Sunday, 23 April 2017

Ali Asllani për Ali Pasha Tepelenën



Pjesa më e madhe e autorëve të Rilindjes Kombëtare dhe atyre të Pavarësisë u formua në Janinë, në gjimnazin “Zosimea” ku bëmat dhe aktiviteti i Pashait Tepelenas ishin ende të freskëta në memorien e njerëzve. Në të njëjtën kohë ata ishin përfaqësues edhe të familjeve të pasura feudale si Ismail Qemali, që e kishin ndier në lëkurë pushtetin centralizues të Ali Pashës. Përqendrimi i pushtetit në një dorë të vetme nuk ka shkaktuar viktima të shumta vetëm në Shqipëri dhe në Pashallëkun e Janinës, por gjithandej nëpër Europë sa herë ky proces ka hyrë në spiralet e veta të fuqizimit të pushtetit dhe ambicieve për të krijuar etnitete shtetërore të fuqishme. Këtë kontekst politik të elitës shqiptare përcjellin dhe  vargjet e Ali Asllanit kur ai e quan satrap e zabit. Deri më tash shpesh herë është marrë si i vërtetë pohimet e origjinës së familjes së tij nga një dervish i ardhur nga Konja dhe i vendosur në Tepelenë. Por në fakt një dokument origjinal i parisë së Gjirokastrës,  dërguar kryeqytetit të Habsburgëve, Vjenës del qartë origjina shqiptare e Ali Pashë Tepelenës. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është trajtimi i deri më sotëm si një pasha oriental, të egër, mizor që fillon karrierën e vet si një hajdut i thjeshtë në malet e Epirit për të përfunduar nëpërmjet vrasjeve, përdhunimeve dhe dredhive si zot i vërtetë i tij. Po kështu ai është vështruar nën dritën e historive me ngjyrime orientaliste të haremeve të tij, dashurive, historisë së Frosinës që paraqesin si një figurë të degjeneruar dhe epshore që s’ndalet para asnjë gjëje për të arritur qëllimet e veta. Mirëpo realitet historike flasin ndryshe. Ali Pasha ishte përfaqësues i një prej familjeve më fisnike toske dhe të parët e tij kishin qenë pashallarë, administrues të Pashallëkut të Delvinës dhe në këtë mënyrë ai trashëgonte jo vetëm një linjë fisnikërie, por edhe trashëgimi administrative të admirueshme për kohën. Gjithësesi në vargjet e Ali Asllanit ndihet simpatia e tij për këtë hero të historisë së shqiptarëve pasi ai shkruan Në e ultë historia,/di ta ngrerë Shqipëria,duke vendosur një balancë midis arsyetimeve të influencuara nga reagimi i parisë feudale shqiptare ndaj regjimit centralizues të tij dhe efekteve të mëvonshme pozitive të qeverisjes dhe rebelimit të Ali pashë Tepelenës në mendimin shqiptar.
 

Ali Pashë Tepelena

Nga satrapët më satrap
nga dervishët më dervish,
ky zabit, ky dreqo-lab,
pa kalem e pa qitap,
paskish lindur me këmish!

Po satrapin, unë ju lus,
mos ta marrim për qortim,

ai ish një kryetrim,
një rrufe, një vetëtim,
që i tha sulltanit: sus!

Një rrufe...
Po rrufeja, vini re,
i ka rrënjët në një re!
si dhe truri, tungjatjeta,
me gjith’ dritëzat e veta,
i ka rrënjët në kaptinë!
po sa larg dhe sa lart
shkon e ndrin dhe vetëtin!

Dhe Ali Pasha kajmeni
nip stërnipi i një dere,
soj dervishi, soj sejmeni,
i ushqyer me mëna ferre!
me guzimin mrekulli
u bë kryefermanlli
dhe nga truali i tij i ngusht’
i lëshoi një goxha grusht
perandorve osmanlli!

Dhe arriti sa pothuaj,
në tryezë të çezarve
ku vlon hymni ngadhnjimtarve,
hymn’ i tija s’mbet i huaj!

Le t’i ngrem’, pra një dolli!
fam’ e tija është e madhe,
vler’ e tija më e madhe!
Në e ultë historia,
di ta ngrerë Shqipëria,
sepse trimin, nuk e nuk,
trimi trimin nuk e zhduk!


Tuesday, 18 April 2017

Topuzi skeptër i Ali Pashë Tepelenës



Në fund të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, territoret bregdetare dhe perëndimore ballkanike, kaluan përmes një procesi të dyanshëm zhvillues, që ishte sa përfshirës po aq dhe i veçantë, në krahasim me krahinat e tjera të Perandorisë Otomane.


Saturday, 15 April 2017

101 vjetori i një vepre të rëndësishme të historiografisë shqiptare .



“Historia e Ali Pashë Tepelenës” nga Ilo Mitkë Qafëzezi. Bukuresht 1916.

Ilo Mitkë Qazfëzezi është një nga studiuesit dhe mbledhës i  hershëm i dokumentacionit nëpër kisha dhe manastire të Shqipërisë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Një nga veprat e tij të para është  “Historia e   Ali Pashë Tepelenës”  botuar në Bukuresht në 1916. Studimi i tij është një përshtatje në shqip i  librit “Historia e Ali Pasha Tepelenliut”(1893) të studiuesit dhe historianit grek Spiros Aravantinos. Përshtatja në shqip është një përpjekje e parë për të pasur një studim më të gjerë rreth kësaj figure dhe në shumë nga shpjegimet e veta ka të cituar folklor origjinal që ilustrojnë ngjarjet në libër.  Këto këngë popullore mbeten një pasuri e çmuar ende e pashfrytëzuar. Njëlloj si poema “Ali Pashaida” e Haxhi Shehretit në mënyrë të habitshme ato përbëjnë një material dokumentar të admirueshëm.
Libri i Ilo Mitkë Qafëzezit strukturohet në 31 kapituj që ndërlidhen njëri me tjetrin, duke përshkruar Shqipërinë që nga viti 1640, kur një i quajtur Hyso, erdhi nga një katund i Shqipërisë së Mesme dhe u shpërngul në Tepelenë të Shqipërisë së Poshtme, i cili, sipas gojëdhënave ishte stërgjyshi i Ali Pashë Tepelenit. Tepelena me rrethinën e saj, në kohën e Skënderbeut ishte Principatë, princi i së cilës luftonte kundër Sulltan Muradit të II-të. Disa shkrimtarë të huaj, së bashku me Puqeville-in, thonë se stërgjyshi i Ali Pashës pat ardhur prej Qytahijës të Azisë së Vogël, por francezi I. Manzour i cili pat shërbyer mjaft vjet pranë Ali Pashës, e pat përgënjeshtruar këtë shpifje, “duke na siguruar për origjinën e tij fjesht Shqipëtare”. Pasojnë përshkrime tjera lidhur me stërgjyshin, gjyshin dhe prindërit e Aliut, bazuar edhe në burime angleze. Jepen fragmente mbi trimërit e Aliut që nga mosha 17 vjeçare kur armiqtë e parashikonin se do të bëhet i rrezikshëm për ta. “Aliu i cili nuk kish mbushur edhe të 18-in vit të moshës, po trim pa shok, dyke parë rreziket (e Kurt Pashait të Beratit) q’e rrethonin, dhe mbasi e kish kuptuar që ish i vlefshëm të përdornjë mirë pushkën dhe jataganë, organizon një çetë të shëndoshë prej më të zgjedhurit trima të shprovuar besnikë dhe të devotshëm të shtëpisë së tij (…)”. Pasojnë faqe përshkrimesh interesante të betejave të Aliut që bashkëpunonte me shqiptarët e krishterë kundër halldupëve të Turqisë në trojet e Shqipërisë. Në këtë vepër me vlerë defilon Tepelena, Himara, Zagoria, Delvina, Berati, Gjirokastra, satrapi Selim Mustafa Bej “me miq të fortë ndë Stamboll” i cili përmes ryshfetit mundi ta rrëzojë Mustafa Kokën duke u emëruar sundimtar i Delvinës, i cili më në fund qe ekzekutuar sipas dekretit të Ali Pashës. Një pjesë të madhe zënë dhe marrëdheniet e Ali Pashë Tepelenës me Fuqitë Evropiane të kohës si dhe marrëdheniet midis popullsive të Pashallëkut të Janinës. Dy kapitujt e fundit përshkruajnë fatin tragjik të Ali Pashë Tepelenës dhe gjithë personazheve historikë që trazuan historinë e ballkanit në fillimet e shekullit të XIX.
Libri mbyllet me një shënim të Ilo Mitkë Qafëzezit për Ali Pashën. I tillë ishte fundi i burrit trim Ali Pashë Tepelenës, i cili për gjashtëdhjetë vjet rresht pati një jetë aktive duke kryer vepra trimërie. Kështu ai zë një vend kryesor në historinë kombëtare shqiptare, po ashtu dhe në historinë ndërkombëtare evropiane të asaj kohe. Ali pashai i dha famë emrit tëtij në gjithë botën. Prandaj gjithë shqiptarët , muhamedanë e të krishterë, duke i falur të metat e Asllanit të Shqipërisë, le t’ia admirojmë mendjemprehtësinë e trimërinë, si dhe muza popullore që na thotë:
T’a dini me të vërtet,
                                                             Trimëria e tij u dijt
              Dhe i këtillë Trim më s’mbet,
     Të vinjë ma ndë këto dit.

Ilo Mitkë Qafëzezi i përket atij brezi të hershëm historianësh shqiptare që i ka dhënë rëndësinë e duhur figurës së Ali Pashë Tepelenës , duke e paraparë epokën dhe periudhën e tij si një periudhë ku ngjizet identiteti shqiptar .

 Burimet: 
1- Aravantini. Histori e Ali Pashë Tepelenës( i mbiemëruar “Arsllan i Shqipërisë”) përshtatur në shqip nga Ilo Mitkë Qafëzezi, Bukuresht 1916.
2- Ligor Mile. Shënime për veprën Histori e Ali Pashë Tepelnës( i mbiemëruar “Arsllan i Shqipërisë”) përshtatur në shqip nga Ilo Mitkë Qafëzezi












Monday, 10 April 2017

Fustanella, ushtria dhe epoka e Ali Pashë Tepelenës



Qëndrimi ndaj figurës së Ali Pashë Tepelenës, nuk u ka shpëtuar dhe shqetësimeve gjeostrategjike të kohës.  Që në gjallje të tij Ali Pashë Tepelena u pa si një “despot oriental”tipik nga udhëtarët evropianë qofshin turistë kulturorë apo dhe përfaqësues diplomatikë. Rrjedhimisht si i tillë nën influencën e rrymës së Filo-Helenizmit që ishte shumë prezent në atë kohë dhe në kundërshtim me çfarë shprehte popullsia greke, ai konsiderohej si dhunues e shtypës të asaj ç’kishë mbetur nga Greqia e Lashtë.Natyrisht këto sentimente melodramatike shërbenin dhe si një mbulojë për të mbuluar frikën që shkaktonte kontrolli vërtet i  frikshëm i Aliut mbi Greqinë kontinentale, Adriatikun dhe Egjeun.Ky kontroll strategjik bëhej akoma dhe më i padëshirueshëm nga Fuqitë e Mëdha nëse krijohej shteti i pavarur i Ali Pashë Tepelenës, i cili sipas të gjitha gjasave ashtu si pashallëku i Janinës do të dominohej nga elita fisnike dhe ushtarake shqiptare. Nga gjiri i kësaj elitë fisnike ushtarake kishin dalë së ushtarët më të mirë të Perandorisë Osmane. Gjatë shekujve të mëparshëm popullsia shqiptare në përgjithësi kishte qenë një element force në perandori.Ndaj të gjitha Fuqitë e Mëdha që Aliu hyri në marrëdhënie diplomatike u përpoqën ta përdornin në kundërshtitë që kishin me njëra-tjetrën në rajon, por kurrë nuk i dhanë mbështetjen e duhur diplomatike për të shpallur pavarësinë.

Veshja e ushtarit shqiptar të kohës së Ali pashë Tepelenës ishte një kombinim midis petkave të lehta dhe fustanellës. Kjo e fundit u mbajt edhe në uniformën e Regjimentit  “Gjuajtësit e Orientit” të formuar në Ishujt Jonianë në 1807. Regjimenti “Gjuajtësit e Orientit” ishte një regjiment i formuar kryesisht nga suliotët dhe nga shqiptarët e tjerë nga kontinenti që ofronin shërbimin tradicional të mercenarisë por edhe kishin braktisur vendet e tyre si rezultat i armiqësive që kishin pasur me pushtetin e centralizuar të Ali Pashë Tepelenës.

Fustanella shqiptare, e cila duke qenë më shumë e pëlqyer mes popullsive të Ballkanit u imitua më shumë nga popujt e tjerë më të largët. Me këtë veshje disa udhtarë të huaj në XVIII-XIX vërejnë se ishin të veshur truprojat e oborreve princërore të Moldavisë, të Vllahisë në Bukuresht. Gjithashtu Major Ëilliam Martin Leak, përfaqësues i Anglisë në Janinë, që kishte pasur mundësinë para Bajronit ti vizitonte këto zona, kishte shkruajtur që në 1805: Veshja shqipare po bëhet përditë e më e zakonshme, si në More edhe në pjesët e tjera të Greqisë në këtë të fundit për shkak edhe të rritjes së madhe të fuqisë shqiptare. Kjo veshje është më e lehtë dhe më e volitshme se ajo turke ose greke”.
Të gjitha këto dëshmi hedhin dritë mbi influencën dhe “ekspansionin” etnografik nëse mund ta quajmë kështu të shqiptarëve që duke qenë elita ushtarake e Pashallëkut të Janinës, përveçse zakoneve dhe mjeshtërive të tyre të luftimit u kishin imponuar nga ana estetike dhe veshjen e tyre kombëtare popullsive të tjera në Ballkan.