Sunday, 30 October 2011

Imuniteti dhe vullneti politik



Politika shqiptare është një “ sallatë frutash ”  më tha një i njohuri im. I mësuar me epitete të tjera për politikën tonë e luta të ma shpjegonte më tej mendimin e vet. Po ja ma ktheu ai, një sallat ë frutash do të paktën tre fruta t ë ndryshëm që të quhet e tillë. Ne kemi më shumë se tre forca politike që kontribuojnë në vend, por ashtu si sallata e frutave që  të jetë sa m ë e shijshme kërkon m ë shumë përbërës dhe politika jonë nuk duhet t ë mbizotërohet vetëm nga dominanca e një a dy partive. Për m ë tepër vazhdoi ai nuk  është  fjala se ndonjëri nga ta nuk e do prosperitetin dhe përparimin e kombit dhe  atdheut të vet si mund të dëgjohet rëndom gjithandej, por dëshira për të mbizotëruar i jep ndonjëherë shije bajate politikës q ë  ushtrojnë. Nuk e di sepse më pëlqeu dhe mua shpjegimi i mikut tim, pasi duke dhënë gjithmonë shpjegime dhe përcaktime nihiliste dashur pa dashur të gjithë kemi kontribuar në krijimin e një klime negativizmi për politikën shqiptare dhe vendin tonë.
Askush nuk mund ta mohojë se politika shqiptare përpos ngjarjeve të hidhura që na afruar në konfliktualitet të vazhdueshëm, na ka dhuruar dhe momente të gëzuara ku jemi ndjerë mirë. Momenti në të cilin ndihet vendi në prag të integrimit evropian,e bën politikën tonë delikate në marrëdhëniet ndaj vetes por dhe komunitetit ndërkombëtar, ndaj dhe qëndrimet që ajo mundohet të mbaj për të ruajtur ekuilibrin e saj të brendshëm interpretohen si shanse të humbura apo shanse të fitura. Në fund të fundit është çështje perceptimi sesi e shikon një gotë që është gjysëm e mbushur me ujë, si gotë gjysëm e mbushur apo si gotë gjysëm e zbrazët. Një çështje që irriton qytetarët shqiptarë dhe që shpesh herë na bën që ta shikojmë gotën si gjysëm të zbrazët është niveli i lartë i korrupsionit në shoqërinë tonë. Duam apo s’duam ne atë e kemi bërë tashmë një vlerë të sistemit tonë, diku për të mbaruar punë shpejt, diku për të zgjidhur ndonjë hall e diku tjetër për të bërë një karrierë të shpejtë. Në këtë sëmundje që na ka kapluar të gjithëve ka bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës por si gjithmonë përgjegjësia kryesore i mbetet politikës. Kjo është arsyeja që dhe zgjidhjet priten që të vinë prej saj.
Një iniciativë e mirë që duhet përshëndetur në këtë drejtim si masë efikase për mbylljen e rubinetit të korrupsionit është propozimi për kufizimin e mandateve të gjyqtarëve, politikanëve dhe zyrtarëve të tjerë të shtetit. Në këtë rast politika shqiptare si më e përfolura në këtë drejtim, jep një shembull personal duke i garantuar barazi të vërtetë ligjore për gjithë shtetasit e republikës së Shqipërisë. Për hir të së vërtetës ky ka qenë një propozim i hershëm i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, një propozim që priti pothuajse dy vjet që të merrte një përgjigje pozitive nga Partia Socialiste. Ai u anatemua në fillim si përpjekje e qeverisë për kapital politik, por pavarësisht insinuatave të atëhershme politike ka ardhur koha që ai të merret seriozisht nga të dyja palët. Çështja është a ka vullnet politik për të bërë më të mirën e mundshme në këtë drejtim dhe të mos fshihemi pas lodra fjalësh për kushtetutshmëri dhe  mekanizma të tjerë mbrojtës. A duhet shoqëruar ky hap dhe me një reformë paralele në drejtësi në mënyrë të tillë që të mos ketë abuzime ndaj grupeve apo personave të veçantë politikë? Këto janë çështje që kërkojnë një diskutim të gjerë në nivel ekspertësh ndaj ulja në një tryezë të rrumbullakët jo vetëm që nuk është humbje kohe por është dhe përshpejtim i ç’tensionimit të jetës politike në vend dhe përshpejtim i procesit të integrimit. Ky është një hap që e kanë ndërmarrë të gjitha vendet e ish-Evropës Lindore përpara se të hynin në Bashkimin Evropian dhe Shqipëria s’ka pse të bëjë përjashtim nga to. “Askush nuk duhet të ketë imunitet që korrupsioni të mbetet i pandëshkuar. SHBA ndihmon në luftën kundër korrupsionit, por nuk duhen lejuar privilegjet e imunitetit. Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri duhet të vazhdojë”.Këto ishin fjalët e ambasadorit amerikan në Shqipëri Aleksandër Arvizu, gjatë ceremonisë së mbylljes së programit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MÇ) në Shqipëri,fjalë ë cilat duhet të shërbejnë për të shkundur të gjithë ata që mund të mendojnë se miqtë tanë ndërkombëtarë do të na lënë akoma të notojmë në moçalin e korrupsionit. Në bashkëbisedimet mes palëve përpos gatishmërisë që palët po demonstrojnë për reformim elektorale duhet të vënë si prioritet kryesor dhe atë çka në parim u duk se e mbështetën parimisht në konferencën e organizuar për këtë qëllim. Ky vullnet dhe hapat konkretë të ndërmarrë do të jenë guri i provës për të parë nëse po ndryshon diçka në këtë drejtim. “Imuniteti duhet të kuptohet në mënyrën e duhur, pasi nuk i jep një pozicion të caktuar, i cili i vendos gjyqtarët apo zyrtarët e caktuar mbi ligjin. Por imuniteti apo imunitetet do të thotë që zyrtarët apo gjyqtarët mbajnë edhe lirinë e tyre për të funksionuar në mënyrë të pavarur. Ndërkohë që duhet të ruajnë edhe përgjegjësinë e madhe që kanë për të dhënë llogari”-deklaroi ambasadori Etore Sequi i Bashkimit Evropian, në po të njëjtën konferencë duke dhënë qartë dhe propozime konkrete mbi bazën e së cilave mund të fillojë të ndërtohet kufizimi i mandateve.
Gjithmonë kur kemi qenë të mërzitur me politikën tonë kemi përmendur shprehjen se kjo është “çorba që politika jonë na gatuan”.Mirëpo pas një zhvillimi të tillë shpresëdhënës ku të dyja palët po binden që ta marrin seriozisht kufizimin e imuniteteve që në një farë mënyre do të fillojë të ketë impakt për të pasur  dhe më shumë drejtësi në vendin tonë, na lind e drejta që politikën tonë ta shohim si “sallatë frutash” ku mjalti si një përbërës kryesor i saj duhet të jetë vullneti i mirë i të dyja palëve. Le të shpresojmë se politika shqiptare kësaj radhe e ka seriozisht për të nxitur shpejtësinë e integrimit të vendit por dhe për ti hequr imazhin negativ të saj në sytë e qytetarëve shqiptarë.

Gazeta "Shqip". 31.10.2011 


Saturday, 29 October 2011

E ardhmja e politikës shqiptare në fokusin e një interviste


Intervista e ambasadorit amerikan z Aleksander Arvizu e zhvilluar në Ora News me gazetaren Ilva Tare u prit me shumë interes në jetën publike dhe politike të vendit. Ky interes i madh publik vinte sa ngaqë intervista ishte e para e dhënë pas përfundimit dhe çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve lokale të 8 majit por dhe nga fakti se ka një interes të  madh publik në vend, për një sërë çështjesh të tjera ku ambasada amerikane me qendrimet e saj ka qenë protagoniste e ngjarjeve në Shqipëri. Gjithsesi pritshmëria e publikut mund të mos ishte e madhe pasi  është i njohur gjerësisht fakti se në diplomaci jo gjithmonë ka një raport të drejtë midis interesit publik të etur për të ditur sa më shumë rreth ngjarjeve dhe gjuhës së thatë diplomatike.Diskursi politik në të tilla raste është i  mbushur gjithë metafora e simbole që tentojnë ti japin fjalëve ngjyrime abstrakte dhe asnjanëse dhe ti largohen sa më shumë së realitetit. Mirëpo, intervista e z Arvizu kësaj radhe për fat të mirë nuk ishte e këtij lloji.Ajo i tejkaloi të gjitha pritshmëritë e publikut dhe ishte disi e veçantë , pasi për herë të parë që nga akreditimi i tij në Shqipëri, z Arvizu foli drejtë për së drejti për ngjarje dhe personaze me data dhe emra të përveçëm. Kështu qytetarët shqiptarë  përmes ekranit të televizionit u njohën me qendrimin zyrtar të SH.B.A për ngjarjen e 21 janarit, rreth optikës amerikane përsa i përket  antiamerikanizmit në Shqipëri, veprimeve të prokurorisë dhe forcave të policisë,zgjedhjeve dhe menaxhimit të tyre apo dhe opinionit të politikës zyrtare amerikane ndaj liderëve shqiptarë. Me këtë rast z Arvizu hoqi dhe merakun e shumë mendjeve në Shqipëri përsa i përket politikave që ndjekin ambasadorët duke theksuar se ata nuk bëjnë politikë personale por zbatojnë politikën zyrtare të shtetit të tyre. Kjo deklaratë ishte nga pjesët më rëndësishme të intervistës pasi besoj i solli me këmbë në tokë dhe i zbuloi para opinionit publik një pjesë të madhe të liderëve të politikës sonë, që sa herë nuk u kanë pëlqyer raportimet dhe deklarimet e amabasadorëve amerikanë të akredituar në Tiranë kanë nxituar ti etiketojnë si qendrime personale të tyre.
Nuk ka diskutim se të gjitha çështjet të diskutuara në intervistë paraqesin një rëndësi të veçantë përsa i përket forcimit të demokacisë së brendshme në Shqipëri dhe rritjes së imazhit pozitiv të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare,por mes tyre njëra pati besoj rëndësi më të madhe përsa i përket dhe së ardhmes së politikës shqiptare. Këtu i referohem deklarimit të z Arvizu rreth liderve të tranzicionit në Shqipëri, ku ai vlerësoi në mënyrë të veçantë kryeministrin aktual Sali Berisha dhe udhëheqësin historik të së majtës Fatos Nanon,por iu rikthye gjuhës diplomatike kur u pyet rreth Ramës që aspiron të bëhet kryeministër dhe nuk përmendi fare Metën që ka qenë dhe aspiron të bëhet sërish kryeministër apo Bashën që u zgjodh kryetar bashkie dhe që mendohet se do të jetë lideri i ardhshëm i së djathtës shqiptare. Sigurisht,këtu nuk bëhet fjalë për lodra fjalësh apo nominime të rastit, por për një opinion të krijuar qartë të mbështetur dhe në opinionet e ambasadorëve të mëparshëm amerikanë.Mirëpo edhe pse mund të ketë një dozë kënaqësie pas këtyre deklarimeve sidomos nga mbështetësit e të dy udhëheqësve politik historik në Shqipëri,në fakt kjo deklaratë duhet të na shqetsojë të gjithë.Ky shqetsim lidhet më tepër me të ardhmen politike në Shqipëri sesa me përmbushjen e egove politike të brezit të ri. Fakti që aleatët dhe partnerët tanë më të rëndësishëm strategjikë nuk  gjejnë një politikan të ri për ta nominuar pozitivisht si lider të së ardhmes,por vazhdojnë të mbështeten në elitat e krijuara dhe formuara para viteve 90’ është shqetsues dhe tregon se gjithë brezi i ri i investuar në politikë nuk ka arritur të bëhet ende protagonist. Ky përcaktim edhe pse mund të sjellë zhgënjim  përmban brenda vetes të vërteta të hidhura.
Ideja e prurjes në politikë të emrave të rinj ka reflektuar një nevojë të brendshme të politikës shqiptare por ka pasur dhe një bekim ndërkombëtar për të pasuruar me ide dhe aksione konkrete politikën shqiptare. Ky veprim e ka zanafillën në vitin 2004 ku pas nënshkrimit të Kartës së Adriatikut më 2003,paradhomës për tu pranuar në NATO dhe fillimit të negociatave për nënshkrimin e MSA me Bashkimin Evropian u pa e udhës që politika shqiptare të fillonte të rifreskonte radhët e saj me politikanë të rinj të formatit të teknokratit përpara se të hynte në këto dy organizma tërëndësishëm ndërkombëtarë. Krijimi i KOP-it dhe rifreskimi i PS me emra të rinj në të ashtëquajturën luftë kundër “xhaketave të vjetra” pas humbjes elektorale më 2005 i shërbeu këtij qëllimi. Mirëpo 7 vjet më vonë, në gjykimin e ambasadës amerikane rezulton se kontributi i liderëve të rinj në politikë ka qenë shumë më i vogël krahasuar me atë të liderëve të vjetër. Madje në kabllogramet e zbulura nga Wikileaks nuk gjen qoftë dhe një koment pozitiv për brezin e ri të politikanëve.
Por çka ndodhur kështu? Si ka mundësi që e vjetra ka triumfuar mbi të renë? Dikush mund ta shpjegojë këtë handikap me eksperiencën politike, por e vërteta ka rrënjë dhe më të thella.Në këtë gjykim e djathta gjendet dhe më komod se e majta pasi KOP-i edhe pse mund të mos ketë prodhuar lider të formatit të Berishës, të paktën ka kontribuar shumë në fitoren elektorale të PD në 2005 dhe në qeverisjen e saj të mëvonshme, kurse e majta edhe pse hyri në të njëtin proces rigjenerimi pas politikës ‘përtej së majtës e  së djathtës’ të Ramës nuk ka arritur asnjë fitore elektorale esenciale që ta sjellë në pushtet. Madje edhe pse ky konstatim tashmë është i dukshëm, PS vazhdon ende të promovojë të njëjtët individë si lider të brezit të ri që humbjet e njëpasnjëshme elektorale përpiqen gjithmonë tua faturojnë të tjerëve pa i kërkuar asnjëherë përgjegjësitë brenda vetes. Kjo politikë dritëshkurtër mund ta lërë PS për një kohë të gjatë në opozitë por dhe nëse vjen në pushtet kapacitetete saj qeverisëse nuk do të jenë të shkëlqyera. Politika e vërtetë nuk mund të mbështetet vetëm në imazhe perfomance televizive por në rezultate të vërteta.Respektimi i disa parimeve demokratike që mbështeten tek meritokracia dhe kontributi i dhënë në forumet përkatëse të partisë politike do të bëjë të mundur përzgjedhjen më të mirë të liderëve të rinj.Tirana,Durrësi dhe Elbasani si qarqe nxjerrin më shumë deputetë për parlament, mund të mos kenë luksin që jenë kthyer në qytete policentriste përsa i përket zhvillimit urban,por ato janë tashmë të  tilla përsa i përket demografisë së prejardhjes së banorëve që i kanë populluar ato pas migrimit të brendshëm që nisi në fillim të viteve  90’.Respektimi edhe i këtij faktori do ti sillte elektoratin më afër alternativave partiake por do tu jepte dhe legjitimetin e duhur liderëve të rinj.
Komente të shumta shoqëruan dhe do të vazhdojnë të shoqërojnë intervistën e amasadorit Arvizu,përfundime dhe dilema të shumta u sqaruan nga analistë të ndryshëm, por le të shpresojmë se ajo do të lexohet mirë përmes rreshtave edhe nga politikanët sidomos në pjesën kur flitet për ta dhe të ardhmen e tyre pasi duke mbajtur frerët në dorë të këtij vendi me zgjedhjet e tyre mund të kontribuojnë për mirë ose keq.Por ata e dinë,ashtu si dhe të gjithë ne se historia mban mend për mirë ata që gjithmonë bëjnë zgjedhjet më të mira për vendin e tyre ndaj sfidat e tyre personale le ti kthejnë në sfida të përgjithshme të zhvillimit dhe prosperitetit të vendit.