Sunday, 28 October 2007

Rehabilitimi i pamerituar i Serbisë




Shakaja e njohur gazetareske që qarkulloi në Evropë, pas ndarjes së Serbisë dhe Malit të Zi se “Serbia është si Nokia, sa vjen e bëhet më e vogël ” nuk ishte një krahasim i goditur, për dy arsye. Së pari, të gjitha pjesët që ka humbur apo përmirësuar Nokia kanë qenë të saja origjinale, ndërsa Serbia ka humbur territore me popullsi jo serbe me përjashtim të Krajinës në Kroaci dhe republikës ”Serbska” në Bosnje. Së dyti Nokia pas çdo humbje apo përmirësimi që ka pësuar është bërë më moderne ndërsa Serbia përkundrazi pas çdo humbje territori është radikalizuar më shumë në qëndrimet e saja ekstremiste duke rrezikuar paqen në Ballkan.


Por këto fakte të cilat duken të thjeshta në plan të parë për cilindo vëzhgues të gjendjes në Ballkan, janë kthyer në një rebus të vërtetë për diplomacinë evropiane.Përgjigjësisht në mendimin politik evropian për të zgjidhur krizën e shkaktuar në statusin e Kosovës, po vërehet një evolucion negativ, që shkon deri në propozime të çuditshme si është ai i ndarjes së Kosovës në bazë të ndarjes etnike. E thënë ndryshe, rikonfigurim i shteve etnike,premisa nga e cila nisi luftërat ballkanike Sllobodan Milosheviçi-Kasapi i Ballkanit,modeli i të cilit po dënohet në Hagë. Mishmashi i deklarimeve diplomatike në favor të një modeli të dështuar nga koha, ngre natyrshëm pyetjet se kujt mund ti shërbejë ky model? A ka në të një logjikë integruese evropiane apo bëhet thjeshtë për të ruajtur balancat në Ballkan? Nuk e dimë se çfarë kanë kokë diplomatët e ndryshëm evropianë kur propozojnë këto zgjidhje të çuditshme, por fatkeqësisht vërehet se ato janë afër qëndrimeve serbe. Edhe pse nuk harrohet të thuhet, se kjo zgjidhje propozohet në qoftëse palët bien dakort,fare mirë mund të kuptohet se ky variant është varianti minimalist serb për çështjen Kosovës ose më mirë të themi e keqja më e vogël për nacionalizmin serb. Variante të tilla janë hedhur dhe për Maqedoninë, kur vendi ishte në krizë etnike,por ndërsa aty u hodhën poshtë si të papranueshëm, në Kosovë paraqiten si variante të mundshme. Shqiptarët kanë dhënë prova se dinë të jetojnë në harmoni me popujt e tjerë, siç është rasti i Maqedonisë kur pas marrëveshjes së Ohrit nuk janë shënuar më konflikte me karakter etnik,po kështu në të njejtën mënyrë dëshmuan se dinë të jetojnë në harmoni dhe në Kosovë kur pranuan planin Ahtisari,që një minoriteti rreth 8% i jep atribute shtetformuese.


Përpjekjeve agonuese të Serbisë për të ruajtur sovranitetin e vet në Kosovë i ka ardhur në ndihmë qëndrimi dyzues dhe i vakët që diplomacia evropiane ka mbajtur ndaj çështjes së Kosovës, duke krijuar kështu një klimë mëse të përshtatshme për deklarimet dhe kërkesat e nacionalizmit agresiv serb. Në paraskenat e diplomacisë europiane ndihet një simpati e heshtur për Serbinë e konkretizuar në politikën e ashtëquajtur të “shkopit dhe karrotës”, e cila synon integrimin e Serbisë brenda strukturave evropiane pa i dhënë rëndësinë e duhur katharsisit nga ana e Serbisë, që me fjalë të tjera do të thote se Serbia pa e dënuar politikën e saj të vjetër e cila për fat të keq vazhdon të mbetet dhe e re, mund të integrohet në Bashkimin Europian, me qëllim që të inkurajohen forcat demokratike në Serbi!


Ekzistenca e forcave demokratike në Serbi është një rebus më vete, madje as më entuziastët e intregistëve europianë nuk mund ti zbulojnë lehtë, pasi pothuajse të gjitha forcat politike serbe,jo vetëm që nuk ndihen fajtor për politikat e shkuara por kërkojnë të mbajnë me thonj e dhëmbë çdo përfitim që kanë fituar në emër të tyre. Në këtë kontekst, rehabilitimi i Serbisë duke i afruar anëtarësi të shpejtë në institucionet ndërkombëtare si Bashkimi Europian dhe NATO mund të japë një shembull të keq në rajon, sesa më ashpër dhe keq mund të sillesh në arenën rajonale po kaq shpejt mund të fitosh predispozitat e standarteve për të cilat vende të tjera janë përpjekur shumë për ti arritur.

“Mosdënimi i krimit, çon në përsëritjen e tij”. Kjo është një sentencë e njohur që mund të nxjerrësh nga bota shekspiriane e tragjedive të mëdha, e cila jep shembuj të shumtë sesi njërëz e madje dhe shtete degjenerojnë në kasapana të vërteta kur krimi fshihet dhe nuk dënohet.Asnjë kërkim faljeje,asnjë distancim nga e kaluara deri tani nuk kemi dëgjuar nga klasa politike serbe, akoma më keq kemi dëgjuar deklarime ultranacionaliste se “bombardimet ndaj Serbisë kanë qenë një gabim i madh dhe se Evropa nuk duhej të ngatërrohej për shkakun e dy milionë shqiptarëve”. Akoma ka të humbur që nuk u dihet nami e nishani, akoma ka familje të viktimave të cilat nuk kanë dëgjuar një falje publike nga ata të cilët jo më pak se 10 vjet më parë ushtruan një genocid të pashembullt në zemër të Europës.Serbia nuk ndihmohet aspak duke i falur asaj të kaluarën e afërt por dhe të renë e sotme e cila në shume aspekte reflekton të vjetrën.


Rehabilitimi i Gjermanisë në skenën politike europiane, nisi vetëm pasi ajo i njohu dhe dënoi krimet e nazizmit. Akoma tani pas më shumë se 60 vjetësh, intelektualët dhe kombi gjerman kërkojnë falje për Holokaustin dhe krimet e pashembullta kundër njerëzimit,duke shprehur kështu jo vetëm kulturën e tyre të thellë por dhe rrjellojat e një procesi të gjatë denazistifikimi që u zbatua në Gjermani nga qeveritë gjermane dhe nga Aleatët. E njëjta praktikë duhet të ndiqet dhe me Serbinë për ta shpëtuar njëherë e mirë nga ethet e nacionalizmit agresiv dhe për të nisur me të vërtetë procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian të saj. Vetëm kështu diplomacia evropiane do të mund me të vërtetë të ndihmojë Serbinë, për të cilën qëndrimi dhe kontributi i saj në zgjidhjen e statusit të Kosovës do të mund të kthehet në një provë të vërtetë ontologjike, të papërceptueshme për momentin nga qytetarët e vet-robër të politikës së përditshme të Kushtunica e Kompani, por egzistuese e shpirtit të ri të çliruar nga demonet e Naçertanias, projekteve shpërngulëse të Vasa Cubriloviqit dhe spastrimit etnik të Sllobodan Millosheviçit. Në epokën e dixhitalizuar nuk mund të pranohen ikona të urrejtjeve etnike,dhe Serbia si një shtet europian përpara se të bëjë “new look-un” e vet për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian duhet të realizojë katharsisin nga e kaluara e mbrapshtë ultranacionaliste.


Integrimi evropian dhe regjistrimi i minoriteteve



Në prememorien që qeveria greke paraqiti në Konferencën e Londrës në 1913 mbi kufinjtë dhe popullsinë e Epirit vërehet se popullsia e kazasë së Korçës (regjistrimi i vitit 1908) numëronte “69.609 banorë nga të cilët 35.438 “grekë” dhe 34.171 muslimanë. Nga këta 35.438 të ashtëquajtur “grekë”, 33.438 ishin shqipfolës dhe 1.544 vllehfolës. Me fjalë të tjera në kazanë e Korçës sipas kësaj prememorie kishte 34.171 shqiptarë muslimanë, 34.894 shqiptarë ortodoksë dhe 1.544 vlleho-shqiptarë” dhe asnjë grek. Në raporte pothuajse të njëjta është dhe popullsia e kazave të tjera të vilajetit të Janinës si Përmeti, Kolonja madje dhe në krahinën e Himarës kaq problematike sot, numri i popullsisë jepet 11.968 nga të cilët 3.865 ishin greqishtfolës. Me përjashtim të kazasë së Gjirokastrës ku egzistonte një minoritet grek në të shtatë kazatë e tjera të Shqipërisë sipas kësaj prememorie,numri i grekofonëve ishte i papërfillshëm.
Ngatërrimi qëllimisht i kombësisë me besimin fetar ka qenë një tipar që ka ka karekterizuar politikën greke të asaj kohe dhe fatkeqësisht si shikojmë dhe nga disa deklarime të disa përfaqësuesve të lobit grek në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdon të jetë dhe sot për disa qarqe. Kështu psh personi “non grata” i vitit 1994, i shndrruar si me magji brenda pak vjetësh në një person të mirëpritur nga kryeministrat qeverive shqiptare-z Nikolas Geixh pretendon në një artikull të botuar në “National Herald” – gazetë e lobit grek në Sh.B.A se numri i minoritarëve grekë në Shqipëri “është 500.000 deri në 600.000”. Më andej z Geixh vazhdon të analizojë se numri mbetet i paqartë nga “frika e autoriteteve në Shqipëri,për të bërë numërimin e popullsisë” dhe se numri i minoritarëve grekë do të rritej pasi “vllahët në Shqipëri vetidentifikohen si grekë” . Nuk është e vështirë të kuptosh se në mes prememories greke të vitit 1913 dhe argumentave që përdor z.Geixh ka një lidhje organike, i cili është një qëndrim konstant që nuk është i ri për shqiptarët.     
Qeveritë greke në të shkuarën sa herë që u është dashur të mbështesin veprime të dënueshme nga komuniteti ndërkombëtar kanë gjetur rrugën e tretë për të promovuar pretendimet e tyre. Kështu psh, qeveria e Venizellosit në vitin 1914 kur i bëhej presion për tu tërhequr nga kufinjtë shqiptarë të njohur nga Konferenca e Londrës,organizoi lëvizjen famëkeqe epiriotase,ku kryetar i saj ishte një ish-ministër i jashtëm i Greqisë-renegati Kristaq Zografo! Bandat e Zografos dhe trupat e rregullta greke paraqiteshin si vendas të revoltuar që “s’duronin dot të qëndronin nën shtetin shqiptar”. Po kështu vepruan nacionalistët grekë dhe në rastin e Qipros në krizën e vitit 1974 ku sërish nacionalistë ekstremistë nga Athina organizuan grushtin e shtetit kundër peshkopit Makarios dhe në mënyrë të dhunshme dëshironin të shpallnin bashkimin e Qipros me Greqinë. Kur komuniteti ndërkombëtar reagoi kundër këtyre manovrave, qeveria greke nxitoi të distancohej por askush nga ata që e njeh politikën greke se vë në dyshim se në qoftëse do kish patur një miratim të heshtur ,Greqia do ta kish shpallur aneksimin e Qipros. Kjo lojë si “macja me miun” me parimet e së drejtës ndërkombëtare duke ndërthurur të drejtën e vdekur historike me të drejtën “vetvendosëse” që ka luajtur shteti grek në arenën rajonale dhe që ka reminishenca dhe në politikën e sotme, pavarësisht integrimit evropian të Greqisë, ka influencuar dhe në qëndrimet politike të minoritetit grek në Shqipëri.   
Është më se i njohur parimi se minoritetet gjithmonë shprehin politikën e heshtur , atë “të nën tavolinave” të vendit amë dhe minoriteti grek s’ka pse bëj përjashtim në këtë pikë. Shteti shqiptar ka ndërmarrë që në vitin 2001 një regjistrim të popullsisë i cili dështoi sepse qeveria greke e quajti jo të “kompletuar”, për shkak se në pyetësor nuk përfshihej pyetja për besimin fetar.Për të njëjtën arsye minoriteti grek në Shqipëri e bojkotoi këtë regjistrim dhe që atëherë bën thirrje për një regjistrim të ri të bazuar në “vetdeklarimin” dhe besimin fetar. Ndërsa në Bashkimin Evropian, ku prej kohësh është anëtar dhe shteti grek, besimi fetar ka kohë që është hequr dhe nga kartat e identifikimit dhe nuk përbën më aspak më ndonjë kriter për përcaktimin e kombësisë, ustallarët e Athinës dhe çirakët e tyre në Shqipëri kërkojnë ta imponojnë atë si të tillë.


Po kështu parimi i dyshimtë i “vetdeklarimit” nuk mund të përbëjë një element bazë për përcaktimin e kombësisë, sepse do të ndodhë si me gjithë ata shqiptarë të Jugut në vitin 1914, që nën kërcënimin e bajonetave deklaruan se ishin grekë dhe kur u tërhoq ushtria greke,deklaruan sërish kombësinë e tyre shqiptare. Sot situata është pothuajse e njëjtë vetëm se është më e ulët moralisht përsa i përket zhvillimit të ndërgjegjies sonë kombëtare, bajonetat janë zevëndësuar me pensione të paligjshme që shteti grek ka pajisur një pjesë të madhe të popullsisë shqiptare të jugut, e cila ka të përbashkët me grekët vetëm përkatësinë fetare,por aspak kombësinë.E pakuptushme mbetet politika e shtetit grek në këtë drejtim që pranon të pajisë me pensione shtetas të një shteti tjeter pa punuar qoftë dhe një ditë në Greqi! Ndoshta “evropianistët” tanë të integrimit mund të na japin një përgjigjie për këtë.
Fatkeqësisisht i gjithë ky aktivitet kryhet nën hundën e shtetit shqiptar, përfaqësuesit e të cilit pranojnë se “në emër të integrimit euro-atlantik” mund të shkelin një sy, pa pyetur asnjëherë qytetarët e vet nëse do të deshin një integrim me identitete të deformuara? Arsyet që jepen herë pas here për të përligjur këtë pasivitet të shtetit shqiptar janë se “Greqia është patner strategjik dhe se fundi-fundit të gjithë do integrohemi në Europe”, tingëllojnë mjerane ndaj veprimeve të shtetit grek dhe shteteve të tjera në rajon. Ndonse ka një vit që është nënshkruar marrëveshja e MSA-së, parlamenti grek se ka miratuar akoma atë. A mund të përkthehet ky “diversion populist” i shtetit grek ndaj popullsisë shqiptare dhe një minoriteti të njohur prej kohësh si minoritet vllah dhe jo si grek,si politikë evropiane integrimi apo mund të përcaktohet si politikë e vjetër asimilimi? Kur Hungaria u pranua në Bashkimin Evropian,shpalli se të gjitha minoritetet hungareze mund të pajiseshin me karta nga shteti hungarez për të lëvizur lehtësisht në Evropë,një veprim i cili mori përgjigjien e shpejtë nga shteti rumun që përfshin brenda tij një minoritet të madh hungarez, duke e çuar çështjen në Bruksel. Bashkimi Evropian u dha të drejtë shqetsimeve rumune dhe e këshilloi Hungarinë të mos shkonte më tej në veprimet e saj. Nuk u vërejt ndonjë pengesë ndaj Rumanisë,e cila vazhdoi të zbatonte reformat e duhura dhe u pranua në Bashkimin Evropian në datën që ishte rënë dakort.  
Në këtë kontekst nuk e di pse politikanët tanë vazhdojnë të sillen me kompleks infioriteti pa i emërtuar kurrë gjërat si janë apo pa iu drejtuar Brukselit si kryeqyteti i vlerave demokratike që nuk mund të lejojë deformime të tilla regjistrimi në shekullin e XXI, por duke qënë se atdheu është i të gjithve ne nuk mund të lejojmë që të deformohet identiteti i disa bashkombasve tanë, në emër të një ëndrre që mund ta arrijmë dhe duke qëndruar shqiptarë. Kjo vlen për atë pjesë të politikës që shqetësohet vërtet për integrimin dhe u trëmbet influencës greke në institucionet euro-atlantike, kurse përsa i përket atyre që u trëmben kthimit në masë të emigrantëve dhe u gëzohen milionave që ata dërgojnë në Shqipëri për ti shitur efektet e tyre si suksese ekonomike apo atyre që janë drejtues bordesh në biznese greke-shqiptare u vlen t’u kujtohet shprehja e njohur e poetit Ali Asllani se “Koha është e maskarenjve/por atdheu është i shqiptarëve”.




Monday, 22 October 2007

Shenjtërimi i lumnueshëm i Nënë Terezës






“Jepi Çezarit atë që përket Çezarit dhe Zotit atë që i përket Zotit” - kjo shprehje e njohur nga Bibla ka marrë konotacione të ndryshme gjatë shekujve. Në sensin historikografik, shprehja i referohet vlerësimit dhe kontributit të figurave të ndryshme historiko-shoqërore në kohë. Në historinë tonë të turbullt, ne shpesh herë e kemi shkelur këtë parim duke dashur që figurat historike t’iu shërbejnë qëllimeve dhe ideologjirave tona, pa u kujdesur aspak se kështu dëmtojmë integritetin shoqëror të tyre. Në fakt kjo shprehje duhet parë ngushtë me kuptimin moralo-filozofik të saj. Në sensin filozofik të Krishtërimit ajo përfaqëson një dallim të qartë midis pushtetit civil dhe atij hyjnor, midis pushtetit të përkohëshëm dhe atij të përjetshëm. Duke respektuar këtë kuptim të qartë të shprehjes, ne duhet ta bëjmë tonën atë, kur gjykojmë apo shprehemi për Nënë Terezën, pasi figura e saj është figura më ideale ku hyjnorja dhe misioni civil është i ndërthurur.


Shprehja në vetvete pasqyron një nga tiparet bazë të Universalizmit-konceptit të rendit botëror që përfaqëson një përzierje të traditave të Perandorisë Romake dhe të Kishës Katolike. Sipas këtij koncepti,bota është një pasqyrim i qiejve.Ashtu si në qiell sundon një Zot ashtu dhe në këtë botë shekullare do të sundoj një perandor dhe një papë në Kishën Universale. Edhe pse Universalizmi, mori goditje të forta nga raison d’etat i Rishelejese (ironikisht pasi Rishilieja ishte Kardinal) dhe ideja e shtetit-komb i Revolucionit Francez, prapësëprapë ai nuk është zbehur nga doktrinat e Kishës Katolike si mjet dhe predikim për të arritur paqen botërore.Madje i reformuar si koncept, ai ka kontribuar dhe në prirjet e tanishme moderne për një Evropë të bashkuar. Një vështrim i shpejtë në atë që mund të konsiderohet ngrehina e Shteteve të Bashkuara të Europës- në Bashkimin Evropian e sotëm mund të vësh re shumë lehtë se në bazat filozofike të tij ka një mbështetje të fortë në parimet e Universalizmit.


Kështu p.sh. kur ish-Presidenti i Komisionit Evropian Jacques Delor përshkruan kriteret bazë të filozofisë së sotme të Bashkimit të Evropës, nënvizon tre si të tilla.Filozofinë antike si bazë e racionalizmit të sotëm evropian, të drejtën romake si ndërtimin e shtetit modern të së drejtës dhe vlerat e kristianizmit si vlera humane dhe universale të njeriut.


Këtij universalizmi modern i përket dhe Nënë Tereza. Ajo nuk mund të shikohet dhe vlerësohet jashtë këtij prizmi.Është e vërtetë që për edukimin tonë nacionalist centrik, shumica do të dëshironte një Nënë Terezë aktive në çështjet tona kombëtare, por asaj nuk mund ti shkojë roli i Shote Galicës sepse në filozofinë që ajo besonte dhe praktikonte, predikohet “se kush përdor shpatën prej saj do të vdesë”, por as roli i aktivistes së thjeshtë të çështjes kombëtare sepse ajo besonte në paqen universale dhe vëllazërimin e popujve larg demonëve shkatërrues të nacionalizmave.Parimi i paqes universale është një nga vlerat humaniste të Katolicizmit, dhe qysh nga Koncili i vitit 1963, Vatikani kurrë nuk ka përkrahur më ndonjë luftë. Prandaj tingëllojnë të nxituara disa vlerësime që hasen nëpër faqet e shtypit të përditshëm dhe që fatkeqësisht influencojnë dhe në opinionin e përgjithshëm se “Nënë Tereza nuk ka sjellë ndonjë kontribut të veçantë për Shqipërinë,dhe se ka një himnizim të panevojshëm përsa i përket figurës së saj”. Vazhdohet dhe më tej kur përcaktohet identiteti fetar i saj,si kundërpeshë ndaj identitetit fetar të shqiptarve të tjerë duke harruar se Nënë Tereza veproi dhe ndihmoi pa dallim të gjithë të varfërit e botës. Në asnjë fjalim të saj nuk mund të dallosh ndarjet artificiale që mundohen ti veshin,por gjithmonë aty do të gjesh një burim të pashtershëm dashurie,paqeje dhe përkushtimi ndaj njerzve në nevojë.


Gjithsesi për informacion të atyre që kritikojnë Nënë Terezën apo nuk pajtohen me nderimet që i bën shteti i sotëm shqiptar,ajo kurrë nuk e mohoi origjinën e vet shqiptare dhe me pohimin e saj se ishte shqiptare i solli një shërbim të paçmueshëm kombit të vet, të harruar e të izoluar në mjegullnajat e stalinizmit.Në shërbimin e vet civil, Nënë Tereza krijoi një precedent dhe eksperiencë të pashembullt në historinë moderne të njerëzimit. Ajo u bë simboli i gjallë i humanizmit,që bëri të mundur ndryshimin e politikave botërore për njerzit në nevojë e pa përkrahje sociale. Është ky shërbim social e misionar që ringjalli sërish vlerat humane të solidaritetit, mëshirës dhe përkushtimit ndaj të tjerëve,vlera të cilat prisnin ëngjëllin e tyre për ti përhapur në një botë që flinte në hipnozën e individualizmit dhe egoizmit vetjak të post modernizmit.


Ne këtë kontekst, ne shqiptarët duhet të jemi krenarë për shënjtoren tonë dhe vlerat humaniste që ajo mbart pasi duke ia dhuruar atë njerëzimit , sërish ndihemi aktivë në kontributin moral-filozofik në mendimin filozofik botëror.Është një kënaqësi e veçantë që shenjtërimi i Nënë Terezës tashmë është një festë zyrtare në Shqipëri dhe nga viti në vit ajo duhet të kthehet në një festë të vërtetë popullore. Këtu nuk është fjala për të krijuar apo imponuar ceremonira të veçanta por duke u përpjekur për të njohur misionin fisnik të saj,shqiptarët nuk kanë sesi mos ta nderojnë dhe duan shenjtoren e tyre. Duke nderuar Nënë Terezën dhe nënvizuar kontributin e saj të paçmuar në qytetërimin modern nuk rrezikojmë aspak të biem në tautologji moderne, sepse të nderosh vlera të tilla si humanizmi,solidariteti dhe sakrifica njerëzore, vlera të mishëruara më së miri tek Nënë Tereza do të thotë ti bësh një monument vetë njerëzimit.


Wednesday, 17 October 2007

Patriotizmi i vakët shqiptar






Kur diplomati finlandez Ahtisari shpalli planin e vet për Kosovën,qeveria shqiptare nxitoi ta njihte si të vetmen alternativë pa bërë kritikën më të vogël për të edhe pse plani në vetvete përmbante një rradhë paqartësish përsa i përket statusit të komunave “extra territories” apo Mitrovicës ku de jure shënonte faktin se ajo mbetej brenda Kosovës por de facto saksiononte gjëndjen e tanishme të saj,pra të administrimit nga serbët. Në qarqet e analistëve ndërkombëtarë që merren me çështjet ballkanike u krijua përshtypja se në qoftëse do kishte pasur një plan Ahtisari ku nuk do të flitej për pavarësi të kushtëzuar, sërish qeveria shqiptare e Tiranës do ta quante si zgjidhjen më të mirë të mundshme. Madje pati nga ata që janë më afër qëndrimeve serbe që e kritikuan Ahtisarin se përse nuk ndërmori një “modus vivendi më të pranueshëm nga serbët pasi kështu plani do të miratohej më lehtë nga të dyja palët”.

Ajo që bie në sy në gjithë këtë histori nuk është qëndrimi i këtyre analistëve pasi fundi-fundit ata vetëm sa mund të shprehin ide dhe opinione, por intrigant mbetet këtu besimi që ata kishin se qeveria e Tiranës do të pranonte çfarëdo lloj zgjidhje “a priori” vetëm e vetëm se vinte nga perëndimi. Në fakt në krijimin e këtij besimi që zotëron në këto qarqe nuk është përgjegjëse vetëm qeveria e sotme, por të gjitha qeveritë e kaluara të cilat nuk kanë ndërtuar kurrë një strategji të vërtetë për çështjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Më tepër se profesionalisht qeveritë shqiptare e kanë trajtuar atë si një çështje folklorike, duke shprehur dëshirën me gjysëm zëri për pavarësinë e plotë të Kosovës ku të trembur nga fantazma e paqenë e “Shqipërisë se Madhe”, ku të komleksuar nga paftësia dhe shkëlqimi i rremë i mbretërive sllave të së kaluarës apo gjysëm të kërcënuar nga aleatët e serbve në perëndim që shpesh herë qeveritarët tanë nxitojnë t’iu japin pa doganë titullin e patnerit strategjik drejt integrimit tonë në institucionet Euro-Atlantike.
Në opinionin e gjerë publik shqiptar të Republikës së Shqipërisë ka kohë që nuk egziston një mendim pozitiv për Kosovën,madje për turp të qeveritarëve të Tiranës nëse do zhvillohej një referendum për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën do ishte shumë e dyshimtë nëse shqiptarët do votonin pozitivisht. Diplomatët shqiptarë nuk e kanë aspak luksin e diplomatëve fqinjë që sa here nuk duan të ndërrmarin ndonjë hap,shprehen se “nuk i lejon opinioni publik i vendit të tyre”. Keshtu p.sh. serbët në tavolinat e bizedimeve shpesh herë deklarojnë se janë për zgjidhje demokratike por nuk i lejon opinioni brendshëm, duke përfituar në emër të tij kohë dhe integrime në organizatat Euro-Atlantike sipas politikës së njohur të “shkopit dhe karrotës”. Opinioni ynë i vakët publik shpesh herë shpërfillet duke marrë si të mirëqenë “patriotizmin” e trashëguar të shqiptarëve që në fakt ka kohë që është lëkundur.Një nga përgjegjësitë më të mëdha të Komunizmit ndaj kombit shqiptar është pikërisht bjerrja e këtij patriotizmi rilindas dhe zevëndësimi i tij me patriotizmin socialist internacional, i cili u shkërmoq shumë shpejt në ndërgjegjiet e njerëzve që kacavirreshin për të hipur në vaporët që shkonin drejt Italisë apo që drobiteshin për të kapërcyer malet e Greqisë.

Në vitet 90’që pasuan e deri tashmë, në vitet e teorive të “Fundit Historisë” të Fujimur-ës apo “Përplasjes së Qytetërimeve” të Huntigton-it nuk ka patur ndonjë përpjekje fisnike e serioze të elitës, për t’iu treguar shqiptarëve se ç’ vlera duhet të mbartin vetë dhe ç’duhet t’iu përcjellin fëmijëve të tyre,arsyet e të qenit shqiptar dhe kush është roli i tyre në Ballkan. Nuk është fjala këtu për të krijuar ideologjira nacionaliste madje as platforma të tilla, pasi gjithmonë ato shndrrohen në instrumenta të rrezikshme që më vonë rëndojnë ndërgjegjiet e kombeve, por të paktën për përgjigjie thelbësore që do të shërbejnë si piketa drejt forcimit të identitetit shqiptar të kërcënuar në këtë fillim shekulli.Shqiptarëve të sotëm u është reduktuar interesimi që duhet të tregojë Shqipëria ndaj Kosovës në formën e një parabole si një përfitim ekonomik, ”treg më i madh, investime më shumë” duke i ngjarë dashje pa dashje personazhit të partizanit Sherif tek “Nëntori i një Kryeqyteti” të Kadaresë që nuk e kupton rëndësinë e marrjes së radiostacionit, dhe kur dikush i ngacmon duke i thënë se “po të kishte sipër godinës një lopë e mullar ti Sherif do hidheshe i pari në luftë” atëherë ai vihet në sedër dhe lufton më shumë.

Nëpermjet groteskut të Kadaresë, zbulohet një nga pjesët thelbësore të patriotizmit, atij të “atdheut të vogël” që i ka kënduar dhe poeti rebel Lame Kodra tek vjersha e tij “Unë e dua Shqipërinë”. ”Atdheu i vogël” është prona nga fillon konceptimi për një atdhe më të madh me bashkësi njerëzish që flasin një gjuhë,kanë një kulturë të përbashkët dhe natyrisht të mirat materiale i shkëmbejnë me njeri-tjetrin duke krijuar atë që quhet treg kombëtar. Fatkeqësisht socializmi real e shkatërroi këtë atdhe,duke u dhënë njerzve një atdhe që pretendohej se ishte i “të gjithve” por në fakt s’ishte i asnjerit.Kjo gjëndje si për paradoks vazhdon dhe në ditët tona me mish-mashin që egziston me pronën si rezultat i ligjit 7501 që u votua me aq nxitim në vigjilje të demokracisë, i cili i ka lënë shqiptarët pa atdhe,duke kërkuar shpesh herë një atdhe të ri ku dhe investojnë duke u ndjerë më të mbrojtur dhe përkrahur në vendin pritës se në vendin e vet.

Globalizmi i gjeti të papërgatitur shqiptarët, të cilët duke emigruar u munduan të adoptohen në vendet e kulturat e reja pa i kushtuar rëndësi identitetit të vet,por qoftë dhe ata që nuk emigruan duke dashur të shpëtojnë nga izolimi i tmerrëshëm i viteve të diktaturës u “evropianizuan” shumë shpejt pa i kushtuar rëndësi identitetit të tyre kombëtar.Rastet jo të pakta të një ndërgjegjie kombëtare të vakët janë për tu shqetsuar duke ditur se spiralja e ndërgjegjes kombëtare qysh nga themelimi i shtetit kombëtar vjen duke u ngritur dhe asnjëhere duke zbritur. Kjo gjëndje pasqyrohet dhe në patriotizmin e vakët të mërgatave shqiptare të cilat krahasuar me ato të fillimit të shekullit XX ngjajnë si nata me ditën. Për këtë gjendje të trishtë mban një përgjegjësi themelore dhe shteti shqiptar,i cili është themeluar për ti dhënë identitet bashkësisë etnike shqiptare dhe jo për ta shkombtarizuar. Në asnjë nga buxhetet e qeverive shqiptare, s’ është parashikuar as dhe një qindarkë për arsimimin apo aktivitetet kulturore të mërgatave shqiptare në botë. Kultura dhe arsimi kombëtar si dy nga elementët e tjerë thelbësorë të patriotizmit janë lënë kështu në dorë të fatit,një fati shumë të trishtë që prodhon një opinion kaq të vakët kombëtar në Shqiperi, i cili krahasuar me atë të vendeve fqinjë i përngjet një liliputi përballë gjigandëve.

Theksimi i patriotizmit shpesh herë vështrohet si burim i nacionalizmit, i cili është i vështirë për t’u përkufizuar në shkencat politike dhe në erërat e integrimit vështrohet si “delja e zezë” që sjell veçse shkatërrim, por asnjë nga shtetet të cilat dhe e kanë lindur nuk e kanë zverdhur, por moderuar atë në një patriotizëm evropian.Edhe shqiptarët s’ kanë pse bëjnë përjashtim në këtë drejtim, por patriotizmin e tyre rilindas, duhet t’ia përshtatin vlerave të patriotizmit evropian, vlera në të cilat shqiptarët si një nga popujt më të vjetër të kontinentit kanë kontribuar dhe kanë qenë pjesmarrës aktivë.Në këtë mënyrë ata do integrohen vërtetë në rrymat e mendimit evropian dhe do të kontribojnë në diversitetin e Evropës,një tipar, të cilin shumë studiues përfshirë dhe hartuesin e Kushtetutës evropiane ish-presidentin francez Valéry Marie René Giscard d'Estaing e konsiderojnë si një nga “vlerat universale të Evropës”.