Sunday, 28 October 2007

Rehabilitimi i pamerituar i Serbisë




Shakaja e njohur gazetareske që qarkulloi në Evropë, pas ndarjes së Serbisë dhe Malit të Zi se “Serbia është si Nokia, sa vjen e bëhet më e vogël ” nuk ishte një krahasim i goditur, për dy arsye. Së pari, të gjitha pjesët që ka humbur apo përmirësuar Nokia kanë qenë të saja origjinale, ndërsa Serbia ka humbur territore me popullsi jo serbe me përjashtim të Krajinës në Kroaci dhe republikës ”Serbska” në Bosnje. Së dyti Nokia pas çdo humbje apo përmirësimi që ka pësuar është bërë më moderne ndërsa Serbia përkundrazi pas çdo humbje territori është radikalizuar më shumë në qëndrimet e saja ekstremiste duke rrezikuar paqen në Ballkan.


Por këto fakte të cilat duken të thjeshta në plan të parë për cilindo vëzhgues të gjendjes në Ballkan, janë kthyer në një rebus të vërtetë për diplomacinë evropiane.Përgjigjësisht në mendimin politik evropian për të zgjidhur krizën e shkaktuar në statusin e Kosovës, po vërehet një evolucion negativ, që shkon deri në propozime të çuditshme si është ai i ndarjes së Kosovës në bazë të ndarjes etnike. E thënë ndryshe, rikonfigurim i shteve etnike,premisa nga e cila nisi luftërat ballkanike Sllobodan Milosheviçi-Kasapi i Ballkanit,modeli i të cilit po dënohet në Hagë. Mishmashi i deklarimeve diplomatike në favor të një modeli të dështuar nga koha, ngre natyrshëm pyetjet se kujt mund ti shërbejë ky model? A ka në të një logjikë integruese evropiane apo bëhet thjeshtë për të ruajtur balancat në Ballkan? Nuk e dimë se çfarë kanë kokë diplomatët e ndryshëm evropianë kur propozojnë këto zgjidhje të çuditshme, por fatkeqësisht vërehet se ato janë afër qëndrimeve serbe. Edhe pse nuk harrohet të thuhet, se kjo zgjidhje propozohet në qoftëse palët bien dakort,fare mirë mund të kuptohet se ky variant është varianti minimalist serb për çështjen Kosovës ose më mirë të themi e keqja më e vogël për nacionalizmin serb. Variante të tilla janë hedhur dhe për Maqedoninë, kur vendi ishte në krizë etnike,por ndërsa aty u hodhën poshtë si të papranueshëm, në Kosovë paraqiten si variante të mundshme. Shqiptarët kanë dhënë prova se dinë të jetojnë në harmoni me popujt e tjerë, siç është rasti i Maqedonisë kur pas marrëveshjes së Ohrit nuk janë shënuar më konflikte me karakter etnik,po kështu në të njejtën mënyrë dëshmuan se dinë të jetojnë në harmoni dhe në Kosovë kur pranuan planin Ahtisari,që një minoriteti rreth 8% i jep atribute shtetformuese.


Përpjekjeve agonuese të Serbisë për të ruajtur sovranitetin e vet në Kosovë i ka ardhur në ndihmë qëndrimi dyzues dhe i vakët që diplomacia evropiane ka mbajtur ndaj çështjes së Kosovës, duke krijuar kështu një klimë mëse të përshtatshme për deklarimet dhe kërkesat e nacionalizmit agresiv serb. Në paraskenat e diplomacisë europiane ndihet një simpati e heshtur për Serbinë e konkretizuar në politikën e ashtëquajtur të “shkopit dhe karrotës”, e cila synon integrimin e Serbisë brenda strukturave evropiane pa i dhënë rëndësinë e duhur katharsisit nga ana e Serbisë, që me fjalë të tjera do të thote se Serbia pa e dënuar politikën e saj të vjetër e cila për fat të keq vazhdon të mbetet dhe e re, mund të integrohet në Bashkimin Europian, me qëllim që të inkurajohen forcat demokratike në Serbi!


Ekzistenca e forcave demokratike në Serbi është një rebus më vete, madje as më entuziastët e intregistëve europianë nuk mund ti zbulojnë lehtë, pasi pothuajse të gjitha forcat politike serbe,jo vetëm që nuk ndihen fajtor për politikat e shkuara por kërkojnë të mbajnë me thonj e dhëmbë çdo përfitim që kanë fituar në emër të tyre. Në këtë kontekst, rehabilitimi i Serbisë duke i afruar anëtarësi të shpejtë në institucionet ndërkombëtare si Bashkimi Europian dhe NATO mund të japë një shembull të keq në rajon, sesa më ashpër dhe keq mund të sillesh në arenën rajonale po kaq shpejt mund të fitosh predispozitat e standarteve për të cilat vende të tjera janë përpjekur shumë për ti arritur.

“Mosdënimi i krimit, çon në përsëritjen e tij”. Kjo është një sentencë e njohur që mund të nxjerrësh nga bota shekspiriane e tragjedive të mëdha, e cila jep shembuj të shumtë sesi njërëz e madje dhe shtete degjenerojnë në kasapana të vërteta kur krimi fshihet dhe nuk dënohet.Asnjë kërkim faljeje,asnjë distancim nga e kaluara deri tani nuk kemi dëgjuar nga klasa politike serbe, akoma më keq kemi dëgjuar deklarime ultranacionaliste se “bombardimet ndaj Serbisë kanë qenë një gabim i madh dhe se Evropa nuk duhej të ngatërrohej për shkakun e dy milionë shqiptarëve”. Akoma ka të humbur që nuk u dihet nami e nishani, akoma ka familje të viktimave të cilat nuk kanë dëgjuar një falje publike nga ata të cilët jo më pak se 10 vjet më parë ushtruan një genocid të pashembullt në zemër të Europës.Serbia nuk ndihmohet aspak duke i falur asaj të kaluarën e afërt por dhe të renë e sotme e cila në shume aspekte reflekton të vjetrën.


Rehabilitimi i Gjermanisë në skenën politike europiane, nisi vetëm pasi ajo i njohu dhe dënoi krimet e nazizmit. Akoma tani pas më shumë se 60 vjetësh, intelektualët dhe kombi gjerman kërkojnë falje për Holokaustin dhe krimet e pashembullta kundër njerëzimit,duke shprehur kështu jo vetëm kulturën e tyre të thellë por dhe rrjellojat e një procesi të gjatë denazistifikimi që u zbatua në Gjermani nga qeveritë gjermane dhe nga Aleatët. E njëjta praktikë duhet të ndiqet dhe me Serbinë për ta shpëtuar njëherë e mirë nga ethet e nacionalizmit agresiv dhe për të nisur me të vërtetë procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian të saj. Vetëm kështu diplomacia evropiane do të mund me të vërtetë të ndihmojë Serbinë, për të cilën qëndrimi dhe kontributi i saj në zgjidhjen e statusit të Kosovës do të mund të kthehet në një provë të vërtetë ontologjike, të papërceptueshme për momentin nga qytetarët e vet-robër të politikës së përditshme të Kushtunica e Kompani, por egzistuese e shpirtit të ri të çliruar nga demonet e Naçertanias, projekteve shpërngulëse të Vasa Cubriloviqit dhe spastrimit etnik të Sllobodan Millosheviçit. Në epokën e dixhitalizuar nuk mund të pranohen ikona të urrejtjeve etnike,dhe Serbia si një shtet europian përpara se të bëjë “new look-un” e vet për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian duhet të realizojë katharsisin nga e kaluara e mbrapshtë ultranacionaliste.


No comments: