Më 11 shtator te vitit 2001, bota nuk u zgjua më ashtu si ishte më parë. Për të gjithë ata që nuk e kuptuan,ose më saktë u munduan ta anashkalonin, i përngjanë strucit që fut kokën në rërë kur ndodhet në rrezik. Në fakt ngjarje të tilla të mëdha shpesh herë tentojnë të kalojnë në ullukun imagjinar të teorive të konspiracionit. Kështu p.sh. dhe “Nata e kristaltë” në Gjermani nuk u kuptua se ç’murtajë të urrejtjes etnike po i sillte Evropës dhe deri sa demokracitë perëndimore e asaj kohe të kuptonin natyrën e vërtetë të nacionalizmit racist nazist, rreziku u kish trokitur tek porta në formën e pushtimit. Edhe atëherë u vu në dyshim qëllimi apo egërsia e fushatës përndjekëse,duke mos ndërmarrë një aksion të fortë diplomatik që në mos do të rrëzonte regjimin nazist, të paktën do të frenonte vazhdën e gjatë të dhunës të ushtruar ndaj grupeve të tjera etnike.
Një mori artikujsh madje dhe librash u shkruajtën për të shpjeguar apo dhënë kuptim veprimit të tmerrshëm të 11 shtatorit ku humbën jetën rreth 3000 veta të pafajshëm. Po aq i madh është dhe ai që mbështet teoritë e konspiracionit dhe organizimit të njëanshëm të ngjarjeve me qëllim hegjemoninë botërore. Ajo që të bie në sy është se pothuajse të gjithë merren me krahasimin e qytetërimeve,dallueshmërinë dhe epërsitë e njërit qytetërim mbi tjetrin. Mbi bazën e këtyre vlerësimeve janë ngritur dhe politikat e ndryshme që ndiqen ndaj Lindjes së Mesme. Në fakt në praninimin apriori të teorisë së përplasjes së qytetërimeve,ne rrezikojmë të biem në gabimin fatal të gjeografëve arabë të shekullit IX e të X që kur përshkruanin udhëtimet e tyre në skajet e largëta të Europës perëndimore i konsideronin këta popuj “barbarë “duke marrë si kriter jetesën dhe zhvillimin e dijes në Kalifatin e tyre të Kordobës. Duke i konsideruar të paqytetëruar ata as që denjonin të hynin në kontakt me ta,duke fituar kështu padijen dhe natyrisht dhe urrejten e tyre. Jo më shumë se disa shekuj më vonë këta popuj jo vetëm që përvetsuan filozofinë e lashtë por zhvilluan dhe Rilindjen Europiane duke prodhuar një periudhë të shkëlqyer zhvillimi që do të bëhej bazamenti mbi të cilin do ngrihej ngrehina e qytetërimit dominues Evropian përkundrejt atij lindor që pas shekullit të XV do të degradonte në shkëlqime lokale dhe jo më universale si kish qenë më parë. Tendencat lokaliste të qytetërimeve gjithmonë krijojnë gjeneratore mbytëse që ndajnë botën në pole të ndryshme duke shkaktuar konflikte të panevojshme. Mrekullitë e qyteteve, kryeqendra të kulturave si Athina në lashtësi, Firencja në mesjetë dhe deri Voskopoja jonë në shekullin e XVIII, kanë qenë më shumë kryeqendra të përplasjes së kulturave të ndryshme sesa kultura te mirëfillta lokaliste të popujve i që banonin ato.
Gjendja që paraqitet sot në botën e Lindjes së Mesme,me eksplozionin tronditës së popullsisë, anafalbetizmin e madh në mes të kësaj popullsie, fanatizmin fetar, konfliktet e sajuara etnike midis tyre dhe varfërinë e trashëguar nga mosndarja e mirë e burimeve të jetesës kanë sjellë prodhimin me bollëk të akteve nga më të ndryshme terroriste. Një botë e tërë është përfshirë në pikëshenjestrën e akteve terroriste duke inflencuar në mënyrë të tërthortë dhe në jetesën tonë të përditshme,që fillojnë nga përgjimet e telefonatave, kontrollet e forta në aeroporte etj,masa të domosdoshme për të luftuar “armikun e padukshëm” që fare mirë mund të jetë fqinji yt i derës përballë.
Gjithsesi në këto masa janë vërejtur dhe shkelje të së drejtave të njeriut,të cilat përbëjnë një nga parimet bazë të qytetërimit tonë universal Europian. Ne kurrë nuk duhet të lejojmë që të degradojmë qytetërimin tonë në një copë letër të pajetë të përfaqësuar vetëm nga thirjet tona për drejtësi dhe barazi sepse kështu rrezikojmë me të vërtetë të biem në retorikën e gjithë atyre sharlatanëve që në emër të po këtyre parimeve rekrutojnë terroristë gjithandej në Lindjen e Mesme. Rreziku i vërtetë i 11 Shtatorit nuk qëndron në aktin e fundit të atyre hodhën në erë kullat apo të tjerëve që në të ardhmen do ndërmarrin akte të tilla të shëmtuara terroriste, por në neglizhimin e faktorëve që i detyrojnë këta njerëz të bëhen kamikazë e të marrin jetë njerëzish.”Për të njohur ujkun duhet të hysh në lëkurën e tij” thotë një shprehje e njohur dhe kjo nuk mund të arrihet nepërmjet përsosmërisë së mjeteve policore-ushtarake, por duke njohur dhe analizuar shkaqet nga buron terrorizmi.
Perëndimi nuk e ka bërë “mea culpa” e vet përsa i përket politikës që ka ndjekur ndaj Lindjes së Mesme, duke u dhënë kështu një armë të fortë propogandiste terroristëve për të “ironizuar” kulturën dhe vlerat tona demokratike.Kështu pas një angazhimi konkret që ka pasur deri në vitet 60’, në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme, në formën e kolonive,fuqitë europiane kur u tërhoqën vazhduan të mbështesin regjime diktatoriale që nuk promovonin demokraci dhe mirëqënie por autoritarizëm dhe varfëri. Fillimisht kjo politikë u justifikua me ngjarjet e Luftës së Ftohtë, por kur ra muri i Berlinit,politika perëndimore nuk ndryshoi aspak dhe gjithandej në botën arabe është shumë e vështirë të gjesh qoftë dhe një regjim të vetëm demokratik.U vërejt ,jo pa të drejtë se nafta si një burim kryesor energjitik i planetit kushtëzon dhe politikën e jashme të Perëndimit dhe se parimet e lirisë dhe demokracisë mund të anash kalohen kur bëhet fjalë për të siguruar atë me çmim të arsyeshëm.
Kjo situatë u shfrytëzua shumë mirë nga rregjimet arabe,të cilat promovuan dhe fanatizmin fetar si një mjet për të siguruar vendin privelegjues të dinastive të tyre, si rasti Arabisë Saudite dhe Kadafit në Libi. Në emër të kësaj politike, liritë dhe të drejtat e njeriut si dhe nocione si planifikimi familiar që shprehin individualitetin e njeriut janë anathemuar në Lindjen e Mesme si “papastërti të panevojshme” për qytetërimin lindor.Bota arabe e lindur mbi gërmallat e sistemit kolonial,duke mos qenë nën efektin e as një lëvizje iluministe që ka kaluar Europa,vazhdon të përpëlitet ende për të gjetur identitetin e vet. Këtu duhet të jetë ndërhyrja vendimtare e Perëndimit,për ti përqasur në vlerat universale nëpërmjet promovimit kulturor, shkollimit dhe mbrojta e parimeve të veta të lirisë, demokracisë dhe barazisë si vlera humane që i përkasin gjithë njerëzimit.Reformat e inicuara nga Perëndimi duhen të synojnë në rigjetjen e individualitetit dhe njeriut modern arab, për të mos krijuar diferencën e madhe midis mirëqenies dhe mungesës së lirisë si vërehet në vendet e Gjirit.Vetëm kështu, rreziku i 11 Shtatorit paralizohet dhe humbet bazat e veta, duke u kthyer në një ishull të lehtë për tu identifikuar dhe luftuar. “Liria gjithmonë jep rezultate”, kjo shprehje universale duhet të vlejë dhe për vendet e botës arabe.
No comments:
Post a Comment