Shtegtimi i Childe Harold (Çajld Haroldit) është një nga veprat letrare më të arritura të Lord Byron-it( Bajronit). Vetë autori thotë në dedikimin e kënges së katert se është
"më e gjata, më e menduara dhe më e kuptuara nga hartimet e mia".
Më 1809, në korrik, njëzetenjëvjeçari u nis për udhëtimin
e tij të parë nga skela e Falmouthit. Mori pas një shpurë shërbëtorësh, i
shoqëruar prej shokut të tij të shkollës Cam Hobhouse. Së pari zbriti në
Lisbonë. Portugalia qe aleate e Anglisë në Luftën Gadishullore. Napoleoni e
kiste zaptuar Evropën, por Anglia zotëronte detin. Udhëtimet ishin të
rrezikshme, prandaj Bajronivizitoi vetëm ata vise që nuk rrezikonin nga armiku.
Prej Lisbonës udhëtoi me kalë 640 kilometra dhe arriti në Kadiz. Nga ky port
spanjoll një luftanije angleze e solli nëpër Mesdhe prej Gjibraltarit në Maltë
dhe që aty në Prevezë, në Shqipëri. Nga Preveza, Bajroni dhe Cam Hobbouse
erdhën në Janinë. Vizitorët e shquar nuk e gjetën Ali Pashën në kryeqytet,
prandaj më 11 tetor e vazhduan udhëtimin 160 kilometra të tjera në veri. Më 17
u nisën në Libohovë dhe arritën në Qestorat e në Erind. Prej Erindit u nisën më
19 të tetorit në orën 3,30 pas dreke dhe në orën 5 arrinë në Tepelenë. Pas tri
ditëve si mysafirë të Ali Pashës, u kthyen po asaj udhe. Nga Janina u nisën për
në Prevezë dhe së andejmi kaluan për në Greqi nën mbrojtjen e 35 shqiptarëve.
Duke u larguar nga Shqipëria, Bajroni përshkoi
Akarnaninë, kapërceu pyjet aeoliane të lumit Ahelos dhe më 21 nëntor 1808
arriti në Mesolongji, ku 16 vjet më vonë do të jepte jetën për Greqinë. Atje
ktheu për në shtëpi të tyre gjithë shqiptarët që e përcollën, vetëm një
jo,Dervishin,që mbeti me të përsa kohë që poeti qëndroi në Lindje. Bajroni u
kthye në Londër në korrik 1811. Gjatë udhëtimit shkroi një ditar në vargje të
cilin e pagëzoi me titullin:Shtegtimi Çajld Haroldit. S'kish në mend ta
botonte, po shokët e tij të entuziazmuar ia rrëmbyen nga duart dhe e dërguan në
shtyp. Kënga e parë dhe e dyta u pritën me lavderime të madha. Bajroni u zgjua
atë mëngjes dhe pa se qe bërë i famshëm.Cajld Haroldi e bëri edhe Shqipërinë të
njohur në gjithë botën e qytetëruar. Nga të dy këngët na intereson e dyta. Në
të parën Bajroni përshkruan udhëtimin përmes Portugalisë e Spanjës. E dyta
merret kryekëput me Greqinë dhe Shqipërinë. Dorëshkrimi ka këtë shënim të
autorit:
Bajron në Janinë, Shqipëri
Filluar në 31 tetor 1809
Mbaruar në Izmir, më 28 mars 1810.
No comments:
Post a Comment