Ali Pasha Tepelena në betejë nga Edmond Dule.
Ali Pashë Tepelena ishte një adhurues i
madh i armëve dhe nga shënimet e udhëtimit që kanë lënë shumë udhëtarë dhe
diplomatë që vizituan pashallëkun e Janinës, njohim se ai mbante shumë prej
tyre të varura në mur si objekte zbukurimi, si duket në tablonë e Joseph
Cartëright (1789-1829), pikturuar në mars 1819 dhe publikuar në 1822
(CARTWRIGHT, Joseph. [Eleven colored costume plates of northwestern Greece,
including a portrait of Ali Pasha], London, R. Havell, 1822). Pukëvili në veprën
e vet “Historia e ringjalljes së Greqisë” (1825) kur rrëfen rrethimin e Ali
Pashës në Janinë, përmend armët që Pashai Tepelenas përdori në një rast kur
kundërsulmoi ndaj ushtrisë së Pasho Beut.Avxhibashi i solli armët e nishanit,
me famë në Epir ku shqiptarët luftëtarë u kanë ngritur dhe këngë siç këndonin
dikur grekët në shekujt homerikë, mburojës së Akilit. E para armë ishte një
pushkë gjatoshe fabrikuar në Versajë, e veshur me damask blu dhe e qëndisur me
yje ari, të cilën ia pati dërguar dikur Xhezarit në Shën Gjon të Akrës
nganjëllyesi i piramidave. Si vdiq ky pasha, arma i kaloi fatziut Selim III që
ia dha si shpërblim trimërie Jusuf Qorr pashës, tri herë vezir-azem sajë fatit;
ky kur ishte në Negropont në fund të karrierës së tij të gjatë, ia la me
testament Ali Tepelenës. Ky ia besoi më pas Akatit të tij gjakatar, Thanas
Vajës; njërit prej shatërve i kaloi pastaj një karabinë që ia kishin dhuruar më
1806 me emrin e Napoelonit; në qemeret e shalës vari mushqetën e Karlit XII të
Suedisë, armë me vlerë të paçmuar kundrejt personit që e mbante. E kish pas
marrë dikur dhuratë nga Gustav Adolfi, në kohën kur ky monark i tradhtuar prej
fatit preku tokën në Prevezë, rrugës që pat ndërmarrë për në Varrin e Shenjtë,
shtegtim që i dështoi nga një intrigë diplomatike (Francois Pouqueville. Ali
Tepelena. K&B: Tiranë, 2009, fq. 399)