Në
poemën epike “Odisea” të Homerit, ka një pasazh interesant që meriton vëmendje.
Kur Odiseja gjëndet i zënë në kurth në shpellën e Polifemit, i pyetur nga ai se
kush është, për të mos zbuluar identitetin e vet, kthen përgjigjie se është
“Askushi”. Natyrisht që Odiseja e dinte shumë mirë se kush ishte dhe po kështu
po aq e qartë do të ishte dhe për të tjerët se ç’përfaqësonte heroi i Trojës
nëse shqiptonte emrin e tij.
Problemi në të vërtetë nuk qëndron kur persona të
veçantë ngatërrojnë identitetin e tyre,as kur për një arsye apo tjetër duan të
identifikohen me një identitet të rremë, por kur ky ambiguitet shtrihet në
rrafshin kombëtar ashtu siç na ka ndodhur shpesh ne shqiptarëve në histori,
atëherë kthehet në një “nyje gordiane” që kërkon zgjidhje.
Siç
çdo “nyje gordiane” që është e koklavitur por dhe që zgjidhjen e ka po aty para
nesh, përpara se ti biem shkurt duke “e prerë me shpatë”, duhet të analizojmë
sesi arritëm të ngatërrohemi deri në atë pikë. Përpara se të tjerët të na
thërrasin me një emër apo të vetquhemi si të tillë,ne duhet të kemi të qartë se
kush jemi,dhe nga vimë. Në këtë kuadër memoria kolektive historike luan një rol
shumë të madh në formimin e identitetit të një kombi. Nuk përjashtohen raste si
ai i Zvicrës,kur “harresa kolektive” ka shërbyer më shumë për forcimin e
identitetit kombëtar sesa kujtesa,duke harruar qëllimisht se vetëm një vit më
parë se të formohej Konfederata zviceriane, kishte pasur një luftë civile midis
kantoneve që çoi në krijimin e konfederatës. Shqiptarët në dallim nga rasti i
Zvicrës,ashtu si dhe gjithe kombet e tjera të Ballkanit,zgjodhën kujtesën
historike për të formuar identitetin e tyre kombëtar. Gjatë viteve të Rilindjes
Kombëtare, ata zgjodhen si simbol të zgjimit të tyre kombëtar Gjergj
Kastriot-Skënderbeun, dhe rrjedhimisht një nga armiqtë e tyre dhe shtetin
otoman, që kishte ndërprerë ecjen normale së Shqipërisë sikundër ana e tjetër
të Adriatikut.
Një
përpjekje titanike filloi nga ana e rilindasve për të “zgjuar” një komb që
flinte në dafinat e identiteteve të rrema. Si rezultat i ndarjes fetare
shqiptarët duke mos pasur dhe shkollë kombëtare e gjenin veten sa turq, grekë
apo latinë e sllavë sipas riteve fetare që ushtronin. Problemin më të madh që
pati shteti otoman në Ballkan nuk e kishte me popullsitë e krishtera të vendeve
fqinjë pasi atyre duke i konsideruar si të huaja, kur erdhi kalbja e
perandorisë e pati më të lehtë për t’iu njohur pavarësinë shpesh herë dhe në
kurriz të tokave shqiptare, por me Shqipërinë ku popullsia përbënte pothuajse
dy të tretat myslimane që ishte dhe besimi zyrtar i perandorisë. Shqiptarëve,
Porta e Lartë u mohoi çdo përpjekje për tu afirmuar si komb, duke mos u lejuar
zhvillimin dhe kultivimin e gjuhës së tyre madje as administrimin e vilajeteve
shqiptare në një të vetëm.Kjo luftë e heshtur dhe e ndyrë, që shpesh here
pretendohej se bëhej dhe në emër të ruajtes të “identitetit” të shqiptarëve nga
fqinjët dhe që fatkeqësisht zë vend tek tuk në shkrimet e disa studiusve
tanë,bëhej ne fakt në emër të ruajtes së perandorisë. Porta e Lartë kërkonte të
sanksiononte përjetë edhe pushtimin territoral duke e kthyer vendin tonë në një
“Turqizë të vogël”, pasi kish arritur më parë atë shpirtëror,nëpërmjet fesë dhe
kulturës lindore. Mohimi i arsimimit në gjuhën kombëtare nxiti fenomenin e
njohur të “grekomanëve”- shqiptarëve që duke mos gjetur mundësinë për tu
arsimuar në gjuhën e mëmës,arsimoheshin në greqisht dhe që Patriakana mundohej
tu blinte shpirtin. Ky ishte një nga “peshqeshet” e shumta të politikave
shkombtarizuese që turqit ndiqnin ndaj shqiptarëve.
Janë
të shumta rastet në historinë e afërt të shqiptarëve kur Porta e Lartë veproi
kundër interesave tyre.Kështu p.sh. në traktativat që bëheshin me Greqinë në
prag të Luftërave Ballkanike, diplomatët turq propozonin zgjerim territorial të
Greqisë në Epir dhe në këmbim dëshironin të mbanin ishujt e Egjeut për të
saksinuar hegjemoninë e tyre në rajon. Po kaq lehtë Porta e Lartë në prag të
rënies së saj agonuese i copëtoi në katër vilajetet shqiptare nga tre që ishin,
duke marrë si kriter bazë besimin fetar dhe jo kombësinë. I dyshimtë mbetet
fakti sesi këto ushtri të dobëta turke që ishin shpartalluar aq lehtë në
luftërat Ballkanike nga ushtritë e vogla ballkanike, dy vjet më vonë mbrojtën
heroikisht Galipolin në gadishullin e Azisë së Vogël nga sulmet e ushtrive
moderne anglo-franceze.
Duke
vlerësuar këto fakte dhe shumë të tjera që gjenden në arkiva,të bëra dhe
publike si rasti i marrëveshjeve për ndërrimin e popullsive midis
ish-Jugosllavisë dhe Turqisë apo Greqisë dhe Turqisë, të cilat kanë dëmtuar
strukturën etnike të trojeve shqiptare, tingëllojnë të çuditshme referencat që
dëgjohen herë pas here në disa qarqe studiusish se “ushtari turk nuk ka qënë i
njëjtë me andartin grek dhe çetnikun serb” apo për “vëllazërinë e pandarë turko-shqiptare”.
”Akraballëku”-kushurillëku shqiptaro-turk siç e vlerëson me të drejtë
politikani dhe studiuesi shqiptar Arbën Xhaferi, vetëm sa dëmton identitetin
tonë dhe i jep rrugë spekullimeve të ndryshme rreth kombit dhe çështjes
shqiptare. Fati i Shqipërisë është shkëputur me kohë nga ai i Turqisë, përpos
“nën thundrën e përdhunës” kanë qenë bashkë për një periudhë të caktuar dhe në
perspektivën e vet europiane, Shqipëria ka nevojë të riforcojë lidhjet e vjetra
me Europën,pasi përbën një nga truajt e vjetër ku qytetërimi europian ka
filluar. Ne duhet të ndihemi njëlloj të irrituar kur ngrihet flamuri turk nëpër
festa po aq sa ndihemi të irrituar kur ngrihet flamuri grek apo serb. Raste të
tilla siç qe skena e synetllëkut masiv në një fshat të Librazhdit që përveç
simbolikës fetare që duhet respektuar valëviteshin dhe flamujt turq, të
kujtonte mbledhjet e jeniçëreve-gjakut tonë të shprishur që ushqente ushtritë
otomane,duken të papranushëm për identitetin tonë kombëtar.Këtë dilemë e
zgjidhën rilindasit tanë, të cilët cilët pa përjashtim orientuan Shqipërinë e
shekullit të XIX drejt Europës,dhe s’kemi pse ne brezi i tretë i tyre në
shekullin e XXI ta kemi.
Lidhjet
historike krijohen mbi bazën e njëjtë të origjinës dhe të besimit fetar,por
përderisa shqiptarët nuk kanë të përbashkët me turqit origjinën dhe e kanë bërë
zgjidhjen tyre instiktivisht që në vitin 1912 kur Faik Konica shkruante në një
artikull drejtuar myslimanëve shqiptarë, se ”myslimamët shqiptarë duhet të
ishin të afërt dhe sinqerisht të bashkuar me të krishterët” për të formuar
kombin shqiptar dhe më pas i këshillonte që “ta mbanin fenë islame por në të
njëjtën kohë të largoheshin nga e keqja politike që vinte prej saj:
identifikimi nga të huajt i shqiptarit mysliman me turkun”, s’kanë pse të identifikojnë
vetveten me lidhje historike të paqëndrueshme. Koha tregoi se shqiptarët i bënë
të vetat këto gjykime në vigjilje të shtetit të tyre, dhe koha si gjykatësi më
i mirë e ka treguar se ky ka qenë një nga gjykimet më të urta që shqiptarët
kanë ndërmarrë në jetën e tyre politike si komb.
No comments:
Post a Comment