotëron dhe pozita gjeostrategjike është një dhuratë nga Zoti, dhe askush nuk mund ta nëpërkëmb me qëllimin e mbrapshtë për të siguruar kinse përkrahjen diplomatike të fqinjit tonë jugor për tu integruar në Evropë. Këtë veprim nuk e ka bërë asnjë vend i ish -Lindjes komuniste, përkundrazi i kanë trajtuar me dinjitet mosmarrëveshjet që mund të kenë patur me fqinjët e tyre. Rrugëtimi i Shqipërisë për në Evropë nuk duhet ti ngjajë mitit të përgjakshëm të Medeas, që për t’i shpëtuar ndjekjeve të të atit, pas largimit të saj me Jasonin, copëtonte vëllanë e saj pjesë- pjesë që i ati të humbte kohë dhe të mos e kapte. Është e vërtetë që dëshira për të qenë në Evropë është një ëndërr e gjithë shqiptarëve, por çfarë e gjeti Maqedoninë që nuk pranon kompromise të tilla me Greqinë por kërkon ta trajtojë me dinjitet çështjen e emrit të vet. Integrimi në Evropë nuk mund të jetë domosdoshmërish pjesë e një mandati qeverisës, ashtu si dhe integrimi në NATO ishte fryt i një rrugëtimi të gjatë të Shqipërisë drejt aleancës.

Vendimi më i fundit i gjykatës kushtetuese, për të hedhur poshtë marrëveshjen e nënshkruar nga parlamenti shqiptar për arsye procedurale sërish nuk i dha përgjigje problemit, por e hodhi topin drejt politikës për ti dhënë një zgjidhje. Në politikën e jashtme të Sh.B.A që nga viti 1920 në kohën e presidencës së presidentit Willson, ekziston dhe marrja në konsideratë e opinionit publik për vendime të rëndësishme të politikës së jashtme. Rasti i ndërprerjes së luftës në Vietnam, është shembulli më i mirë që tregon se kjo politikë vazhdon të jetë konstante. Në Shqipëri, shoqëria civile që përfaqëson opinionin publik e ka shprehur prej kohesh opinionin e vet jo vetëm nëpërmjet fjalëve boshe por dhe nëpërmjet ekspertëve të vet. Ka ardhur koha që në rinegocimin që do i bëhet marrëveshjes ky opinion të merret parasysh.


No comments: