Thursday, 23 January 2014

Nevoja për një reformë territori



Më në fund dialogu i shumëpritur politik midis dy forcave të mëdha politike e ka një platformë mbi bazën e së cilës mund të diskutohet.
Pakti i paraqitur nga kreu i Partisë Socialiste edhe pse mund të ketë pasur kritika të shumta si nga pozita apo dhe një pjesë e shoqërisë civile, prapë së prapë ka brenda pika shumë të mira nga ku mund të ndërpritet monologu politik dhe të fillojë dialogu i vërtetë midis palëve. Një nga pikat që paraqet një interes imediat dhe që i preokupon të dyja forcat politike është dhe reforma zgjedhore.
Ky interes imediat dhe preokupim politik i palëve nuk buron vetëm nga domosdoshmëria të bërit reformë për hir të reformës por sepse kodi elektoral, ndarja e zonave elektorale , numri i votuesve dhe identifikimi i listave të dubluara ka krijuar gjithmonë debat mes tyre. Një nga pikat që lidhet ngushtë me reformën elektorale ku sipas propozimit të Partisë Socialiste kërkohet dhe zvogëlimi i qarqeve elektoralë nga 9 në 6, është dhe reforma për territorin që në Shqipëri pas zhvillimeve të ethshme demografike që kanë shoqëruar vendin, është anashkaluar dhe nuk është kryer asnjëherë.
 Territori dhe hapësira në të cilin jeton një komunitet është shumë i rëndësishëm jo vetëm për krijimin e një lidhje të qëndrueshme midis anëtarëve të komunitetit por dhe për hartimin e politikave të ndryshme të zhvillimit që kërkon të ndërmarrë një qeverisje e mirë. Sot për sot në Shqipëri gjendja e përcaktimit të territorit paraqitet kaotike. Ajo të kujton pasazhe nga historia e shekullit të XIX Në Angli dhe e pasqyruar mjeshtërisht në romanin e Ëilliam Makepeace Thackeray  (1811 – 24 1863), Panairi i Kotësive ku disa konte për shkak të zhvendosjes dhe migrimit ë popullsisë si pasojë e Revolucionit Industrial ishin pothuajse të shkreta pa banorë por megjithatë arrinin të nxirrnin deputetë për parlamentin anglez. E njëjta gjë po ndodh dhe në Shqipëri ku qarqe të ndryshëm elektoral nxjerrin deputetë që përfaqësojnë një popullsi relativisht më të vogël se e kolegëve të tjerë të tyre që zgjidhen në zona urbane, ndaj rishikimi dhe  rigrupimi i disa zonave në më pak qarqe do të ishte në interes të të dyja palëve dhe do të lehtësonte nga pak dhe buxhetin e shtetit. Përveç kësaj në zhvillimin e infrastrukturës që ka hyrë ekonomia dhe zhvillimi i shtetit shqiptar kërkon një ndarje dhe alokim të mirë dhe transparente të fondeve të zhvillimit.
Sot ne jemi dëshmitarë që edhe pse në shumë qytete kryesore të vendit nuk ka përfunduar plotësisht asfaltimi dhe sistemimi i territorit , në disa fshatra me një popullsi shumë herë më të vogël, për shkak se shumica e popullsisë është  në emigracion apo ka migruar brenda vendit, kanë përfituar fonde të mjaftueshme për të shtruar e sistemuar rrugë brenda komunës.
Natyrisht që në këtë konstatim nuk ka ndonjë përqasje të nënvlerësimit të zonave të thella ndaj atyre urbane apo ndarjes deri diku dhe përçmuese midis qytetarëve dhe fshatarëve që për fat të keq po bën gati-gati një 5 vjeçar që ka hedhur rrënjë në diskursin politik sidomos gjatë komentimit të votës së zgjedhjeve, por për një logjikë ekonomike zhvillimi dhe mbi të gjitha për vendosjen e një standardi antikorruptiv. Ashtu si është e njohur ngado në kulturën liberale një nga mjetet e efektshme në luftën kundër korrupsionit është zvogëlimi apo pakësimi i sa më shumë praktikave që mund të sjellin korrupsion të pastër politik dhe ekonomik. Përftimi dhe lëvrimi i fondeve në komuna deri dhe në 500 banorë më tepër sesa i ka sjellë dobi komunitetit ka copëzuar në disa pjesëza fondin e zhvillimit.
Po kështu këto fonde janë bërë burim i pastër korrupsioni të përfolur në media por dhe deri në kallëzime penal në prokurori. Ndaj dhe në shembullin e vendeve të tjera që janë gjendur përballë tronditjeve të tilla sociale të migrimit dhe emigrimit të popullsisë Shqipëria duhet të fillojë të bëjë reformën e vet territoriale për të rigrupuar komunat dhe bashkitë për të bërë të mundur që të hartohet një politikë më e mirë buxhetore dhe për të pasur një përftim politik duke përllogaritur më qartë dhe më mirë numrin e deputetëve sipas qarqeve. Një nga përfitimet e mundshme të numërimit të popullsisë që po zhvillohet do të jetë pikërisht dhe përllogaritja e qartë e zonave elektorale në bazë të numrit real të popullsisë.
Ky hap do të bënte të mundur që dhe beteja elektorale të ishte më e drejtë mes palëve, pa hile mandatesh të përftuara mbi numër të vogël popullsie dhe qeveria qendrore të kishte mundësinë që të hartonte një shpërndarje më të mirë të investimeve. Duke qenë se reforma mbi territorin nuk përbën ndonjë pikë të paktit të propozuar nga Partia Socialiste por mund të jetë një pikë që mund të nënkuptohet shumë mirë nën spektrin e reformës elektorale që mendohet se të dyja palët do të kryejnë, do të ishte mirë që ajo të nominohej në bisedimet midis palëve.
Në këtë rast përftimi do të ishte i dyfishtë. Shqipëria do të kryente një nga reformat më të rëndësishme për zhvillimin e vet ekonomik e politik por fare mirë kjo pikë mund të shërbejë dhe si pikë konsensusi për të dyja palët. Në këtë mënyrë koncepti i territorit do të evoluonte nga një “mollë sherri” si njihet në ndërgjegjen dhe historinë e njerëzimi në një degë ulliri për të rivendosur paqen, dialogun dhe mirëkuptimin e shumë pritur mes palëve.


Gazeta Shqip 13.10.2010




No comments: