Saturday, 2 June 2012

Skicë e historisë së Shqipërisë



Në këtë 100 vjetor të pavarësisë, kur dëshiron të shikosh si në një film pa zë, tërë rrugëtimin e kombit tonë në shekuj,  të vjen në mendje rrufeshëm një mendim. A kemi qenë ne të privilegjuar nga historia apo fati historik ka luajtur në mënyrë tragjike me ne? Sigurisht që pyetja nuk është e lehtë pasi përmban në të një tharm të madh të zhvillimit tonë social-historik, por duke hedhur vështrimet në disa etapa kryesore të saj mund të arrijmë në disa përfundime.
Së pari ne jemi një vend i vogël e me popullsi të madhe por këndej në këto truaj kanë kaluar të gjitha qytetërimet që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në formimin tonë kulturor. Ne jemi me fat që kemi një qytet antik si Butrinti ku poeti romak Virgjili vendos ngjarjet e poemës së tij të famshme “Eneida”e një qytet tjetër antik si Apolonia ku Oktavian Augusti kreu studimet por në të njëjtën kohë ndihemi dhe fatkeq që nga gjithë qytetërimi ilir nuk kemi gjetur ende një pjesë të shkruar në gjuhën ilire që do të na ndihmonte shumë për të hedhur dritë në trinomin ilir-arbër-shqiptar. Pushtimet e shumta nuk lanë në këmbë asnjë tempull ilir dhe në mënyrë të çuditshme një nga truajt më të vjetër të qytetërimit botëror si është Shqipëria,  “flet” tashmë vetëm me monumente kulturore por jo me vepra të shkruara në gjuhën tonë.
Në shekullin e XV , shqiptarët me prijësin e tyre Skënderbeun shkruan një nga epopetë më të rëndësishme në historinë e Evropës duke u bërë mbrojtësit dhe parzmorja e saj ndaj pushtimit otoman, por ndërsa vendet e tjera që nuk ranë nën këtë pushtim u zhvilluan , ne për fat të keq u krodhëm në natën osmane. Qëndresën tonë heroike e paguam shumë shtrenjtë , me shkëputjen e dhunshme nga Evropa dhe humbjen e shansit historik për të marrë pjesë në të gjitha lëvizjet kulturore të kontinentit. Lavdia dhe shkëlqimi i trimërisë shqiptare u shpërndanë kudo nëpër botë por shanset e humbura historike për të qenë pjesë e Evropës na e vështirësuan shumë rrugëtimin tonë drejt pavarësisë e një zhvillimi kulturor të qëndrueshëm.
Në vitet kur agimi i pavarësisë trokiti në dritaret tona dhe ne hapëm kanatat të shijojmë qiellin e pastër të lirisë, një vendim absurd la jashtë kufijve tanë tokësorë më shumë se gjysmën e kombit. Gëzimit të natyrshëm se Shqipëria po bëhej iu shtua natyrshëm hidhërimi se Kosova dhe viset shqiptare po vuanin. Evropa na nderoi duke na lejuar si pak kombe të tjerë që flamurin zyrtar të shtetit tonë të kishim shqiponjën dykrenore por një kre të saj na e la jashtë që të vajtonte. Për një kohë shumë të gjatë kjo mbeti pengu dhe brenga jonë sepse jo vetëm trupi jonë kombëtar u mpak por humbëm dhe komunikimin shpirtëror me njëri-tjetrin në vitet e trishta të Luftës së Ftohtë.
Sot Shqipëria dhe Kosova të dyja aspirojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian dhe duket se me këtë rrugëtim të tyre sikur po plotësohen dhe aspiratat shumë shekullore të etnisë sonë. Sot ne po shijojmë lirinë e vërtetë politike që shumë shpejt do ti japë frytet e saj por nëse duam ti përgjigjemi pyetjes që shtruam në fillim mund të themi se asaj i shkon për shtat si përgjigje vargjet e poetit Xhevahir Spahiu:
Tehut të shpatës kemi ecur rrufe
pastaj shpata ka ecur mbi ne.


No comments: