Në këto ditë të nxehta vere, ku dukej
se do të shtyheshin njëra pas tjetrës pa lajm dhe pa nerv, papritur tri ngjarje
shënjuan gushtprushin që na zgjuan si nga një ëndërr e keqe, ku rehatllëku i
marrjes së statusit të vendit kandidat na kish bërë të besonim për një moment
se jetojmë në një vend normal.
Banka e Shqipërisë dhe siguria e lekëve të
shqiptarëve për herë të tretë gjatë këtij tranzicioni të gjatë janë tronditur,
duke përcjellë në publik mendimin populist se kush ka të bëjë me lekët, pa qenë
i zoti i tyre, mund edhe t’i përvetësojë ose e thënë ndryshe, situata është një
reflektim i thënies popullore që e dëgjojmë gjithandej kafeneve sa herë që
diskutohen financat e shtetit se ku ka “rrjedhur do pikojë”. Stabiliteti
makrofinanciar i një vendi, përveç garancive dhe zotimeve për siguri
financiare, ka në fakt nevojë dhe për një etikë morale të sigurimit të kësaj
garancie. Për këtë arsye, menaxhimi i kësaj situate është dhe një gur prove i
shoqërisë dhe politikës shqiptare për të parë se përballë kalkulimeve meskine
të mbështetjes së emrave të përveçëm qëndron interesi publik dhe ringritja
morale e shoqërisë shqiptare. Në të kundërt, mosndëshkimi nuk do të sjellë
asgjë të re në tokën buzë Adriatikut, përveçse do të thellojë kulturën negative
të mosndëshkimit dhe të mosmbajtjes së përgjegjësisë.
Rasti i dytë, ai i Sarandës, ndiej
neveri që të përshkruaj sërish skenën, sepse nuk dëshiroj t’i bashkëngjitem një
dhunimi të vazhdueshëm të psikikës së vajzës 14-vjeçare duke e bërë kryelajm
ngjarjen e trishtë të saj, na kujtoi sërish se në këtë vend zhvillimi
industrial dhe infrastrukturor ka ecur në përpjesëtim të zhdrejtë me zhvillimin
social dhe shëndoshjen e moralit psikik të një shoqërie normale. Reagimi i
menjëhershëm i qeverisë dhe i shoqërisë civile duhet përshëndetur, por elementi
parandalues duhet të jetë më efikas nëpërmjet filtrave të besueshëm që një
shoqëri moderne ndërton ashtu si funksionon dhe në vendet e tjera të
Perëndimit. Politizimi i pakuptimtë i kësaj çështjeje nuk i shërben askujt,
sepse situata kthehet njëlloj si te pavijoni i kancerozëve të Solzhenicinit, ku
askush nuk është i imunizuar ndaj së keqes.
Lajmi për ndërtimin e kullave te diga e
liqenit mbiu tamam si në baladat shqiptare. Nga qendra e Tiranës, bash nga
zyrat kryesore të bashkisë së saj, doli si një re dhe puhizë për të betonizuar
të vetmen mushkri të mbetur të metropolit, vendim që sërish vë në pikëpyetje
mbarëvajtjen e shtetformimit dhe sundimin e ligjit në vendin tonë. E gjithë
historia jonë e 23 viteve demokraci i ka përngjarë një historie ngutjeje e
plaçkitjeje të ethshme në fundmandati për të kënaqur ca interesa ekonomike dhe
një kastë njerëzish të privilegjuar që s’u bën “syri tërr” se prishin habitatin
jetësor të njerëzve përfshi këtu dhe të fëmijëve të tyre, përballë fitimit të
ethshëm dhe të menjëhershëm.
Rezistenca ndaj fenomeneve të mësipërme, edhe pse në dukje
shpeshherë shoqëria civile që proteston duket sikur është e paktë në numër, në
fakt janë fibrat e vetme prej nga mund të fillojë të ribëhet e ringjallet një
moral i shëndoshë i shoqërisë. Tashmë i kemi kaluar ethet e tranzicionit dhe ka
ardhur koha për të dëshmuar se ankesat tona ndaj mospranimit të statusit
kandidat më tepër se klithma qaramane të një fëmije të pamaturuar kanë qenë
klithma pakënaqësie, pasi vlera të tilla integriteti qytetar dhe cilësie të
jetesës si sundimi i ligjit, punësimi i drejtë, dënimi i nepotizmit, ambienti
etj., i kemi kuptuar mirë dhe i kemi bërë pjesë të ndërgjegjes sonë. Rrugëtimi
drejt Europës nuk është aspak një rrugëtim gjeografik, por mbi të gjitha një
rrugëtim kulturor dhe mentaliteti. Nëse nuk arrijmë ta kuptojmë këtë gjë, do të
integrohemi me hapat e breshkës, ku lart mbi zhguall shoqëria shqiptare do të
mbajë të gjitha mëkatet e saj, të gatshme përherë për të krijuar probleme dhe për
të ngecur në vend.
Forca morale fillon nga vetja, ndaj
tani është momenti më tepër se kurrë të përshkitim lidhjen me moralin e
dyshimtë të individualizmit të sëmurë dhe të përftojmë solidaritetin e së mirës
së përgjithshme. Kjo është sfida jonë nëse duam që një ditë të zgjohemi në
Europën e qytetarit me të drejta e detyrime dhe jo në Europën e qytetëruar, ku
do të rrekemi vetëm të përfitojmë nga të mirat që afron politika e përbashkët
ekonomike e kulturore e Bashkimit Europian.
Gazeta Shqip, 27.08.2014, fq 9
No comments:
Post a Comment