Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, në të premten e zezë të
7 Prillit 1939, Shqipëria u sulmua në mënyrën më të pabesë nga Italia Fashiste,
një vend i cili sipas marrëveshjes së pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e
Kombeve më 1921 (pararendëses së OKB së sotme) ishte vendi garant për
pavarësinë e Shqipërisë.
Agresioni fashist i datës 7 prill, në
fakt kishte kohë që ishte përgatitur duke ralizuar në mesin e viteve 20’ dhe në
vazhdimësi të viteve 30’, një ndërvarësi politike, ekonomike dhe ushtarake të
Shqipërisë ndaj Italisë. Ndërvarësia ekonomike e Shqipërisë ishte
realizuar që në vitet ’20 – ’30. Ky realitet kishte ndodhur sa nga
domosdoshmëria e shtetit shqiptar për të mbijetuar ekonomisht pasi ishte ende
në hapat e para të tij, po aq sa edhe nga nevoja e klasës udhëheqëse të
Shqipërisë së asaj kohe që kërkonte të gjente përkrahje politike tek Italia.
Politikani i ri ambicioz, Ahmet Zogu, sapo erdhi në
pushtet në dhjetor 1924, pasi ishte përmbysur gjatë muaj më parë nga Lëvizja e
Qershorit kishte si domosdoshmëri ndryshimin e politikës së jashtme të
tij. Ai kërkonte të dilte nga sfera e influencës së mbretërisë
serbo-kroate-sllovene dhe kërkonte t’i kthente sytë nga ndonjë fuqi perëndimore
më e fuqishme. Në këtë kontekst gjeopplitik, Zogu zgjodhi Italinë si
shtetin kryesor me të cilin do të mund të mbante mardhënie të ngushta politike
dhe ekonomike. Më 30 janar 1925 Zogu ju drejtua Musolinit dhe i kërkoi atij të
vendoste mardhënie miqësore me Tiranën dhe të shihte me përparësi interesat
tregëtare. Musolini nuk e pranoi menjëherë këtë propozim për arsye se Zogu në
kabinetin e tij po afronte persona që kishin qënë pjesmarës në Luftën e Vlorës.
Në këtë kohë Zogu, për të regulluar mardhëniet me Italinë emëroi në postin e
Ministrit të Financave italofilin Myfit bej Libohova.
Reflektimi i drejtpërdrejtë i këtij qëndrimi të ri që po mbante Zogu, ishte
nënshkrimi në mars të vitit 1925 i konventës “Për themelimin e Bankës Kombëtare
të Shqipërisë”. Dokumenti u nënshkrua nga një grup financiar italian, dhe nga
ministri i financave Myfit Libohova[1].
Në këtë dokument thuhej se pala shqiptare do të kishin deri në 49% të
aksioneve, kurse shtetasit e huaj jo më pak se 51%. Mirëpo italianët u
munduan ti pengonin shtetasit shqiptarë të nënshkruanin aksione deri në masën
49%, gjë, të cilën e aritën pa shumë vështirësi. Banka fitoi edhe të drejtën e
emërtimit të kartmonedhave, e cila në njërën anë përmbante kokën e Skëndërbeut
dhe nga ana tjetër luanin e Shën Markut. Kjo kartmonedhë simbolizonte bashkimin
shqiptaro-italian, pasi luani i Shën Markut përfaqësonte dominimin e vjetër të
Venedikut në disa nga qytetet shqiptare të bregdetit të Adriatikut dhe të
Jonit. Në mars 1925 qeveria e Tiranës lidhi një tjetër kontratë me
financierë italianë, për marjen e huasë për nevojat e vendit, për dhënien dhe
administrimin financiar të kësaj huaje u krijua SVEA, me të cilën qeveria
shqiptare nënshkroi marveshjen. Huaja që do të siguronte ishte 70.5 milion
franga ari, shumë e pamundur për tu paguar nga Shqipëria, pasi ajo kishte një
kamatë vjetore 7.5%.
Në krye të marsit 1925 lidhen një varg marveshjesh, ndër të cilat spikaste
konçensioni vajguror për “Forrovie dello Stato”, që u bë i mundur pas një
kompromisi me Forreign Office-in mbi burimet vajgurore shqipëtare[2].
Më 1926 ambasador u bë Pompeo Aloizi, ekspert i politikës shqipëtare. Para se
të nisej ai u udhëzua nga Musolini, ku më 25 tetor 1926,- i shkruan se në qoftë
se nga Zogu nuk del gjë,- atëhere ai duhet goditur për ta shkatëruar
plotësisht. Më 27 nëntor 1926 u nënshkrua Pakti i Parë i Tiranës, i quajtur “
Pakti i Miqësisë dhe Sigurisë”, i lidhur për pesë vjet, por që mund të
rinovohej. Kjo marveshje nuk u prit mirë nga shumë vende europiane pasi, duke
qënë se ishte nënshkruar midis dy shteteve jo rë një rangu, të kujtonte një
pakt për vendosje protektorati. Italianët tani kërkonin kontroll më të madh në
fushën ushtarake. Me këtë arsye u bë edhe Pakti i Dytë i Tiranës më 22 nëntor
1927. Në këtë periudhë italianët u munduan të shtinin në dorë edhe
ushtrinë, ku një në gjashtë oficerë ishte Italian.
Përsa i përket industrisë, degët kryesore industriale që morën një farë
zhvillimi ishin industria e vajgurit dhe ajo e bitumit. Që të dyja këto
industri ishin në duar të kapitalit Italian dhe prodhimet e tyre eksportoheshin
në masë të madhe në Itali[3].
Më 1 prill 1929 hyri në fuqi Kodi penal mbështetur në atë
Italian. Po atë vit hyri në fuqi edhe Kodi i ri civil. Qeveria shpalli edhe
ligjin e reformës agrare, ku si këshilltar Zogu mori ekspertin Italian prof.
Lorenzonin. Këto fakte dëshmojnë se gjithë ndryshimet dhe reformat u bënë
duke u marrë si shëmbull modeli Italian dhe ku ajo dha mendimin e saj, i cili
kishte peshë jot të vogël. Italia tani po shtinte në dorë gjithë ekonominë, por
jo vetëm kaq, ajo tani kishte në dorë të gjithë sektorët e Shtetit Shqiptar, të
cilat ajo i kontrollonte si të donte vetë. Dominimi italina në Shqipëri mori një
hov akoma më të madh pas emërimit si ministër i jashtëm i Italisë, të Kont
Çianos. Ideja fikse e Çianos për Shqipërinë lindi menjëherë pas udhëtimit të
tij të parë në Tiranë, në prill të vitit 1937[4].
Gjithsesi Çiano erdhi përsëri në Shqipëri një vit më
vonë më 27 prill që ishte edhe dita e përcaktuar për dasmën e mbretit Zog.
Në 27 prill 1938 Konti Çiano, dhëndri I B. Musolinit (Duçes), erdhi të
vizitonte sërisht Shqipërinë me rastin e dasmës së mbretit Zog. Konti Çiano
ishte ftuar për të qënë kumbar i mbretit dhëndër. Çiano u nevrikos shumë
nga pakujdesia e motrave të Zogut. U duk qartë se, motrat e Zogut donin të
tregonin kënaqësinë e tyre, si për atë që i vëllai nuk u martua me një çupëlinë
Italiane ashtu edhe për të vënë në dukje në ceremoninë e asaj dite shpresën se
kishte për të nisur një çlirim i Shqipërisë nga marëdhëniet e ngushtë me
Italinë.Ekstravaganca sqimatare e motrave të mbretit dhe shpenzimet tepër të
mëdha të martesës mbretërore kishin krijuar mëri të madhe, raportonte Çiano,
dhe gjithnjë sipas tij, dëshmonte hendekun e madh midis të pasurve dhe të
varfërve, oborrit dhe popullit [5].
Në ditarin e tij, në 28 Prill 1938 Ai shkruante kështu: “
Kthehem nga Shqipëria, më i bindur se kurrë në idetë e mia për një zgjidhje
tërësore”. Në 30 Prill ai shtonte gjithnjë në ditarin e tij: “ I fola Duçes
rreth udhëtimit tim në Shqipëri. Do ta përmbledh në një raport, por ai
menjëhera ra dakort për një zgjidhje tërësore”. Në raportin që Çiano
kishte përpiluar, mbante në konsideratë tri mundësi: 1. Shtërngimin përmes
pengesash ekonomike. 2. Coptimin përmes një marrëveshje të Italisë me
Jugosllavinë dhe Greqinë. 3. Aneksimin përmes një bashkimi. Musolinit ia
përforcoi besimin se mund të pushtonte Shqipërinë edhe një letër e marrë nga
kryetari i qeverisë Angleze Çembërlein, i cili i lutej qeverisë fashiste “të
ndhmonte në rimëkëmbjen e mirëbesimit të ndërsjelltë dhe në ruajtjen e paqes”.
Fryma e letrës e bindi kreun fashist se pushtimi i Shqipërisë do kalonte pa
ndonjë bujë të madhe. Pushtimi gjerman i Austrisë dhe Çekosllovakisë
ne 15 mars ishte një lëvizje ndërkombtare, e cila i dha argumente shumë të
fuqishme Çianos që t’ia servirte Musolinit dhe ta bindte plotësisht për një
pushtim ushtarak të Shqipërisë. Po këtë muaj ai pati një dialog me qeverinë
angleze dhe ajo i la që të kuptohet se nuk do ndërhynin në një problem që ishte
ndërmjet tyre dhe shqiptarëve.
Por, ajo që e bëri pushtimin plotësisht të sigurt dhe që ndikoi shumë në
vendimin përfundimtar të 23 Marsit 1939 ishte sigurimi që po në këtë ditë i dha
më në fund qeveria gjermane qeverisë italiane: se deti Mesdhe dhe ai Adriatik
njiheshin si dete italiane e si pasojë Italisë i liheshin duart të lira në
Shqipëri.[6] Më 25 mars 1939 i paraqitet A. Zogut
një projekttraktat në formën e ultimatumit prej 8 propozimesh. Ky projekt
traktat kërkonte në thelb nga pala Shqiptare pranimin e pushtimit të vendit nga
Italia. Zogu për të ruajtur autoritetin e tij nuk njoftoi as qeverinë e tij.
Mirëpo për të mbajtur pushtetin i duhej të lëshonte pe, ndaj i vuri Italisë dy
kushte të cilat nuk i cedonte: integritetin territorial dhe pavarësinë e
vendit. Më 31 Mars Çiano e vinte në dijeni Musolinin se Zogu kishte refuzuar të
nënshkruante marrëveshjen dhe i kërkonte atij që sfidës t’i përgjigjeshin me
armë. Meqënëse pushtimi ushtarak kërkonte kohë, diplomacia italiane insistoi
edhe njëherë ta fitonte Shqipërinë në mënyrë paqësore. Më 2 Prill Musolini
përsëriti edhe një herë ultimatumin, por ky ultimatum ishte disi më elegant se
ai i 25 Marsit përsa u përket kërkesave ndaj monarkisë Shqiptare. Zogu njoftoi
trupin diplomatik në Tiranë për kërkesat e Musolinit dhe mendoi të pranonte
disa prej tyre, por u tregua i vendosur për të mos pranuar ato kërkesa që
cënonin pavarësinë e vendit të tij. Më 6 Prill 1939 Musolini i dërgon një
mesazh personal Zogut ku i bente të ditur se ultimatumi skadonte në mesditën e
po asaj date.
Meqënëse Mbreti ka kërkuar 24 orë kohë që të mendojë
çështjen, Duçe, me anë të një telegrami personal e fikson kohën e përfundimit
të afatit të ultimatumit në orën 12 të së enjtes, 6 prill.[7] Refuzimet
e kërkesave italiane nga A. Zogu, realizimi i të cilave çonte në shkeljen e
sovranitetit politik të Shqipërisë, përbënin një provë të suksesit politik të
tij. Ky qëndrim i tij, në fund të fundit, i detyroi italianët që të
zgjidhnin pushtimin ushtarak si mënyra e vetme për kontrollin tërësor të
Shqipërisë. [8]
Mbasi Musolini e kuptoi, që Shqipëria nuk do të
aneksohej në mënyrë paqësore dha urdhër për pushtimin e Shqipërisë. Trupat
italiane komandoheshin nga gjenerali Alfredo Guzzoni, i cili kishte të gatshme
një ushtri prej 40 mijë vetash dhe armatime të shumta. Mëngjesi i 7 Prillit të
vitit 1939, shënoi aktin e sulmit ushtarak të Italisë kundër Shqipërisë.
Luftime të përgjakshme u regjistruan në Durrës, por edhe në Shëngjin, Vlorë e
Sarandë. Në Durrës trupat italiane u pritën me zjarr nga Mujo Ulqinaku, kapter
i marinës dhe nga Abaz Kupi, që kishte reth vetes 600 luftëtarë. Rezistenca
shqiptare ishte e paorganizuar dhe sporadike pasi si theksojnë me të drejtë
burimet amerikane, Mbreti Zog ishte më tepër për një rezistencë që do të bënte
jehonë duke e vënë para një pozite të vështirë Italinë Fashiste sesa për një
rezistencë të organizuar frontale. Më 7 Prill A.Zogu ndoqi planin e Pandeli
Evangjelit, për të organizuar një qëndresë jashtë Shqipërisë. Por jo të gjithë
intelektualët dhe shtresat e shoqërisë shqiptare mendonin në këtë lloj mënyre.
Proverbial, në këtë drejtim mbetet fjalimi i Mehdi Frashërit nga Radio Tirana
në disa gjuhë të botës, fjalim që denoncoi propagandën fashiste që synonte ta
pasqyronte pushtimin si një dëshirë e vet shqiptarëve. Në rastin e Shqipërisë
Italia kishte synime dhe interesa të kahershme strategjike: Së pari,
shfrytëzimin e pasurisë së lakmueshme natyrore. Së dyti, kishte pozitën strategjike,
e cila ishte pikë kyçe mes lindjes dhe perëndimit. Pushtimi i Shqipërisë ishte
një ndër aktet e para agresive në gjithë botën. Ndër masat e para që u morën
nga italianët, ishte ngritja e Komitetit të Përkohshëm Administrativ me Xhafer
Ypin në krye. Asambleja u thirr për herë të parë më 12 Prill 1939.
Fillimisht ajo rrëzoi dinastinë zogiste dhe abrogoi
Statusin themeltar të 1928-ës, i cili shërbente si bazë ligjore e monarkisë.
Gjithashtu, “Asambleja” vendosi bashkimin e Shqipërisë me Italinë nën kurorën
mbretërore të Viktor Emanuelit III dhe nxiti popullsinë të besonte te Italia.
Pra, Shqipëria do të funksiononte zyrtarisht si monarki kushtetuese autonome, e
trashëguar e Kurorës së Savojës. “Asambleja Kushtetuese” krijoi një qeveri
“shqiptare” me kryeministër Shefqet Vërlacin, pronar i madh tokash dhe armik
personal i Zogut.[9]
Më 15 prill, një delegacion i madh zyrtarësh shqiptarë,
me në krye Shefqet Vërlacin i dorëzoi kurorën shqiptare Viktor Emanuelit të
III. Më 22 prill 1939 Jakomoni dhe Vërlaci nënshkruajnë koventën ekonomike
doganore, sipas së cilës mallrat shqiptare dhe italiane do tregtoheshin
të lirë ndërmjet njërit vend në tjetrin. Paralelisht me masat politike dhe
ekonomike u morwn masa tw menjwhershme dhe pwr fashisizimin e vendit.
Pushtuesit italianë mbyllën disa gazeta dhe filluan botimin e gazetës
“Fashizmi” që më vonë u quajt “Tomori”.
Më 23 prill, Françesko Jakomoni, ambasadori italian në Shqipëri, u emërua
mëkëmbës i parë i mbretit italian në Shqipëri[10]. Më 2
qershor 1939 pushtuesit italianë formuan në Shqipëri Partinë Fashiste
Shqiptare, si degë e Partisë Fashiste Italiane që varej drejtpërsëdrejti nga
Musolini. Kjo ishte partia e vetme politike në Shqipërinë fashiste. Sekretar i
përgjithshëm i saj u zgjodh Tefik Mborja. Zyrtarisht, nuk egzistonte ndonjë
detyrim për të hyrë në parti, por atyre që nuk pranonin të aderonin, ua bënin
jetën të veshtirë, sidomos nënpunësve të administratës. Edhe flamurit shqiptar
iu shtua emblema e fashizmit italian[11].
Partia fashiste shqiptare tani ishte degë e partisë
fashiste italiane që drejtohej nga B.Musolini. Të gjithë nënpunësit shtetërorë
duhet të ishin pjesë e partisë fashiste. U morën shumë masa në arsim u ndaluan
shumë lëndë dhe literaturat e huaja i hoqi nga qarkullimi. Lejoheshin vetëm
literatura fashiste. Misioni francez i arkeologjisë që udhëhiqej nga Leon Rei,
u detyrua të pezullojë punën dhe të ikë nga Shqipëria. Në këtë kohë u largua
nga Shqipëria edhe fondacioni amerikan Rokfeler. Pushtuesi shtoi dhunën e
terrorin mbi popullsinë civile dhe mori masa për të shtypur çdo lëvizje
qëndrese. Kështu, që në ditët e para të pushtimit u dërguan në burgjet dhe në
ishujt e Italisë rreth 1000 veta atdhetarë shqiptarë. Me qëllim që të
stabilizonte gjendien në vend, pushtuesi mori disa masa të shpejta. Në këtë
kuadër, në fillim të qershorit 1939 Jakomoni nxori dekretin për çarmatosjen e popullsisë
brenda 30 ditëve.[12]
Ky dekret parashikonte dënime të rrepta deri dhe në
pushkatim për ata që si bindeshin urdhërit. Pushtuesi ngriti edhe disa
organizma të posaçëm që situata të mbahej nën kontroll. Të tillë ishin
komisioni “për gjurmimin e personave të dyshimtë për regjimin”, gjykata
ushtarake të përbërë nga oficerë italianë. U ndalua qarkullimi natën si dhe
dëgjimi i radiostacioneve të huaja. Në krye të një viti, mund të themi pa frikë
se Italia ishte zotëruesja e gjithçkaje në Shqipëri. Pushtuesit italianw u
përpoqën të kishin çdo gjë në duart e tyre madje edhe popullin gjë që se arriti
ta bënte kurrë. Me gjithë përpjekjet që u bënë në këtë aspekt, populli shqiptar
asnjëherë nuk pranoi të bëhej pjesë e partisë fashiste. Bashkimi i
kurorave të Shqipërisë dhe Italisë asnjëherë nuk u mor parasysh seriozisht, dhe
në literaturën e së drejtës ndërkombëtare zë shembullin e një bashkimi
fals.Shqipëria ishte një nga viktimat e para të të ashtuquajturit rendit të ri
fashist dhe konfigurimit të hartës gjeopolitike që fuqitë e boshtit dëshironin
t‘i jepnin botës. Pushtimi i saj nuk solli kundërshtime të ashpra diplomatike.
Kryeministri anglez, Charmberlen, u shpreh në Dhomën e
Komunëve se "Anglia nuk kishte interesa në Shqipëri" dhe shkoi ta
kalonte fundjavën në Skoci. Po kështu, edhe fuqitë e tjera të mëdha e njohën
pushtimin fashist, me përjashtim të SHBA, Turqisë dhe Egjiptit, shtete që
vazhduan të mbajnë hapur ambasadat e vjetra të shtetit shqiptar dhe nuk e
njohën shtetin e ri kuisling shqiptar, të përfaqësuar nga mëkëmbësi i mbretit
të Italisë, Jakomoni, dhe kryeministri shqiptar. Mund të imagjinohet sa i
madh ishte zhgënjimi i nacionalistëve shqiptarë, të cilët disa muaj më vonë
panë se agresioni ndaj një vendi tjetër siç ishte Polonia, do të sillte reagim
të fortë diplomatik dhe akoma më tepër të futeshin në luftë kundër Boshtit ato
fuqi që e kishin braktisur Shqipërinë në fatin e vet. Principet e Konferencës
së Paqes dhe së Lidhjes së Kombeve u shkelën me të dyja këmbët në rastin e
Shqipërisë dhe u respektuan tërësisht në rastin e Polonisë. Barazia midis
shteteve që ishte një nga parimet bazë të themelimit të Lidhjes së Kombeve,
rezultoi të ishte më tepër një qëndrim retorik, dhe se nuk përfaqësonte aspak
një vullnet të fortë politik. Shqipëria si gjithë vendet e tjera do kalonte nga
kalvari i Luftës Botërore por kundërshtimi i pushtimit që në ditët e para do ta
radhiste në Aleancën e madhe antifashiste, dhe kjo gjë mbetet një nga vlerat më
të pamohueshme në historinë tonë moderne.
Bibliografi:
1. Akademia e
Shkencave, Historia e Popullit Shqiptar Vëllimi III, Toena, Tiranë: 2009
2. Count
Galeazzo Ciano, Diary : 1939 – 1943 , London 1947 , Heinemann
3. Dezhgiu,
Muharrem. Shqipëria në luftë (1939 -1944)
4. Duka,
Valentina . Histori e Shqipërisë 1912-2000, Tiranë, Kristalina-KH, 2007
5. Fischer ,
Bernd J. Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, Tiranë: Cabej
6. Puto, Arben Shqipëria
Politike 1912-1939, Tiranë, Toena, 2009
Suplementi Rilindësi, faqe 20-21, 27.04.2014
[1] Valentina
Duka, Histori e Shqipërisë 1912-2000, Tiranë, Kristalina-KH, 2007, fq.
162
[2]
Arben Puto, Shqipëria Politike 1912-1939, Tiranë, Toena, 2009, fq.
404
[3]
Valentina Duka, Histori e Shqipërisë 1912-2000, Tiranë, Kristalina-KH, 2007,
fq. 185
[4] Bernd J.Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për
stabilitet në Shqipëri, Tiranë: Cabej, 1996, fq. 279
No comments:
Post a Comment