Ngjarjet dhe prishja e Hormovës nga Ali Pashë Tepelena janë baza
e paragjykimeve të mëvonshme që u ngritën mbi nënën e tij dhe vet Ali Pashën.
Për to ka shkruar pothuajse çdo historian dhe shkrimtar që ka trajtuar jetën
dhe karrierën e Ali Pashë Tepelenës. Gjithsesi, si në të gjitha trajtimet që i
janë bërë figurës së Ali Pashë Tepelenës nuk kanë munguar trajtimet e tipit
orientalist dhe ekzagjerimet duke nxjerrë në pah kundërshtitë e gjithsecilit
autor që ka shkruar për prishjen e Hormovës. Nga një lexim i kujdesshëm dhe
referimit të dokumenteve mund të dalim në përfundimin se ngjarjet e Hormovës
shpesh herë u ekzagjeruan dhe u shtrembëruan sidomos pas vdekjes së Ali Pashë
Tepelenës në funksion edhe të pasqyrimit të figurës së tij si një tiran dhe
gjakësor. Kjo bindje u përveçse nga historianët dhe shkrimtarët e huaj u
përforcua edhe nga mendimi i Rilindjes Kombëtare ku një pjesë e aktivistëve të
saj e pasqyruan këtë figurë historike sipas këndvështrimeve të tyre. Pjesa më e
madhe e autorëve të Rilindjes Kombëtare dhe atyre të Pavarësisë u formua në
Janinë, në gjimnazin “Zosimea” ku bëmat dhe aktiviteti i Pashait Tepelenas
ishin ende të freskëta në memorien e njerëzve. Në të njëjtën kohë ata ishin
përfaqësues edhe të familjeve të pasura feudale, që e kishin ndier në lëkurë
pushtetin centralizues të Ali Pashës. Përqendrimi i pushtetit në një dorë të
vetme nuk ka shkaktuar viktima të shumta vetëm në Shqipëri dhe në Pashallëkun e
Janinës, por gjithandej nëpër Europë sa herë ky proces ka hyrë në spiralet e
veta të fuqizimit të pushtetit dhe ambicieve për të krijuar etnitete shtetërore
të fuqishme. Për këtë arsye tek Sami Frashëri dhe Ismail Qemali gjejmë
referenca negative për Ali pashë Tepelenën në fjalorin Kamus-El-Alam dhe
kujtimet e Ismail Qemalit. Po kështu me ndjesi negative e vështroi dhe Papa
Kristo Negovani në poemën e vet “Prishja e Hormovës” në 1904, ku mes motiveve
të tjera zuri vend dhe motivi fetar.
Në thelb të ngjarjeve të Hormovës është konflikti i mirënjohur
në familjen e Meçohysajve për pronat në qytetin e Tepelenës dhe të ardhurat nga
mbrojtja e krahinës së Rrëzës. Fshati më i madh, më i rëndësishëm dhe më i
fortë i Rrëzës ishte Hormova. Fshatrat e Rrëzës ishin në mbrojtjen feudale të
familjes Meçohyse. Krahina e Rrëzës në Tepelenë mund të nxirrte deri në
pesëqind dyfekë (luftëtarë). Ky lloj sistemi mbrojtje dhe përkrahjeje kishte
ndodhur si rezultat i shthurjes së regjimit të timarit: Spahinjtë, që ishin
përgjegjës për ruajtjen e rendit, mbledhjen e taksave, organizmin e mbjelljeve
etj, përveç detyrave të tyre ushtarake si mbledhja e trupave, po dobësoheshin
vazhdimisht. Pastaj korrupsioni dhe tirania e zyrtarëve të dërguar nga
kryeqyteti, gradualisht i vendosi ajanët si
mbrojtës ndaj rajave.
Gjatë shekullit XVIII këto pozicione u bënë të trashëgueshme dhe Porta e Lartë
shpeshherë i njihte ata si të tillë, duke u dhënë rangje zyrtarësh dhe rangje
nderi për të bërë të mundur të kontrollonin pushtetin e tyre brenda sistemit
qeveritar perandorak (Demir I. (December 2007). Tepedenli Ali pasha and
he ëest: A history of his relations ëith France and Great Britain
1798-1820. Department of History. Bilkent University: Ankara)
Informacioni më i vjetër, i deritanishëm për përshkrimin e
Hormovës gjendet në veprat e Aravatinoit e të Pukëvilit për Ali Pashën, të
bazuara në legjenda apo edhe gojëdhëna të Epirit. Përveç përshkrimit të një
popullsie të krishtere dhe luftarake, shquan edhe përmendja e udhëheqësit të
tyre, Çaush Priftit. Në tërësi, pronat që administronte familja e Ali Pashë
Tepelenës, ishin katër fshatrat e Rrëzës, me qendër Hormovën, shtatë të
Zagorisë dhe fshati i vjetër Pogonjanjia. Krahina e Rrëzës i përkiste besimit
të krishterë. Banorët dhe arkondët e saj kanë qenë të angazhuar edhe në donacione
për ndërtime kulti. Këtë gjë e dëshmon ndërtimi i manastirit të Kodrës, që i
është kushtuar Fjetjes së Shën Marisë.
Ai është ngritur në shek. XVI. Kisha është bazilikë njënefëshe
me mbulesë cilindrike, me një apsidë cilindrike me madhësi 8×5 m. Në një
mbishkrim të pikturuar mbi suva, në portën perëndimore të kishës, është kjo e
dhënë: “U ndërtua dhe u pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithënderuar i së
mbishenjtës, zonjës sonë, Hyjlindëses dhe gjithmonë virgjëreshës Mari, me
kontributin, përpjekjet dhe shpenzimet e arkondëve të shumënderuar të
dragotasve dhe kur ishte famulltar i shumëdevotshmi Gole, nga Leka 7105
(=1597)”. Nga Leka do të thotë nga Lekli (Popa Th. (1998) Mbishkrime
të Kishave në Shqipëri, Akademia e Shkencave të Shqipërisë:
Tiranë, 298, faqe 155).
Si qehaja të familjes, që ndihmonte në administrimin e tyre,
kishin hormovitin Çaush Prifti. Çaush Prifti quhej Dhimitër dhe
ishte prift dhe bir i shumë të nderuarit prift të Hormovës, Papa Kosta Dhimu.
(Aravantinus S. (2000)
Ali pasha Tepelenliu. Athina: Dodoni).
Emërtimi çaush ishte gradë ushtarake në Perandorinë Osmane dhe i
korrespondonte togerit të sotëm në ushtritë moderne. Ky lloj angazhimi ushtarak
i prijësve të krishterë në ushtrinë osmane, ishte një praktikë e njohur e
Portës së Lartë, sidomos ndaj vendeve që kishin një autonomi vendore, të fituar
përmes pagesës së një haraçi apo dhe shërbimit ushtarak në kohë lufte.
Burimet e deritanishme rreth Hormovës janë pak a shumë në të
njëjtën linjë: Të gjitha nënvizojnë vetëm numrin e luftëtarëve “500 dyfekë”,
por asgjë nga jeta dhe aktiviteti i brendshëm i asaj qendre të banuar a
institucioneve të saj. Tek udhëpërshkrimet e diplomatit e konsullit anglez,
William Martin Leake, i akredituar pranë Ali Pashës, gjejmë një pasazh për
Hormovën, që ilustron anarkinë feudale të Epirit. Gjatë një bisede me peshkopin
e Mitropolisë së Janinës peshkopi më i rëndësishëm sipas konsullit anglez, ky i
fundit i tha se hormovitët
kanë qenë hajdutë famëkeq, para se të nënshtroheshin nga Veziri. Vendet e tyre të
parapëlqyera të veprimit ishin ngushticat e Tepelenës, ku njëri nga
priftërinjtë e tyre e kishte zakon të hynte në një dru të zgavërt, që ndodhet
ndërmjet Tepelenës dhe urës (së Subashit-D. K), ndërsa të tjerët rrinin në
pritje në anë të rrugës dhe ndalonin udhëtarët, derisa ky “orakull i Dodonës”
të konsultohej. Nëse udhëtari ishte mysliman, zëri orakullor, në përgjithësi
urdhëronte që ai të zhvishej dhe të varej në pemë; nëse ai ishte i krishterë
dhe i përkiste një fshati kundërshtar, atë, mund ta zvarrisnin përmes lumit. Ne
raste të tjera, në përgjithësi orakulli ishte i kënaqur ta dërgonte përpara me
këmbë qenien fatkeqe, pasi ia kishte marrë kalin ose gomarin. (Leake
M. W. (2009). Udhëtime
në Shqipërinë e Vezirëve. Migjeni: Tiranë).
Gjithsesi, ky pasazh është i vetmi i këtij lloji që dëshmon për
një jetë të ashpër dhe kaçake të banorëve të këtyre viseve dhe ndoshta mund të
jetë një justifikim për të mbuluar përmasat e masakrës së Hormovës nga Ali
Pasha, ngaqë peshkopët ishin nga njerëzit që kishin më shumë lidhje me
pushtetin e Ali Pashës. Mirëpo, për fat të mire, për të hedhur një sy tjetër në
aspekte të tjera të rëndësishme të jetesës dhe të zhvillimit të Hormovës, si
një qendër e shquar e zonës së Rrëzës në krahinën e Tepelenës, na vijnë në
ndihmë kujtimet për jetën dhe aventurat e iluministit serb Dositej Obradoviq
(1740-1811), i cili më 1769, ka qëndruar pothuaj një vit në Shqipërinë e Jugut,
në Gjirokastër e Hormovë. (Lloshi Xh. (2012). Përkthimi i V. Meksit dhe
redaktimi i G.Gjirokastritit 1819-1827. Onufri: Tiranë, faqe
55)
Ky informacion na vjen nga prof. Xhevat Lloshi, në librin
e tij “Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit 1819-1827”, kur
ai bën fjalë për përpjekjet e Kopitarit, një tjetër iluminist ballkanik për të
inkurajuar botimin e Dhiatës së Re në shqip. Në disa shënime të tij për një
tekst të shkurtër të Dhiatës së Re, të përkthyer në shqip, ai bën fjalë për
Anakarsisin, mësuesin e dy vëllezërve gjirokastritë në Vjenë Anastas dhe
Spiridon Çelo. Ai ka lënë edhe disa shënime për murgun Dositej Obradoviq që,
siç e përmendëm më lart, ka qëndruar pothuajse një vit në Shqipërinë e Jugut. I
gjithë pasazhi është shumë i rëndësishëm për historinë dhe zhvillimin e
përpjekjeve për gjuhën shqipe. Por këtu do të citojmë disa pjesë, që kanë të
bëjnë me madhësinë e kësaj qendre të banuar dhe sidomos me një personazh, të
kthyer tashmë në mitik për këtë fshat Çaush Priftin. Pas peripecive të
udhëtimit të murgut Dositej nga Izmiri, për t’iu shmangur një konflikti të
mundshëm pas shpërthimit të pritshëm të luftës midis Perandorisë Osmane dhe
Rusisë drejt Korintit e më pas, Korfuzit, Sarandës dhe Gjirokastrës, ai
së bashku me shoqëruesin e tij arrijnë në Hormovë. Pas mëdyshjeve të dy miqve
për të qëndruar apo jo, 20 shoqëruesit hormovitë u drejtohen: “Jeni
të marrë, bre, po nuk erdhët, në një vend të tillë, bre as nuk e keni parë dhe
as keni për ta parë. Mu pranë fshatit kemi një manastir të Shën Nikollës; aty
mund të banojnë dhjetë kallogjerë për bukuri, por nuk kemi asnjë, sepse ne,
shqiptarët, nuk kemi qejf të bëhemi kallogjerë. Do t’ju mbajmë aty, po deshët,
tre muaj ose tre vjet dhe as keni për të prishur paratë. Në rast se do t’ju
pëlqejë, rrini me ne përgjithnjë, për ne do të jetë bukuri, sikur ju ka dërguar
Zoti nga qielli për ne. Na shihni, çfarë trimash jemi (të gjitha këto na i
thoshte i pari i tyre në greqisht), e të tillë si ne falë Zotit, në Hormovë ka
deri në dy mijë, pa folur për pleqtë”. (Lloshi Xh .(2012). Përkthimi
i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit 1819-1827. Onufri:
Tiranë). Pas pranimit të ftesës, murgu Dosatej vazhdon rrëfimin: Të
nesërmen u ngjitëm përpjetë në Hormovë. Gjetëm një fshat të bukur të madh me
shtatëqind shtëpi, të gjitha të ndërtuara me gurë si kështjella. Aty kishte
rreth 50 burime, të cilat në fund të fshatit përbënin një përrua, ku zbriste mu
te manastiri në një rrëpirë të thellë me aq ushtimë, saqë mendova se këtu
njeriu nuk mund të flejë kurrë. (Lloshi Xh. (2012). Përkthimi
i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit 1819-1827. Onufri:
Tiranë). Pra, siç shikohet nga pasazhet, Hormova ishte një qendër e madhe e
banuar për kohën, kur mendon se Tepelena, që ishte qendra administrative e
krahinës, ishte më pak se 200 shtëpi, sipas përshkrimeve të Evlija Celebiut një
shekull më parë.143(Celebi E. (2000). Shqipëria
350 vjet më parë. Horizont: Tiranë). Në të kishte institucione
fetare, si manastiri i Shën Nikollës dhe të paktën, dëshmohet fillimi i një
shkolle në greqisht, kur murgu Dosatej rrëfen se iu drejtua njërit prej të
parëve të fshatit, Dhimë Dukës: Ju falënderojmë për mirësinë e
dashurinë, por nuk është e drejtë t’i hash bukën tjetrit kot, prandaj le të na
dërgonin dhjetë a njëzet fëmijë, që të mësonin te ne, ngaqë punë tjetër nuk
dinim të bënim. (Lloshi Xh. (2012). Përkthimi i V. Meksit dhe
redaktimi i G. Gjirokastritit 1819-1827.( Onufri: Tiranë). Përpara
kësaj murgu Dosatej përmend edhe një shkollë në fshat dhe një mësues
të quajtur Elefter, një burrë i ndershëm, paqësor me grua dhe fëmijë.
(Lloshi Xh. (2012). Përkthimi
i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit 1819-1827. Onufri:
Tiranë, faqe 57).
Është e natyrshme që bisedat në fillim midis murgut Dosatej dhe
parësisë së shkolluar të fshatit, të parit të 20 burrave, që e shoqëruan nga
Saranda deri në Hormovë, mësuesit Elefter dhe Dhimë Dukës, të zhvilloheshin në
gjuhën greke që ishte lingua franga e Ballkanit për shkak se ishte edhe
gjuha e liturgjisë fetare e Krishterimit Lindor. Por shumë shpejt ai mësoi
gjuhën shqipe dhe madje, filloi ta shkruante me alfabetin cirilik, alfabetin që
sipas tij u përshtatej më mirë tingujve të shqipes. I një rëndësie të veçantë
në këtë informacion, që na sjell prof. Xhevat Lloshi është edhe emri i Dhimë
Dukës, si dhe pohimi se hormovitët kanë marrëveshjet dhe besëlidhjet me shumë krerë dhe
pashallarë në Epir dhe Shqipëri. (Lloshi Xh. (2012). Përkthimi
i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit 1819-1827. Onufri:
Tiranë). Dhimë
Duka mund të jetë Çaush Prifti. Ai quhej Dhimitër dhe kryente edhe detyrën e
priftit, por edhe të qehajait të pronave të Hankos, nënës së Ali Pashës.
Shoqërimi i murgut Dosatej për në Përmet nga tre hormovitë tregon anarkinë e
papërballueshme feudale, që kishte pushtuar Epirin dhe që Ali Pasha, me metoda,
vërtet të ashpra do t’i jepte fund duke e kthyer në një territor të sigurt për
komunikimet urbane dhe zhvillimin e tregtisë. Aravatinoi në veprën Tepelenliut
na jep hollësinë se pas vdekjes së të shoqit, Islam Beut(djalit të xhaxhait të
Veli Bej Tepelenës), Kiurka kërkoi të ndante pasurinë dhe si zonja më e
madhe e shtëpisë Meçohyse, i takonte që të mblidhte dhe të ardhurat nga fshati
Hormovë. Mirëpo kjo gjë, sigurisht që nuk i shkoi për shtat Hankos, nënës së
Ali Pashës, që me shumë djallëzi arriti ta shtinte në vesh të hormovitëve dhe
të Çaush Priftit se Kiurka donte të merrte hak për vrasjen e burrit të saj,
Islam beut. Hormovitët, me në krye Çaush Priftin e rrethuan Kiurkën në fshatin
Karjan të Lunxhërisë dhe atje e vranë së bashku me fëmijët. (Aravantinus S.
(2000). Ali
pasha Tepelenliu. Athina: Dodoni). Vrasja e Islam Beut pretendohej
se u organizua nga Hanko në bashkëpunim me hormovitët. Duket se mes tyre ka
pasur një alencë e cila u prish pas kërkesave të Hankos për të qenë kreu i
shtëpisë meçohyse dhe rrjedhimisht dhe mbledhëse e taksave dhe haraçeve.
Rrëmbimi i Hankos dhe Shanishasë/Shainicës, së bijës, nga
hormovitët dhe kardhiqotët është thelbi i konfliktit të hormovitëve me Ali
Pashë Tepelenën.Në librin e vet “Historia e Ali Pashës Tepelenliut”, Spiro
Aravantinoi dëshmon se pas vrasjes së trefishtë të Kiurkës, gruas së Islam Bej
Tepelenës, djalit të xhaxhait të Veli bej Tepelenës dhe të dy fëmijëve të saj,
Hankoja u largua për në Karjan çifligu i të shoqit, për t’u mbrojtur nga
ushtrimi i kanunit të Tepelenës, që e dënonte një akt të tillë. Ngjarja e
rrëmbimit të tyre ka ndodhur, sipas Aravatinoit në fillim të gushtit 1762, vit
që në fakt, nuk është i saktë, sepse i ati, Veliu, sipas dokumentacionit të
gjendur, ishte ende gjallë. Hankoja kërkoi që një fshat i krishterë, që ndodhej
midis Tepelenës dhe Gjirokastrës, Kokoshi, të paguante haraç njëlloj si
fshatrat e tjerë, që ajo kishte nën mbrojtje. Mirëpo ky fshat ishte nën
mbrojtjen e agallarëve të Kardhiqit, një qytezë me popullsi myslimane, me rreth
800 shtëpi në atë kohë. Kardhiqotët organizuan një ushtri, u mbushën mendjen
edhe hormovitëve për t’iu bashkëngjitur dhe për të mos i paguar më haraç Hankos
dhe u turrën të gjithë drejt fshatit Karjan. Kjo histori është një nga ngjarjet
më të dhembshme të familjes së Ali Pashës, pasi të dyja pjesëtaret e familjes
së tij e ëma dhe e motra u keqtrajtuan dhe u dhunuan nga banorët e
fshatit Kardhiq. Një pjesë e burimeve citojnë se ato u përdhunuan. Situata
e robinjave u keqësua akoma më tepër, kur në mënyrë barbare dhe nën një
brutalitet epshor të meshkujve, të dy femrat u kthyen në subjekte të një
shfrytëzimi masiv seksual. Hankua dhe Shanica qenë ekspozuar pa asnjë limit
tmerrit dhe dhunës të gjithë burrave të atyshëm. Nëna dhe motra e Aliut u
mbajtën peng për dyzet ditë, duke u përcjellë nga një dorë në tjetrën për të
ngopur kënaqësitë seksuale të secilit.148 -Koçollari I. (2009). Policia
sekrete e Ali Pashës. Tiranë: AdelPrint)
Sipas Aravantinoit, Hankoja u lirua nga Haxhi Agai, vëlla me
nënë tjetër i Dost Beut, i cili e ndihmoi për t’u arratisur drejt fshatit
Gjati, pronë e Veli Beut, në zonën e Rrëzës. Ai vetë mbeti në fshat dhe
kardhiqiotët, sa e morën vesh këtë akt të tij, e turpëruan duke e zhveshur
lakuriq dhe i dogjën shtëpinë dhe përgatitën një mësymje drejt vendstrehimit të
Hankos, ku gjendeshin edhe bijtë e Veli Beut. Mirëpo banorët e kësaj zone,
otomanë dhe të krishterë, sapo u njoftuan për keqtrajtimet e bëra ndaj Hankos,
i dhanë mbështetje familjes Meçohyse, duke bërë të mundur që t’i shpëtojnë
këtij rreziku. (Shih për më tepër: Aravantinus S. (2000). Ali pasha Tepelenliu. Athina:
Dodoni, faqe 11-12).
Pukëvili jep një version tjetër: Shpëtimtari i Hankos dhe i së
bijës qe një tregtar grek nga Gjirokastra, G. Malikovo, që pagoi një shumë prej
njëzet e dy mijë e tetëqind piastrash, afërsisht shtatëdhjetë e pesë mijë franga.
Ky tregtar, të cilit Hankoja me familjen i detyronin jetën, u helmua më pas në
vitin 1807 në Elftherohori, afër Selanikut, me urdhër të Ali Pashës.
(Puoqueville F. (2011). Ali
Tepelena . K& B: Tiranë, faqe 18). Pukëvili nuk e citon
burimin se ku e ka gjetur këtë pohim. Por, nëse do të ishte i vërtetë, duket i
pakuptimtë: Ali Pasha nuk kishte pse ta eliminonte një njeri, që i kishte bërë
mirë familjes së tij dhe aq më tepër, shumë vite më vonë pas ngjarjes.
Pretendimi i Pukëvilit në këtë rast duket disi i çuditshëm dhe i paarsyeshëm.
Nuk ka arsye dhe asnjë argument bindës që Aliu të sillej kështu me një tregtar
bamirës. Duke mos dhënë a duke mos gjetur asnjë motiv të pranueshëm për këtë
pohim, duket që francezi Pukëvil e ka bërë atë nisur nga motivet e njohura të
armiqësisë politike të Francës dhe të atij vetë kundër Pashait shqiptar.
(Koçollari I. (2009). Policia
sekrete e Ali Pashës. Tiranë: AdelPrint, faqe 163).
Ky incident i rëndë do të linte gjurmë të pashlyeshme në
memorien e Ali Pashës dhe disa vite më vonë, më 1784 ai do të hakmerrej ndaj
Hormovës, duke djegur e shkatërruar fshatin, duke vrarë 500 burra dhe pjekur të
gjallë Çaush Priftin, ish ekonomatin e pronave të tij dhe të ashtuquajturin të
dashurin e së ëmës. Gjurmët e hormovitëve të dëbuar, që u shpërndanë anembanë
Epirit. Është e vështirë për t’i identifikuar pasi siç e përshkruan Pukëvili, u
nda preja: skallëve kope bagëtish; ndërsa japigët, që shiheshin si llumi i
ushtrisë, bartën në malet Arkrokeraune dyert, dritaret, gozhdat, deri edhe tjegullat
e shtëpive të Hormovës, para se atyre t’u vihej zjarri. (Puoqueville F. (2011). Ali
Tepelena. K& B: Tiranë, faqe 44).
Në gjithë këtë përndjekje, është e vështirë që banorët që
shpërnguleshin të vazhdonin të deklaronin origjinën e tyre. Historiografia
greke na jep një të dhënë interesante për një nga pasardhësit e Çaush Priftit.
Ndonëse Çaush Prifti i Hormovës u shkua në hell prej Ali Pashait, nipi i tij,
Vasil Papakristu, duke vazhduar traditën e familjes, u dorëzua Mitropolit i
Drinopulit. Vasil Papakristu qëndroi në fronin e Mitropolitit të Drinopulit nga
viti 1909 deri më 1929. Ai ndërroi jetë më 26 shkurt të vitit 1936 dhe u varros
në Delvinaqi. (Gagari G. Kalendari
Dhodhoni).
Kjo ngjarje, që përmendet gjithandej në bibliografinë historike
rreth Ali Pashës, nuk mund të mohohet. Por shkaku i saj duhet kërkuar në arsye
të tjera, sesa në motive psikologjike dhe orientale të hakmarrjes për nënën dhe
motrën e dhunuar. Me të drejtë është zbuluar se shkatërrimi i Kardhiqit nuk
ishte një hakmarrje e vonuar, por shkatërrimi i një çerdheje konspiracioni të
armiqve të Ali Pashës nën patronazhin francez edhe arsyet e prishjes dhe të
shkatërrimit të Hormovës duhen parë në balancat dhe ndarjen e pushtetit në
krahinën e vendlindjes së tij, në Tepelenë. Argumenti i dhunimit të nënës dhe
të motrës së tij ka shumë të ngjarë të jetë i ekzagjeruar, sepse banorët e
Kardhiqit, që i përkisnin fesë myslimane, e kishin kategorikisht të ndaluar të
trajtonin dy femra të pambrojtura në atë mënyrë dhe për më tepër, ato nuk mund
të konsideroheshin robinja, pasi këtë status e kishin zakonisht femra të feve
të tjera, kur ziheshin rob në luftë. Përveç kësaj, motra e Ali Pashës, Shanica,
qe martuar në një nga dyert e para të Epirit Kapllanpashallitë e famshëm, para
se Ali Pasha të ngjiste rrufeshëm shkallët e karrierës së tij. Duke pasur
parasysh mendësinë shumë tradicionale dhe patriarkale të kohës dhe ligjin islam
Sheriatin, që qeveriste parinë myslimane shqiptare, kjo martesë nuk mund të
ndodhte nëse Shanica ishte torturuar dhe përdhunuar për dyzet ditë me radhë nga
të gjithë burrat e fshatit Kardhiq me 800 shtëpi. Në veprën e tij për Ali
Tepelenën, Ahmet Myfiti, stërnipi i Shanishasë, e vë në dyshim atë tregim. Ai
pohon me shumë arsye se zakonet e shqiptarëve të asaj kohe nuk e pranonin një
akt të tillë kundër grave dhe se në kushte të atilla nuk mund të bëhej disa
vite më vonë martesa e Shanishasë me djalin e Kapllan Pashës së Delvinës. Ahmet
Myfiti (Myfit Bej Libohova) kujton se gjyshi i tij, nipi i Ali Pashë Tepelenës,
kishte dëgjuar t’i thuhej këtij të fundit se Hankoja vetëm ishte mbajtur e
burgosur në Kardhiq e se kishte jetuar në kushtet e vështira të burgosjes, por
ishte lejuar ta vizitonin fëmijët. (Remerand G. (2004). Pashai i Janinës. Globus
R: Tiranë)
Denis Skiotis, një nga studiuesit më të mirë të fillimeve të
karrierës së Ali Pashë Tepelenës, nuk e merr në konsideratë këtë fakt, duke
përmendur shkarazi vetëm se u zunë robinja (Skoitis N. D. (1971) From
Bandit to Pasha: The first steps in the rise to poëer of Ali of Tepelen
1750-1784). por nuk jep detaje të rëndësishme, të cilat i gjejmë në
veprat e Pukëvilit dhe të Aravantinoit. Denis Skiotis, në artikullin e vet,
pasi i konsideron tri veprat e Pukvilit Voyage en More (Paris 1805) Voage de la
Grece 6 volume (Paris 1826-1827) dhe Histoire de la Regenaration de la Grece
(Brussels, 1843) si një minierë e vërtetë informacionesh për Ali Pashën,
sugjeron që ato duhen përdorur me përzgjedhje dhe kujdes, sepse rrëfimet e tij
shkojnë së bashku me ekzagjerimet romantike dhe me arnimet e
purpurta(Skoitis N. D. (1971)From Bandit to Pasha: The first
steps in the rise to poëer of Ali of Tepelen 1750-1784). Aq më
tepër, siç e kanë vënë re dhe studiues të tjerë të ndryshëm, ka një
mospërputhje midis atyre që Pukvili shkroi në vitin 1805 dhe atyre që botoi më
1826-1827, kur Ali Pasha kishte vdekur. Treguesi më i qartë i kësaj
mospërputhjeje është edhe ndryshimi i emrit nga More, që banorët e Peloponezit,
pavarësisht grupit etnik që i takonin grekë, arvanitas, vlleh, apo turq e
identifikonin vendin e tyre dhe veten si Moraitë në 1805, në Grece më
1826-1827, kur banorët ende vazhdojnë ta identifikonin vendin njëlloj, por
filohelenizmi ku Pukëvili ishte një nga aktivistët kryesorë të tij, kishte
filluar prej kohësh të projektonte themelimin e një shteti kombëtar grek, ku
kombësitë e tjera nuk do të përmendeshin për të ringjallur Greqinë Antike të
leximeve dhe të imazheve të tyre romantike.
Ngjarjet e Hormovës duhen parë në lidhje me kontekstin historik
të vitit 1784. Në atë kohë Ali Pasha Tepelena nuk ishte konfirmuar ende si
derven pasha i Rumelisë dhe pasha i Trikallës. Përpara asaj ngjarjeje, të
hidhur të sundimit të tij, karriera e Ali Pashë Tepelenës lëkundej mes
banditizmit tradicional ballkanas dhe përpjekjeve për të fituar postet administrative
të Perandorisë Osmane, që do t’i jepnin pushtet më të madh. Pas ngjarjeve të
Hormovës, ai dhe e ëma, Hankoja qenë më pak të suksesshëm në rezistencën e tyre
nga zgjerimi i pashallarëve, bejlerëve dhe klaneve të ndryshme dhe u detyruan
të largoheshin nga Tepelena vendi i fuqisë së familjes. Hankoja u burgos dhe u
keqtrajtua nga kardhiqiotët e pabindur dhe Aliu, i cili bridhte nëpër male pa
asnjë dysh dhe i dëshpëruar, u zu rob nga Kurt Ahmet Pasha i Beratit. Traditat
vendore janë të mbushura me rrëfime për luftëra dhe beteja të vazhdueshme:
Aliu, herë si gjysmë beu feudal, herë si gjysmë kryetar bande hajdutësh, mban
si të tijën Tepelenën dhe sërish fiton kontrollin mbi Tepelenën, por jo edhe
mbi fshatrat e nënshtruara që i paguanin haraç familjes më parë (Skoitis N. D.
(1971).
From Bandit to Pasha: The first steps in the rise to power of Ali of Tepelen
1750-1784). . (krahinën e Rrëzës, ku bënte pjesë edhe
Hormova-D. K). Ky është momenti, kur, pas fillimit të ngjitjes në karrierë
përmes lidhjeve me Kurt Pashën e Beratit, ai vendos për të kryer masakrën e
Hormovës qytezës rebele që pati luajtur një rol të madh, siç u tregua më lart
në çështjen e trashëgimisë dhe të administrimit të pronave të familjes
Meçohyse. Aliu u edukua në shkollën politike tribale primitive shqiptare, por
komplekse dhe e egër. Mund të duket e pabesueshme, por në të ai fitoi
mprehtësinë për të depërtuar në çështje të vështira, çka e bën atë një partner
të Potemkinit dhe të vetë Talleyrandit.(Skoitis N. D. (1971).
From Bandit to Pasha: The first steps in the rise to power of Ali of Tepelen
1750-1784).
Për momentin, historiografia nuk zotëron një dokument të saktë,
që të dëshmojë arsyet e vërteta të asaj masakre. Por, duke u nisur vetëm nga
disa parime të veprimtarisë së mëtejshme të Ali Pashës si njeri politik, mund
të arrijmë në konkluzionin se ekspedita kundër Hormovës, u ndërmor për të
siguruar me çdo kusht sundimin e tij në Tepelenë. Po kështu, edhe me Sulin disa
vite më vonë. Ali Pasha ishte zot i Janinës dhe zotëronte toka të shumta
s’kishte nevojë t’i shtonte me malet e thata dhe të shkreta të Sulit. Por
ekzistenca e kësaj qendre rebelimi, që me mbështetjen e emisarëve rusë të
Shtatë Ishujve mund të kthehej në një fuçi baroti për të hedhur në erë
pushtetin e tij në Janinë, e detyroi që të ndërmerrte tri luftëra kundër Sulit,
deri në eliminimin e tij të plotë. Ka shumë gjasa që e njëjta logjikë ta ketë
shtyrë për ta prishur e shkatërruar Hormovën.
Loja politike e mesjetës së vonë nuk linte vend për kompromise.
Pak kohë më parë kishte pasur një përpjekje për t’i bindur që t’i paguanin
haraç dhe për ta njohur mbrojtjen e tij. Mirëpo, në ndeshje me ta, Aliu kishte
qenë me më shumë fat sesa e ëma. Ai dhe shokët e tij hasën një rezistencë të
fortë dhe të papritur, por ai arriti të shpëtonte dhe të merrte rrugën për në
Tepelenë.(Koçollari I. (2009). Policia sekrete e Ali Pashës. Tiranë:
AdelPrint).
A nuk patën qenë hormovitët, që kishin vrarë kushëririn e parë
të babait të tij dhe u kishin vënë zjarrin sarajeve të tij në Tepelenë? A nuk
patën qenë po prapë ata, që kishin poshtëruar të ëmën dhe të motrën? A
nuk qe shpërngulur familja e tij në fshatin Karjan, duke humbur pushtetin në
Tepelenë nga presioni i tyre? A nuk ishin ata që po refuzonin që të paguanin
haraçin, mospagesa e të cilit, më shumë se ekonomikisht e dëmtonte moralisht,
duke treguar pafuqinë e tij? Përgjigjja e këtyre pyetjeve të bën të mendosh se
të gjitha këto mund të kenë qenë arsye të bindshme që e kanë detyruar të
ndërmerrte atë akt të përbindshëm të masakrimit të 500 burrave. Ali Beu i ri
mund të toleronte që të përndiqej nga forcat e Kurt Pashës, që donin të vinin
rregull në udhëkalimet e pashallëkut, por jo të humbiste sërish qendrën e
pushtetit të trashëguar të familjes së tij, Tepelenën.
No comments:
Post a Comment