Wednesday, 26 December 2007

Koha e vërtetë për Ndryshim!

Në kuadër të festimeve për 95 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë ,natyrshëm gjithë shqiptarve u vjen ndër mend një pyetje sa i sukseshëm ka qenë shteti i tyre për t’iu afruar shërbimet për të cilat është krijuar. Në përballjen e tyre me tërë korpusin legjislativ që është themeluar për të rregulluar marrëdhëniet e tyre midis njeri-tjetrit, shqiptarët janë sjellë dhe vazhdojnë të sillen me të si me një organizëm të huaj dhe jo si me një krijesën e tyre. Këtu nuk është fjala për të mohuar rolin e shtetit edhe pse s’është aspak çudi që në mendjet e shumë njerzve të zhgënjyer nga mosfuksionimi e tij t’u ketë shkuar në mend, por për të përcaktuar dhe analizuar këtë marrëdhënie dashuri-urrejtje që njeriu i sotëm modern shqiptar vazhdon ta ketë me shtetin e vet.



Mjafton të përmendim këtu periudhat kur janë ndërruar sistemet dhe shteti është paralizuar menjëherë. Ajo që bie në sy është se nuk janë prishur e shkatërruar struktura apo forma të dhunës ndaj të cilave qytetarët ishin të ndjeshëm por fatkeqësisht janë prishur e shkatërruar arkiva, kadastra e dokumenta historikë që shprehin vetdijen historiko-shtetformuese të kombit. Në këtë kuadër nuk të bën përshtypje se përse ka aq pak dokumenta origjinalë historia shtetformuese e shqiptarve. Rasti më flagrant në këtë drejtim është zhdukja e dokumentit origjinal të Pavarësisë, i cili i përket një kohe të afërt pa bërë fjalë këtu për dokumenta të tjerë më të hershëm që as që mund të bëhet fjalë.Si gjithmonë nuk kanë munguar zërat që këto shkatërrime t’iu jenë faturuar të huajve apo shërbimeve sekrete të fqinjve.Paranoja e të jetuarit si në rrethim dhe me armiq gjithandej në thelb nuk është një shpikje e socializmit real në Ballkan, por pasojë e një jete të gjatë farefisnore e të ndrydhur patriakale. Para se të kërkojmë faje dhe komplote tek të tjerët,ne duhet të analizojmë thellë brenda vetes tonë deliret e të qenit “anti-shtet” dhe vazhdimësinë e të jetuarit në anarki.


Një vështrim social-psiqik i historisë së shqiptarve tregon një fakt të çuditshëm që nuk është i pranishëm tek popujt e tjerë fqinjë.Sa herë që ata janë gjendur në hapësirat e mëdha të perandorive kanë shkëlqyer me gjenialitet në reformimin dhe mbijetesën e tyre. Kështu është shumë i njohur roli i perandorve ilirë në të shkuarën e largët ,në mbijetesën dhe forcimin e Perandorisë Romake, apo roli i shqiptarve në të shkuarën e afërt në Perandorinë Turke. Këto fakte rrëzojnë edhe pse tërthorazi një nga akuzat e pabaza që u bëhen shqiptarve nga fqinjët e vet se atyre u mungon elementi shtet-formues dhe në emër të kësaj pseudoarsye është kërkuar që fqinjët të rregullojnë sipas “mënyrës” së tyre punët në territorin shqiptar. Kështu në fillimet e shekullit të kaluar fqinjët ballkanikë pretendonin se kishin më tepër aftësi shtet-formuese se shqiptarët, prandaj duhej që shumë territore shqiptare t’iu bashkëngjiteshin shteteve fqinjë sepse po t’iu liheshin shqiptarve, do zhyteshin në anarki. Një arsye qesharake për tu marrë seriozisht por kur interesa gjeo-politike janë më të rëndësishme sesa virtualiteti i një kombi që po trokiste nga të fundit në shtëpinë e shteteve-nacionalë,argumenti i mësipërm bëhet dogmë dhe platformë për të justifikuar veprime të pafalshme dhe me pasoja të mëdha në tërë historinë e Ballkanit. Shqipëria në vitin 1913 u copëtua në mënyrën më të pashembullt në tërë historinë e Evropës duke e lindur shtetin e ri shqiptar mes një anarki territoriale.


Qytete dhe krahina të tëra që jetesën shpirtërore , ekonomike dhe politike e kishin të përbashkët me qytete dhe krahina që u lanë jashtë Shqipërisë, degraduan në qendra të vogla të papërfishme duke humbur kështu shkëlqimin e parë.Noli në një artikull të tij në vitet 20’ nënvizonte pesë anarkitë që nuk lejonin integrimin kombëtar të shqiptarve(kupto respektimin dhe forcimin e shtetit shqiptar). Kështu anarkisë territoriale mund t’i shtojmë këtu sipas Nolit anarkinë fetare, shoqërore, morale, politike dhe atë ideve. Megjithëse Noli shkruajti për to në fillim të viteve 20’, në qoftëse i hedhim një sy realitetit të sotëm fatkeqësisht do të shikojmë që ato janë të pranishme.


Anarkia fetare edhe falë përpjekjeve të vazhdueshme të shqiptarve dhe tolerancës së tyre të mirënjohur fetare, pas formimit të shtetit shqiptar nuk ka kërcënuar më seriozisht egzistencën e shtetit, por gjithsesi shpesh herë tani së fundmi ka dalë si problem. Ngritja e simboleve të mëdha fetare,theksimi se kujt i përket Shqipëria sipas besimit fetar të popullsisë janë precedentë të rrezikshëm që nuk sjellin gjë tjetër veçse përçarje dhe amulli.


Anarkia shoqërore vazhdon të mbetet një nga anarkitë më të rrezikshme që pengon mbarëvajten e shtetit. Shqiptarët trashëguan një rend shoqëror që regjimi komunist e shkatërroi pa mëshirë duke krijuar nga Shqipëria e pronarve të tokave e borgjezisë së vogël , Shqipërinë e “punëtorve dhe fshatarve”. Kjo lloj përmbysje radikale vazhdon të ketë efekt dhe në shoqërinë e sotme duke krijuar konflikte sociale midis “punëtorve dhe fshatarve” që u pasuruan shpejt pas zhvillimeve demokratike dhe ish-pronarve që mbetën me gisht në gojë.


E lidhur ngushte me anarkinë shoqërore është dhe anarkia morale, ku e ashtëquajtura klasë e re drejtuese e Shqipërisë nuk është në gjendje të luajë rolin e saj si lokomotivë për zhvillimin e vendit. Kjo gjë vjen pasi fatkeqësisht ka një mospërputhje të madhe midis nivelit të pasurisë së tyre dhe ndjenjës së përgjegjësisë dhe nivelit kulturor aq të nevojshëm për një klasë për të pasur një rol promovues. Kjo gjë dallohet qartë në një faktin, që kjo shtresë e popullsisë mund të shpenzojë shuma të mëdha në luks dhe në spektakle të pakuptimtë bukurie, por nuk e quan të arsyeshme ti ndërtojë një monument Naim Frashërit apo Fan Nolit duke e kërkuar këtë iniciative nga shteti!


Anarkia politike vazhdon të jetë një sëmundje lëngate për shtetin shqiptar,ku konsesusi dhe mirëkuptimi janë më tepër fjalë të huaja për botkuptimin e klasës politike sesa nocione veprimi dhe bashkimi. Dhuna verbale, denigrimi, presionet e hapura dhe të fshehta,akuzat e pathemelta vazhdojnë të përbëjnë karakteristikat e klasës politike shqiptare duke e kthyer atë një telenovelë mafioze ku prokurori nuk di se ku të kap hajdutin, ku hajduti brenda një nate kthehet në shenjtor, ku shenjtorët pretendojnë se bëjnë thagma e ku thagmat nuk egzistojnë por mund te parashikohen. Parashikimet për të ardhmen e shqiptarve në Bashkimin Evropian janë karamelet që u “shiten” njerëzve të zakonshëm për ti mbajtur larg nga problemet e përditshme.


E lidhur ngushtë me anarkinë politike është anarkia e idealeve, ku ashtu si thotë dhe Noli, ato “vazhdojnë të mbeten në errësirë”.


Idealet e larta të mirëqënies të prosperitetit dhe bashkimit kombëtar janë tradhëtuar poshtërsisht nga e gjithë shoqëria duke i zevendësuar me ato të interesave të ulta meskine për mirëqënie personale,makutërisë për tu pasuruar dhe rrëmbimit dhe tjetërsimit të pronës së tjetrit. Mosrespektimi i dinjitetit njerëzor shfaqet qartë në krizat e vazhdueshme të energjisë dhe mungesës së ujit të pishëm, mosregjistrimin e popullsisë, konsumimin e ushqimeve të pakontrolluara dhe planeve për kthimin e vendit në një kazan plehrash mbetjesh nuklearesh dhe ndotjesh ambjentaliste.


I gjithë ky realitet trishtues përkthet në mosfuksionim të shtetit të së drejtës, në amulli dhe pasiguri që mbizotëron kudo duke e kthyer shtetin dhe territorin shqiptar në “Qafën e Rrëmujës”. Integrimi në institucionet euro-atlantike nuk mund të bëhet duke jetuar mes këtyre anarkive por duke i dhënë fund atyre dhe duke vendosur shtetin e së drejtës. Reformat institucionale nuk mund të bëhen për hir se duhen “bërë “apo se kështu kërkon perëndimi, por ato duhen konceptuar si një domosdoshmëri e brendshme për të ecur përpara. Çlirimi i energjive të reja duhet të vijë natyrshëm nëpërmjet adaptimit të vetive të veçanta të shqiptarve në botën e sotme të Globalizmit dhe përshtatjes së delirive të vjetra të qeverisjes së perandorive të mëdha në mënyrë që përvjetoret e tjera të pavarësië të mos na gjejnë në këto situata të trishtueshme, por në botën e rregullit dhe prosperitetit. Këtë gjë s’mund ta realizojë kjo klasë politike e vjetër e stërlodhur, e korruptuar dhe adhuruese e anarkive, por një klasë e re politike e mëkuar larg qumështit të hidhur të patriakalizmit tribunar, nepotizmit e bolshevizmit të “proletarit pa atdhe”. Tranzicioni nuk mund të vazhdojë në pafundësi, tashmë me të vërtetë ka ardhur Koha e vërtetë për Ndryshim.



No comments: