Monday, 9 May 2016

Pranverë e hidhur e vitit 1956!


(Shënime rreth librit "Pranverë e rrejshme e 56-s")

Shkrimi i historisë moderne të shqiptarëve është një sfidë për cilindo studiues serioz që mundohet të shkruajë për ngjarje të afërta dhe të rëndësishme që kanë shenjuar epokën e sistemit të kaluar socialist. Aq më tepër, kur historiani është vendas dhe dashur pa dashur mes qëmtimeve të dokumentacionit dhe fakteve gjen emra personazhesh historikë  që mund ti ketë njohur dhe ngjarje apo dhe ngjarje që mund t’i ketë  përjetuar dhe vet, çka në fakt sa mund të quhet avantazh sepse sa i njeh gjërat që shkruan me themel, po aq mund të konsiderohet një fat i trishtë, pasi i duhet që të ruajë baraslargësinë nga emocionet dhe ngjarjet që përshkruhen në libër.

Nëse ka një karakteristikë dalluese ky libër që tenton të hapë siparin e një ngjarje që mund të ishte pranvera e parë në dimrin e gjatë komunist e totalitar të Shqipërisë, është pikërisht kjo baraslargësi dhe gjithpërfshirje në mendimin analitik të gjithë aktorëve dhe faktorëve që kontribuan në parapërgatitjen dhe zhvillimin e kësaj konference në vitin 1956. Nuk besoj se mund të ketë ndonjë tjetër fjalë në fjalorin politik të totalitarizmit komunist shqiptar sesa fjala “konferencë”, që  shënonte  përshkrimin e një veprimtari normale të partisë shtet të asaj kohe, që të ketë pësuar një ngarkesë kaq të madhe semantike dhe politike sa Konferenca e Tiranës në 1956.

Autorja u jep përgjigje shumë pyetjeve të natyrshme që dalin si gjatë leximit të librit po kështu edhe pyetjeve të mbartura prej shumë kohësh në opinionin publik se çfarë përfaqësonte Konferenca e Tiranës e prillit 1956. A ishte një organizim i brendshëm i kuadrove komunistë apo e nxitur e frymëzuar nga jashtë? A ishin të organizuar njerëzit që folën apo spontaniteti i bëri bashkë në një protestë ndaj realitetit që jetonin? Ç’rol luajtën jugosllavët, po sovjetikët? Pse mbijetoi Hoxha? Pse e mbështetën të gjithë anëtarët e Byrosë Politike etj?
Sigurisht që në shkencë, në historiografi nuk ka analiza shterruese e përfundimtare dhe libri është një ftesë e hapur për të interpretuar dhe hulumtuar në dokumentacionin e pasur që e shoqëron. Libri, në fakt duket sikur është strukturuar dhe si një anketë me pyetje të hapura ku çdo studiues i Luftës së Ftohtë mund të gjejë veten. Pikërisht në këtë lloj të shkruari të historisë moderne të shqiptarëve është edhe një meritë tjetër e këtij libri, pasi tenton përmes një analize rajonale krahasuese me vendete tjera të Evropës Lindore të dëshmojë se konferenca e Tiranës nuk ishte as më shumë as më pak një refleksion shqiptar i “kursit të ri sovjetik”  që kish kapluar gjithë Lindjen pas vdekjes së Stalinit. Si rallëherë në një monografi historike, për një ngjarje politike, përfshihen shifrat ekonomike duke plotësuar me të dhëna të rëndësishme realitetin tredimensional shqiptar të kohës, pasi në faqet e mëparshme ka pasur dhe një analizë politike të sistemit dhe të lirive kulturore të individit.
Konferenca e Tiranës, në përbërjen e delegatëve ku sipas autores 428 ishin nëpunës dhe vetëm 58 delegatë punëtorë, hedh dritë edhe mbi një rebus tjetër politik të fillimeve të komunizmit dhe totalitarizmit shqiptar. Nëse ata delegatë nëpunës dhe intelektualë të qendrave kulturore dhe ministrive në Tiranë, që morën pjesë në Konferencë  apo mendonin vallë se me veprimet e tyre,  po fillonin fillimin e fundit të regjimit që kishin ndërtuar. Pothuajse njëzëri pjesëmarrësit të pyetur në hetuesitë politike, të intervistuar më vonë dhe në kujtimet e tyre e mohojnë kategorikisht këtë gjë, por është meritë e autores që e zbulon përmes skicimit ë asaj që do të ndodhte, dhe sigurisht përmes pasigurisë së Enver Hoxhës. Ndoshta një pasqyrë më e mirë analitike sesa nga këta 428 nëpunës e njihnin marksizmin mirë dhe sa ishin të ndërgjegjshëm të parimit centralizues të sistemit, ku kritika e drejtë dhe diskutimet lejoheshin deri sa të mos cenonin atë që quhej “vijë e Partisë” do të hidhte më shumë dritë mbi ngjarjen.
Pra me një fjalë , sa veta nga ata që folën ishin të ndërgjegjshëm se me diskutimet e tyre po sillnin një frymë te re kritike që do dobësonte totalitarizmin shqiptar. Profesoreshë Ana Lalaj e kalon përmes filtrit të kundërvënies, disidencës apo organizmit spontan analizën e vet, duke shpjeguar qartë termat politikë dhe duke i dhënë as më shumë as më pak Konferencës së Tiranës, peshën e vërtetë të saj specifike.
Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm në libër për tu marrë në konsideratë është analiza e ndërhyrjes së huaj në ngjarjet e Konferencës së Tiranës. Autorja, përmes detajeve dhe dokumentacionit të deritanishëm arrin në konkluzionin se nuk ka pasur ndërhyrje të drejtë për së drejtë jugosllave dhe se pretendimet e mëvonshme të Hoxhës janë më tepër një përpjekje për të justifikuar etiketimin e delegatëve që folën si armiq sesa i përgjigjet realitetit. Po kështu skenarin sovjetik nuk ia vlen të diskutosh pasi nuk i përgjigjej realitetit të asaj kohë ose të paktën po të flitej për katër vjet më vonë , ndoshta do të kishte sens, por në rrethanat e vitit 1956 ishte një pjesë e fantazisë së mëvonshme të Hoxhës. Përmes përshkrimeve të sakta në fakt zbulohet anatomia e brendshme e dhunës së pushtetit komunist që tjetërsonte karakteret dhe njerëzit.
Personalisht mendoj se kjo anatomi e dhunës është një kontribut i çmuar pasi kthehet në një çelës që lexon jo vetëm të shkuarën por edhe të sotmen. Deformimi i njeriut, përçudnimi i idealeve njerëzore në emër të një gjuhe të drunjtë dhe idealeve të paarritshëm kanë bjerrur për një kohë të gjatë etikën humaniste të njeriut shqiptar duke krijuar një traumë , pasojat e së cilës ndihen edhe sot.
Konferenca e Tiranës, ishte një përpjekje për një pranverë të hershme në qiellin gri, stalinist të politikës shqiptare. Kursi i ri sovjetik i pas vdekjes së Stalinit,  krijoi iluzione se një erë e re e marrëdhënieve midis individ e shtetit dhe vetë shteteve brenda kampit socialist, po frynte, por ,  pa e ditur se këto iluzione ishin kështjella në rërë që do të mbyteshin në dallgë dhune nga Varshava në Budapest e deri në Tiranë. Aktorët, regjisorët, skenaristët ishin të njëjtët, udhëheqësit komunistë që kishin dënuar krimet e Stalinit e metë njëjtën logjikë po mbysnin demokracinë e brendshme në partitë komuniste,  ndërsa viktimat masat e gjera të komunistëve idealistë, që kishin kujtuar se kish ardhur pranvera. 

Suplementi Rilindasi. 8.05.2016




No comments: