Në historinë sociale e politike të kombit shqiptar janë
shumë të rallë figurat dhe personalitetet që gëzojnë një reputacion dhe respekt
të veçantë këndej e andej kufirit. Kjo dukuri ndodh , jo sepse kemi një
zbrazëtirë me figura të tilla historike dhe sociale apo niveli i tyre kulturor
e social nuk është në gjendje që t’i apelojë nevojave dhe dëshirave të kombit
shqiptar sot, por sepse ndër shqiptarë është shumë vështirë të zërë rrënjë
mendimi pozitiv kur vjen puna për hierarkitë letrare, shoqërore të figurave të
veta. Raste tipike të një mendësie të tillë janë debatet mbi figurën e Gjergj
Kastriotit, Nënë Terezës, Ismail Kadaresë, debate të cilat përpara se të
shtojnë ndonjë vlerë në panteonin e vlerave shqiptare më tepër tregojnë
katandinë se në cilën gjendet mendimi kritik shqiptar.