Ndërsa partitë politike në Tiranë janë të
përfshira në procesin e vështirë dhe të sikletshëm të zgjedhjes së Presidentit,
në pjesën më veriore të kombit shqiptar në Merdarë, pikës kufitare që ndan
Republikën e Kosovës me Serbinë , u shënuan incidentet e radhës midis
strukturave paramilitare rajonale serbe dhe forcave të KFOR-it. Incidentet, të
cilat tërhoqën menjëherë vëmendjen maksimale të B.E për shkak se midis forcave
të KFOR-it pati dy të plagosur, filluan për shkak se KFOR në mbështetje dhe të
marrëveshjeve të arritura në bisedimet dypalëshe Prishtinë-Beograd për lëvizjen
e lirë të njerëzve dhe mallrave tentoi të hiqte barrikadat serbe që në mënyrë
të paligjshme që nga vera e shkuar vazhdojnë të qëndrojnë aty jo si
simbole të qëndresës së tyre por si simbole të “mureve të reja të Berlinit” që
kërkojnë të ngrihen në Ballkan. Ngjarjet të cilat priten që të jenë dhe sfida e
parë diplomatike për Presidentin e porsa zgjedhur të Serbisë Nikolic nuk u
kaluan pa u vënë re dhe në Tiranë. Për herë të parë Ministria jonë e Punëve të
Jashtme, duke braktisur çfarëdolloj gjuhe ekuivoku dhe jo të qartë deklaroi se mbështet vendosmërinë e Qeverisë së
Republikës së Kosovës për ushtrimin e sovranitetit të saj, vendosjen e rendit e
ligjit për të siguruar lirinë e lëvizjes në të gjithë territorin, në
bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in. Por kërkesa e qeverisë
shqiptare nuk u ndal këtu. Deklarata e qeverisë shqiptare kërkon
nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të dhunës, si dhe çmontimin e strukturave
paralele e kriminale serbe të sigurisë për të vendosur rendin dhe ligjin edhe
në këtë pjesë të vendit. Kjo deklaratë është për tu përshëndetur sepse në
dallim nga herët e tjera ku tonet e Shqipërisë kanë qenë shumë të buta, kësaj
radhe qeveria shqiptare duke përfaqësuar dhe një opinion të gjerë
bashkëkombësish dhe qytetarësh shqiptarë i ka dhënë përgjigjen e merituar
rebusit të marrëdhënieve serbo-shqiptare. Këto marrëdhënie në fakt, kanë kohë që
po provohen në Kosovë dhe sidomos në vullnetin e Serbisë për të pranuar një
realitet që tashmë e njeh pjesa më e madhe e shteteve të Bashkimit Evropian,
SH.B.A dhe një sërë shtetesh të tjera të kontinenteve të ndryshëm. Pavarësia e
Kosovës nuk është tashmë një akt i njëanshëm dhe i njohur përciptas por një
realitet i qëndrueshëm dhe faktor për tu marrë në konsideratë. Në këtë kuptim
deklarata e Presidentit të porsazgjedhur serb Nikolic se nuk do ta pranojë
pavarësinë e Kosovës dhe me koston e mospranimit në Bashkimin Evropian,
përveçse është një konservatorizëm i pa pranueshëm për rajonin influencon për
keq dhe në strukturat paramilitare serbe po e mbajnë peng territorin e Kosovës Veriore qysh prej
ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Mirëpo kësaj fryme konstruktive që u përpoq
të përcillte deklarata e qeverisë shqiptare , e cila për hir të së vërtetës
tregon hapur problematikën që shqetëson jo vetëm atë ,por dhe gjithë
komunitetin ndërkombëtar , nuk iu përgjigj deklarata e vakët që lëshoi Bashkimi
Evropian nëpërmjet sekretares së Baroneshës Ashton. Zëdhënësja e saj, Maja Kocijancic deklaroi as më shumë e as
më pak se B.E ishte shumë të shqetësuar për situatën aktuale në Veri të Kosovës
dhe se ftonte palët të tregoheshin të përmbajtura dhe të bashkëpunonin me
strukturat ndërkombëtare në Kosovë. Me pak fjalë i gjithë ai tension me
plagosjen e dy ushtarëve të KFOR-it dhe moslejimin e heqjes së barrikadave të
jashtëligjshme u reduktuan në një “shqetësim” dje “thirrje për bashkëpunim”. Ky
qëndrim kaq i butë i politikës zyrtare të B.E Ka lënë një shije të hidhur në
gjithë hapësirat mbarëshqiptare. Duke mos dashur as mos uruar fatin e dy
demonstruesve shqiptarë të rënë në përleshjet e dy viteve më parë në Prishtinë,
ku demonstrata e lëvizjes Vetëvendosja u shtyp me dhunë nga forcat e EULEX-it
duket sikur ndërkombëtarët kanë përqafuar qëndrime me dy lloj standardesh të
ndryshme përsa i përket qëndrimeve të tyre në Kosovë. Kjo lloj politike ,
sigurisht që është dhe kundër vetë standardeve të diplomatëve evropianë që deri
më tani janë munduar që shpesh herë të identifikojnë viktimat me xhelatët në
qëndrimet e tyre në Kosovë duke harruar se kështu inkurajojnë “skifterët”e
konfliktit të hapur mes strukturave paralele dhe paramilitare serbe. Shqiptarët
kësaj radhe janë nga ana e të lënduarve sërish pasi sipas të gjitha të drejtave
të ndërkombëtare të njohura dhe nga qeveritë e vendeve të këtyre diplomate kanë
të drejtën e Zotit të vendosin rendin dhe qetësinë brenda shtetit të tyre dhe
të mos mbahen peng e orekseve të një minorance etnike që nuk dëshiron të njoh
as ligj dhe as rregull ndërkombëtar. Përkeledhja dhe marrja me të mirë se kinse
kështu do të qetësohen ujërat dhe pasionet nacionaliste kanë rezultuar fatale
në Ballkan. Ato janë marrë gjithnjë si për dobësi dhe më shumë kanë zhytur
rajonin në kriza etnike të panevojshme. Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës
duhet të ndërmarrin një ofensivë të re diplomatike në botë, jo vetëm duke
synuar njohjet diplomatike të Republikës së Kosovës por çmontimin e strukturave
paralele dhe denoncimin e lojës së pistë që po luan Serbia në rajon. Bashkimi
Evropian dhe bota tjetër e qytetëruar ka disa principe bazë , ku mes tyre
spikatin e drejta për të qeverisur territoret si shtet sovran dhe komunikimin
dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mallrave dhe nëse Serbia dëshiron të
jetë pjesë e kësaj bote duhet t’i fillojë t’i respektojë një për një ashtu si
bëjnë të gjitha shtetet e kësaj hapësire.
Gazeta Shqip. 10.06.2012
No comments:
Post a Comment