Fillimet e shekullit XX nuk kanë qenë aq të
mbarë për imazhin e Ballkanit në Europë. Pas një rizbulimi të tij në fillimet e
shekullit XIX, entuziazmit dhe një idili dashurie për këtë pjesë të skajshme
jugore të Europës, gjë e cila u dokumentua dhe në shumë vepra dhe ditarë
udhëtimi të udhëtarëve, diplomatëve dhe njerëzve të letrave si Bajroni,
Shatobriani, Lamartini., etj shoqëria europiane e fillimit të shekullit XX u
ballafaqua me ikonat e tmerrshme të luftërave ballkanike.
Viset e largëta dhe romantike, gjithë shkrepa dhe gurë që dikur kishin detyruar Bismarkun të pohonte se “nuk vlejnë për të lënë eshtrat as dhe një granatieri gjerman” papritur nëpërmjet realitetit të trishtë të luftërave ballkanike u kthyen në një sinonim të barbarisë, tmerrit, grindjeve pafund për territore dhe konflikteve etnike. E kësaj periudhe është dhe përdorimi për herë të parë në gjuhën angleze dhe hyrja në fjalorin e kësaj gjuhe të fjalës Balkanize-të ndash (një rajon ose trup) në shtete ose grupe reciprorikisht të vogla që janë në armiqësi me njëri-tjetrin.
Natyrisht që reporterët e gazetave kryesore
europiane nuk ishin të ndërgjegjshëm se po ndikonin në krijimin e një etike
kulturore negative për Ballkanin, pasi ajo që ishte më imediate për ta ishte
emetimi i saktë i fajtorëve të kësaj kasaphane. Denoncimi i ambicieve të
nacionalizmit të pafre të serbëve, malazezve, grekëve dhe bullgarëve shpeshherë
u interpretua si ekzagjerim i tepruar i tyre dhe se shkaqet e këtyre luftërave
ishin më tepër jashtë Ballkanit sesa brenda tij. Gjithsesi, përsëritja e
ngjarjeve në vitet ‘90 në Ballkan tregoi se shumë nga prognozat e tyre ishin të
sakta dhe shumë studiues dhe politikanë i rilexuan shkrimet e tyre për të
kuptuar sërish rrënjët e konflikteve.Në përqasjen e europianëve rreth
Ballkanit, sigurisht që nuk kishte pasur vetëm kritika, përçmim apo dhe
sarkazëm ndaj atyre që mund të bëheshin shumë shpejt sivëllezërit e tyre pas
largimit të otomanëve, por dhe simpati dhe ekzaltim të popullsive dhe etnive të
veçanta veçanërisht të grekëve dhe sllavëve nën influencën e dy nga rrymave të
mëdha të mendimit politik dhe kulturor europian, Filohelenizmit dhe
Pansllavizmit.
Më pak të privilegjuarit në këtë mes ishte
popullsia shqiptare, që pozita gjeografike e vendit ku jetonin shikohej si një
pengesë kryesore si për pansllavistët që dëshironin të kishin një dalje në
detin Adriatik, por dhe për filohelenistët që pozitën dominuese të tyre në
pashallëkun e Janinës e shikonin si një ofendim ndaj racës helene që aq shumë e
adhuronin. Fitimi i pavarësisë nga Greqia dhe Serbia dhe kërkesa e tyre për
ekspansion territorial veçanërisht në kurriz të territoreve të banuara me
shqiptarë i dha udhë dhe krijimit të një literature përçmuese dhe raciste ndaj
shqiptarëve nga pseudo akademikët e tyre, duke dashur të përligjin në këtë
mënyrë sundimin dhe gllabërimin e këtyre territoreve nën petkun e qytetërimit
që me gjasë do u ofronin këtyre territoreve. Për fat të keq, këto përqasje
gjetën jehonë dhe në Europë, shtetet e së cilës po përgatisnin shkatërrimin e
Koncertit Europian të rendit të krijuar në Kongresin e Vjenës më 1815, kështu
që interesat e tyre në rajon i ndërtonin mbi bazën e aleancave të real
politikës, domethënë dominimit të forcës ndaj më të dobëtëve.Në fakt, forca
dominoi në ngjarjet e luftërave ballkanike dhe bashkë me fatin e vulosur të
gjymtimit të Shqipërisë në Londër, mbijetuan dhe paragjykimet dhe perceptimet e
gabuara ndaj shqiptarëve.
Europa dhe Fuqitë e Mëdha për të larë duart
si “Ponç Pilati” pranuan se territoret që iu kaluan këtyre shteteve nën
administrim ishin me shumicë shqiptare ndaj iu kërkuan që të respektonin të
drejtat e tyre gjuhësore, kulturore dhe fetare, kërkesë që asnjë nga shtetet
ballkanike nuk e mori parasysh. Por jo vetëm kaq, por ato hartuan dhe platforma
të vërteta të dëbimit dhe zhdukjes të tyre duke i kthyer në popullatat më
martire të Europës Lindore që duheshin të flijoheshin për të përfunduar
plotësisht vendet që i gllabëruan procesin e formimit të shteteve-kombeve.U
deshën më shumë se 80 vjet që kjo gjendje e padurueshme shtypje nacionale të
përfundonte, kur në një nga aksionet më të mëdha të lirisë, NATO dhe aleatët e
saj të ndërhynin fuqimisht në Kosovë për të parandaluar një nga tragjeditë më
të mëdha të shekullit-gjenocidin shtetëror të Serbisë ndaj shqiptarëve. I pari
për në llojin e vet, kjo ndërhyrje përveçse krijoi një precedent të zbehjes së
konceptit të sovranitetit të shtetit që ushtron gjenocid ndaj shtetasve të vet
duke u dhënë fund kështu parimeve të imponuara me anë të forcës dhe
mentaliteteve nacionaliste të mosndërhyrjes në punët e brendshme, nxori në
sipërfaqe sërish të gjitha rrymat antishqiptare që të bashkuar kanë më se 11
vjet që po përpiqen ta zhbëjnë aksionin e madh të lirisë dhe formimin e shtetit
të Kosovës. I tillë është dhe raporti i Dick Marty-t, në formë pasi në përmbajte
ai pritet tashmë që fjalën e fundit ta thonë sërish hetimet.
Pa dashur të paragjykojmë hetimet nëse ato
do ndërmerren sërish nuk mund të rrimë këtu pa nënvizuar se ngjarja ngjan në
fakt si një film horror. Një film, një skenar që i përmban të gjitha klishetë e
mundshme të historive të shekullit XIX, ku shqiptarët paraqiteshin si barbarë
dhe të pacivilizuar që vrisnin, prisnin dhe rrëmbenin mbi popullsitë e tjera
“paqedashëse” të Ballkanit. Madje, Marti shkon dhe më tutje, zgjon nga gjumi
Drakulën e famshëm të rumunëve dhe ua vesh shqiptarëve, të cilët në ditën me
diell dhe nga aeroporti i vetëm zyrtar i shtetit të tyre bëjnë trafik organesh!
Por s’mbetet me kaq, për trafikun dinë shërbimet e fshehta shqiptare dhe
organizatori kryesor i tyre është Kryeministri i një vendi sovran. Deklaratat e
tij lënë pa gojë opinionin botëror dhe aty ku asnjë nuk mund të flasë pasi janë
shumë të shokuar nga amatorizmi i paraqitjes së hamendësimeve si fakte, bash
vjen një zë nga Moska i ministrit të Jashtëm rus, Lavrov, që e “dinte prej
kohësh se UÇK ishte e përfshirë në këto veprimtari kriminale”. Nga ana tjetër e
oqeanit, një zonjë që ka shkuar për pushime diplomatike në Argjentinë, pasi ka
dështuar plotësisht me kapjen dhe dënimin e kriminelëve të luftës në ish-Jugosllavi
përsërit sërish fantazitë e saj të përshkruara në librin që s’mundi dot të
bëhej bestseller edhe pse zonja loboi shumë që t’ia arrinte këtij qëllimi.
Këtij skenari filmi në fakt i mungon vetëm
epilogu, i cili nuk shkruhet, por lihet të nënkuptohet që Kosova ndoshta do të
ishte më mirë që të administrohej sërish nga Serbia, pasi ky shtet është shtet
zotëri, të vret si vrau në Bosnjë dhe Kosovë, por të paktën është i qytetëruar,
nuk i tejkalon normat ndërkombëtare të luftës dhe nuk bën trafik organesh me
kufomat e vrara. Kurse këta shqiptarët duket që s’e meritojnë lirinë, janë
barbarë, pasi mu në mes të fitimit të saj e kanë mendjen të bëjnë para me
trafiqe organesh. Për besë edhe filozofi francez Montenji që përshkruan veset e
kanibalëve në esenë e njohur të tij për ta, do ta kishte zili stilin përshkrues
të Del Pontes, solemnitetin e deklarimeve të Dick Marty-t dhe njohurinë e gjerë
rreth çështjeve ballkanike të Lavrovit.Skenat e përshkruara më lart, po të mos
diheshin ngjarjet mund t’u vije çfarëdolloj viti poshtë si vit kur zhvillohen
ngjarjet pasi, kjo histori ngjan si dy pika uji me shumë histori të stisura
rreth shqiptarëve, të paktën këtu e 150 vjet që kur çështja e formimit të
shtetit shqiptar ka dalë në skenë. Ajo që me të vërtetë mbetet shqetësuese në
gjithë këtë histori është pohimi që shumë mballoma të kësaj historie Marty për
të thurur pëlhurën e vjetër të paragjykimeve antishqiptare i ka huazuar nga
akuza të politikës shqiptare në Kosovë mes palëve. Papërgjegjshmëria e
deklarimeve, thjesht dhe për kapital politik të çastit është një sëmundje
kronike e gjithë politikës shqiptare që sa vjen nga papjekuria e atyre që
merren me politikë po aq ka brenda saj dhe trillin krijues ballkanik popullor
shqiptar. Duke vazhduar të sillet në mënyrë folklorike klasa politike shqiptare
për shumë kohë akoma do të vazhdojë të jetë viktimë e papërgjegjshmërisë së
vet, e paaftë të ndërtojë vektorë besueshmërie për atë çka kërkon dhe deklaron.
Në histori mitin nga ngjarjet e vërteta e
ndan besueshmëria e këtyre të fundit e bazuar në dokumente të burimeve
parësore. Ka ardhur koha që dhe klasa politike shqiptare në rajon të ndjekë
rastin e shkrimit të historisë dhe që të bëhet e besueshme për ato çka deklaron
duhet të sjellë para opinionit platformat, idetë dhe çueshmërinë ekonomike të
vendit dhe jo broçkullat dhe pallavrat e thashethemnajave provinciale dhe
ambicie politike brenda llojit të vet. Në fakt, në reagimin e përbashkët që ajo
pati këndej andej kufirit ndaj raportit të Marty-t, pjesa më thelbësore dhe sfida
e saj ndaj të ardhmes nuk mbetet bashkimi i saj para kësaj dukurie, pasi kjo
gjë është vërejtur dhe më parë, por gjetja e “burimeve parësore” të veta, pra
ndërtimi i kodit të ri etik dhe një morali të ri politik në marrëdhëniet e saj
brenda vetes.
No comments:
Post a Comment