Thursday, 17 April 2014

Humanizëm i vonuar



Personazhit kryesor të romanit “Shakaja” të Kunderës, Ludovikut, i kushton shumë shtrenjtë një frazë që shkruan në një letër të tij dërguar një shoku, se “Optimizmi është opium për popullin”, pasi menjëherë pas denoncimit të kësaj fraze nga një miku i tij, ai përjashtohet nga universiteti dhe dërgohet në një kamp pune për t’u “riedukuar”.
Fraza ishte një parodi e citatit të njohur të Marksit, se “Feja është opium për popullin” dhe vinte në lojë entuziazmin komunist të ndryshimit të situatës kulturore dhe ekonomike në Çekinë e viteve ’50. Romani “Shakaja” konsiderohet një pasqyrë e totalitarizmit komunist në Çekosllovakinë e asaj kohe dhe për momentin dhe kohën kur u botua, u konsiderua një risi e veçantë, pasi prezantonte në Perëndim se ç’ndodhte mbrapa Perdes së Hekurt.
Mirëpo për këdo shqiptar në moshë madhore që e lexon romanin pasi ka përjetuar eksperimentin e komunizmit shqiptar apo dhe të ri në moshë, pas zbulimit dhe hapjes së arkivave, arrin të kuptojë se persekutimi i Ludovikut dhe atmosfera mbytëse e Çekisë së viteve ’50–’60 që përshkruan Kundera është shumë herë më e butë në krahasim me represionin dhe shtypjen, egërsinë dhe dhunën e ushtruar në Shqipëri. Në roman nuk gjen skena të kampeve të të burgosurve ku ata punojnë dhe shfrytëzohen në mënyrë çnjerëzore, as përshkrime të qelive si ato të Burrelit dhe Spaçit, vende dhe situata që e kanë bërë të veçantë Shqipërinë në hartën e komunizmit totalitar, duke na konsideruar me të drejtë si rast i veçantë në Europë.
Ndaj, duke pasur këtë lloj eksperience në shpinë dhe ndërgjegjen tonë si shoqëri, sa herë që ndihemi përballë ish të përndjekurve politikë, duhet të ndihemi shumë keq dhe si të paplotësuar, që edhe pas 23 vjetësh hallet dhe problemet e kësaj shtrese të shoqërisë ende nuk janë zgjidhur. Nuk dëshiroj që të trajtoj aspektin e jehonës dhe impaktit në politikën e përditshme që ka përkrahja e kësaj shtrese shoqërore, por dëshiroj që ta shikoj në aspektin njerëzor si një thirrje për pak më tepër humanizëm të munguar në shoqërinë tonë. Në këtë ikje e arratisje të shpejtë tonën nga e kaluara, duke u munduar të shikojmë nga e ardhmja, kemi harruar se ç’trauma dhe vështirësi ka lënë pas një nga regjimet më shtypëse në Europë dhe ish të burgosurit politikë janë një nga ata shtresa të popullsisë që i kanë ndier më shumë se askush tjetër në lëkurë këto keqtrajtime dhe trauma fizike e shpirtërore.
Dekomunistikimi i pretenduar se është realizuar tashmë që në fillimin e viteve ’90 në Shqipëri nuk mund të konsiderohet proces i mbyllur, përderisa ende nga ana morale nuk ka një ligj lustracioni që të bëjë të mundur mospërfshirjen në politikë dhe në jetën publike të vendit të ish-persekutorëve të djeshëm dhe, nga ana materiale, viktimat ende nuk janë dëmshpërblyer në bazë të ligjeve të miratuara nga Parlamenti shqiptar. Për këtë arsye duhet përshëndetur shumë fort iniciativa qeveritare për të filluar dhe paguar këstet e dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë, pasi me këtë akt dëshmohet se çështja ka filluar të merret seriozisht dhe se shumë shpejt do të ketë një zgjidhje, e cila nuk duhet parë aspak si një rëndim i buxhetit të shtetit dhe nënvlerësim ndaj shtresave të tjera shoqërore.
Ne si qytetarë duket se i përjetojmë shumë fort emocionalisht epokat ku jetojmë, pasi gjithandej nëpër vend mund të dëgjosh fjalorin e integrimit dhe paradigmat e zhvillimit dhe perspektivës ekonomike të Shqipërisë, por gjen pak ose aspak ekonomi të vërtetë të zbatuar dhe imponuese për planet e zhvillimit. Me pak fjalë, shoqëria shqiptare, kur flet e vepron, vazhdon të jetë ende e sëmurë nga sindroma e viteve ’90, e bërjes së “hesapeve pa hanxhinë” si thotë populli, pasi në situatën e krijuar tashmë në vend, për çdo njeri është e qartë se qeveria nuk është në ditët e saj më të mira nga ana financiare, por mbi të gjitha zgjidhja e këtij problemi të trashëguar është një sfidë morale që shteti shqiptar duhet ta zgjidhë me ish-viktimat e tij. Ekzistenca e një ligji sa më plotësues, përfitues dhe integrues të kësaj shtrese në shoqërinë shqiptare, është një dokument i mirë prej nga duhet vazhduar për ta zgjidhur problemin, pasi një shoqëri që nuk i zgjidh problemet me të shkuarën, as nuk mund të flitet që të progresojë në të ardhmen.

Gazeta Shqip 9.04.2014




No comments: