Do ketë qenë shumë
e çuditshme për popullsinë shqiptare të mesit të shekullit të XIX, të shikonin
mes rrugëve, shtigjeve dhe shkrepave të tyre gra udhëtare që përshkruanin
vendin e tyre. Në kulturën dominante mashkullore vendase, kjo gjë ishte diçka e
paperceptueshme dhe e paimagjinueshme, ndërsa në kulturën angleze viktoriane,
sapo kishte filluar të merrte udhë.
Kultura është
kontakt dhe bashkëveprim, por sot në fakt ne njohim vetëm përshtypjet e zonjave
angleze që udhëtuan nëpër Shqipëri të mbledhura si gur mozaiku në këtë punim me
shumë vlerë nga profesor Afrim Karagjozi, dhe për fat të keq, nuk kemi edhe
shënime nga eksponentë të kulturës shqiptare të asaj kohe rreth përshtypjeve të
tyre nga udhëtimet e këtyre zonjave angleze në Shqipëri. Fillimisht kishin qenë
zonjat e ambasadorëve që shoqëronin bashkëshortët e tyre në udhëtimet
diplomatike dhe më vonë, me fillimet e Revolucionit industrial, përparimet
teknologjike dhe përmirësimi i mjeteve të komunikimit, fillojnë të udhëtojnë në
Ballkan dhe gra të shtresës së mesme dhe të profesioneve të lira, kryesisht
infermiere dhe studiuese.
Ky fenomen i
njohur mirë në kulturën angleze i nisur që herët dhe i emërtuar si Grand Tour
për fisnikërinë dhe shtresat e pasura, udhëtim të cilin e kishin ndërmarrë Lord
Byron dhe Hobhouse, dr. Henri Holland, Thomas Hughes dhe Disraeli nga gjysma e
dytë e shekullit XIX, do të bëhej i mundur falë zhvillimeve të mjeteve të
transportit, rritjes së interesit të publikut nëpërmjet literaturës së botuar
prej tyre edhe për shtresën e mesme, tregtarë, administratorë, studiues etj. Si
rezultat i këtyre zhvillimeve, numri i udhëtarëve europianë që vizitonin
Shqipërinë, vazhdoi të rritej ndjeshëm. Për herë të parë në këtë kohë, vendin
tonë e vizitojnë edhe udhëtare femra siç është rasti i udhëtares dhe
antropologes Mery Edith Durham, e cila ka lënë disa shënime interesante, ka
botuar libra rreth Shqipërisë dhe ka koleksionuar kostume popullore që sot
ruhen dhe ekspozohen në muzetë e Britanisë së Madhe. Për shkak të kontributit
dhe përfshirjes së saj në çështjen kombëtare shqiptare, emri i saj është
shndërruar në një mit që dëshmon pjesëmarrjen e të huajve në pavarësinë e
Shqipërisë, por në të njëjtën kohë ka lënë paksa në hije shënimet e udhëtimit
dhe librat me tematikë shqiptare të udhëtareve të tjera angleze që u përfshinë
në fenomenin e udhëtimit që nga mesi i shekullit XIX e në vazhdim në Shqipëri.
Përshtypjet dhe
mbresat e zonjave angleze që vizituan Shqipërinë, sigurisht, ashtu si e gjithë
literatura e udhëtimit, para se të jenë tekste të mirëfillta dëshmitare të
ngjarjeve dhe dukurive sociale të kohës, janë edhe tekste që mbartin në vetvete
orientalizmin dhe paragjykimin e tjetrit, koncepte që përcaktoi qartë Edward
Said në veprën e vet, “Orientalizmi”(1978). Shqipëria dhe territoret ku banonin
në shumicë shqiptarë në gjysmën e dytë të shekullit XIX, vazhdonin të ishin
ende të panjohura dhe të ngjallnin kërshëri në Europë. Kjo mosnjohje dhe
kërshëri, përkthehej shpeshherë në përshkrime për të shuar etjen e një publiku që
dëshironte të njihte sa më shumë për këto territore që konsideroheshin si
Orient, por në të njëjtën kohë ishin shumë afër, në Europë. Saidi përcakton në
veprën e vet se “orientalizmi është një shpërndarje e shqetësimit gjeopolitik
në tekste estetike, shkollore, ekonomike, sociologjike, historike dhe
filologjike”. Ky shqetësim gjeopolitik reflektonte edhe politikat britanike në
rajon në ruajtjen e status quo-s të vazhdimit të dominimit osman në Ballkan, si
kundërpeshë e ambicieve sllave dhe austro-hungareze. Për këtë arsye, shpeshherë
gjejmë përshkrime romantike, si dhe të udhëtarëve më të hershëm të kostumit
popullor shqiptar, të përfaqësuar nga fustanella, dhe shumë pak detaje rreth
jetës politike dhe ambicieve për përparim të popullsisë shqiptare.
Jeta sociale
shqiptare, edhe pse e përshkruar në mënyrë piktoreske, prezantohet më e plotë
kur citohen detaje historike që dëshmojnë vjetërinë e shqiptarëve si etni dhe
popullsi në këto territore, por ndonjëherë ajo edhe paragjykohet nga njohjet e
përcipta rreth vendeve dhe popullsisë që jetonin aty. Shpeshherë, udhëtarët e
huaj që vizituan territoret shqiptare kanë qenë të influencuara nga
filo-helenizmi dhe pan-sllavizimi, dy rrymave të fuqishme kulturore
europiane të kohës, që në vetvete mbartnin dhe shqetësime politike dhe
gjeostrategjike. Territoret shqiptare shpeshherë shikoheshin si zgjatime të
natyrshme të ambicieve greke apo sllave në rajon, çka sillte dhe mospërputhje
midis pritshmërisë së udhëtarëve dhe realitetit. Kjo është arsyeja që
ndonjëherë në udhëpërshkrimet e tyre, gjenden përcaktime për Kosovën si “Serbia
e Vjetër” apo për popullsinë e jugut të Shqipërisë, të qendrave si Delvina si
helene. Gjithsesi, këto lajthitje që nuk i përgjigjeshin realitetit, pasi edhe
nëpërmjet përshkrimeve të popullsisë të këtyre territoreve nga vetë zonjat
udhëtare, gjejmë përcaktimet dhe karakteristikat e popullsisë shqiptare, nuk
cenojnë rëndësinë e madhe të tyre kulturore dhe dëshmitare të një kohe kur
popullsia shqiptare po kalonte në procesin e ringjalljes së vet kombëtare.
Shënimet e
udhëtimit të zonjave angleze, mund të ndahen në shënime udhëtimi që pasqyruan
me detaje botën shqiptare, siç janë shkrimet dhe librat e Edit Durham dhe
Margaret Hasluck që jetuan për një kohë të gjatë në Shqipëri dhe shënimeve
piktoreske udhëtimi dhe letërsie fiksionitë zonjave të tjera që rastësisht fati
e solli të vizitojnë Shqipërinë. Durham dhe Hasluck dallojnë sigurisht mes
tyre, sepse vepra që kanë lënë pas vazhdon të mbetet ende një burim
informacioni i admirueshëm dhe që shpeshherë është marrë në konsideratë dhe nga
historianët e mëvonshëm rreth Ballkanit dhe Shqipërisë. Historianët e mëvonshëm
të Ballkanit, kanë përdorur rregullisht citime nga veprat e saj, ku sipas Noel
Malcom, ajo ishte “një nga vëzhguesit e huaj me perceptimin më të mirë të
ngjarjeve”. Në shkrimet e saj të mbushura gjithë informacion për Ballkanin,
fillon e merr jetë një perceptim më realist i rajonit dhe ka një distancim
shumë qartë nga qëndrimi pro-otoman i udhëtarëve të tjerë britanikë. Ajo është
nga të parët udhëtarë që njeh dhe bën të qartë për shembull dallimin midis
otomanëve dhe shqiptarëve myslimanë si një kombësi e veçantë. Po kështu, në
veprat e saj, shqiptarët nuk thirren me emërtimin e gjuhës turke-arnaut, por me
emrin që popullsia e identifikon veten si Shkypitiar. Denoncimi i ambicieve të
nacionalizmit të pafre të serbëve, malazezve, grekëve dhe bullgarëve,
shpeshherë u interpretua si ekzagjerim i tepruar i Durhamit dhe se shkaqet e
këtyre luftërave ishin më tepër jashtë Ballkanit, sesa brenda tij. Gjithsesi,
përsëritja e ngjarjeve në vitet ’90 në Ballkan, tregoi se shumë nga prognozat e
saj ishin të sakta dhe shumë studiues dhe politikanë e rilexuan për të kuptuar
sërish rrënjët e konflikteve. Ky tipar e bën atë krejt të veçantë nga gjithë
udhëtarët e tjerë britanikë që vizituan Ballkanin, pasi ky rilexim mund të
quhet kthimi tjetër i saj në Ballkan, gjë që nuk i ka ndodhur asnjë udhëtari
tjetër britanik.
Është fat dhe
njëkohësisht një koincidencë e këndshme që zonjat e rritur në moralin viktorian,
gjetën në natyrën, shkrepat, jetën sociale në Shqipëri, një strehë ku
primitivizmi dhe prapambetja nuk u kthyen në mjete përçmimi dhe nënvlerësimi të
kulturës së tjetrit, por përkundrazi, mikpritja dhe bujaria shërbyen si
pasaportat më të mira të përfaqësimit tonë në Europë. Duket sikur bota e vjetër
kalorësiake e Mesjetës kishte mbijetuar në mënyrë të pavetëdijshme mes
shqiptarëve, dhe vazhdonte të transmetonte ende vlera humanizmi. Në këto
shënime e gjen gjithë hartën e etnosit shqiptar në Ballkan, nga Kosova, në
Manastir, Ohër e Strugë, Shqipërinë e sotme, por edhe në Selanik e Stamboll,
duke qenë në këtë mënyrë jo vetëm shënime dëshmi të shpërndarjes së kësaj
popullsie në rajon, por në të njëjtën kohë edhe dëshmi të rëndësishme
antropologjike e sociale që meritojnë një studim të veçantë.
Profesor doktor
Afrim Karagjozi ka hapur siparin e një drejtimi tjetër të rëndësishëm të
studimeve albanalogjike me renditjen në mënyrë skrupuloze e profesioniste të
udhëpërshkrimeve të zonjave angleze në Shqipëri. Deri më tash jemi njohur me
udhëpërshkrimet dhe literaturën e udhëtimit të shkruar kryesisht prej
diplomatëve, piktorëve, oficerëve, pra një perspektive mashkullore, kurse tani
kemi në dorë portretin e zonjave angleze, nga mund të studiohet sesi bota
viktoriane femërore angleze e pa Shqipërinë. Një pasqyrë shumë e rëndësishme
për të dy popujt dhe kulturat që përfaqësojnë, pra një histori sociale dhe
antropologjike e shqiptarëve dhe imazhi dhe perceptimi i Ballkanit dhe
Shqipërisë nëpërmjet Feminizmit, që një shekull më vonë do të kthehej në një
rrymë të mendimit kulturor europian. Në këtë mënyrë, këto tekste kthehen në
pararendëse të studimit të perspektivës feministe rreth Shqipërisë dhe
shqiptarëve, pasi të gjitha udhëtaret, me përjashtim të Durhamit dhe Margaret
Hasluck që u përfshinë edhe emocionalisht në çështjen shqiptare, janë
dëshmitare të ftohta ndaj realitetit dhe shkruajnë atë çka ato konstatojnë.
Parë në këtë
drejtim shënimet e udhëtimit të këtyre zonjave të nderuara angleze, rifitojnë
një vlerë të çmuar përmes rileximit të krahasuar të asaj çka perceptonte dhe
njihte publiku anglez rreth një shekull më parë dhe atë çka arritur të njihet
sot Shqipëria dhe shqiptarët në Britaninë e Madhe. Rrallëherë ndodh që të kesh
një pasqyrë ku mund të shikosh të shkuarën, jo vetëm nga pikëpamja historike
përmes dokumentacionit, por edhe përmes teksteve të tilla nga perspektiva
antropologjike, sociale, kulturore e feministe. Ky libër, në këtë mënyrë, është
një ftesë sa për të njohur të shkuarën, po aq dhe të sotmen, ndaj me të drejtë
do të radhitet në serinë e veprave albanologjike që na ndihmojnë të njohim
veten, po aq dhe tjetrin.
Gazeta Shqip, 9.05.2016
No comments:
Post a Comment