Monday, 22 October 2007

Shenjtërimi i lumnueshëm i Nënë Terezës






“Jepi Çezarit atë që përket Çezarit dhe Zotit atë që i përket Zotit” - kjo shprehje e njohur nga Bibla ka marrë konotacione të ndryshme gjatë shekujve. Në sensin historikografik, shprehja i referohet vlerësimit dhe kontributit të figurave të ndryshme historiko-shoqërore në kohë. Në historinë tonë të turbullt, ne shpesh herë e kemi shkelur këtë parim duke dashur që figurat historike t’iu shërbejnë qëllimeve dhe ideologjirave tona, pa u kujdesur aspak se kështu dëmtojmë integritetin shoqëror të tyre. Në fakt kjo shprehje duhet parë ngushtë me kuptimin moralo-filozofik të saj. Në sensin filozofik të Krishtërimit ajo përfaqëson një dallim të qartë midis pushtetit civil dhe atij hyjnor, midis pushtetit të përkohëshëm dhe atij të përjetshëm. Duke respektuar këtë kuptim të qartë të shprehjes, ne duhet ta bëjmë tonën atë, kur gjykojmë apo shprehemi për Nënë Terezën, pasi figura e saj është figura më ideale ku hyjnorja dhe misioni civil është i ndërthurur.


Shprehja në vetvete pasqyron një nga tiparet bazë të Universalizmit-konceptit të rendit botëror që përfaqëson një përzierje të traditave të Perandorisë Romake dhe të Kishës Katolike. Sipas këtij koncepti,bota është një pasqyrim i qiejve.Ashtu si në qiell sundon një Zot ashtu dhe në këtë botë shekullare do të sundoj një perandor dhe një papë në Kishën Universale. Edhe pse Universalizmi, mori goditje të forta nga raison d’etat i Rishelejese (ironikisht pasi Rishilieja ishte Kardinal) dhe ideja e shtetit-komb i Revolucionit Francez, prapësëprapë ai nuk është zbehur nga doktrinat e Kishës Katolike si mjet dhe predikim për të arritur paqen botërore.Madje i reformuar si koncept, ai ka kontribuar dhe në prirjet e tanishme moderne për një Evropë të bashkuar. Një vështrim i shpejtë në atë që mund të konsiderohet ngrehina e Shteteve të Bashkuara të Europës- në Bashkimin Evropian e sotëm mund të vësh re shumë lehtë se në bazat filozofike të tij ka një mbështetje të fortë në parimet e Universalizmit.


Kështu p.sh. kur ish-Presidenti i Komisionit Evropian Jacques Delor përshkruan kriteret bazë të filozofisë së sotme të Bashkimit të Evropës, nënvizon tre si të tilla.Filozofinë antike si bazë e racionalizmit të sotëm evropian, të drejtën romake si ndërtimin e shtetit modern të së drejtës dhe vlerat e kristianizmit si vlera humane dhe universale të njeriut.


Këtij universalizmi modern i përket dhe Nënë Tereza. Ajo nuk mund të shikohet dhe vlerësohet jashtë këtij prizmi.Është e vërtetë që për edukimin tonë nacionalist centrik, shumica do të dëshironte një Nënë Terezë aktive në çështjet tona kombëtare, por asaj nuk mund ti shkojë roli i Shote Galicës sepse në filozofinë që ajo besonte dhe praktikonte, predikohet “se kush përdor shpatën prej saj do të vdesë”, por as roli i aktivistes së thjeshtë të çështjes kombëtare sepse ajo besonte në paqen universale dhe vëllazërimin e popujve larg demonëve shkatërrues të nacionalizmave.Parimi i paqes universale është një nga vlerat humaniste të Katolicizmit, dhe qysh nga Koncili i vitit 1963, Vatikani kurrë nuk ka përkrahur më ndonjë luftë. Prandaj tingëllojnë të nxituara disa vlerësime që hasen nëpër faqet e shtypit të përditshëm dhe që fatkeqësisht influencojnë dhe në opinionin e përgjithshëm se “Nënë Tereza nuk ka sjellë ndonjë kontribut të veçantë për Shqipërinë,dhe se ka një himnizim të panevojshëm përsa i përket figurës së saj”. Vazhdohet dhe më tej kur përcaktohet identiteti fetar i saj,si kundërpeshë ndaj identitetit fetar të shqiptarve të tjerë duke harruar se Nënë Tereza veproi dhe ndihmoi pa dallim të gjithë të varfërit e botës. Në asnjë fjalim të saj nuk mund të dallosh ndarjet artificiale që mundohen ti veshin,por gjithmonë aty do të gjesh një burim të pashtershëm dashurie,paqeje dhe përkushtimi ndaj njerzve në nevojë.


Gjithsesi për informacion të atyre që kritikojnë Nënë Terezën apo nuk pajtohen me nderimet që i bën shteti i sotëm shqiptar,ajo kurrë nuk e mohoi origjinën e vet shqiptare dhe me pohimin e saj se ishte shqiptare i solli një shërbim të paçmueshëm kombit të vet, të harruar e të izoluar në mjegullnajat e stalinizmit.Në shërbimin e vet civil, Nënë Tereza krijoi një precedent dhe eksperiencë të pashembullt në historinë moderne të njerëzimit. Ajo u bë simboli i gjallë i humanizmit,që bëri të mundur ndryshimin e politikave botërore për njerzit në nevojë e pa përkrahje sociale. Është ky shërbim social e misionar që ringjalli sërish vlerat humane të solidaritetit, mëshirës dhe përkushtimit ndaj të tjerëve,vlera të cilat prisnin ëngjëllin e tyre për ti përhapur në një botë që flinte në hipnozën e individualizmit dhe egoizmit vetjak të post modernizmit.


Ne këtë kontekst, ne shqiptarët duhet të jemi krenarë për shënjtoren tonë dhe vlerat humaniste që ajo mbart pasi duke ia dhuruar atë njerëzimit , sërish ndihemi aktivë në kontributin moral-filozofik në mendimin filozofik botëror.Është një kënaqësi e veçantë që shenjtërimi i Nënë Terezës tashmë është një festë zyrtare në Shqipëri dhe nga viti në vit ajo duhet të kthehet në një festë të vërtetë popullore. Këtu nuk është fjala për të krijuar apo imponuar ceremonira të veçanta por duke u përpjekur për të njohur misionin fisnik të saj,shqiptarët nuk kanë sesi mos ta nderojnë dhe duan shenjtoren e tyre. Duke nderuar Nënë Terezën dhe nënvizuar kontributin e saj të paçmuar në qytetërimin modern nuk rrezikojmë aspak të biem në tautologji moderne, sepse të nderosh vlera të tilla si humanizmi,solidariteti dhe sakrifica njerëzore, vlera të mishëruara më së miri tek Nënë Tereza do të thotë ti bësh një monument vetë njerëzimit.


No comments: