Influenca e nacionalizmit kulturor në marrëdhëniet
greko-shqiptare është shfaqur që në fillimet e shfaqjes së nacionalizmit në
rajon. Duke jetuar për një kohë të gjatë nën çatitë e dy perandorive, asaj
bizantine dhe otomane, afërsia territoriale si dhe ndarja e disa vlerave të
përbashkëta si ajo e një besimi të njëjtë fetar midis popullsisë greke dhe një
pjese të popullsisë shqiptare kanë krijuar premisat që grupe të ndryshme
popullsie të identifikohen ose të përzgjellin kombin në të cilin dëshirojnë që
të jenë anëtarë.
Zakonisht kur flitet për këtë aspekt në studimet
shqiptare apo dhe të huaja nënvizohet dhe merret në shqyrtim fakti se ka pasur
një asimilim më të madh të popullsisë shqiptare në atë greke sesa
anasjelltas, gjë që sipas dhe të dhënave tingëllon si fakt i vërtetë, por nuk
përjashtohet rasti që dhe periudha të ndryshme kohore të ketë ndodhur procesi i
kundërt si p.sh gjatë qeverisjes së Ali Pasha Tepelenës ku shumë zakone, fjalë
dhe veshje shqiptare(fustanella) u adaptuan gjerësisht nga popullsia greke e
për rrjedhojë mund të ketë pasur popullsi greke që u konvertuan në shqiptare.
Nacionalizmi kulturor në marrëdhëniet greko-shqiptare dhe anasjelltas shfaqet
dhe në ndikimet që ka pasur në kuadër të ringjalljes dhe rikthimit në vlerat
artistike të epokës së Pashallëkut të Janinës ku dy popullsitë jetonin së
bashku ende pa u prekur nga virusi i nacionalizmit etnik. Në këtë kontekst
përfaqësues të shquar të artit grek me origjinë arvanitase do të gjenin në
epokën e Pashallëkut të Janinës një të kaluar të përbashkët kulturore që në
fakt iu shkonte shumë mirë për shtat, duke iu shërbeyer në të njëjtën kohë të
dy identiteteve, atij të origjinës dhe atij të përfituar.
Gjatë qeverisjes së Ali Pasha Tepelenës në Pashallëkun e
Janinës ndodhi transformimi linguistik i gjuhës greke , e cila u bë një mjet i
madh shprehës i zgjimit iluminist dhe momenteve revolucionare të 1821. Dialekti Dhimotiki i
greqishtes u adaptua si si gjuha e oborrit të Ali Pashës ku forma e saj e
shkruar dhe kodifikimi u perfeksionuan. Ky adoptim i dialektit popullor si
gjuhë zyrtare me promovimin e zhvillimit të saj mbyllën hendekun e madh midis
elitës sunduese greke dhe publikut të gjerë dhe shtruan rrugën për të krijuar
një ndërgjegje dhe kohezion kombëtar. Mirëpo pavarësisht faktit të përdorimit
të gjerë të Dhimotikis , në bllokun etnik arvanitas,
interesimi për të shkuarën e largët të vendit të origjinës dhe një konfirmim i
një afërsie etnike me shqiptarët në momente të ndryshme historike krijuan
premisat e frymëzimit në motive të veçanta arvanitase ose dhe shqiptare.
Sigurisht influenca e nacionalizmit etnik grek dhe një tradite bashkëjetese
prej më se 170 vjetësh në shtetin kombëtar grek ku elementi arvanitas kish hyrë
në një proces asimilimi kulturor nuk mund të bënte të mundur që këto
demonstrime të ishin të një përmase të madhe, por gjithsesi nuk duhen
konsideruar të papërfillshme pasi janë dëshmi interesante të shtresave të
identiteteve në Ballkan.
Një autor shumë interesant në këtë drejtim dhe
personalitet i madh i kulturës greke me origjinë arvanitase është shkrimtari
dhe piktori surrealist Niko Egonopulos(1907-1985). Egonopulos është nga
përfaqësuesit më të shquar të brezit të autorëve të viteve 30’ në Greqi dhe
themelues i rrymës së Surrealizmit. Megjithëse Surealizmi në vitet 30’ ishte në
modë në gjithë Evropën për një lexues dhe dashamirës arti tradicional si
lexuesi dhe dashamirësi i artit ballkanik grek, poemat dhe pikturat e tij
shkaktuan një shok të vërtetë artistik. Dy librat e parë të Egonopulos “Mos i
fol shoferit” (1938) dhe “Klaviçembalos i qetësisë”(1939) ishin libra
shpërthyes, të guximshëm dhe revolucionarë për letërsinë greke. Në to gjenden
imazhe të çuditshme dhe përqeshëse për realitetin e kohës dhe poezia e tij
ishte e intensifikuar nga një qëndrim krenar dhe i pakompromistë i vet
poetit kundër të gjithë asaj që ishte kthyer në sterilitet dhe mërzitje në
letërsinë greke. Për ky modernizëm i tij është komplet origjinal pasi në
krijimtarinë e tij ai gjeti disa pjesë të qëndrueshme të traditës greke dhe ky
fakt është edhe arsyeja që Surealizmi pati një efekt më të gjatë në Greqi sesa
në Francë, në vendin ku kish lindur. Egonopulos i përdori principet teorike të
Surealizmit për të përshkruar dhe përforcuar trajta që ekzistonin në traditën e
letërsisë greke, veçanërisht në krijimtarinë folklorike dhe në traditën orale
të të kënduarit. Duke qëmtuar në traditën e hershme të letërsisë së shkruar
greke, Egonopulos do të jetë shumë i tërhequr nga fillimi i përdorimit të
dialektit bashkëkohor të Greqishtes së re, “Dimotiki” e cila ishte lëvruar
kryesisht në Pashallëkun e Janinës. Dialekti dhimotiki i
greqishtes u adaptua si gjuha e oborrit të Ali Pashës ku forma e saj e shkruar
dhe kodifikimi u perfeksionuan. Ky adoptim i dialektit popullor si gjuhë
zyrtare me promovimin e zhvillimit të saj ngushtuan hendekun e madh midis
elitës sunduese greke dhe publikut të gjerë dhe shtruan rrugën për të krijuar
një ndërgjegje dhe kohezion kombëtar.
Pikërisht kësaj tradite të hershme i referohet Egonopulos
kur në 1964 do ta vlerësonte poemën “Ali Pashaida” të shkruar në Dhimotiki,
të poetit shqiptar Haxhi Shehreti nga Delvina si artin e “vërtetë poetik grek”.
Kjo poemë, madhësia e së cilës shkon deri në 15.000 vargje nga të cilat u
përkthyen në greqishten e re rreth 10.000 vargje, qëndron në fakt si apogjeu i
gjithë kësaj periudhe pasi me korpusin e vet letrar jo vetëm përfaqëson një
shije estetike të lartë për kohën por është dhe një dëshmi e shumë ngjarjeve të
vërteta që ndodhën në Pashallëkun e Janinës. Poema u kompozua në shqip nga
autori dhe u përkthye në Dhimotiki për të kuptuar më mirë nga
gjithë banorët e Pashallëkut të Janinës nga Panajot Salonitglu.
Mirëpo nuk do të jetë vetëm ky vlerësim dhe përkushtim
ndaj poemës “Ali Pashaida” e vetmja lidhje e shkrimtarit dhe piktorit
surrealist Egonopulos me botën shqiptare. Janë të njohura tashmë skicat e tij
letrare “Një udhëtim në Elbasan” dhe “Mos i fol shoferit” ku elementë dhe
motive shqiptare janë bërthamat bazë të tyre, por një ndikim të madh nga bota
arvanitase-shqiptare, Engonopulos do të dëshmojë dhe në artin e tij figurativ.
Janë të paktën katër tablo të pikturuara në kohë të ndryshme që motivet
kryesore i kanë nga kjo botë që ishte dhe një nga komponentët kulturorë në të
cilën ishte rritur poeti dhe piktori grek. Engonopulos nga ana e së ëmës ishte
nga Hidra, ishulli i banuar nga popull si arvanitase dhe një nga më
aktivët në Revolucionin grek. Ai ishte stërnip i familjes Vulgari, familje
arkondësh nga ishulli që luajtën një rol të madh në historinë e mëvonshme të
Greqisë,ku njëri prej tyre Dhimitër Vulgari(1803-1875) u zgjodh disa herë
kryeministër pasi kish pasur një kontribut të shkëlqyer gjatë Revolucionit.
Këto lidhje të forta familjare dhe kulturore do të pasqyrohen dhe në
krijimtarinë e tij artistike duke dëshmuar shtresat e ndryshme identitare që e
kishin formuar si artist.
Kështu p.sh në tablonë "Tezeu dhe
Minotauri", e cila është bazuar ne mitin e njohur te Tezeut që vret
Minotaurin ne Kretë. Piktura ne fakt që në pamje të parë mund të evidentohet
lehtë që s’ ka lidhje me antikitetin. Tezeu është portretizuar si një luftëtar
arvanitas ose shqiptar, me tirqe, fustanelle dhe fes te kuq. Autori s’ ka
dashur te pikturojë heroin e vet me ndonjë fytyrë të identifikueshme, ndoshta
për ta përgjithësuar Tezeun me etninë e tij. Minotauri është një njeri i
zakonshëm , i veshur me maskë demi,çka mund te simbolizojë se e keqja
përgjon gjithnjë rreth nesh. Në këtë mënyrë një mit të antikitetit
Egonopulos e transformon në një mit të Greqisë moderne, ku nuk harron të
shënjojë edhe shtresat identitare që themeluan kombin grek. Si arvanitas, ai
ndjehet krenar që grupi i tij etnik ka dhënë një nga kontributet më të mëdhenj
në Revolucionin grek, por në të njëjtën kohë është dhe mëtonjës i së kaluarës
së lavdishme të antikitetit grek duke e shndërruar Tezeun , në një hero
arvanitas.
Egonopulos, ringjalli artin e të pikturuarit bizantin në
Greqi duke e bërë atë pranishëm në galeritë me portretet e heronjve të vet që
ngjajnë si shenjtorë të humanizmit. Kështu p.sh në vitin 1951 kemi një portret
të Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Skënderbeut në qeramikë që tërheq vëmendjen
pasi nuk i ngjan portreteve klasike të Gjergj Kastriotit. Ne pamje te pare me
modën e mustaqeve te gjata, ai ngjan si një hero arvanitas i revolucionit
grek, si Gjergj Karajskaqi , në gjoks ka një kokë skulpture nga Egjipti i
lashtë dhe rreth tij mbi kokë, ka dy koka gjarpërinjsh. Përkushtimi i heronjve
arvanitas të Revolucionit Grek ndaj Skënderbeut është një fakt i njohur.
Kolokotroni shkruan në kujtimet e tij se libri më i dashur për të dhe që
e lexonte dhe në pushimet e betejave ishte "Histori e Skënderbeut".
Prej këndej mund te supozojmë se Egonopulos qëllimisht i jep Skënderbeut
trajtat e një Heroi Arvanitas modern për ta identifikuar atë si heroin e një
etnie te vetme.
Po skulptura nga Egjipti i Lashte? Mos valle Egonopulos
apelon traditën e vjetër te besuar në një grup studiuesish për një popullsi
kompakte në të gjithë truajt e civilizimit të lashtë që e ndërtoi
atë? Heroi shqiptar sipas Egonopulisit, mesa duket është përfaqësuesi me
tipik i kësaj race të lashtë. Teoria pellazgjike e lindur në shekullin e kaluar
përreth origjinës së përbashkët greko-shqiptare ka pasur shumë ithtarë mes
popullsisë arvanitase , madje në dy libra “Arvanitasit, dorët e Neo Elenizmit”
(1968) të Kosta Birit dhe “Arvanitasit “ (1982)të Aristidh Kolisë , këto
argumente janë baza qendrore të tyre. Po gjarpërinjtë a mund te jene dy kokat e
shqiponjës te flamuri i heroit apo origjina e largët Ilire e Skënderbeut,
përmes mitit te Kadmit qe shpiku alfabetin dhe u shndërrua ne një gjarpër ne
liqenin e Lyknides(Ohrit) prej nga lindi etnosi ilir? Për fat të keq ky mit kaq
domethënës antik, i Kadmit që njihet dhe si kodifikuesi i gjuhës duke krijuar
alfabetin e gjuhës së shkruar , nuk është trajtuar nga asnjë shkrimtar
shqiptar, ndoshta të kompleksuar prej totemit bazë shqiponjës dhe sepse shpesh
herë gjarpërinjtë i kanë identifikuar si totem të fqinjëve të vet veriorë ,
serbëve. Trupi i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit është i veshur si me luspa
peshku që bën atë te ngjaj si një parzmore. Mos valle Egonopulos kërkon që ta
identifikoje si një Hero te Krishterimit, meqenëse dhe simboli i peshkut ka
qenë një nga simbolet me te hershme kristiane për shkak te mrekullisë kur
Krishti i tha Petros, pas një nate të pafat për të në Detin e Galilesë, hidhi
rrjetat sërish dhe ato u mbushen rrjetat plot. Simboli i peshkut ishte një kod
i fshehte me anë të të cilit të krishterët e hershëm identifikonin
njeri-tjetrin ne kohen e përndjekjeve të tyre gjate Perandorisë Romake.
Egonopulos si një nga përçuesit e rrymës se Surrealizmit ne Greqi
pikturat poezitë dhe tekstet e të cilit ende nuk janë deshifruar dhe
dekoduar plotësisht, befason publikun dhe audiencën me këtë portret, por i parë
dhe i krahasuar me portretin e Mërkur Buas(1953) 14x20 cm, heroit arvanit të
stratiotëve të shekullit të XV-XVI, vëren se të dy kanë një ngjashmëri. Edhe ai
është pikturuar si një shenjt, me mustaqe sërish alla arvanitika, por me një
kapelë perëndimore që padyshim simbolizon shërbimet e tij në favor të mbretërve
të Francës Karli i VII dhe Ludoviku i XII dhe më vonë Perandorit Gjerman
Maksimalian. Në frëngjisht prej kohësh është regjistruar fjala “Albanueja
“-kapele shqiptare e hyrë aty si fjalë e koncept nga trupat e Mërkur
Buas.Kapelja shqiptare ose “Albanueja” ishte kaq në modë në Francën e shekullit
të XVI si rezultat i kavalerisë së lehtë të Mërkur Buas sa e përdorte edhe vet
Mbreti i Francës si veshje. Duke pikturuar heroin arvanitas me këtë kapele
Egonopulos duket sikur kërkon të dëshmojë origjinën etnike të heroit, e për më
tepër e vizaton parzmoren e tij si luspa peshku, njëlloj si të Skënderbeut.
Skënderbeu dhe Mërkur Bua portretizohen të dy si heronj të Krishterimit dhe
nëpërmjet simboleve të veçanta të tyre, publiku mundtë gjykojë mbi
origjinën e përbashkët të tyre.
Imazheve të mesjetës në një cikël që u kushtohet
shenjtorëve të Kishës Ortodokse , Egonopulos papritur i bashkëngjit portretin e
Arkitekt Sinanit (1934) pikturë në dru 27x35 cm, arkitektit të madh të
Perandorisë Otomane me origjinë shqiptare. Ç’kërkon aty në atë cikël figura e
një arkitekti? Sërish në portretin e Sinanit gjenden simboli i gjarprit, qoftë
në turbanin që ka rreth kokës qoftë edhe në një objekt në krahë të tij si një
simbol që e gjejmë dhe tek piktura e Skënderbeut. Në dorë Arkitekt Sinani, mban
një kompas dhe një skicë, simbole të vjetra të ndërtuesve, aq shumë të përfolur
në kohët tona si masonë dhe në sfond dallohen dy ndërtesa në formë kambanoresh
kishash por pa kryq. Arkitekt Sinani i referohet shprehja pasi ndërtoi
kompleksin e xhamisë Selimaje se kurrë mos ndërto një ndërtesë më të madhe se
Agia Sofia, kisha e njohur e Kostandinopojës e ndërtuar nga Perandori Justinian
dhe e shndërruar më vonë në xhami pas pushtimit të qytetit në 1453. Simboli i
kokës së Egjiptit të lashtë në portretin e Skënderbeut në qeramikë dhe kompasi
dhe skica në duart e Arkitekt Sinanit janë simbole të një themelimi e
vazhdimësie të përnjëmendtët të botës mesdhetare që ka gjetur sofistikim
ideologjik tek teoria pellazgjike aq e pranishme mes arvanitasve në Greqi e
që ndoshta Egonopulos kërkon të përçojë tek audienca e vet.
Deri më tash nuk dihet ose nuk njihet ndonjë shkrim që
Egonopulos të ketë lënë në gjuhën arvanitase si kanë bërë të tjerë figura
politike e kulturore greke me origjinë arvanitase, por me artin e vet në
periudha të ndryshme kohore në funksion edhe të principeve të veta artistike të
Surealizmit, ai ka lënë gjurmë të dukshme të shtresës të identitetit tjetër të
vet, atij arvanit duke ngritur me të drejtë një kuriozitet të madh rreth
krijimtarisë së tij bizare por edhe shpërhapjes së çuditshme të gjakut arbër në
territoret mesdhetare. Vepra e tij njihet pak , ose aspak në Shqipëri ndaj do
të ishte mirë që jo vetëm të promovohet por përmes analizës së tekstit të
gjurmohen gjurmë identitare arvanitase që pasurojnë në fakt edh kulturën tonë
shqiptare. Si një shkrimtar e piktor që qëndron midis dy popujve fqinjë vepra e
tij apelon për rrënjë të përbashkëta kulturore dhe mitologjike mes botës
Egjeane, Joniane dhe të Adriatikut, tre deteve me qytetërimin më të lashtë në
Evropë.
Burimet:
1- Aristidh Kolia. Arvanitasit.
Toena: Tiranë, 2002
2- Kosta Biri. “Arvanitasit, dorët e Neo
Elenizmit”. Athina, 1968
3- Irakli Koçollari.Arvanitasit.
Tiranë: Albin, 1994
4- Irakli Koçollari. “Ali Pashaida”.Onufri:Tirana,
1997
5- Ilar Demir Tepedenli
Ali pasha and he ëest: A history of his relations with France and Great Britain
1798-1820. Department of History. Bilkent University:Ankara, December 2007
6- Todi Dhama. Fjalori i
Mitologjisë. Tiranë:8 Nëntori,1989
Suplementi
Rilindësi 12.01.2014
No comments:
Post a Comment